(vijim)Më paradoksalja
rreth rritjes së pabarazisë është se sa e panevojshme dhe shkatërruese është për
ne. Nëse ndryshojmë pak politikat si bëri Rusvelti gjatë Krizës së Madhe, pra të
ndihmojmë 99% të popullsisë dhe parandalojmë revolucionarët dhe ata me cfurqe,
kjo do jetë zgjidhja ideale për ne. Jo vetëm që do mbijetojmë, po me siguri
edhe do pasurohemi më shumë.
Shëmbull për ne të pasurit duhet të jetë Henri Ford, që
kuptoi se punëtorët e tij në Detroit nuk ishin të vlefshëm për të se mund t’i
shfrytëzonte duke i paguar pak, por ishin edhe blerës potencialë. Ndaj
llogariti se nëse ju rriste rrogat në 5$ në ditë (pagesë jashtëzakonisht e
lartë për kohën), punëtorët do ishin në gjendje të blinin automjetet që
prodhonte.
Ide gjeniale. Propozimi im është : Le ta bëjmë edhe tani.
Duhet të bëjmë diçka. Këto politikat idiote “po të pasurohemi ne shumë edhe
fukarenjtë do përfitojnë“ po shkatërrojnë bazën time të konsumatorëve. Edhe
tuajën.
Ja pse vendosa të braktisja botën e izoluar të super të
pasurit dhe të angazhohesha në politikë. Jo në garë për ndonjë post publik dhe
as si donator i fuqishëm. Unë dua të ndikoj me ide në ndryshimin e diskorsit publik
duke i dhënë përparësi idesë, të cilën së bashku me Erik Liu, e quajmë ekonomia që nis nga klasa e mesme. I
kundërvihet politikave ekonomike që kanë mbizotëruar deri tani dhe që kanë
shkatërruar jo vetëm klasën e mesme amerikane , por edhe ekonominë në përgjithësi.
Ekonomia që nis nga klasa e mesme
(middle-out economics) hedh poshtë idenë e vjetër se ekomomia është një sistem
mekanik efiçient dhe i përqaset idesë që
ekonomia është një sistem kompleks si një ekosistem njerëzish realë të ndërvarur.
Ja përse ligji themelor i kapitalizmit duhet të jetë: Nëse
punëtorët kanë më shumë para, bizneset kanë më shumë blerës. Pikërisht kjo përcakton
që vendet e punës krijohen nga klasa e mesme dhe jo nga ne biznesmenët e pasur.
Që do të thotë se një klasë e mesme në lulëzim është shkaku i begatisë
amerikane dhe jo pasojë e tij. Eshtë kjo klasë që krijon të pasurit dhe jo e
kundërta.
Më 2013, Bloomberg
botoi një artikullin tim me titull “Cështja e kapitalistit për ngritjen e pagës
minimale në 15$/orë“. Revista Forbes
e etiketoi “Propozimi thuajse i çmendur I Nik Hanauer”. Por pas disa javësh,
miku im David Rolf, organizator i Service Employees
International Union, ngriti në grevë të përgjithshme punonjësit e fast-food
me kërkesën për pagë 15$/orë. Një vit më vonë në qytetin e Seattle u miratua
paga minimale 15$. Si ka mundësi do thoni ju?
Sepse kemi diçka që nuk shkon. Gjatë tre dhjetvjeçarëve të
fundit, bonuset për CEO-të(administratorët e përgjithshëm - sh.p.) u rritën 127 herë më shumë se ato
për puntorët. Prej vitit 1950, raporti i rrogave CEO-punëtor është rritur 10
herë. Të parët në atë kohë merrnin një rrogë 30 fishin e mesatares të punonjësve
të kompanisë ndërsa tani futin në xhep një rrogë 500 fish të mesatares. Dhe nuk
ka bërë vaki që ndonjë kompani të shkurtojë drejtuesit, të automatizojë punën e
tyre apo ta transferojë në Kinë. Në të kundërt ne sot kemi kudo më shumë CEO
dhe zyrtarë të tjerë të lartë. E njëjta gjë për punonjësit e financës dhe të
teknologjisë. Edhe pse rrogat e tyre janë shumëfishi i mesatares, nuk e di se
pse na duhen gjithnjë e më shumë të tillë.
Ne të pasurit e biznesit duam që klientët t’i kemi të pasur,
kurse punëtorët e varfër. Që kur ka dalë kapitalizmi, kapitalistët kanë thënë të
njëjtën gjë rreth rritjes së rrogave. 75 vjetët e fundit kemi dëgjuar ankesa
nga bizneset e mëdha kur u vendos ligji për pagën minimale, kur u ligjërua e
drejta e grave për pagë të barabartë me burrat, kur u miratuan ligjet për
ndalimin shfrytëzimit të punës së fëmijëve. Gjithnjë i njëjti refren: Do
falimentojmë të tërë! Më duhet ta mbyll biznesin! Duhet t’i pushoj të tërë! Në
fakt asngjë nga këto nuk ka ndodhur. Të dhënat tregojnë se kur punëtorët
trajtohen më mirë, bizneset fitojnë më shumë. Ata që e mohojnë e kanë komplet
gabim.
Shumica juaj mendon se rroga minimale prej 15$ dollarësh në
Seattle është një devijim i marrë nga politikat racionale, një rrezik i madh për
ekonominë. Por në Seattle rroga minimale
ishte 9.32$, 30% më e lartë se ajo federale dhe nuk e kishte dëmtuar ekonominë.
Në të kundërt, dy qytetet ku bizneset e vogla kanë rritjen më të madhe janë San
Françisko dhe Seattle. Dy qyetet ku rroga minimale është më e lartë se kudo në
Amerikë. Qyteti me rritjen më të shpejt mes qyteteve të mëdha - përsëri
Seattle. 15$ në orë nuk është për ne diçka e paprovuar më parë. Thjesht është
një theksim i strategjisë që e ka bërë qytetin tonë “t’ja u lagë“ qyteteve
tuaj.
Eshtë krejt e llogjikshme po ta mendosh. Nëse një punëtor
paguhet me 7.25$/orë, që është paga minimale në Amerikë, sa prej rrogës së tij
do shkojë në arkat e bizneseve të vogla? Thuajse hiç. Do paguajë qeranë, do
shkojë të blejë ushqimet e domosdoshme në Safeway
dhe do blerë abonenë e urbanit. Nuk do shkojë restoranteve, nuk do blerë veshje
të reja dhe as lule për Ditën e Nënës.
A po e thjeshtëzoj si tepër këtë çështje? Vërtet që po e bëj.
A janë të shumtë faktorët që përcaktojnë dinamikën e punësimit? Përgjigja ime është-
Po. Veç mos më thoni se nëse do rrisim pagat e ulta, papunësia do shkojë në
qiell dhe ekonomia do shkatërrohet. Nuk ka pikën e llogjikës. Pjesa më
mashtruese e teorisë ekonomike të “përfitimit të të varfërve nga pasurimi i të
pasurve” nuk është ajo që ekonomia rritet kur të pasurit pasurohen më shumë. Eshtë
ajo, që ekonomia dëmtohet nëse të varfërit “pasurohen”.
Shumë prej jush mendojnë që të detyrosh të paguajnë punëtorët
më shumë nuk është e drejtë, ose përbën një ndërhyrje brutale të shtetit në
biznesin privat. Për ju do ishte më mirë të ndiqeshin shembujt e mirë të
kompanive Costco ose GAP. Ose më mirë akoma të lesh tregun të
vendosë nivelin e rrogave. Por duhet të kuptojmë, se kur pronarët e Wal-Mart dhe McDonalds, që janë shëmbulli më i keq, thonë se i paguajnë punonjësit
pranë nivelit të pagës minimale të përcaktuar nga ligji, është njëlloj si të
thonë që po mos ishte ligji do i paguanin edhe më pak. (Për fat të mirë të dy
kompanitë së fundmi kanë deklaruar që nuk do kundërshtojnë ngritjen e pagës
minimale). Por në çdo grup të gjërë, ka njerëz që asnjëherë nuk bëjnë atë që është
e drejtë. Ndaj duhet që ekonomia të jetë në rregull dhe efektive, të ketë
rregulla si të qarkullimit rrugor me kufizim të shpejtësive dhe shënja “stop”. Wal-Mart është kompania me më shumë
punonjës në Amerikë (1.4 milion) dhe me një fitim mbi 25 miliard $ pa zbritur
taksat. Po pse punonjësit e Wal-Mart
përbëjnë numurin më të madh të Medicaid (sigurimi
shëndetsor shtetëror-sh.p.) në shumë
shtete? Le të themi se Wal-Mart do ju
shtojë 10 mijë dollarë në vit, sejcilit prej 1 milion punonjësve që kanë pagat
më të ulta, do i ngrerë mbi nivelin e varfërisë dhe do i ketë klientë të rregullt
të vetë Wal-Mart-it. Do ju kursejë
edhe taksapaguesve pullat për ushqim, Medicaid
dhe subvencionimin e qerave dhe në të njëjtën kohë do i mbeten 15 miliard
dollarë fitim. Wal-Mart nuk ka për ta
bërë(dhe nuk duhet ta bëjë) këtë vullnetarisht po mos e bëjnë edhe kompanitë
konkurente. Nëse duam të kemi një ekonomi të mirë për të gjithë, duhet t’i
detyrojmë të gjithë me ligj të paguajnë paga për një standart jetese normal dhe
jo t’ja u kërkojmë me mirësjellje.
