Friday, 20 January 2012

NE JEMI ATEISTE, SHOKE TE ENVERIT

NE JEMI ATEISTE, SHOKE TE ENVERIT


Më ka rënë në sy një dukuri e këtij shekulli, të cilën do e quaj "Rigjallërimi i ateizmit shqiptar". Përfshin një shtresë të popullsisë shqiptare që jeton në emigracion dhe gjithashtu edhe në Shqipëri. Disi shoqërohet edhe me forcimin e ndienjave nacionaliste.
Pas rënies të Diktaturës, pati një gjallërim të frekuentimit të institucioneve fetare, për të qënë njëlloj si bota dhe për shkak se kishin qënë të ndaluara me ligj. Kjo ndodhi më shumë me brezin e "babyboomers", që kishte qënë plotësisht i indoktrinuar nga filozofia zyrtare dhe me brezin e mëvonshëm, që po ashtu vinte nga një sistem shkollor ateist. Pati një orientim ndaj feve të familjeve, por edhe devijime ndaj feve jo shumë të njohura, si ato evangjeliste apo Bahai. Megjithatë, shumica e shoqërisë shqiptare mbeti sekulare dhe pak e interesuar të mësonte më shumë rreth mësimeve apo doktrinave fetare. Edhe ata që shkojnë e ndjekin ceremonitë, e bëjnë pa vrarë shumë mendjen për fenë, raportet e saj me njeriun, shkencën etj. Dukej sikur gradualisht, njerëzit që do kryenin rregullisht ritet fetare do vazhdonte të rritej gradualisht, si po ndodhte edhe në të gjitha vendet e tjera të ish-Lindjes.
Më duket se pika e kthesës, nga lëvizja për "si gjithë Europa", ndodhi pas goditjes së Kullave në Nju Jork. Sidomos në Amerikë dhe Kanada, ku filloi të ndjehej më shumë se në Europë një lloj shikimi i dyshimtë për ata që i përkisnin fesë myslymane, tek përfaqësuesit e brezit të "babyboomers", filloi rikthimi drejt ateizmit ose drejt anti-feve. Në familjet me prindër myslymanë apo të përzjerë, filloi rishpalosja e përbuzjes ndaj feve, që i kishte rrënjët në edukimin materialist në shkollë. Për të mos u përballur me shoqërinë vendase, si dhe për tu larguar nga një identifikim i mundshëm me "xhihadistët" dhe "taleibanët", por edhe duke patur një lloj mllefi ndaj të tjerëve, të shkolluarit shqiptarë që jetojnë në vende të lira filluan të tundin dy flamuj: atë të ateizmit, që shpesh mbështetet mbi injorancën ndaj besimeve fetare dhe atë të nacionalizmit, si vlera e vërtetë e shqiptarëve. Të pakët ishin ata që zgjodhën rrugë më të vështira, për të mësuar më shumë rreth islamit, apo dhe feve të tjera. Gënjeshtra që e kanë lënë shoqërinë prapa- deklamojnë njerëz, që nuk ja kanë idenë se ç'farë e shtyn shoqërinë para dhe ç'farë e le prapa. "Po ikë o ku ka Zot! Unë jam ateist!" i binte gjoksit një shqiptar, i cili nuk di nëse toka rrotullohet rreth diellit apo ndodh e kundërta.
Ndoshta i tillë ishte edhe ateizmi i Enverit, i cili  tejkaloi ateizmin e Stalinit dhe të komunistëve të tjerë. një ateizëm i urrejtjes dhe jo i dashurisë për njeriun dhe njerëzimin. (Mbetet i dyti në botë pas ateizmit të Pol Potit.)
Unë nuk di se ç'farë i bën  më mirë shoqërisë shqiptare. Mesazhet e dashurisë të shoqëruara edhe me dogma, apo mesazhet e dashurisë të shoqëruara me të vërteta të provuara mbi jetën. eshtë një fushë e vështirë sepse nuk ka shembuj të cilëve t'ju referoshesh. Po jam i sigurt, që mesazhet e urrejtjes, që vijnë nga njerëz me komplekse dhe mllefe, sigurisht që nuk i bëjnë aspak mirë, qoftë edhe gjoja të bazuara mbi studime njerëzish të shkolluar.
I ngjajnë shumë ateizmit të sho Enver.

No comments:

Post a Comment