Sunday, 10 November 2013

Diçka për Voskopojën

Ishte një bisedë me vajzën e vogël, që më bëri të ndjehem me faj dhe të shkruaj disa rrjeshta për Voskopojën. Në një bisedë me një bashkëstudent shqiptar në Uashington, ime bijë kishte ngritur supet, kur ai e kishte pyetur për Voskopojën. Eshtë e vërtetë, që në shtëpi mund ta kem përmendur fare kalimthi, sepse gjithmonë nuk kam dashur t’ju tregoj fëmijëve gjëra, të cilat nuk i njoh mire. POr në rastin e Voskopojës duhet të kisha treguar, sepse ka një lidhje tonën me qytezën. Për Voskopojën, babai fliste me simpati, si një ish-qendër kulturore e zhvilluar me Akademinë e saj. Gjithashtu më kishte përmendur, që kishin një shtëpi të tyren, e cila tani duhet të jetë e rrafshuar, ose kanë ndërtuar një tjetër mbi të. Lidhja e Marave me Voskopojën fillon në fundin e viteve ‘70 të shekullit të XXVIII, kur gjyshi i babait, Andon Mara, e shpërnguli familjen nga Dushari i Oparit. Duket që qyteza kishte akoma një lloj jete ekonomike edhe pas 100 vitesh të rënies së saj. Më duket e çuditshme që stërgjyshi im zgjodhi Voskopojën dhe jo Korçën e cila ishte në kulmet e zhvillimit të saj ekonomik, sepse disa vite pas vendosjes në të, ai emigroi në Stamboll dhe mori me vehte edhe djalin e vetëm 9 vjeçar, Naumin. Familja mbeti për një kohë të gjatë në Voskopojë, deri në vitin 1903, kur gjyshi u martua me Vasiliqi Leçon nga Karbanjosi i Oparit dhe mori në Stamboll edhe të jëmën. Në qytezë mbeti e motra me familjen e saj, deri në vitin 1916, kur u dogj nga Sali Butka. Pas disa vitesh edhe ata u bashkuan në Stamboll me familjen e gjyshit, pasi kishin kaluar disa vite të vështira të Luftës së Parë në Korçë. Në vitin 1983, erdhi për të na vizituar i nipi i gjyshit Spiro Topuzi. Shkuan me babanë në Voskopojë për të pare shtëpinë dhe vendet ku kishte kaluar fëmijërinë. Më bëri përshtypje, që veç një lloj përçmimi që kishte për Sali Butkën, nuk kishte asnjë lloj urrejtjeje për myslimanët. “Me ta shkonim shumë mire më pare”-më tregonte- “sherret na i futi Junani(greku)”. Spirua e quante veten më tepër voskopojar se oparak, edhe pse i jati i tij Naum Topuzi ishte nga Opari. Në Voskopojë kishte kaluar 14 vite të fëmijërisë, të cilët mbeten vitet më të bukura. (vijon)

No comments:

Post a Comment