Friday, 10 February 2017

Kalorësi me fytyrë të vrerosur



Ai vetëm fytyrën ka të vrerosur, ndoshta nga gjendja, ku ka katandisur Shqipëria, për të cilën ai ka dhënë 25 vitet më të mira të jetës së tij. Në shpirt mund të ketë edhe gëzim.
Nuk i ngjan aspak (edhe gjatë këtij viti), kalorësit të famshëm me fytyrë të vrerosur të Servantesit, Don Kishotit të Mançës.
Atëhere përse e quan “kalorësi me fytyrë të vrerosur”, mund të më pyesni me plot të drejtë.
Po pasi provova politikani me fytyrë të vrerosur dhe shkrimtari me fytyrë të vrerosur, si dhe ministri, prefekti dhe gazetari, asnjëra syresh nuk më tingëlloi më mirë se Kalorësi.
Bile edhe vetë ai besoj se e mendon veten si një Kalorës të Demokracisë ose si Kryqtar i Përparimit, ose si Misionari i të Vërtetës ose si Mosheja i të Padjallëzuarve.
Dikush me Mision. Ndoshta jo i dërguari i Qiejve, por i Dërguari i Librave, ashtu sikundër ishte edhe i Famshmi i Mançës, I Shumëfrymëzuari nga librat e Kalorësve të Tryezës së Rrumbullaktë.
Edhe Lëvizja që po udhëheq në Moçalin e Politikës Shqiptare është e tillë. Një lloj Tryeze Rrumbullake gjigande, ku të gjithë kanë të drejtë të jenë në Krye, sepse pikërisht Krye kjo Tryezë nuk ka. Vetëm e ka zgjedhur në bojë të verdhë, që ja bën edhe më të Vrerosur fytyrën e tij. E megjithatë Boja nuk është problem. Sidomos në Shqipëri.
(I fusim i t’krume t’verdhës, ene  i heqim dy duar boj patëllxhani ene bohet e papame!)
Nesër, në Tryezën Rrumbullake të Librave votohet për Bërthamën.
(Ja kjo është politikë e re. Nis me emrat.)
Pastaj rreth e rrotul Bërthamës është Fruti. Fruti është më I rëndësishëm se Bërthama se Fryti haet, por Bërthama është njëkohësisht më afatgjatë se Fruti, se edhe nëse nuk haet, përdoret vitin tjetër për një Parti ose Lëvizje të Re.
Sa larg shef Misionari i Librave!

Veç nuk kuptoj, për hir të Shqipërisë e mban fytyrën e vrerosur apo ky është trendi në botën e politikës në Europë?

No comments:

Post a Comment