Ka thuajse një javë, që e gjithë media
shqiptare merret me veprimin(disi anarkist), të studentes nga Fieri, që hodhi
salcë domate mbi kryet e Ministres së Arsimit.
Në një shoqëri të përparuar, gjesti do kalonte
shpejt, me humor, për të mos shkaktuar konflikte të kota. Vetë zyrtari/ja i
lartë do deklaronte që dempkracia i ka edhe këto dhe mund të ftonte “agresoren”
për një bisedë miqësore rreth motiveve, që sollën veprimin protestues.
Kjo nuk ndodhi në Shqipëri, ku njerzit e
kanë më të lehtë të ndahen në dy kampe luftarake “pro dhe kundër” e të tjerrin
muhabete absurde, nëse salcëhedhja është violencë, e drejta e fjalës së lirë,
komunistllëk, populizëm apo thirrje për revolucion.
Kujt i sjell dobi, një diskutim kaq i gjatë
rreth një gjesti të një individi të vetëm?
Sigurisht politikanëve në përgjithësi dhe në
mënyrë të veçantë Qeverisë.
Opozitës, që mundohet të bëjë kauza të saj edhe
atje ku nuk ka të tilla, sepse nuk mund të bëjë të tilla ato të vërtetat, për të
cilat është po aq përgjegjëse sa edhe Pozita.
Për qeverinë dhe sidomos për kryeministrin
Rama, të tilla “rrëmuja mediatike” janë dhurata më e madhe në një kohë kur
duhet të flitet për gafat e mëdha në politikën e jashtme, si “çështja Tramp”
apo “marëdhëniet e përkeqësuara në mënyrë ballkanike me Greqinë“.
Pas dy javësh, “salca” dhe studentja do
harrohen. Do harrohen se problemet , që sjell “reforma në arsim” janë më të
voglat po t’i krahasojmë me problemet e mëdha që ka qeverisja e vendit. Mediat në
shërbim të “klaneve” politike, do kapen pas problemesh të tjera të dorës së
tretë, për të mos shkruar se si jetojmë, a ka mundësi të jetojmë më mirë, a ka
rreziqe për të cilat mund të bëjë diçka e gjithë shoqëria që të mos e lerë
vendin të pajetueshëm.
A është hedhja e salcës në kokë një mënyrë
simbolike të protestuari?
JO.
Salcë në kokë në shenjë proteste ju duhen
hedhur gjithë politikanëve, gjithë gjykatësve, thuajse gjithë nëpunësve, të
gjithë mjekëve dhe një pjese të mirë të pedagogëve të Universiteteve.
Pasi të kishim shprazur autobote të tëra me
salcë për të sipërpërmendurit, duhet të filonim me salcë në kokat tona, për
ndenien duarkryq për 25 vite me rradhë e më pas, kur të thellohej kriza e salcës,
të klithnim:
-Pak sacë, pak salcë, o shoqe, o mike, o
motër!
No comments:
Post a Comment