Wednesday, 23 November 2022

Një milion e një macet e Stambollit


E kam fjalën për macet e rrugëve. Macet boheme. Të tjerat, ato të llastuarat e shtëpive të të pasurve apo ato të privilegjuara të shtresave të mesme mbase dalin rrallë në rrugë. Shtriqen salloneve dhe dëgjojnë muzikë dhome ndërsa turkeshat nazelije ju drejtohen me fjalë të bukura.

Nëpër rrugë sheh shumë mace dhe nëpër shitore dhe restorante sheh të shërbejnë shumë burra. Burrat të presin tek dera dhe mundohen të të bindin të hysh; burrat marrin porositë, sjellin pijet dhe pjatat dhe me siguri në kuzhinë gatuajnë po burrat. Burrat gjithashtu kujdesen për macet e panumurta boheme të Stambollit. Ju venë ushqime dhe ujë në disa enë plastike dhe ato shkojnë pranë tyre pa zhurrmë. Janë të vogla në trup dhe shumë miqësore macet e këtij metropoli. Të qeta dhe duket sikur njuk kreshpërohen kurrë.

Ka një lloj misteri mesjetar në sjelljen e tyre. A ndoshta e bën të tillë prania e kalldrëmeve. Ose përfytyrimet e mija nga përrallat e "Muku i Vogël". Nga ai kujtoj opingat që i jepnin një shpejtësi marramendëse, macet e shumta dhe minaretë.

Por në orët e vona të natës. macet e vogla më kujtojnë më shumë se çdo gjë tjetër një poezi të bukur të Bodlerit, të titulluar "Rrëfimi". Ka brenda pak strofave një dashuri magjepëse, një përshkrim të mrekullueshëm të Parisit dhe një filozofi ekzistencialiste mbresëlënëse.

Nuk di se cili nga poetët e shquar shqiptarë ka thënë se "mace" nuk është fjalë poetike. Vërtet ka një tingëllim të çuditshëm dhe është vështirë ta rimosh me një fjalë të bukur shqipe. Në shumë gjuhë e përdorin shpesh poezive. Tek "Rrëfimi" unë e zëvendësova me kotele dhe më mbetën në mendje macet e vogla që na shoqëronin në Parisin e përgjumur.

Stambollit të përgjumur, të fjetur dhe të ngritur gjumit, sheh mijëra mbase gati një milion e një kotele. Të të gjitha ngjyrave.Eshtë e vështirë të dallosh maçokë. por unë nuk jam felinolog, dhe për maçokët di vetëm që kanë kurm disi të madh dhe kokë disproporcionalisht të madhe. Nuk jam shqyrtues shumë i kujdesshëm sa t'ju dalloj organet gjenitale.

Bodleri ka edhe poezi veçanërisht për macet dhe poezi klasi, sikundër dinte të bënte ai. Tek poetët tanë më të mire zor se mund të gjesh vjershërime për to. Ndoshta në letërsinë e re, si është letërsia shqipe, poezia mbetet në fillesat romantike, ku mund të shkruash bukur për shqipet, luanët, kuajt, bilbilat, delfinët, e të tjera kafshë dhe shpendë me virtyte të veçanta, por jo për macet. Bodleri ka edhe një poezi të pëkryer për kukuvajkat me që jemi tek kafshët dhe poezia.

Nuk gjej asgjë poetike në macet dhe kotelet "boheme" të Stambollit. Më duken edhe shumë "proletare" dhe vargje revolucionare nuk dua të shkruaj. Madje nuk më vijnë.

Mund të stërholloj në kokë një lloj eseje gjysëm ironike për marrjen në kontroll të Stambollit prej tyre, por edhe kjo mund të lëndojë ndjenjat e lexuesve turkoshakë, që mund të krahasojnë komplotin e një milion e një maceve me marrjen e Konstandinopojës prej Mehmetit II. Ndoshta i ndikuar nga Kadareja mund të shkruaj pasazhe të tipit: " Macet tashmë kishin kapur edhe Kullën e Gallatës, që ishte pika sunduese e qytetit të lashtë për të vendosur plotësisht sundimin e tyre prej amazonash, pa ditur edhe vetë se ç'do bënin me të. Në Kullë kishin vendosur shtabin e tyre, ku prisnin kumte nga macet e ardhura nga mëhallat e tjera të Stambollit. Tek dera e Kullës një nga një ato hynin. Ishte një stinë e çuditshme, krejtësisht e re, mes dimrit dhe pranverës, ashtu sikundër ishte i çuditshëm edhe sundimi i tyre që posa kishte nisur."

Do duhen të tjera vizita në qytetin e pazakontë mes dy kontinentesh, për të kuptuar përse janë aq të shumta macet rrugaçe dhe rolin që luajnë në disiplinimin e shoqërisë turke. Diçka duhet të jetë se në të kundërt Erdoani do i kishte likuiduar.

 

 

 

No comments:

Post a Comment