Në 4 pjesët e Kreut të parë, ku bënte pjesë edhe shtojca me pyetje përgjigje, si dhe analiza përmbyllëse e Kreut, u morëm me një familje tepër mesatare në një qytet të zakonshëm të një vendi të zhvilluar, disi të zhvilluar dhe në zhvillim. Quhet Olsi-familje dhe mund të quhet gati një familje tipike me prindër që i përkasin brezit të pas baby-boomers. Nuk kishte kuptim të studionim bumsat, se për shumicën e tyre ishte e qartë, që po lindin fëmijë të devotshëm për atdheun socialist(e kam fjalën për ata që mezi prisnin sa të martoheshin e jo për të duruarit) dhe që do i edukonin me shkencat shoqërore dhe ato të sakta, e që të gjitha përshkoheshin nga filli i kuq i marksizëm-leninizmit.
(Nuk mund të le pa përmendur një ngjarje të viteve '70, në një seminar të arsimit në Korçë ku merte pjesë edhe poliagjenti sho Mehmet. Një mësues matematike-prej 20 vitesh tashmë antikomunist- në kumtesën e tij po përmendte shpesh boshtin marksist-leninist në tekstet e matematikës deri sa ish-Kryeministri nuk duroi dot e i tha:"E ore se e bëre kollodok këtë boshtin marksist-leninst! Matematikë është... një e një bëjnë dy!" ...si u zbulua më vonë nga sho Enver, ai kishte ndikime të ideologjisë borgjeze, kështu që mësuesi i gjorë s'kishte faj...)
Pra, problemi që kemi në studim, nuk është për ata që i kanë lënë të 50-tat, por për më të rinjtë. Mund të jetë problemi i Bumsave, që janë bërë tashmë gjyshër dhe të cilëve fëmijët ja u fërshëllejnë për t'ju marë mendje, por edhe këto raste janë të pakta. Sepse ka pak gjyshër e gjyshe dhe më pak akoma që ja u fërshëllen njeri.
Në familjen tepër të zakonshme, ku të dy prindërit e Olsit nuk janë tamam as plansa, as kuturujsa dhe as thjesht turmsa(ose të paktën mendojnë se s'janë të tillë), fëmija erdhi natyrshëm, se ishin të dashuruar dhe gjithë shpresa për jetën e tyre në një vend në zhvillim apo më shumë akoma në një vend të zhvilluar. Fëmija do ishte kurorëzimi i dashurisë së tyre dhe mrekullia që ata do i sillnin kësaj bote. Padyshim që ai do kishte cilësitë më të mira të të dyve dhe në kushte më të mira se ç'ishin rritur ata, sigurisht që do shkëlqente. Dhe kështu e përkëdhelën ëndrrën e tyre para konceptimit të Olsit, gjatë shtatzanisë dhe pas saj. S'kishin arritur ende të kuptonin, që njeriu është ende në një fazë shumë të ulët zhvillimi dhe kombinimi i cilësive gjatë konceptimit është krejt rastësor. Ky lloj dyshimi ju shkoi në mendje, ditët kur Olsit i duheshin jo vetëm syze dhe dhëmbëdrejtuese, por po dëshmonte, që jo çdo gjë që theshte ishte gjeniale.
Ndaj, tani sidomos për Olsin-mama, e gjithë shpresa ishte në një institucion edukimi të përsosur.
(vijon)
No comments:
Post a Comment