Monday, 18 November 2013
Des gustibus non est disputandum
I hoqa ngjyrat për të patur titullin më të shkurtër, sepse edhe kuptimi i maksimës mbetet i njëjtë. “Shijet nuk diskutohen”.
Gjithnjë e shkojmë ndër mendje dhe përsëri habitemi se “ si ka mundësi që filani pëlqen atë autor, apo është i orientuar drejt atij mendimtari apo qëndrimi politik”. Dhe kjo na ndodh më shumë për njerëzit që njohim, për ata që jemi rritur në të njëjtat rrethana dhe kemi pasur këndvështrime të ngjashme apo identike. E megjithatë, shijet nuk duhet të diskutohen. Psh unë pëlqej më shumë poezitë e Bodlerit se të Verlenit, por kjo nuk do të thotë që të çuditem kur një e njohura ime, preferon poezitë e të dytit. Kështu edhe për personalitetet politike apo për ngjarjet historike. Një miku im e urren Napoleonin, por një mik tjetër thotë, që është në figurat më gjeniale të historisë. Unë mbivlerësoj rolin e Martin Luterit në qytetërimin e sotëm, ndërsa një shoku im thotë që po të mos kishte qënë Luteri, bota mund të ishte shumë më e përparuar.
Në kushtet tona, kur njohja ka një nivel mesatar, vlerësimi apo prirja ndaj ngjarjeve dhe figurave shpesh here është emocionale. Varet se si jemi formuar, sa kemi lexuar dhe se ç’kemi prirje të besojmë.
E vetmja gjë, që për mua është e papranueshme, është përshtatja e shijeve apo prirjeve, sipas stinës apo interesit. Në këtë rast nuk ka më vend për shprehjen “des gustibus non est disputandum”, sepse ajo përdoret thjesht si mburojë, për të thënë që “s’ka pse mos kem këtë qëndrim apo këtë prirje, sepse preferencat nuk ka pse të diskutohen”.
Po mik i mire, preferencat nuk ka pse të diskutohen, por kur të diskutojmë duhet të bëjmë një marëveshje se cilën do quajmë të zezë e cilën të bardhë, se cilën do quajmë falsifikim e cilën do quajmë pranë të vërtetës, se ç’vlera bazë do kemi për gjykimin e një personaliteti. Në të kundërt ose do rrahim ujë në havan, ose do rrijmë në istikamet tona kulturore pa dashur të gjejmë pika takimi apo “thuajse të vërteta”. Me një fjalë nuk do diskutojmë, por do mbrojmë me kokfortësi shijet tona. Do tregojmë që nuk jemi në gjendje të mësojmë ose se për interesa të çastit, të zezën mund ta quajmë gri. Dhe kjo nuk është më çështje shijesh, por karakteri!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment