Fundi i viteve '50 dhe fillimi i viteve '60, sollën një lloj lirie në lejimin e këngëve të "linjës të nëndheshme" të luheshin edhe në bare bile edhe në skena të estradave. Eshtë një periudhë lulëzimi i këngëve më të mira të dashurisë, sidomos ato të kompozuara nga Abaz Hajroja, Ilia Vinjau dhe të tjerë instrumentistë të orkestrës së Estradës. Të kësaj kohe janë këngët "Rrinim bashkë tek sofati", " Kurrë mos dashuro", "Ti me dy fëmijë", "Erdhi vjeshta ty gjethet të ranë", "Stoli i bardhë" etj. Edhe në to tonet melankolike janë mbizotëruese, por e njëjta gjë vërehej edhe në muzikën e kohës europiane, në këngët e Modunjos, Piafit, Brelit, Don Bakit, Aznavurit etj. Vertet nuk mund te behen krahasime per nivelin, por përsëri, unë do e quaja si periudhën më të mirë të këngëve të qytetit. Më duket gjithashtu e çuditshme, që nuk është kujtuar kush t'ju rikthehet për një interpretim të ri sot, kur janë "rifreskuar" këngë të së njëjtës periudha me vlera ordinere si "Jorgjicë, Jorgjicë" apo "Rrukullisni kadet". Shpërndarja e të gjithë trupës së estradës së Korçës në vitin 1966, solli një rënie të krijimtarisë së Hajros e të të tjerëve, tashmë të paralajmëruar se në rast të përsëritjeve, mund të gjenin edhe vend në qelitë e burgut, si ju kishte ndodhur vëllezërve Starova të Estradës së Pogradecit.
Por krijimtaria amatore po vazhdonte të rritej dhe një pjesë e mirë e këngëve po bëheshin zyrtare, sidomos në skenat e grupeve amatore, pasojë e një favorizimi të rinisë në fundin e viteve '60 dhe fillimin e viteve '70. Kjo është periudha e "kantaautorëve" sipas modelit italian, kur u shfaqën Nonda Kajno, Mihallaq Andrea, Niko Pusteci e ndonjë tjetër, por me këngë të cilat nuk mbetën gjatë në kujtesën e njerëzve, mbase edhe për shkak të cilësisë së tyre. Njëkohësisht, vazhdohej me melodi të kopjuara plotësisht ose pjesërisht, si dhe krijime të amatorëve, që nuk mund të ngjiteshin nëpër skena. Në këngët e kopjuara kishte shumë me tekste origjinale, por edhe të tilla me tekste nga vjershat e Eseninit, Pushkinit e të ndonjë poeti tjetër lirik. Po shkohej drejt mbylljes së një periudhe të një cilësie më të mirë dhe po jepeshin shenjat e dekadencës, që do mbizotëronte në këngët e rrugëve të viteve '80.
Para se të fillonin vitet '80, në periudhën më të ashpër të diktaturës ('75-'80), u ndalua thuajse plotësisht të kënduarit mbrëmjeve në qytet. Të rinjtë që donin të këndonin, për të shfrehur "dertet" e tyre hormonale, ishin t detyruar të ngjiteshin nga Shetroja, zoti Kenedi, ose të këndonin brenda shtëpive të tyre. Shumë krijime origjinale të asaj kohe, me melodi dhe tekste të mira, nuk arritën të përhapeshin në gjithë qytetin dhe humbën ose kujtohen vetëm në rrethe të ngushta. Të tilla ishin " Kujtoj ditë të bukura të rinisë", "Maturantja", "Plazhi zhurrmon", "O sa do desha kjo natë mos mbaronte", "Dashuria nën ombrellë", "Ishte një mëngjes kur më takoi" etj. Dy tre këngë, të transformuara edhe këto si "Kali i bardhë", hynë në repertorin e pas viteve '90 të ndonjë këngëtari të njohur.
No comments:
Post a Comment