Monday, 21 November 2022

Një tip

 

Në një kafene, ku shkoja shpesh, një ditë më foli një tip i ulur pranë tavolinës, tek e cila më pëlqente të ulesha. I thashë "Mirmëmgjes!” dhe ma ktheu me: "Përshëndetje, kënaqësi që të shoh arkitekt i talentuar!" Më edhi mirë që më njihte dhe për më tepër , që shtoi cilësorin “i talentuar", sepse janë të pakët ata që më njohin në vendlindje dhe më të pakët ata që më quajnë "të talentuar".

Porosita salepin e zakonshëm pasi e falenderova dhe nisa ta rrufisja, kur tipi filloi sërish: "Je kthyer në një legjendë me shkrimet tënde, probleme të cilat të gjithë i dimë, por ti je gjithnjë dy hapa para!" E ndërpreva duke i thënë se kjo vjen nga mosha ime e shtyrë, por tipi nuk e pranoi këtë dhe vazhdoi të theshte se ishte fatkeqësi që njerëz si unë ishin larguar nga vendi, se sipas tij isha arkitekt, poet,piktor, bloger dhe mund të më quante pa frikë që isha kthyer në një institucion. "Do më kërkojë para borxh"-mendova i ngutur si gjithmonë dhe i ofrova për ta "platitur" një dopio raki, por tipi e refuzoi, sepse nuk pinte alkol. I çorientuar mendova të ngrihesha sa më parë, që mos ndodhesha para ndonjë të papriture, por më vinte keq të linja pa pirë, salepin bio, që sipas avokatit tim është dhe një substancë afrodiziake.

Fati e solli që të ishte po avokati im, që do më shpëtonte nga ajo situatë e sikletshme. Ai erdhi në kafenenë "e preferuar" përshëndeti me kokë të pranishmit dhe m'u drejtua mua me ofezën e zakonshme përshëndetëse. Nuk di nëse tipi e dëgjoi, por ju drejtua me emër duke i thënë, që gëzohej që na shihte bashkë dhe se i porsaardhuri ishte një legjendë në qytet, si jurist, pedagog, autor dhe përkthyes dhe ishte kthyer në një institucion.

Unë i shkela syrin avokatit, për t'i lënë të kuptonte që nuk ishte një rreng i sajuar nga unë dhe që edhe vetë kisha dëgjuar plot lavde të këtij lloji. Avokati e falenderoi dhe I ktheu kurrizin, për t'i thënë me mirësjellje "mos na çaj gajden si shumë!, por tipi nuk ndalej në elozhet e tij. "Nëse ju të dy do garonit për kryetar dhe nënkryetar bashkie, unë do ju siguroja të paktën 3000 vota!" Nuk dinim si t'i përgjigjeshim se vërtet na erdhi mirë për votat, por tipi nuk kishte përcaktuar se cili nga ne do ishte kryetar. Se nënkryetari kyçet e kashtës ka në sistemin tonë idealo-kleptokratik.

Nga "pushimi" i përkohshëm që solli kthimi i kurrizit të avokatit na ndërpreu ardhja e një mikut tim të vjetër. Tipi, që e njihte, nisi menjëherë nga lavdet duke e përcaktuar si ndërtuesin më të mirë, konstruktorin më të talentuar dhe drejtuesin më të ndershëm, që kishte njohur Korça, që ishte kthuyer në një institucion i mbrojtjes së qytetit nga ndërtimet e paligjshme dhe që ishte një garanci e mbijetesës së qytetit. Miku im i dha vështrimin e tij karakteristik, të inklinuar, por tipit nuk ju bë vonë për shikimin qortues. Vazhdoi" Ngazëllehem , kur shoh sëbashku tre institucione të qytetit, që në bashkëpunim mund të sjellin Korçën në të kaluarën e saj të lavdishme, të përdhosur nga bastardët e majtë me prirje të djathta.

Cuditërisht edhe ne nisëm të ndjeheshim të mikluar nga ligjërata e tipit. Po ndjeheshim gati si kompleksi i ministrive në Tiranë- njëri i Kulturës, tjetri i Drejtësisë dhe i treti i Ndërtimit. Vetëm ne mund ta shpëtonim këtë vend! Sigurisht me ndihmën e tipit, të cilin nuk guxuam ta pyesnim për emrin. Nga gjendja imagjinare na nxorri konstruktori, i cili këmbënguli të ngriheshim, por unë pas disa minutash u ktheva se kisha harruar mbi tavolinë celularin me aplikimin regjistrues të hapur, një marifet të mësuar nga i mirënjohuri Xheri Luis. Ndërsa dëgjonim me dy shokët e mij rregjistrimin e zërave pasi kishim lënë kafenenë dalluam zërin e tipit që ju theshte të tjerëve: “Këta tre k...janë ca megallomanë, që ju duket vetja kush e di se ç'janë!"

Nuk kishte se si mos e admiroje!

 

 

 

No comments:

Post a Comment