Monday, 28 November 2022

Qentë, macet dhe pëllumbat


Nuk di përse gjatë "turneut ballkanik" u mora me foto kafshësh në Korçë, Stamboll dhe Athinë. Në Korçë fotografova një sërë qenër, rrugësh duke lehur ose duke fjetur trotuareve, në Stamboll mora foto të maceve të shumta, ndërsa në Athinë- pëllumba. Nuk ka asnjë simbolizëm në të, sepse nuk mendoj se ka ndryshime thelbësore në shoqëritë shqiptare, greke dhe turke. As në politikat e tyre të brendëshme dhe të jashtëme. Thjesht këto tre kafshë binin në sy më shumë rrugëve , kur bridhja. Në  Stamboll shihje shumë rrallë qenër, qoftë dhe të shoqëruar nga të zotët ndërsa në Athinë ishin të pakta macet. Pëllumba kishte në të tre qytetet, por në Athinë i shihje kudo.

Në zinxhirin e të ngrënit (food chain), macet hanë pëllumbat, qentë shqyejnë macet,por kjo nuk do të thotë se Turqia mund të gëlltitë Greqinë, apo më keq akoma Shqipëria të gllabërojë Turqinë. Për arsye të pakuptueshme, në tre qytetet që formojnë një trekëndësh me brinjë jo më të mëdha se 1000 kilometra sejcila kafshët e zbutura që "predominojnë" rrugëve janë kaq të ndryshme.Të binte në sy që pëllumbat dhe macet njerëzit i ushqenin, ndërsa për qentë, këto kafshë shumë besnike, nuk çante kokë njeri. Të shkalafitur, të palarë,të ushqyer keq dhe me një matrikull të "mbërthyer" në vesh, ata të kujtonin njerëzit e kampeve të përqëndrimit të Luftës së Dytë Botërore. Vërtet nuk i detyron kush të punojnë dhe as i djegin krematoriumeve, por të krijohet përshtypja që "ekzekutimi" do ishte spëtim për ta. Ndoshta animalistët duhet të bëjnë diçka më shumë për të ndërtuar strehëza qenore, se sa të bëjnë "gam gam" përtë mos lejuar bashkiakët t'i vrasin. Më mirë t'i vrasin si qenër rrugëve, se sa t'i lenë të bëjnë një "jetë qeni".

Kundërshtarët e Qeverisë mund të thonë duke gërthitur: "Këtu nuk po çan kokë kush për njerëzit, ti po na shet dëngla për kujdesjen ndaj qenve!" Por "çështja Qen" është më shumë tregues i gjendjes së shoqërisë se sa i qeverisë së një vendi. Njerëzit në prehistori ditën të trajtonin mirë ujqërit dhe arritën të kthenin një pjesë syresh në "canis familiaris". Ju dhanë dashuri, ushqim dhe përkëdhelje, sa që egërsirat pranuan të jetonin me ta dhe në të njëjtën kohë t'ju shërbenin duke i mbrojtur nga vëllezërit e tyre "canis lupus". NJëzetmijë vjet më vonë në qytetin më të përparuar të Shqipërisë, ka rrezik të ndodhë proçesi i kundërt-ai i kthimit të qenve në ujqër.

Dhe nëse ndodh vërtet kështë, do jetë mirë, që të ketë nga një qen për çdo korçar (përfshirë edhe mua), që të na çajë një orë e më parë.

Sepse jemi jo vetëm për njëri tjetrin ujqër, por edhe për qëniet e pambrojtura.

 

No comments:

Post a Comment