Wednesday, 29 January 2014
Demokratët (2)
(vijim)
Shpresoja të formoheshin edhe grupe të tjera politike, ku të shfaqeshin emra intelektualësh më të njohur, njerëz të dëgjuar për integritet ose nga ata që vinin nga burgjet e Diktaturës. Cuditërish, në Janar u shfaqën vetëm Namik Hoti dhe Gambeta me Godon. Vangjushi kishte emër të mirë, ndërsa për Godon,dija që babai nuk e kishte pëlqyer kurrë, që në fillimet e tij si oficer i lartë pas lufte në Korçë. Unë ruaja përcaktimet e tij, se edhe dy romanet historike të tij nuk më kishin lënë ndonjë mbresë. Bile Ali Pashën gati e kishte kthyer në një pararendës të Rilindjes. Shpejt u pa që Republikania ishte një parti pa peshë dhe me qëndrime shumë të dyshimta të diktuara prej Godos. Flamuri mbeti në duart e Pashko-Berishës dhe me shpresën e mbështetjes të plotë të studentëve e të gjithë të rinjve shqiptarë. Vetë e kisha ndarë mendjen që do rrija larg Partisë dhe njerëzve të rinj, por do mbështetja çdo veprim të tyre radikal. Ende dukeshin shumë të kujdesshëm edhe pse duke qënë larg Tiranës nuk i bëja dot me faj. Kishim dëgjuar, që më i guximshëm ishte Ed Rama me refleksionet e tij kundër Hoxhës në Institutin e Arteve. RD-ja në janar mezi gjendej dhe ne përpinim çdo rrjesht të saj. Javët e para pati edhe një shkrim të Benit dhe dukej që Frrok Cupi, Mitro Cela, Filip Cakuli(të tërë ish ZP-ista) e kompani kishin "viston" e njerëzve "të saktë". Po shkruanin edhe Petraq Kolevica, si dhe disa të tjerë njerëz "me një flamur".
Shkurti solli grevën e studentëve dhe shfaqjen më në pah të Neritan Cekës, për të cilin kisha dëgjuar fjalë të mira kur isha student. Në punë nuk bëhej asgjë dhe njerëzit ishin me mendje e veshë të ngritura nga Tirana. Në Korçë nuk ndodhi gjë veç një mini-grevë urie në bodrumet e Mitropolisë, për të dëshmuar solidaritetin me studentët. Thuajse i gjithë qyteti bëri një lloj shëtitje e organizuar nga Sindikatat e Pavarura dhe kujtoj Salvon (Ballamaçin) që gjithë pasion drejtonte me të tjerë kollonën duke ngritur duart lart e thirrur "Jo nga monumenti! Jo nga monumenti!". Ne qeshnim me përkushtimin e Salvos dhe me kujdesin e tepruar të Sindikatave, por në fund të fundit vetë ishim më të kujdesshëm se ta. “Monumenti”ishte shtatorja e Enver Hoxhës, heqja e emrit të të cilit ishte objektivi kryesor i studentëve. Një ditë ose dy më vonë, prisnim pranë telefonit të zyrës, të mësonim ç'ndodhte në Tiranë. Një shoqe bisedonte çdo gjysëm ore me një gazetare në Tiranë dhe mësuam që njerëzit kishin zbritur në sheshi. Tensioni në kryeqytet dukej i lartë, ndërsa ne përgatiteshim të shkonim në Teatri, në një takim me Genc Rulin, Shpëtim Ukën e të tjerë. Nga telefoni u njoftuam që e kishin rrëzuar dhe u nisëm gjithë gëzim në takimin me Demokratët. Teatri ishte plot dhe në fund u dha për të gjithë lajmi i rrëzimit. Më ra në sy logjika dhe qetësia e Rulit, sepse folësit e tjerë nuk theshin më shumë se përsërisnin ato që kishte ato ditë Gazeta RD. Pas daljes nga salla, mijra njerëz prisnin jashtë, gati të shkonin drejt Sheshit të Demonstratave për ta rrëzuar "Pedagogun zuzar të Liceut" në bronx. U ngjita në shtëpi dhe e pashë prej aty shfaqjen e çoroditur. Për herë të parë kuptova mirë që nuk më pëlqente dhuna. Rrëzimi dhe sidomos tërheqja e shtatores së bronxtë rrugëve më la një shije jo të mirë. Ndoshta mendova revolucionet në histori dhe kuptova që kështu kanë bërë turmat linçuese me të gjallët. Nuk e kisha quajtur veten njeri paqësor ose i përmbajtur, por pashë që dhuna ndaj gjërave të pambrojtura është e pështirë. Rreth orës 9 dola rrugëve dhe takova disa të njohur të gëzuar. Shtrënguam duart dhe u përqafuam, por në mendje më rrinte shtatorja e braktisur në sheshin para turizmit, me dikë sipër saj që e përmirte. Sidoqoftë, Demokratët e kishin bërë të tyren edhe pse ata që kishin qënë në mbledhje kishin ndenjur larg turmës.
E nesërmja solli në lajmet anti-mitingjet dhe disa ditë më pas u bë shfaqja e shpëlarë e rivendosjes të Enver Hoxhës. Ishte shfaqja më e ndyrë dhe më gazndjellëse e gjithë viteve '90. Kisha dalë me një shok të punës pranë godinës të Zaharajt dhe prisnim të shihnim kollonat me fshatarë që vinin nga rruga e Bilishtit. U panë nga larg kamionat me flamurë dhe kooperativistë mbi karroceri, që thërrisnin "Kush s'e do Enverë, sytë le të nxjerrë!" dhe "Jetën e japim, Enverë s'e japëm!" Kishin planifikuar që tre kollona me kamionë nga tre drejtimet e hyrjes në qytetet, pasi të bënin një xhirro në bulevardet kryesore e të ndiqeshin nga qytetarët, të përfundonin në shesh e të vendosnin një bust prej allçie. Qytetarët e shihnin nga trotuaret me përçmim po pa reaguar, atë shfaqje për të ardhur keq. Ndonjë i ri ju hodhi edhe ndonjë rromuz, por heshtja i “dogëndisi” më shumë se çdo gjë, fshatarët e gënjyer. Në fund, një pjesë e mirë e tyre zbritën nga kamionat dhe shkuan dyqaneve ose në miqtë në qytet. Në shesh ishin vec kooperativisteve edhe disa veteranë të mjerë fanatikë dhe punonjësit e dy Komiteteve. Me solemnitet “zorrëpërzjerrës”, Vullnetarët e Enverit me Ndrea Jankon dhe Berti Bilbilin në krye, vunë bustin e marë në Muzeu Mesjetar, të bardhë, me një shami të kuqe lidhur qafe. Dukej më i vdekur se kurrë.
Sigurisht skenën finale e pashë në television në darkë dhe edhe pse ishte një si frenim i ngjarjeve, nuk besonja se do kishte konflikt, edhe pse në tv kishin treguar ushtarakët e egërsuar të Shkollës së Bashkuar. Shumica e njerëzve nuk e donin sistemin e çimentuar nga Enveri dhe jashtë shtetit, askund nuk do gjenin dot mbështetje Nexhmija, Simon Stefani e Lenka Cuko. Për më tepër, edhe po të bëheshin trima e të vrisnin njerëz, nuk kishin në arkat e shtetit as para për t’i mbuluar!
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment