Muajin që kaloi, bota humbi dy njerëz krejt të ndryshëm nga njëri tjetri. Kristofer Hiçens dhe Kim Xhong Il. I pari, një nga mendjet më të mprehta të njëqind vjetëve të fundit, gazetar, eseist dhe polemist i një niveli të jashtëzakonshëm. I dyti, një nga diktatorët e fundit të tipit të Stalin-Mao Ce Dunit, të cilët ka kohë që nuk i mbështet më njeri në botë.
Hiçens i shkolluar në shkollat më të mira të Anglisë, ndërsa Kim bir Kimi, i shkolluar sipas edukimit marksist-leninist në Kinë dhe Kore.
Hiçens, i njohur për penën e mprehtë, përdorim të tepruar të alkolit, kurajon intelektuale, trockizmin, qëndrimin kundër luftrave veç asaj të Irakut dhe sulmet ndaj Nënë Terezës.
Kim bir Kimi i njohur për egërsinë e tij, pëlqimin e konjakut, kompleksin e Napoleonit dhe mospërfilljen ndaj jetës dhe lirisë së të tjerëve.
Të dy ateistë në dy polet e ateizmit të shekullit të kaluar.
Hiçens, liberal, i mençur, gjuhëhidhur, i papërkulshëm, i pamëshirshëm ndaj hipokrizisë të njerëzve të kishës apo të politikanëve.
Kimi, konservator, jotolerues, i papërkulshëm, i pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve dhe hipokrit.
Hiçens ka pëlqyer të quhet si përfaqësuesi i "Ateizmit të Ri", ndërsa Kim është mjaftuar të ruajë Ateizmin Stalinian.
Sigurisht, që në botë ka miliona ateistë, të cilët nuk i ngjasin as Kimit dhe as Hiçens. Janë njerëz të rritur në kushte të ndryshme nga njëri tjetri dhe në përgjithësi me një edukim të mirë. Kuptohet, që mes tyre ka edhe vrasës, hajdutë, prostituta, për të cilët nuk ka gjë të shenjtë në botë veç parasë.
E megjithatë, nisur nga përvoja e Shqipërisë dhe vendeve të tjera ish-komuniste, të cilët kanë edhe numurin më të madh të ateistëve, ka diçka që më bën të trembem nga materializmi i pacak, që shoqëron individët dhe shoqëritë me një histori të tillë.
8 vende të ish-kampit socialist mbajnë vendet e para në botë për numurin e vetvrasjeve, si dhe edhe për kriminalitetin e organizuar. Shoqëri të dëmtuara, pa kohezion, me plot ide që jeta është një xhungël dhe më i forti fiton në të.
Dikush mund të thotë që nuk ka të bëjë aspak me ateizmin dhe sidomos me atë të tipit të Kristofer Hiçens. Ndoshta.
E megjithatë, unë do përulesha si njeri më shumë para dashurisë pacak të Nënë Terezës, se sa para mendjes brilante të Hiçens.
No comments:
Post a Comment