Monday, 11 November 2013
Diçka për Voskopojën(2)
(vijim)
Në bisedat mes shokëve, Voskopoja mbahej si një mrekulli e natyrës dhe e kisha ëndërr të shkoja gjatë verës për ta parë. Më në fund, në verën e vitit 1971, shkova për tre javë në kampin e pionierëve bashkë me shokët e mij të mëhallës Albert Vreton(Belan) dhe Lulëzim Pojanin(Lulin). Autobuzi pasi kaloi përmes fshatit(i cili nuk mu duk ndonjë gjë e madhe) u ngjit lart në Kodrën e Shën Prodhomit, ku ishte kampi i pionierëve. Pylli ishte vërtet shumë i bukur dhe ajri i pastër dallonte nga ai i qytetit. Ishte me gjithë mend një mjedis që nxiste imagjinatën e fëmijëve dhe i ftonte të lodronin mes natyrës. Ishte e para here, që largohesha nga shtëpia dhe ndjehesha më i rritur dhe i pavarur. Edhe pse në kamp kishte një lloj disipline dhe veprimtari kryesisht në kolektiv, pasditeve ishim të lejuar të “eksploronim” pyllin për të pare zogjtë, ketrat e për të mbledhur luleshtrydhje. Mëngjesi fillonte me ceremoninë e ngritjes së flamurit dhe betimin e pionierëve “për të qënë gati në luftë për çështjen e Partisë”, por këto rutina ishin të njohura nga shkolla dhe nuk emociononin kërkënd. Të gjithë mezi prisnin të shkonin në mencë për të ngrënë mëngjesin. Atje kam njohur këngëtarin Tomi Kondakçi, i cili pati më vonë një jetë shumë të vështirë, për shkak të një tentative të pasukseshme për të kaluar kufirin shqiptar me not. Tomi ishte moshatar me mua dhe e kujtoj gjithnjë të qeshur e të dashur. Përshëndetesha me të edhe në vitet e gjimnazit, kur ai ndiqte shkollën e mesme të ndërtimit. Ndoshta në fund të vitit të tretë ose të maturës, i tradhëtuar nga shokët e tij të kompleksit muzikor, Tomi me formimin e një adoleshenti, mendoi se mund të arratisej duke kaluar liqenin e Ohrit me not dhe të bënte karrierë si këngëtar. Diktatura u tregua e pamëshirshme me 18 vjeçarin, që nuk pranonte se ishte penduar, pa ishte kthyer në breg. E kam takuar në fund të viteve ’80, pasi kishte bërë ndoshta 15 vjet burg. Ishte i njëjti njeri i mire dhe i qeshur, që kisha njohur gati 20 vjet më pare, por me gjurmët e vuajtjeve në fytyrë dhe trup. Si për ironi të fatit, Tomi vinte nga një familje voskopojare, e ç’vendosur prej shumë kohësh në Korçë.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment