Aleksandra Ilon, të vegjël e njihnim si teta Sanda, e zonja
e shtëpisë të pazakontë, që kishim përballë pallatit ku jetonim. Ndryshonte nga
gratë e tjera të veshura me të zeza. Kishte rreth vetes një lloj brerore
thjeshtësie dhe fisnikërie, që të bënte të ishe më i kujdeshëm kur t’i kërkoje
leje për të hyrë në oborrin e saj për të pirë ujë. Sigurisht, që me dashuri ajo
na lejonte në atë oborr të pastër, ku edhe pse rrinin edhe disa familje të
tjera nuk ndeshje në sendet e rëndomta që kishte jo rrallë në oborret e shtëpive
korçare. Ne nuk dinim se cila ishte teta Sanda, pasi ajo jo vetëm nuk kishte
nipër e mbesa në vërsën tonë, por edhe kur ngjiteshim nëpër apartamentet tona,
nuk pyesnim prindrit për të.
Kur u rritëm, e pamë edhe të punonte ndonëse e shtyrë në
moshë. Vinte çdo ditë një veturë, që e shpinte në Maliq, ku ju përkthente disa
specialistëve gjermanë, që punonin për Kombinatin e Sheqerit. Admirimi për të na
shtohej. Gruaja fisnike, që zotëronte disa gjuhë të huaja dilte e veshur si një
zyrtare e një vendi Perëndimor, hynte me kujdes në ndenjësen e parë të makinës,
në Korçën e viteve ’80, ku ishim mësuar të shihnim disa gra funksionare, që
binin në sy me ca “tajere” të shëmtuara dhe me një dosje të madhe në dorë.
Edhe pse kisha hyrë me qindra herë në oborrin e saj, ku veç
hardhive kishte edhe një pjeshkë edhe një fik, nuk kasha pasur rastin të hyja
brenda shtëpisë . Nga jashtë, i njihja çdo cep, se edhe çatinë me “luspa”
metalike e shihnim nga tarraca e pallatit ku jetonim. Ishte ajo shtëpi me
dyqane në katin përdhe, pjesë e rëndësishme e fëmijërisë dhe rinisë sonë. Në
verë, kalonim me orë të tëra të paradites në sofatet e gjëra dhe të freskëta të
pjesës perëndimore të saj, nga ku mund të shihje gjithë njerzit që “vozitnin”
bulevardit, që aso kohe mbante emrin e Leninit.
Teta Sanda nuk ankohej kurrë për zhurrmën që bënim duke u
grindur a duke u hargalisur edhe pse dritaret e dhomave ku rrinte binin mbi vendin
ku “zdërhalleshin” një “lukuni” studentësh dhe gjimnazistësh, që ngacmonin njëri
tjetrin. Shtëpia përcillte të njëjtën qetësi dhe fisnikëri si e zonja e saj. Më
pati bërë përshtypje një herë, kur dikush nga fëmijët e mëhallës thërriste “Mama,
mama!” dhe Aleksandra, që ndodhej pranë nesh shqiptoi qetësisht me vendosmëri
“C’është kjo mama, mama! Ne kemi fjalën tonë të bukur Nënë!”
Kishte jetuar bashkë me burrin e saj Tashko Ilo, më shumë
jashtë Shqipërisë se brenda saj dhe ishte aq e shqetësuar për fatin e shqipes.
Në një bisedë të gjatë, verën e vitit 1983, kuptova diçka më
shumë se cila ishte Aleksandra.
Në temën e diplomës, që më ishte caktuar nga Katedra e
Arkitekturës, duhej të studioja ndërtimet dhe ndërhyrjet urbanistike në Korçë,
prej fillimit të shekullit të XX e deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Një nga ndërtimet më të spikatura, ndërtesa e stilit bizantino-rumun e
Aleksandras, do përfshihej në studim. I kërkova teta Sandës të shikoja shtëpinë
dhe të më tregonte për historinë e ndërtimit të saj. Më ftoi në dhomën e saj të
ndenies dhe më tregoi historinë e jetës së saj me bashkëshortin Tashko Ilo, mes
Vjenës dhe Bukureshtit, përpjekjeve për Shqipërinë dhe dëshirën për të jetuar në
Korçë. Fliste shtruar dhe rrjedhshëm e nuk më mbetej veç të dëgjoja, një novelë
të romantizmit të Rilindasve nga goja e një gruaje shqiptare të shkolluar dhe të
sojme. E ndoqa pas, në disa nga ambientet e shtëpisë(të tjerat ishin të zëna
nga qeramarrësit e future nga shteti) dhe me krenari më tregoi kompletin e
bardhë të dhomës së gjumit, të cilin, pas vdekjes ja kishte kushtuar organizatës
së gruas në Korçë. Shtëpinë ja kishte lënë trashëgim qytetit.
Më befasoi modernizmi i brendshëm i atij projekti, që
dallonte shumë nga vilat e mëdha korçare të ndërtuara në fundin e viteve ’20.
Arkitekti rumun kishte ditur të harmonizonte një planimetri të kohës me stilin
e jashtëm bizantino-rumun, që dukej se i përkiste dekadave të mëparshme. Ishte
padyshim projekti më bashkëkohor i ndërtuar deri ato vite në Korçë. Një fletë planimetrie
të instalimeve të ngrohjes, që më dha teta Sanda e ruaj ende.
Atë kohë, mendoja se
si do ishte Korça e njerëzve si Aleksandra dhe Tashko Ilo, nëse nuk do ishte
izoluar për dekada nga lidhjet me botën, lidhje që e kishin bërë të ishte ai
qytet aq perëndimor në vitet ‘30. Nuk kisha imagjinatë shumë të fortë, se edhe
qytetet e botës i kisha parë vetëm nëpër revistat e arkitekturës dhe filmat që
jepte TV Skopje.
Korça e ëndrrave të patriotëve të fisëm mbeti në vend.
Aleksandra, kjo korçare e pazakontë, nuk la pas trashëgimtarë.
Edhe ëndrrat i mori me vete.
Nuk di nëse në atë xhevair që i la qytetit kanë vënë një
pllakë të thjeshtë ku të lexohet:
“Kjo banesë është
dhuratë për qytetin e Korçës nga fisnikët Aleksandra dhe Tashko Ilo”
Nëse nuk ka diçka të tillë, më bëni me faj edhe mua!
No comments:
Post a Comment