Saturday, 2 November 2013

Korça dhe Feja (2)

(vijim) Mbyllja e institucioneve fetare, nuk u përcoll në shtëpi ose në mjedise të tjera familjare me komente të shumta. Duket që të rriturit nuk u befasuan. Gratë theshin se ç’ju bënin kishat këtyre që i mbyllën, apo “feja për mire të meson”, por deri këtu shkonte një lloj kundërshtimi, i pashprehur në biseda me shumë njerëz. Fillimi i prishjes së ndërtesave, u komentua më ashpër, duke u përmendur njerëz me reputacion jot ë mirë që kishin marrë kazmat të parët, bile u përmendën edhe raste të ndëshkimit hyjnor të disave, por jo më shumë se kaq. Në shtëpi, por edhe jashtë, diskutimet më kritike ishin gjatë prishjes së Kishës së shën Gjergjit, e cila ishte jo vetëm ndërtesa më e mire fetare në Korçë, por edhe si cilësi arkitekture mund të krahasohej vetëm me ndërtesën e bankës. Ajo ka qënë ndërtimi më i mire i gurtë në Shqipëri dhe edhe pse e ndërtuar në kohën e ndrimit të shekujve, nuk kishte pasur rivale as 60 vjet më vonë. Kur punoja për diplomën dhe midis objekteve të studimit kisha edhe Kishën e Shën Gjergjit, Pirro Thomoja, udhëheqësi im i diplomës, më tregoi se si nuk kishin mundur ta shpëtonin më 1967 nga lista e objekteve, që do rrafshoheshin. “Përgatitnim lista të objekteve fetare, që duhet të mbroheshin për hir të vlerave arkitekturore ose historike. Lista shkonte në Byronë Politike dhe kthehej e thjeshtuar për tu riparë. Pas disa listash të ridërguara, na u tha që Shën Gjergji bashkë me disa objekte të tjera, nuk mund të shpëtohej.” Ishte viti 1983, kur Pirrua m’i tregonte këto dhe kuptohej që nuk mund të thoshte hapur që Kishën e donte të rrafshuar Enver Hoxha. Duket, që Diktatori, i cili kishte ndërhyrë shumë here edhe për mire rreth arkitekturës të Korçës, kishte diçka me atë objekt. Nuk ka se si spjegohet fakti që nuk u prish Mitropolia, një kishë më e madhe, por me më pak vlera arkitekturore. Nëse “Shën Gjergji” lidhej me emrin e Fan Nolit dhe me patriotizmin e Ortodoksisë korçare dhe kontributin e saj në mëvehtësinë e Shqipërisë, e këtë Hoxha donte ta zbehte sa më shumë, atëhere duket se ka kuptim prishja e atij “xhevahiri” të arkitekturës shqiptare , që në qytet gjithnjë është konsiedurar si krim. Shpesh shkonim pasditeve në rrenojat e Shën Gjergjit me shokët e mëhallës dhe kërkonim pjesë plumbi që ishin përdorur pë lidhjen e blloqeve të gurtë. Më bënte përshtypje ajo sipërfaqe e madhe e shkatërruar, ku kishte plot gurë të mëdhenj të gdhendur, disa prej tyre edhe decorative, që u hodhën në mbeturinat e qytetit ose u përdorën si shkallare guri në fushën e lojrave me dorë, të ndërtuar në një vend tjetër gati të shenjtë, ku çdo ditë të Ujit të Pagëzuar, hidhej kryqi nga mitropoliti i qytetit. Po në ato vite u prish edhe xhamia e vogël, minareja e të cilës ishte shëmbur vite më pare nga tërmeti. Ndalimi me ligj i besimeve fetare, së bashku me shetitoren “Stalingrad” dhe bashkimin e mëparshëm të varrezave, e zbuti edhe më shumë ndarjen ndërmjet komuniteteve. U rrit numuri i martesave ndërfetare, ndonëse në shumicën e rasteve kishte qejfmbetje dhe mosaprovime nga familjet. Tashmë fetë quheshin mbeturina të së kaluarës dhe jo vetëm që nuk tingëllonte mire të flisje rreth tyre, por edhe përmendjet e “turqve”, “kaurëve” apo “ortodoksëve” dhe “muhamedanëve” në mjedise jofamiljare mund të të hapte shumë probleme. (vijon)

No comments:

Post a Comment