Thursday, 23 January 2014
Sikur të isha djalë...(ose grua) - [2]
(vijim)
Dhe menjëherë maçoja i vogël dhe i nxituar kërcen: "Sepse kështu e ka krijuar natyra!"
-Po more hajvan- i përgjigjem- po kjo nuk është as aksiomë! Këtë lloj mendimi duhet ta ketë edhe demi, që sapo ka mbaruar së "pompuari" lopën e tij të preferuar! Bile nuk mund të quhet as mendim, por pikërisht mungesë mendimi. "Sepse kështu është! Kjo nuk më ndihmon aspak". Dhe maçoja i vogël kërcen sërish dhe ja këput:"Që të qiemi!" Sigurisht që nuk mund t'i fut një shqelm bythrave, se nuk kam se me kë të debatoj, ndaj i them shtruar: -S'prish punë se nuk e the me elegancë, por sepse nuk më zgjidh gjë? Sa pjesë të kohës kalojmë duke bërë seks, duke menduar për seks, duke ju ardhur rrotull dhe duke folur rreth të bërit seks?
Këtu, maçoja i vogël mendohet për një çast dhe thotë: "3 orë në ditë. Pak a shumë kaq duhet të jetë."
E ndjej që ka nisur ta humbasë sigurinë e fillimit, ndaj e pranoj konstatimin e tij edhe pse nuk më duket pranë të vërtetës, e sidomos për to. Pra le të pranoj konstatimin e tij ala-Zigmund, që e gjithë veprimtaria jonë ditore dhe mendimet e ndienjat e lidhura me të, janë pikërisht rrjedhojë e "eros" dhe "thanatos". Pra ato na duan ne thjesht për dy gjëra: T'i mbrojmë nga rreziqet e natyrës dhe të bëjnë seks!- Po mirë -i kthehem,- si e spjegon skarificat që ato bëjnë shpesh për hir të dashurisë?
"Cilat sakrifica?"- më thotë pa u menduar, se i duket që është duke e fituar garën e dialogut.
- Vuajtjet në heshtje, fyerjet mes "kallaballëkut", refuzimet kur ato duan të bëjnë dashuri e deri flijimin e jetës për të dashurin e tyre? Këtu sikur nuk hyn as dëshira për të mbijetuar dhe as frika nga vdekja?
"...po...kjo më shumë ka të bëjë me prapambetjen shoqërore-ekonomike të shoqërisë"-thotë i gëzuar se s'kam nga ja mbaj.
- C'më çan bythën me prapambetjen ekonomiko-shoqërore!- i them i inatosur, që ka nisur të përdorë shabllone të sociologjisë marksiste-leniniste.- Unë po të pyes përse kanë nevojë për ne!
Ai duke përfituar nga që kam humbur qetësinë, shton duke më ngritur më tej nervat. "Gjërat janë të lidhura." E kuptoj që duke sharë nuk fitoj gjë, ndaj mar tre herë frymë thellë, përsërit me mendje edhe një ushtrim psikologjik të Zen dhe rinis:
- Le të pranojmë, që ato kanë pasur nevojë për ne në të gjitha kohërat dhe gjatë gjithë formacioneve ekonomiko-shoqërore. Lidhja psikologjike me ne, është thuajse e pandryshuar nga vajzat e ishujve Papu e deri tek ato, që ngasin patinat në shtigjet mes gjelbërimit në Malibu.
Ai mendohet se duket që do të llogarisë shpejt e shpejt me mendje, ndryshimet fizike dhe lëvizore, të femrave të Gogenit, me ato të atyre që ëndërrojnë të kenë një "break" në Hollivud. Më pas thotë:"Po e pranojmë. megjithëse edhe ato gjeografikisht nuk janë larg. Lahen të gjitha në Paqësor!
"Ky po më fryn nga noçkat"them me vete, por nuk kam asnjë rrugëdalje, veç t'i them "Ik o idiot, se kot flas me ty" dhe t'i jap fund këtij shkrimi. Por këtë nuk e dua.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment