Friday, 13 January 2012

Vazhdojme me corben e Edukimit te Olsit.

Sa më shumë zgjatem me dilemat e Olsi-prindër, aq më shumë pyetje i shtohen asaj të fillimit, që ishte "A duhet shpënë në shkollë apo jo fëmija?"
Në jetë, ka njerëz, të cilët bëjnë plane afatgjata dhe dinë mirë se ku duan të shkojnë. Ka të tjerë që ecin kuturu. Ka edhe shumë të tjerë që shkojnë me turmën.
Më budallenjtë janë të parët. (Po ky është thjesht një opinion i imi, se kam ecur gjithë jetën kuturu hesapi, ndaj mos ja vini shumë veshin.)
Të parët( për të mos i fyer le t'i quajmë planovikë), planifikojnë që gjatë periudhës, kur i prek dashuria "racionale", se si do jetë e ardhmja e tyre, sa fëmijë do bëjnë, ç'farë profesioni do ju japin fëmijëve dhe si do e projektojnë ardhmërinë e tyre. Sidomos sot, kur Perëndia vërtet nuk krijon mundësinë e ngjizjes, por këtë e bën epruveta, planovikët janë në gjendje të shtohen sipas planit që kanë ndërtuar në kokë. Për ta gjithshka është e qartë dhe vetëm në ratse të rralla, kur në vend të deles së bardhë të planifikuar del e zeza, sistemi i tyre njohës-veprues mbi botën tronditet. Por me që delet e zeza janë shumë të rralla, xhinsi i tyre shkon në shkollë pa e vrarë mendjen, arrin rezultate të larta, është i sukseshëm në punë dhe martohet e krijon familje të shëndoshë.
Kuturujsit që zakonisht martohen pas një kohe të shkurtër si kanë rënë në sevda, janë gjithnjë mes darës të emocioneve dhe arsyes dhe nuk mendojnë shumë për të ardhmen. Bota ku jetojmë dhe jeta në përgjithësi ju duket e mistershme dhe e koklavitur dhe bëjnë fëmijë se e ndiejnë që duhet të bëjnë, por kur e vrasin pak mendjen thonë që më mirë mos kishim bërë. Duke vazhduar në jetë sipas bindjeve të çastit dhe erërave që fryjnë, pasi lëkunden mes ateizmit dhe disa bindjeve fetare, i japin kara që fëmija edhe mund të shkojë në shkollë, por edhe mund të mos shkojë, ose edhe në duhet të shkojë se është e llogjikshme nuk janë të sigurt se ç'lloj edukimi t'i japin.
Turmsit(ku hyjmë edhe ne që bëjmë pjesë në facebook) bien në dashuri jo se duan po se se kanë në dorë dhe martohen se kështu kanë bërë parardhësit dhe thotë edhe televizioni. Po për të njëjtën arsye e konceptojnë fëmijën që gjatë dyjavshit të mjaltit dhe kur vjen fëmija në jetë ngazëllehen dhe mundohen që të bëjnë shumë herë më shumë se kanë bërë prindrit e tyre për ta. Kanë bindjen e patundur që bota është në zhvillim të vazhdueshëm pikërisht sepse kështu thuhet në të gjitha kanalet televizive që shohin. Nuk kanë shumë ndryshim nëse i pagëzojnë fëmijët apo i bëjnë synet, sepse dashurinë e kanë pa kufi dhe duan që mbartësit e geneve të tyre të dalin të parët në garën e jetës.
Edhe pas kësaj gjoja analize të këtyre tre grupe njerëzish(grupet gay janë lënë mënjanë për arsye të mos njohjes së lëndës) jemi sërish thuajse në fillim.
Nuk dimë as përse jemi martuar dhe sidomos përse e kemi sjellë në jetë Olsin!

No comments:

Post a Comment