Ne të pasurit kemi krijuar bindjen që kur shkollohemi si dhe
nga trajtimi që na bën shoqëria, se jemi ne që krijojmë vende pune. Thjesht është
e pavërtetë. Asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do ketë një numur të tillë super të
pasurish që mund të gjenerojë një ekonomi të fuqishme. Unë fitoj 1 mijë fishin
e pagës mesatare të një amerikani, por nuk ble 1000 herë më shumë gjëra. Gjatë viteve
të fundit si familje kemi blerë 3 makina dhe jo 3 mijë. Si të gjithë burrat unë
ble disa bluza dhe disa këmishë në vit. Mund të ble njëmijë po përse do më
duhen? Kështu që shumë prej fitimeve i ve në bankë në llogarinë e kursimeve,
para që nuk i sjellin ndonjë dobi ekonomisë së
vendit.
Kështu që harrojini ato dënglat se Amerika është kaq e
fuqishme se ka njerëz si ju, si unë dhe si Stiv Xhobs. Ju e dini të vërtetën
edhe pse nuk ju vjen mirë ta pranoni: Po të kishim lindur në Somali apo në
Kongo, ne të tërë do ishim ca zbatharakë që shisnim fruta ndanë rrugës. Jo se në
Somali dhe në Kongo nuk ka biznesmenë të zotë. Thjesht më të mirët e tyre
shesin rrugëve se aq mund të blenë blerësit.
Pse mos bëjmë një lloj Marëveshje të Re (New Deal e
presidentit Rusvelt e vitit 1933, që nxorri Amerikën nga Kriza e Madhe – sh.p.)e pëlqyeshme për të Majtën e të
Djathtën, për Libertarianët dhe Liberalët? Në fillim do ju kërkoja miqve tim
Republikanë të shikojnë më realisht zvogëlimin e shtetit. Ju them që kini
plotësisht të drejtë se qeveria federale është vërtet e fryrë. Por që ta
zvogëlosh në mënyrë të ndjeshme, kështu si janë sot problemet, nuk mund ta bësh
dot. Regani dhe Bushët kishin mundësi ta bënin dhe dështuan.
Republikanët dhe Demokratët në Kongres nuk mund ta zvogëlojnë
thjesht se kanë dëshirë ta bëjnë. Nëse vërtet do të shkurtosh programet dhe
institucionet qeveritare duhet të kthehesh në parimet bazë ekonomike: Të zvogëlosh
kërkesat për to. Po qe se njerëzit do paguhen 15$/orë dhe më shumë nuk do ketë
nevojë as për programe të pullave të ushqimit, as të subvencionimit të qerave.
Nuk do ketë nevojë as që takasapaguesit të paguajnë sigurimin e tyre shëndetsor.
Kur të jetë fuqizuar klasa e mesme si ka qënë më parë, dhe të konsumojë njëlloj,
nuk do ketë nevojë për programe të asistencës sociale. Njëkohësisht të ardhurat
e shtetit do rriten nga taksat e shitjeve dhe të të ardhurave personale duke
reduktuar kështu defiçitin shtetëror.
Me pak fjalë kjo është një përqasje ekonomike që mund të
afrojë të Majtën me të Djathtën. Një pjesë e Republikanëve kanë nisur ta
kuptojnë. Bile edhe Mit Romney dhe Rick Santorum, që ndryshojnë në shumë
koncepte, janë shprehur në favor të rritjes së pagës minimale edhe pse shumica
e Republikanëve në Kongres nuk e mbështesin.
*
* *
Ka një pikë ku pajtohemi të gjithë, që ndryshimi nuk ka për
të nisur në Uashington. Të menduarit atje është pezull dhe më shumë akoma
argumentat. Në të dy krahët politike.
