Thursday, 10 November 2022

Marrëzia e Hajnisë


Nuk di se nga lind ky zell për të përçudnuar veprat më të mira të arkitekturës shqiptare. Petraq Kolevica, arkitekti korçar më i spikatur i shekullit të kaluar, ka projektuar në Korçë disa nga veprat më të mira të arkitekturës shqiptare të pasluftës së dytë. Mes tyre, shkëlqenin projekti i shkollës “Themistokli Gërmenji” dhe ai i Bibliotekës së Korçës. Padyshim që mund të qëndronin të dyja në çdo qytet perëndimor të viteve ’60-’70.

Veçanërisht shkolla “Th. Gërmenji” ishte mishërimi i një arkitekture racionale moderne, e projektuar thjesht, me shirita horizontale dritaresh, me një qarkullim të thjeshtë dhe të pastër, si dhe me një përdorim të kursyer të sipërfaqeve, në të cilat binte në sy zgjidhja e palestrës në katin e dytë. Projekti ishte padyshim shkolla më e mirë e projektuar në Shqipëri gjatë shekullit të XX. E zbatuar mirë edhe nga specialistët korçarë të ndërtimit, ajo mbeti projekti një ndër veprat më të mira të arkitekturës shqiptare të realizuara nën Diktaturë.

Prej vitesh ky objekt duhej të ishte shpallur si monument i arkitekturës shqiptare dhe duhej të mbrohej nga shteti. Në të vërtetë sot, në vitin 2022, po ndodh diçka që personalisht më duket tepër absurde. Në projekt po ndërhyet jo vetëm me një shtesë, por edhe me transformim të plotë të saj. I kam të qarta cilat janë arsyet, Dikur ishte planifikuar që kjo shkollë të prishej, ndërsa tani, pasi nuk u arrit shkatërrimi, po ndërhyet për të përfituar disa fonde nga pushtetarët lokalë dhe ndoshta edhe nga ata të Ministrisë së Arsimit.

Nuk mund të vidhen këto para diku gjetkë? Eshtë e domosdoshme të shkatërrohet edhe ky projekt i Kolevicës?

Babëzia e njerëzve që merren me politikë për të vjedhur nuk njeh cak. Pasi kanë ndërhyrë në çdo pjesë të qytetit duke e transformuar për keq, tani po ju kthehen çdo objekti të projektuar mirë dikur për ta transformuar vetëm e vetëm që të fusin diçka në xhep. Eshtë një Marrëzi që për fat të keq e vuan qyteti, arkitektura shqiptare dhe vepra të veçanta të saj.

Deri kur do marrë fund kjo Marrëzi?

Deri kur mund të marrë fund heshtja e qytetarëve korçarë ?

No comments:

Post a Comment