Friday, 15 November 2013

Diçka për Voskopojën (Fund)

(vijim) Pas Luftës së Dytë Botërore, ose më mire në kohën e Partisë, Voskopoja mbeti një fshat klimaterik, me disa kisha të vëna në mbrojtje si monumente kulture, me një fare gjallërie në verë, kur vinin pushuesit në Kampin e Punëtorëve dhe në atë të Pionierëve, si dhe me një javë garash kombëtare skish në dimër. Banorët vazhdonin të largoheshin drejt qyteteve, si nga të gjitha zonat malore. Kuptohet, kur ishin periudhat e ndërtimeve industriale, që krijonin mundësinë e pashaportizimit në qytet, që pas viteve ’70 nuk ishte aspak e lehtë. Nuk di për ç’arsye, në fund të viteve ’80, për Voskopojën dhe disa fshatra të tjerë, ishin akorduar fonde për të ndërtuar shtëpi kulture. Ishte ndoshta një përpjekje për të gjallëruar jetën e fshatarëve, të cilët ishin pjesa që mundohej më shumë në vitet e Diktaturës. Fonde të shumta ishin dhënë edhe në rrethe të tjera, bile ishte organizuar nga Ministria e Kulturës edhe një konkurs për projektet më të mire të shtëpive të kultures. Ishte ndër të parët konkurse të këtij lloji dhe duke qënë në Qendrën që mbulonte objektet e arsimit dhe cultures, mora pjesë pikërisht me projektin e shtëpisë së kulturës Voskopojë. Duket që në konkurs nuk kishin mare pjesë arkitektët më të njohur dhe me përvojë, se si për tu habitur, çmimin e parë e fitova unë. Ishte një lloj rritje e vetbesimit në një kohë kur mendoja se nuk do më binte kurrë rasti të projektoja. Projekt-idea që fitoi në konkurs nisi të ndërtohej dhe mbeti në mes në kohën e ndrrimit të sistemit. Nuk e ndoqa më fatin e atij objekti, të cilit duhet t’i jenë hequr që në ato vite edhe tullat e fundit, si ndodhi me shumë të tjerë. Vizita në atë objekt në qendër të fshatit, ka qënë në vizitat e fundit në Voskopojë. Ka edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme për mua, që lidhet me Voskopojën dhe ka të bëjë pikërisht me Rezana, vajzën time të vogël, që nuk e di se ç’është Voskopoja dhe u bë shkas i këtij shkrimi. Në maj të vitit 1989, kryenim në rrethinat e Voskopojës një javë grumbullim ushtarak, në kuadrin e dy tre javëve zbor të detyruar për të gjithë oficerët dhe ushtarët rezervistë. Flinim nëpër çadra dhe përgatiteshim për qitje me artileri, në kuadrin e mbrojtjes nga një sulm i koordinuar i NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Në atë kohë nuk i besonim më përrallat se gjërat kishin mare erë, por nuk mund t’i shmangeshe dot shërbimit pa tu hapur avaze. Kërkova disa here të shkoja në Korçë se gruaja ishte shtruar në maternitet për të lindur dhe pasi ngula këmbë që do ikja edhe pa leje, më dhanë një gjysëm dite. Zbrita në Korçë, pjesërisht më këmbë dhe pjesërisht me një makinë të rastit dhe kur arrita në maternitet Rezana ishte lindur. E pashë pak disa orë më vonë nga dritarja dhe në darkë u riktheva në fushim. Ishte 25 maji i vitit 1989. Një tridhjetvjeçar i veshur ushtarak, në një vend ku ishin shuar shpresat, i ngjitej më këmbë rrugës të Gjonomadhit, me dy shishe rakie në xhepat e kapotës, për të festuar me oficerët e tjerë rezervistë lindjen e vajzës së dytë. PS. Rezana e ka dëgjuar disa here historinë e zborit dhe lindjes së saj. Nuk dinte që kjo ndodhte në Voskopojë.

No comments:

Post a Comment