Nuk e gjeta të saktë emrin latinisht të Ligavecit Gollash, sepse nuk munda të pyes edhe shoqen time Verushi, që ka mbaruar Bio-Kimi me mesataren 9.99. Druhesha se nëse do i thoja, që emërtimi Ligavec Gollash përfshin tre korçarë që merren me politikë dhe njëri prej tyre është nënkryetari i Bashkisë nuk do më jepte përgjigjen e saktë. E megjithatë, besoj që shumica e miqve të mij janë nga Korça dhe në moshë për ta kuptuar se për cilën qënie bëhet fjalë. Për ata që nuk janë të sigurt, ose nuk kanë parë ndonjëherë ligavecë gollashë, po e spjegoj me sa mundem më poshtë:
Ligaveci Gollash është një qenie që përfshihet në klasën e Butakëve, ose po të bëjmë një përkthim të Gastropod, në klaën e Barkecësve. Eshtë klasa që ka numurin më të madh të llojeve pas insekteve, ndaj dhe kam hezituar shumë kohë ta shkruaj këtë esse, pikërisht nga frika se mund të përballem me ushtritë milionshe të Barkecësve, të cilëve kur ju preken interesat nuk janë aspak Butakë.
Po le të meremi me Ligavecët Gollashë që njoh unë. Rriten qilareve të Korçës(mbase edhe në qytete të tjera, qilaret e të cilëve nuk i njoh). Nuk kanë guaske dhe janë më të gjatë se të gjerë, sigurisht të butë dhe kanë një ngjyrë bezhë në okër të lehtë. Ecin tmerrësisht ngadalë, si të gjithë ligavecët e tjerë, sa që po mos jesh fëmijë që ri në qilar se të kanë dënuar, as ja vlen të ndjekësh udhëtimin e tyre jargëlënës. Po. Lenë një jargë të ndritshme si ngjyrë argjendi pas, të cilën nuk e di nëse është sekrecion për shumim apo shenjë për të gjetur rrugën e kthimit, që me siguri është pas 6-7 muajsh. Si shumohen? Nuk ja kam idenë se janë hermafroditë, pra pa seks, ose me të dyja sekset.
Për herë të parë, në mënyrë të pavetdijshme e përdora emrin Ligavec Gollash për nënkryetarin e sotëm të Bashkisë, Raqkë Melen. Në subkoshiencën time, pa patur asnjë lloj predispozicioni negativ, figura e tij ndodhej pranë asaj të Gollashit. E ndjeva që nuk ishte i vetëm, sepse pasi shkova edhe pak më thellë në kujtesë, gjeta një Ligavec më të gjatç, që quhet Gjergji Gjinko dhe ka qënë Kryetar Bashkie dhe një tjetër më të verdhë, që quhet Gjergji Papa e është deputet i Korçës në Parlament.
Djem shumë të mirë! Të tre! Asnjëherë nuk kanë krijuar probleme për prindërit apo për mësuesit. Fatosa e pionierë të dalluar, të rritur në shtëpi private me qilar në lagjet 2,3 dhe 11 dhe ndjekës të gjimnazit më të njohur të Korçës. Nuk kishte se si mos i besonte Korça fatet e saj në këta djem të lindur çdo 6 vjet. Të butë, të sigurt në ecjen e tyre të ngadalshme, të fshehtë e fjalëpakë, të bindur ndaj udhëheqësve të tyre, këta tre Ligavecë Gollashë vazhdojnë ngadalë po të sigurt karrierën e tyre politike. Dhe të tre të djathtë të thekur, me përjashtim të Raqkës, që bëri një kthim nga e Majta se ç'ti bënte Udhëheqësit.
E ndjej që edhe pas 20 vitesh do jenë përsëri në zyrat e tyre, të fshehur pas dosjesh e duke lexuar dispozitat për t'ja u pëshpëritur në vesh Shefave, të cilët nuk bëjnë dot pa ta. Edhe ndonjë të vockël kur e marrin, e marrin me shumë marifet se nuk ju duhet shumë për ekzistencën e tyre prej Butakësh. Boll sa të kenë e të sekretojnë vazhdimisht jargën e tyre të argjendtë, që nuk dihet nëse është spermë apo gjurma që lënë në histori!
No comments:
Post a Comment