Thursday, 24 November 2016

“Striptiza e Bastriut”



Ky ishte titulli i një tregimi të shkrimtarit turk Azis Nesin, ku përshkruheshin me satirë, botët e ndryshme të Stambollit në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Bastriu, kryefamiljar i mbetur papunë, i drejtohej për ndihmë një shoku të fëmijërisë, i cili ishte pasuruar vetëtimthi dhe ky i fundit, gjithë bujari e mori në një klub striptizmi, ku kaluan një natë mes alkolit, muzikës së lartë, brekëve dhe sytienave të kërcimtareve, qiqërviqrave dhe fistiqeve dhe parave që hidheshin. Disa ditë më pas, Bastriu, pasi vuri gjithë familjen të kërcente lakuriq(edhe nënën plakë), përfundoi në një spital psikiatrik.
Të shkretin Bastri, më kujtojnë shumica e e gazetave shqiptare. Mendoj për dhjetra kryefamiljarë nga Moglica, Peqini, Borshi, Maqellara, që në faqet e para të gazetave, në vend të gjejnë shpresë për hallet e tyre, gjejnë tituj e foto të tipit:
“Del sërish pjeshka e fishkur e Bleonës”, “Zogu i Tunës, si Tuna e zogut”, “Jozefina tund bishtin e Flamurit”, “Muli, muli, Sajë Qorri ta nguli!”, “Prapanicat e të bijës së Eli Farës, më me vlerë se një shinik me farë të zgjedhur”, “Berisha shan nga nëna Ballën”, “I bie Ora Rita Cices”, “ Surprizon në Dhërmi, gjoksi bombë i Dorinas”, “Noizy dhe Coizy rrihen me Hajdarë”, “Llalla godet Hajdarin, që e akuzon për zuzarllëk në sy të së dashurës”, “Orgazëm e parreshtur shkrimtarësh të tredhur”, “Puthje lezbike mes dy politikanësh burra të koalicionit”, “Ekspozohet Xhunga e Gugut”. “Meta ndërzehet me Lepurin” etj., etj.
C’ju shkon nëpër mendje dhjetra Bastrive shqiptarë, të bombarduar nga fotot dhe fjalët rreth pjesëve erotike të VIP-ave shqiptarë?
Shqipëria dhe sidomos Tirana është kthyer në një .ivaçanë të madhe, ku me para blihen mollaqe, vota, seks, ligje dhe gjithshka tjetër?
Shqipëria ka më shumë VIP-a se Ballkani, Italia, Gadishulli Iberik dhe Skandinavia të marra sëbashku?
Në do të mbijetosh në këtë sistem shit lirinë, votën, by…., vajzën adoleshente dhe nënën bashkë?
Skandalet, politika e fëlliqur, seksi, mbase ndihmojnë në shitjen e gazetave apo rritjen e klikimeve online, shtimin e shikueshmërisë të emisioneve televizive apo të dëgjueshmërisë të atyre radiofonike, por kjo nuk përligj përqëndrimin e medias në bëmat e të pabëmat e të ashtuquajturve Persona Tejet të Rëndësishëm. Arrihet deri në absurditete tëilla, si botimi se ç’shkruajnë në FB, të bijat e Shkrelit e Dokles apo e dashura e Zenit.
Të bombarduar gjatë gjithë vitit me informacione të tilla, të përzgjedhura për fitim apo për trullosje, Bastrijtë dhe Gjonët shqiptarë, me lista ushqimes h të papaguara në bakalli, me fatura të fryra të elektrikut, me frikën se mos mbeten dyerve të spitaleve, kanë rezistuar deri tani, pa ja marrë një valleje të madhe cullakosjeje, me pleq e me plaka e me kuç e me maç.

Ndoshta kjo është dëshmia, që jemi një popull i fortë, që do jetojë edhe pasi “kombet të shuhen në dhe”!

No comments:

Post a Comment