Wednesday, 6 November 2013
Korça dhe Feja (3)
(vijim)
Por duhet thënë, që edhe në mjediset shkollore, ku fëmijët dhe adoleshentët nuk ndjejnë dallime as të ngjyrës, kombësisë apo fesë, përsëri, kishte raste të pëshpëritjes nën zë të përkatësisë fetare të dikujt, me të cilin mund të kishe ndonjë fërkim. Më e ndjeshme kjo ishte në rastin e evgjitëve, të cilëve në mes të zënkave gjatë lojës ju përmendej origjina klasore e ulët. Sa për muhamedanët, në ndonjë rast këputej ndonjë e share, por asnjëherë hapur. Shkolla jonë ishte më afër lagjeve të muhamedanëve dhe nxënësit ishin nga të dy fetë. Kujtoj që në fund të viteve ’60, shkoja here here në shtëpinë e Përparim Shëngjonit, për të mësuar sëbashku(në atë kohë kjo quhej “marje në patronazh”) dhe besoj se kanë qënë vizitat e mia të para në një banesë në lagjen e muhamedanëve. Nuk kishte asnjë ndryshim me shtëpitë tona, të cilat(veçanërisht apartamente) ishin thuajse të mobiluara njëlloj. Në atë lagje më binin në sy vetëm plakat, të cilat në ndryshim nga gjyshet tona shamizeza, mbanin shami të bardha në kokë. Nuk kishte asnjë dallim në veshjet e burrave , grave apo fëmijëve. Mund të dalloje që kishte më pak vila luksoze, por kjo ndoshta edhe nga fakti, që shumë muhamedanë të pasur, kishin zgjedhur për të ndërtuar banesat e tyre, zona më pranë qendrës së qytetit, bile edhe në lagjet e banuara nga të krishterë. Një arsye tjetër duhet të ketë qënë edhe ndikimi i emigracionit jashtë atdheut. Numuri it ë krishterëve të emigruar në Amerikë, ka qënë shumë here më i madh se ai i myslimanëve. Kjo sillte jo vetëm mundësi më të mira ekonomike për familjen e kurbetliut, por dhe vetë emigrantët edhe pse të pashkolluar, kishin të tjera kërkesa për banesat e tyre.
“Sheshka” sportive përballë Komitetit Ekzekutiv, sot e kthyer në lulishten “V.Mio”, ishte një vend shumë me rëndësi i fëmijërisë sonë. E rrethuar me ndërtesa dhe e hapur vetëm në një nga anët e ngushta, ajo ishte këndi i lojrave i pasditeve, por edhe një lloj “strehimi” i sigurt, për ata që linin orët e shkollës, nga që nuk kishin mësuar apo se nuk ju pëlqente. Aty ishte një përzjerje e moshave, feve dhe tipave të ndryshëm. Në të luhej me ashikë me para, kumar në vijë dhe pasditeve shumë futboll. Nuk kishte dallim midis të rinjve që kishin qënë në shkollën e vagabondëve, atyre të familjeve të deklasuara apo fëmijëve të sekretarit të pare apo kryetarit të komitetit ekzekutiv. Luanin futboll apo kumar femije e të rinj të Grabockave, Ziçishtëve, Kodhelëve, Cukalëve, Mahumutajve, Pojanëve, Xholëve, Xhixhove, Myftijve, Kolëve etj, pa kurrfarë dallimi. “Sheshka”ishte shkolla e parë e vërtetë edukimit jofetar dhe joklasor. Ishin vite me më pak luftë klasash dhe kjo ishte e natyrshme, kur 30 metra larg shtëpisë së Haki Toskës jetonte familja e një të pushkatuari nga Partia.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment