Ishte ende shumë simpatik edhe pse kishte shumë vite në kurriz. Në rini mund ta merrje për një aktor filmi gjerman prej flokëve të verdha, tipareve nordike dhe një pardesyje shumë të gjatë, që nuk di nëse ishte prej lëkure apo imitimi të saj. Prej tij , por dhe prej mashtruesve të tjerë që mbanin pardesy veçanërisht të gjata, krijova përshtypjen se pardesygjatët janë të gjithë mashtruesa. Ndoshta e lidhja veshjen e sipërme me mantelin e një prestigjitatori, i cili mund të nxirrte në çdo çast prej mëngëve dhe kindave lepuj, pëllumba dhe deri në njerëz të vegjël. Kisha njohur disa mashtruesa që mbanin pardesy të tilla në një vend ku kishte pak pardesy dhe meshkujt përgjithësisht mbanin “xheke meshini”.
Ai kishte studiuar në të njëjtin fakultet, ku kisha studiuar
edhe unë, por nuk jam i sigurt nëse kishte mbaruar para meje apo më pas. Nuk
isha I sigurt edhe nëse kishte përfunduar studimet. Dija që kishte përsëritur
vitet. E megjithatë pohoja me kokë, kur në prani të të tjerëve më thoshte se unë
e dija që kishte qënë pedagog i Rezistencës Materiale në Universitet, lëndës më
të vështirë për studentët e atij fakulteti. Asokohe mendoja se ishte një “imazhine”
i pa të keq, që gënjente veten.
“Pedagogu i Rezistencës Materiale” nuk e përdorte pamjen e
tij, të theksuar bukur nga pardesyja e gjatë, për të shtënë në dorë vajza që
aspironin të shkonin për studime, ose që kishin ëndërr të martoheshin me një
pedagog. Fusha kryesore në të cilën “operonte” ishte ajo e karrierës
profesionale dhe në të kishte suksese jo të pakta, po qe se merrje në
konsideratë se sa kishte në kokën e tij që dukej prej gjermani, por që ishte
shumë larg një të tille. Kishte një të folur të qetë dhe një buzëqeshje të
pafajshmi, gati idiote, që nuk e kuptoje dot në e kishte të lindur apo e kishte
përshtatur gjatë viteve të studimeve dhe të punës. Nuk e ngrinte zërin dhe nuk
hynte kurrë në debate të asnjë lloji. Vetëm thoshte me siguri atë që i pëlqente
të dëgjonte bashkëfolësi dhe kur kuptonte që bashkëfolësi donte të dëgjonte të
kundërtën merrte një kthesë tepër të butë edhe pse 180 gradëshe.
Si të gjithë paraidiotët, thuajse idiotët dhe idiotët e plotësuar
e njihte mirë vlerën e parave. Mund të konvertonte pa makinë llogaritëse sa
euro vlente një shërbim i caktuar për një ndërhyrje, se sa jen vlente një
ekspertizë e favorshme gjyqësore, madje edhe se sa rupi duhet të paguante
viktima për një konsultë në fushën e urbanistikës. Dinte edhe të dallonte se
cilët fshatarë të një zone të caktuar paguanin më shumë rryshfet dhe se cilat
shtresa të qytetit nuk duhet t’i merrte nën sqetullën e tij problemzgjidhëse se
dyshonin edhe atëhere kur nuk duhej.
Rrallë, kur e takoja për disa minuta dhe më shpaloste disa
nga gënjeshtrat e tij të ripërsëritura, pyesja veten nëse vërtet i besonte apo
sa largohej thoshte me vete “Edhe ky koqja i besoi!”. Por ndoshta sa ndahej nga
unë apo të tjerë si unë ai as mendonte për kë kishte takuar se shihte para, atje
në horizontet e karrierës, atje ku shkëlqente ylberi i formuar nga ngjyrat e
kartmonedhave të vendeve të ndryshme.
E takova edhe këtë rradhë dhe dukej më shumë një lloj
Heminguej se san jë gjerman në krizën e andropauzës. I buzëqeshur dhe optimist
më tha se po punonte për SPAK dhe për Vetingun, në bashkëpunim me FBI-në. E
pyeta se deri kur e kishte mandatin, pyetje që i pëlqeu se dukej që nuk e kishte
përdorur më parë afatin e mandatit. Më tha edhe disa vjet të tjera deri sa të përfundonte
trainim e specialistëve të rinj, një detyrë që FBI ja kishte besuar vetëm atij.
I entusiazmuar doja t’i thoja se sa dollarë kanadezë duhej t’i jepja për këtë
informacion tepër të rezervuar, por mendova se do dyshonte dhe në të ardhmen
nuk do më tregonte më rreth sukseseve të tij në fushat juridike, urbanistike,
ndërtimore dhe të disiplinave të ndërmjetme.
“Të gjithë jemi vdekëtarë me dobësitë tona!” mendova ndërs u
ndamë “por dobësitë e disave janë shumë të dëmshme për njerëzit e tjerë!”
No comments:
Post a Comment