Wednesday, 25 January 2012

Raqi (Olsi) me lodhe! Me lodhe Raqi!

Fëmija është një "tabula rrasa" thotë me bindje Olsi-mama dhe mendon që mësuesë dhe instruktorë shumë të përgatitur, të pajisur me metoda vërtet shkencore, do arrijnë të "gdhendin" në trurin e Olsit një reliev vërtet të nevojshëm për ta përgatitur intelektualisht në garën e vështirë të jetës. Olsi-baba mendon që edhe të dhënat vetiake të lindura ndikojnë shumë në suksesin që do arrijë fëmija në arsimim dhe dyshon në cilësitë e mësuesve, që në fund të fundit janë qënie si të gjithë të tjerat dhe mes tyre ka pak shumë të mirë, ka të mirë dhe një masë të madhe mediokrish. Kështu që nuk është i sigurt, nëse ajo që do gdhendin mediokrit në trurin rrudhëpak të të birit, do jetë jo mediokre. Vetëm në një gjë nuk dyshojnë Olsi-prindër, në faktin që "jeta është një garë."
E ngulitur në mendjet e tyre si një grafik që fillon në pikën A dhe duhet të shkojë djathtas lart në sistemin euro-amerikan, majtas lart ne sistemin arabo-çifut dhe poshtë-djathtas në sistemin kinezo-korean për të arritur në pikën e suksesit B, jeta dhe formimi i fëmijës së tyre konceptohet njëplanësh. Bile si një grafik, që duhet të jetë në mënyrë të dukshme, më lart se grafiku i jetës së tyre. Në të kundërt nuk ka zhvillim! Dhe pa zhvillim jeta nuk ka asnjë kuptim!
Po a është jeta e njeriut ose edhe përgatitja për në "luftën e jetës" një udhëtim në ngjitje nga pika A në B? Apo një lëvizje më e ndërlikuar, që nuk i ngjan as spirales së famshme të zhvillimit dialektik?
Pa u përëpëlitur shumë në përsiatje filozofike nga të cilat nuk dalin dot, Olsi-prindër bien në një mendje që fëmijën duhet ta përgatitin për në luftën që e pret Olsin ATJE. Sikundër e mësuan të ecë, lahet, ushqehet, të fshijë hundët dhe prapanicën për tu mbrojtur nga parazitët e viruset(është ende herët ta mësojnë të çiftohet), tani duan ta përgatitin në luftën mes llojit, ATJE ku e presin "konkurentët armiq". Ta paisin me dije dhe aftësi profesionale, që të rrëmbejë më shumë energji nga kjo botë se gjithë Olsat dhe Olsushkat e tjerë, që po trajnohen në të njëjtën mënyrë.
Dhe këtu fillon gabimi fatal që bëjnë Olsi-prindër! Të parën gjë që i mësojnë Olsit është që ka një botë KETU dhe një botë ATJE.

(vijon)

No comments:

Post a Comment