Tuesday, 3 December 2013
3 dhjetor.
Duhet të ketë qënë 3 dhjetori i vitit 1970, kur kam hyrë për herë të parë në një apartament, në të cilin kam hyrë shumë e shumë e herë të tjera në vitet ’70 dhe ’80. Ishte ditlindja e një shoku tim të klasës, me të cilin prej asaj kohe na lidhi një miqësi shumë e ngushtë. E kujtoj mirë atë mbrëmje, se ishte e para herë, që shihja në një shtëpi tjetër, po aq libra sa ç’kisha në shtëpinë time e ndoshta edhe më shumë. Po mbase nuk ishin librat, që na bënë të ishim të pandarë. Shumë herë, nuk jemi në gjendje të kuptojmë përsenë e një lidhjeje të fortë në fëmijëri. Brenda klasës dhe mëhallës kishim shumë shokë, me të cilët kalonim pjesën më të madhe të kohës, por mes tyre veçohen shokë, me të cilët flet për gjithshka dhe që i quajmë shokë të ngushtë.
Mu kujtua n këto ditë, ngjarjet e fëmijërisë, jo sepse po afrohej 3 dhjetori, por për një arsye tjetër, gati absurde. Rishfaqja e portretit të Enver Hoxhës. U mundova të kujtoj se kur kisha filluar të kisha dyshimet e para për të dhe pikërisht më shpunë në apartamentin plot libra të shokut tim. Duhet të them, që edhe pse nuk kam dëgjuar atje të flitet kundër Enver Hoxhës, pikërisht në atë ambjent, më liberal se shtëpia ime, kam ndjerë “opozitën” më të fortë ndaj sistemit. Në shtëpi, dëgjoja shpesh kritikat e babajt kundër aparatçikëve deri në nivelet e kryeministrit, por asnjëherë nuk kisha dëgjuar të shahej komunizmi apo Enveri. Babaj edhe pse i përjashtuar prej vitit 1950 nga Partia, kishte bindje të forta, se bota duhej të rregullohej dhe komunizmi mund ta bënte atë gjë.
Por le të kthehemi në mjedisin liberal të shtëpisë të shokut tim. Ishin vitet më të mira, që kujtoj nga fëmijëria dhe adoleshenca. Në manjetofon dëgjonim Bitëllsat dhe këngëtarë të tjerë të huaj, gjë që vazhduam ta bënim edhe pas vitit 1973. Pikërisht atë vit, kur flisnim rreth goditjes ndaj Paçramit dhe Lubonjës, ai më tha që “Todit kot ja futën se është njeri i mirë“. E kuptoja, që këtë gjë e kishte dëgjuar nga prindrit, të cilët edhe pse antarë partie, nuk shiheshin me sy të mirë dhe njëkohësisht nuk e shihnin me sy të mirë udhëheqjen. Vetë ne ishim nga 14 vjeç dhe nuk mernim vesh mirë se ç’behej në dynja. Sigurisht nuk na pëlqente, që na detyruan të hiqnim antenat, por prapëseprapë, kanalet e huaja i shikonim dhe i komentonim gjërë e gjatë me shokët e besuar. Kështu vazhduan vitet e një lloj “kundërshtimi” të elementëve më bajatë të sistemit(aksioneve, punëve vullnetare, mbledhjeve të rinisë, formave të edukimit) pa pretenduar se ishim kundër komunizmit, por duke u formuar gradualisht si njerëz që nuk pajtohen dot me gënjeshtrën dhe hipokrizinë(që ishin në themel të asaj periudhe). Më vonë kuptuam më thellë se në ç’kohë jetonim dhe shkakun e të gjitha të këqijave. E megjithatë, unë nuk e kam harruar kurë atë bisedë të verës ’73, kur u mboll në mendjen time fara e dyshimit për udhëheqësin e lavdishëm.
Faleminderit Beni! Edhe 100 vite të tjera!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment