Thursday, 28 November 2013
Flamuri
Ne nuk kishim flamur në shtëpi. Mbase jo se ishim kozmopolitë, por se prindrit ishin të rinj dhe e kishin filluar shtëpinë nga “lugët e furkulicat” dhe nuk kishin trashëguar flamur. Në ditët e festive të Nëntorit, kur disa familje vinin flamurin në ballkonet e shtëpive të tyre, më shkonte në mendje pse nuk kishim , por s’kisha pyetur, se brezit tone të fëmijëve sepse i dukeshin qesharakë flamurët. Mbase nga që kishim filluar që herët të “betohem para Flamurit e shokëve të mij pionierë..”.
Për herë të parë dhe të fundit, flamurin e blemë në qershorin e vitit 1977, kur unë isha 18 vjeç dhe në moshë për të votuar e për të qënë patriot. E blemë jo se na u shtua ndienja e patriotizmit, por se duhej ta blinim. Kishim mbetur të fundt në pallat, që nuk kishim shpalosur në ballkon flamurin kombëtar me rastin e Kongresit të VII ose të VIII Bashkimeve Profesionale! Eshtë një si lloj ironie, që u bëmë të gjithë më patriotë ditën e Kongresit të Sindikatave, të cilat në frymën e tyre janë Ndërkombëtare. Sidoqoftë, na ishte tërhequr vëmendje memarifet, që kishim mbetur vetëm ne që nuk e “skuqnim” plotësisht pallatin. Ishte pjesë e një plani festimi të madh, të hartuar nga një kodosh i ri i politikës shqiptare, Enver Halil Hoxha, i cili kishte përputhje të plotë të emrit me Diktatorin, por për të mos patur dualizëm thirrej thjesht Enver Halili. Sekretari i Komitetit të Partisë donte të shquhej para “të mëdhenjve” për një organizim të shkëlqyer të një manifestimi patiak në qytetin, ku drejtonte ideologjkisht (ishte Sekretar i II në atë kohë). Flamurin e bleva dhe diku gjeta edhe një stap jo të fismë, të cilin e përdora si bisht dhe e lidha pas antenës së televizorit. Ishim në rregull me orientimet lokale, pikërisht në vitet e spastrimeve të mëdha. Nuk besoj se e përdorëm herë tjetër, sepse askush nuk të detyronte të vije flamurin në ditët e festave.
M’u kujtua sot historia e flamurit, kur flamuri kuq e zi edhe nëse nuk shpaloset në shtëpitë e shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut është pjesë kryesore e festimeve dhe sidomos e propagandës patriotike. Tani të mbështjellë me flamur nuk sheh vetëm hajdutët në pushtet dhe opozitë, por delenxhinj të kallëpit të Kreshnik Spahiut, ballistë, që mund të shesin edhe nënën e tyre e jo më Shqipërinë, bile edhe ish-Sigurimsa që kanë lyer duart me gjak në emër të “Bashkimit të Proletarëve kudo në botë“. Sepse është e lehtë të fshihesh pas Flamurit! Ai është i të gjithëve, bile dhe i atyre që kanë 100 të tillë!
Ndaj është vështirë edhe sot për mua të shkoj e të ble një flamur!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment