Monday, 28 November 2022

Mbrëmje më rimerr në kaltërsinë tënde

 

Mbrëmje më rimerr në kaltërsinë tënde

Dhe më shpjerë ku përçmim nuk ndjej;
Nëse vërtet ka të tilla vende,

Me pak zymtësi,

Dhe me shpirtra që ndrisin si diej.

Mbrëmje më rimerr në tënden fshehtësi

Dhe më degdis diku larg

Ku nuk ka ndërgjegje të rrënuara

Sepse kanë kuptuar që ferr nuk ka.

Edhe pse nuk do shkruaj dot asnjë varg

Edhe pse mund të ngjaj me një asket

Nuk do jetë hata.

Mbrëmje më rimerr në realitetin tënd miks

Ku nuk gjen më zemra që sy magjikë kanë

Për të parë kush ju troket.

Ndoshta hirit të dashurisë do ringrihem si feniks

Dhe do kërkoj të tjera mëngjese,

Të qeta,

                Të paqme,

                                Të dlira

Ku të mos të duan nuk do jetë më dert.

No comments:

Post a Comment