Thursday, 14 November 2013
Diçka për Voskopojën (4)
(vijim)
Në këtë kohë ze fill interesimi i disa studiuesve vendas dhe të huaj për Voskopojën. Në Korçë me të është mare shumë Ilo Mitkë Qafzezi dhe më vonë edhe Stilian Adhami e Petraq Pepoja. Shumë studime ka pasur edhe nga historian grekë dhe rumunë. Më ka bërë përshtypje interesimi i vazhdueshëm i ambasadorëve grekë, për arkivin e Ilo Mitkë Qafzezit. Rreth atij arkivi kisha dëgjuar nga babai, që e kishte përmendur disa here kur tregonte për kohën e tij si drejtues i Bibliotekës së Korçës. Në ato vite, Ilo Mitka kishte menduar t’ja falte qytetit, por më vonë kishte ndruar mendje. Për interesimin e vazhdueshëm të grekëve(dhe jo vetëm të tyre) e di nga miku im Aleko Papakozma, nipi i Ilo Mitkës, në kujdesin e të cilit mbeti arkivi pas vdekjes së Tefta Qafzezit. Duket, që ka ende mistere për tu zbuluar rreth formimit, përbërjes dhe lulëzimit të qytetit deri në kohën e Akademisë së Re, kohë e kulmit të zhvillimit kulturor dhe ekonomik të Voskopojës. Ishte qyteti i vetëm në gjithë Perandorinë Osmane veç Stambollit, që kishte shtypshkronjën e tij. Vlen për të shënuar edhe një lloj kozmopolitizmi i voskopojarëve, për vetë faktin që në qytet fliteshin shumë gjuhë dhe ishte botuar edhe një fjalor katërgjuhësh në Shqip- Greqisht- Vllahçe dhe Bullgarisht. Eshtë interesante përpjekja, për vetë faktin, që shqipja dhe vllahçja ishin gjuhë të pashkruara deri në atë kohë. Për të parën kishte pasur përpjekje edhe më pare, por vetëm në shekullin e XIX u arrit të shtypeshin librat e parë shqip dhe alfabeti zyrtar u vendos vetëm më 1908 në Kongresin e Manastirit. Të bën përshtypje, që harmonia e shekullit të XVIII mes voskopojarëve, është kthyer sot në “luftë” me shqiptarëve, grekëve dhe rumunëve për të bërë eskluzivisht të tyren qytetin e atëhershëm. Thuajse të gjithë mundohen ta shohin historinë me syzet e shekullit të XX-të, kur ishin krijuar shtetet kombe me kufij të përcaktuar mire, duke lënë mënjanë lëvizjet e popullatave gjatë Mesjetës, jo vetëm Brenda një Perandorie por edhe nga një Perandori apo Mbretëri tek tjetra. Nuk është aspak e çuditshme për atë kohë, që një numur familjesh arumunësh të ardhur nga Vllahia ose mbase edhe nga ndonjë qoshe tjetër e Ballkanit, të formonin një fshat që më vonë do bëhej qytet i famshëm, në një krahinë të banuar kryesisht nga shqiptarë. Në kohë të përafërt, jo larg nga Voskopoja u formuan dy fshatra nga sllavët, Drenova dhe Boboshtica, për themeluesit e së cilës flitet të kenë ardhur nga veriu i Bullgarisë, bile disa thonë edhe nga territoret e Polonisë së sotme. Të tilla çvendosje kanë bërë edhe shqiptarët, të cilët kanë ngritur fshatra të tyre në lindje të Ballkanit , Azinë e Vogël e deri në Ukrainë e Rusi. Njerëzit në kohën kur nuk kishte kombe, lëviznin për arsye ekonomike, armiqësie, persekutimi. Dhe jo vetëm çifutët, të cilët janë dalluar për lëvizje në gjithë Europën, por edhe gjermanët, rumunët, grekët, shqiptarët, sllavët etj. etj.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment