Wednesday, 23 November 2022

Bardhoshja

Ajo kishte një kurm të bukur

Edhe të madh,

Ndaj nuk mund ta quaje kotele.

Sytë ëmbëlsisht përgjumur

Ndërsa lehtas në prehër më vinte

Ngrohtësi kërkonte dhe…dhele.

Në të gjatat qime të bardha

Gishtat më mbeteshin

Dhe rrallë, shumë rrallë

Në të djathtin vesh të saj,

Që lehtas palosej,

Pëshpërisja mjaullima plot rimë

Me shpresën që të ndjente se poezitë nuk vdesin.

Bardhoshja lehtas kokën tundte

Ndoshta nga tingujt e ftohtë të zërit tim

Dhe jo nga mjaullimat e çartura.

Trupin shtriqte e përmbajtur

Sikur nuk donte të prekte të dyshimta sende

Dhe mos ndryshonte ritmin

E rrokjeve të zvargura.

Ishte gjithshka ngadalësisht e ëmbël

Pragmbrëmjeve në të ndënies kthinë.

I lodhur nga marrëzitë e njerëzve

Ndënjëses së rehatshme plandosesha

Prisja në prehër të vinte e mira Bardhoshe

T’I flisja për gjithshka,

Ndoshta dhe për dashurinë.

Kështu deri në një mbrëmje me cingërimë

Kur edhe shpirti më kishte ngrirë.

Në qafë thonjtë e saj m’u ngulën

Thonj që nuk i pata dalluar kurrë

Edhe kur kisha përkëdhelur putërzat e saj

Ndërsa shquaja të lehtën lëvizje të veshëve plot dëshirë.

Kurrë nuk kuptova ç’pat ndodhur.

Në kishte dalluar të moshës acar,

Nëse nga miqësia me një të rrjedhur ishte lodhur,

A diku e priste një dac

Të bridhnin pullazeve në janar.

Mbrëmjeve të gjata të dimrit

Ndërsa dëgjoj të mënçurin Kohen,

Sytë shpesh më shkojnë në një qoshe.

Dikur atje më priste mikja ime

E viteve të fjetura të pragplakjes,

Viteve kur dhe Urtësia nuk ka më vlerë,

E bukura, e mira Bardhoshe.

 

No comments:

Post a Comment