Një fantazmë sillet rrugëve , shesheve dhe parqeve të Korçës tash e 6 vjet !
Djall!i Denzo- do nxitoni të thoni, ju miq, që më lexoni herë herë dhe shikoni foton mbi këto rrjeshta dhe dini që 6-ta e përsëritur nuk është shenjë e mirë.
Jo nuk është djalli , edhe pse unë nuk jam shumë i sigurt për pamjen e Luçiferrit. Eshtë një njeri prej indesh dhe gjaku dhe mbi të gjitha është më inteligjent edhe se Bleta. Eshtë arkitekti Pitë Uillsën, që prej vitit 2010, ka fituar konkursin ndërkombëtar për Qendrën e Korçës dhe është angazhuar në rreth 66 projekte të mëdha e të vogla në qytet.
Në atë kohë, u duk që një erë e mbarë e fryu arkitektin australian nga brigjet e Elbës apo Spresë, në brigjet modeste të Dunavecit, dhe të gjithë shpresuan se mangësitë e arkitektëve korçarë që punojnë në Korçë, të arkitektëve korçarë, që punojnë në Tiranë dhe ato të shqiptarëve që punojnë në Shqipëri, Kosovë apo botë, do tejkaloheshin nga profesori plot përvojë teorike dhe projektimi(Unë e ve në dyshim edhe përvojën e tij teorike dhe atë të projektimit, por duke qënë i të njëjtit profesion, çdo deklaratë e imja përbën konflikt interesi.)
Pitë e fitoi Konkursin dhe fituesit nuk duhen gjykuar, por idetë e tij për Piramidë në sheshin në Turizmi(sipas librit të Kadaresë), prishjen e shkollës “Th.Gërmenji”(sipas idesë historia fillon me Peleshin) dhe të tjera volume të frikshme në shtypshkronja, jo vetëm që duheshin frenuar, por ishte e mira që profesorit t’i tregoheshin udhët, ashtu si ju kishin treguar udhët qytetarët e kulturuar të Korçs edhe arkitektëve të nivelit të Florestano Di Faustos, 90 vjet më parë.
E kundërta ndodhi. Profesori imponoi një objekt më të shëmtuar se Piramida (atë që quhet Eifeli Brutalist I Parisit të Vogël) dhe futi frymën e tij projektuese të viteve ’70 në një sërë projektesh të Bashkisë dhe private(të imonuara tek privatët nga Bashkia).
Tashmë ai nuk është më një arkitekt oborri, që projekton vetëm rezidencat luksoze të “princit mbrojtës”, por projektues parqesh, rrugësh, hotelesh, muzeumesh, zyrash, stadiumesh, banesash, maternitetesh, kullash, qëndrash kulturore, teatrosh, pishinash, pistash patinazhi, hauzesh, mure fortifikimi, memorialesh, nënkalimesh, shtëpish pushimi, restorantesh, diskotekash dhe bordellosh. Që kur mbylli sytë Da VinçI, bota nuk ka njohur peojektues me një gamë kaq të gjerë veprash. Edhe më të mëdhenjtë sot në botë, projektojnë për sektorë të caktuar të jetës edhe pse me zyra gjigande në disa kryeqytete të botës.
Jo në Shqipëri dhe Jo në Korçë dhe jo sa të jetë Pitë Uillsën!
Të jetë çështje lekësh?
Për këtë nuk jam i sigurt , por me siguri e di që shumë nga miqtë e mij arkitektë kanë mbetur pa punë për shkak të tij, dhe “liçencës”, që i është dhënë për të ndryshuar përfundimisht Korçën.
Ndaleni!
Arkitektë të papunë bashkohuni!
No comments:
Post a Comment