Debati i zhurrmshëm dhe i panevojshëm me
Greqinë, nxjerr zbuluar një problem të madh të politikës sonë të jashtme. Nëse kemi një linjë të caktuar në marëdhëniet
me vendet e tjera, apo kjo varet vetëm nga kryeministri.
Problemi nuk është i sotëm dhe vetëm i Ramës,
edhe pse kryeministri aktual, me dëshirën e tij të pafre për protagonizëm e ka
bërë më shqetësues. Janë të njohura politikat jokoherente të Nanos, orientimet
e dyshimta të Berishës, që shpesh herë i kanë krijuar problem të mëdha dhe të
panevojshme vendit. Prirja e kryeministrave, ka qënë , që në rolin e
ryediplomatit të venë thuajse gjithnjë “eunukë“, të cilët ose nuk mund të bëjnë
asgjë pa pyetur shefin, ose nuk kanë asnjë lloj rëndësie se ç’thonë në takime
bilateral. Në të gjithë botën e zhvilluar, Ministrat e Jashtëm janë figurat e
dyta dhe zakonisht ata, aë përgatiten për tu bërë në të ardhmen kryeministra
apo presidentë. Tek ne, emrat e Serreqit, Dades, Mustafajt, Milos, Starovës e
ndonjë tjetri nuk të tregojnë asgjë, por më flagrant është rasti i ministrit të
sotëm Bushati, i ardhur nga “asgjëkundi” dhe detyrimisht pa asnjë peshë.
Por të kthehemi në tema e politikës së
jashtme dhe nëse ajo duhet të jetë një linjë shqiptare apo mund të varet edhe
nga humori apo kapriçiot e kryeministrit, ose më keq akoma, nga koniukturat e
brendshme paraelektorale.
Le të themi, se si një vend ballkanik më i
pasur dhe i integruar më parë në Europë, Greqia duke mbetur ballkanase,
reflekton shpesh në mënyrë inatçore, me kapadaikllëk, apo edhe me mendjelehtësi
ndaj nesh dhe vendeve të tjera ballanike. Ka qënë një kohë, që marëdhëniet e
saj ishin të këqija me të gjithë shtetet, që ndante kufijtë dhe jo vetëm me
Turqinë, armiken e saj të përhershme. Por ky ka qënë dhe është problem i tyre.
Ne na duhet një fqinjësi e mirë me ta dhe jo të reagojmë me të njëjtën mëndjelehtësi,
kapadaikllëk apo në mënyrë hakmarrëse. Kjo nuk na bën të barabartë në forcë dhe
virtyte, por të barabartë në marrëzi.
Nëse problemet, që ekzistojnë mes nesh, nuk
jemi në gjendje t’i zgjidhim me diplomaci atëhere është e pafrytshme t’i
acarojmë me batuta, apo me referenca historike, të cilat në asnjë rast nuk
ndihmojnë. Ashtu si në marëdhëniet e njerëzve, historisë i duhet kthyer vetëm për
të kujtuar ngjarjet e mira të përbashkëta dhe jo luftrat apo krimet ndërsjellëse,
se ndryshe fut popullin tënd në një situateë të papëlqyeshme. Për më tepër
historia e para formimit të kombeve, (që është prej dyqind vjetësh e e më parë)
nuk është aspak histori mes Shqipërisë e Greqisë apo shqiptarëve dhe grekëve.
Eshtë e përzjerë me shumë popuj, fise, vasalë, perandori, shtete republikë,
principata, gjuhë të shkruara e të pashkruara etj.
Po a duhet të përdorim historinë e dyqind
viteve të fundit, në diplomacinë tonë me fqinjët?
Për deri sa disa çështje mbeten ende
pezull, nuk ka pse mos kemi një vijë të përgjithshme të interesit kombëtar që ka
disa drejtime kryesore si: çështja çame, çështja e emigrantëve që jetojnë në
Greqi, ajo e kufirit detar, e minoritetit e ndonjë tjetër. Por është krejtësisht
e pallogjikshme të ngresh sot problemin e ligjit të luftës për të treguar se sa
“idiotë“ janë qeveritarët grekë, apo atë të ndryshimit të emrave të emigrantëve
myslimanë, e cila nuk ka qënë asnjëherë politikë shtetërore greke. Aq më pak
duhen prekur ngjarje të para revolucionit grek, ose më keq akoma ato të
kolonive helene të antikitetit, kur dihet se grekët e sotëm janë gjenetikisht më
të afërt me shqiptarët se sa me grekët e vjetër.
Vetbesimi i rritur i Ramës në çështjet e
politikës së jashtme(që duhet pranuar që ka qënë e vetmja fushë e suksesshme e
veprimtarisë së tij këto 3 vjet) nuk duhet të na shpjerë në aventura të
“karshillëkut” ndaj Greqisë dhe shkelje të syrit ndaj Erdoganit apo më keq
akoma Putinit. Edhe pse në krizë, pas Italisë, Greqia mbetet partneri jonë
kryesor ekonomik dhe strategjik dhe çdo cilësim si “fqinj i pasur, por
harbut”na sjell ne më shumë dëm ne se sa Greqisë.
Edhe pse marëdhëniet personale midis udhëheqësv
politikë, janë të rëndësishme në marëdhëniet midis vendeve, ftesat apo
mosftesat e Ciprasit nuk kanë pse të sjellin hakmarrjet dhe shpotitë e Ramës.
Aq më pak ai duhet t’ju përgjigjet provokimeve të bëra nga gazeta ose qarqe që
nuk janë në nivelin e qeverisë.
Qershori 2017 nuk duket larg. Debatet për
reformën, ligjin e plehrave, ligjin e arsimit, kriminalitetit në politikë, janë
acaruar për shkaqe elektorale. Por për shkaqe elektorale nuk duhet ndryshuar
politika e jashtme me fqinjët apo me shtetet perëndimorë.
No comments:
Post a Comment