Por nuk prish shumë punë. Më të shumtat e lëvizjeve shoqërore
i kanë arritur fitoret e para në nivelet e bashkive dhe të shteteve. Lufta për
ditëne punës 8-orshe përfundoi më 1938 në Uashington, por betejat kishin nisur
në Cikago dhe Masaçusets në fund të shekullit të XIX. Lëvizja për Sigurinë Sociale filloi në
Kaliforni në vitet ’30. Edhe Obamacare,
Akti për një Shërbim Shëndetsor të Përballueshëm (financiarisht- sh.p.) do kishte vështirësi për tu
konceptuar po mos ishte më parë modeli i Kujdesit Shëndetsor i Mitt Romnit në
Masaçusets.
Për fat të keq asnjë Republikan nuk e kupton këtë dhe edhe
Demokratët janë të pakët. Bile edhe Obama, gjatë fjalimit të tij në Kongres këtë
vit, edhe pse përmendi nevojën për rritjen e rrogës minimale, nuk arriti të
argumentonte qartë se më pak pabarazi dhe forcimi i klasës së mesme sjell një
rritje më të shpejtë ekonomike. Argumentimi që I bëjnë kësaj çështje Demokratët
mbetet në klishetë e vjetra të drejtësisë shoqërore. “Arsyeja e vetme pse duam
të ndihmojmë punëtorët është se na vjen keq për ta.” Republikanët flasin për
rritje ekonomike ndërsa Demokratët për drejtësi sociale dhe gjithnjë dështojnë.
Po nga që dy partitë në Uashington nuk janë në gjendje ta
kuptojnë, kjo nuk do të thotë që ne të pasurit të rrimë duarkryq. Diskutimi i këtij
problemi ka kohë që ka ndryshuar mes shtresave të popullsisë edhe pse ne
miliarderët nuk jemi pjesë e tij. E di se si mendoni. Ju duket se protestat si
“Pushto Uoll Stritin” dhe gjithë të tjerat nën parrullën “kapitalizmi është
shkaku” u tretën gjatë kohës. Kjo nuk është e vërtetë. Vërtet është e vështirë
të organizosh protestues të flenë parqeve për një kohë të gjatë, për çështjet e
drejtësisë shoqërore. Por protestat në kohën e krizës financiare të vitit 2008
e ndryshuan debatin politik në vend duke filluar me “tavanin e borxhit publik”,
“panelet e vdekjes” * deri tek “pabarazia”.
Vetëm se shumë nga ju plutocratët nuk e kini marrë ende
mesazhin.
Të dashur 1%-sha, shumë nga bashkëatdhetarët tanë kanë nisur
të besojnë se kapitalizmi është shkaku i problemeve tona. Unë jam kundër kësaj
ideje dhe e di që edhe ju jini me mua.
Kapitalizmi, i manaxhuar mirë, është shpikja më e madhe sociale, që sjell
begati në shoqëritë njerëzore. Por nëse lihet jashtë kontrollit ka prirjen të
shkojë drejt përqëndrimit të të mirave në pak duar dhe më pas të përmbyset.
Mund të drejtohet ose duke lënë të përfitojnë pak për ca kohë ose shumë për një
kohë shumë të gjatë. Misioni i demokracive është ta orientojë nga e dyta. Ja
pse investimi në klasën e mesme është i dobishëm. Në të kundërt, ulja e taksave
për të pasurit si ne, nuk sjell dobi. Një lloj balancimi i pushtetit të punëtorëve
me atë të miliarderëve duke ngritur pagën minimale është i mirë për
kapitalizmin. Eshtë instrument në duart e kapitalistëve të zgjuar për ta bërë
kapitalizmin të qëndrueshëm. Dhe më shumë se ndaj cilitdo, kjo është në
interesin e zilionerëve si ne.
Gjatë historisë të shoqërive njerëzore, konflikti kryesor
dhe më i vjetri është ai rreth përqëndrimit të pushtetit dhe pasurisë. Ne të
kreut ju kemi thënë gjithnjë atyre poshtë se kjo lloj ndarje jo vetëm është e
drejtë, por edhe që ju shërben të gjithëve. Historikisht është quajtur “e Drejta
Qiellore”. Tani i kemi vënë emrin “Ekonomia ku të varfërit përfitojnë nga
pasurimi i të pasurve”.
*-“panelet e vdekjes”-
Eshtë një term i përdorur nga e Djathta,
që ju referohet paneleve mjekësore, të cilët, sipas tyre, do përcaktonin se a duhet të
përfitonin nga Sigurimi Shtetëror Shëndetsor të moshuarit dhe handikapatët.
Ishte një krijim fals për të diskretituar përpjekjet e të Majtës për të krijuar
një Sistem Shëndetsor të ngjashëm financiarisht me atë të Europës Perëndimore.