Thursday, 21 November 2013
Shkolla shqiptare e Arkitektures
Kam dashur disa herë të shkruaj rreth kësaj teme, por jam drojtur se nuk kam pasur kohën e nevojshme për të hulumtuar më tepër. Sot vendosa të shkruaj ato që di ndaj mund të më falet cektësia dhe ndonjë pasaktësi. Janë mendime të bluara prej vitit 1980, kur sa kisha filluar të studioja për arkitekturë dhe të rrahura më vonë në mendje ose në biseda me kolegë, pasi pata mundësi të mësoja më shumë rreth artit të ndërtimeve.
Kam shprehur disa herë më par, bindjen time që Shkolla jonë ka qënë dhe vazhdon të jetë e dobët, por më poshtë do shtjelloj arsyet, të cilat mendoj se kanë kushtëzuar nivelin e sipërpërmendur.
Arsyeja themelore është krijimi i saj në periudhën e Diktaturës komuniste. Vërtet për këtë nuk mund të fajësojmë Diktaturën, së cilës për hir të së vërtetës në këtë rast i duhet dhene merita edhe pse arkitektët e parë në vend u diplomuan vetëm në vitin 1972. Mungesa e traditës si dhe ajo e studiove të konsoliduara të arkitektëve shqiptarë në periudhën midis dy Luftrave Botërore, kishte krijuar një boshllëk në projektim. Vetëm në gjysmën e dytë të viteve ’50, u kthyen nga vendet e Lindjes arkitektët e parë, të cilët filluan krahas projektimit të formonin edhe Katedrën e Arkitekturës në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Mungesa e përvojës projektuese si dhe formimi në shkollat ala sovietike, do reflektonte jo vetëm në ndërtimet, por sidomos në krijimin e programeve dhe teksteve për studentët e arkitekturës. Eshtë për tu shënuar, që jo e njëjta gjë ndodhi me katedrat e tjera të inxhinierisë të ndërtimit, të cilat përvojën e mirë të shkollave të Lindjes e përcollën në programet dhe tekstet dhe arritën në një kohë të shkurtër të nxjerrin inxhinierë të formuar shumë mirë. Duhet thënë që edhe dy nga pedagogët më të mirë që ka pasur Katedra e Arkitekturës, Ilia Papanikolla dhe Petraq Kolevica janë diplomuar si inxhinierë ndërtimi.
Për një kohë të gjatë, Shefi i Katedrës së Arkitekturës ka qënë i ndjeri prof. Besim Daja. I njohur nga të gjithë për cilësitë e tij të mira njerëzore, profesori krahas meritave ka pasur përgjegjësinë kryesore në dobësitë subjektive të Katedrës. Edhe pse ka qënë e vështirë, për shkak të natyrës së dyfishtë (inxhinierike dhe artistike-kjo e dyta shumë delikate pas goditjeve të 973-shit), ishin pikërisht lëndët bazë të profesionit, që ishin jo vetëm të cungëta, por të trajtuara dobët dhe të paazhornuara as me “mësimet” e arkitektëve të viteve ’20 të shekullit të kaluar.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment