Tuesday, 28 January 2014
Demokratët
Me poshte jane disa nga gjerat qe kujtoj nga koha e ndrrimit te sistemeve. Nuk kam mbajtur kurre shenime dhe kete zakon nuk e kam hequr edhe sot. Edhe pse ky shkrim i gjate nuk do jete thjesht per DEMOKRATET, e titullova te tille, si per te percaktuar nje periudhe, kur ata luajten nje rol me rendesi ne vendin tim.
Në dimrin e1990-1991, një lloj i ri njerëzish, prej gjirit të shoqërisë sonë, u shfaqën krejt befas në krye të pëshpërimave kundër shtypjes. Atë kohë, Beni e Riku nuk ishin në Korçë dhe kundër lapangjozëve në fuqi, flisja me të tjerë të njohur. Prej disa vitesh nuk kishte më njeri frikë, por askush nuk dilte në shesh e të thërriste "Zhdukuni lapangjozë!" Njerëzit në vendin tim nuk kishin një "flamur" rreth kujt të mblidheshin. Institucionet fetare kishin qënë prej kohësh të mbyllura dhe të tjera organizime symbol nuk kishte. Të gjithë vuanin gati njëlloj, me ndrsyhimin që të “prekurit” kishin shumë më pak të drejta.Dy vjet më parë, edhe pse jo të shumtë dhe entusiaztë, njerëzit kishin dalë në shesh të brohorisnin për ngritjen e shtatores së Diktatorit. Duhej të ishte ditë jave, se na kishin nxjerrë të organizuar dhe më kujtohet, që bashkë me një mikun tim, ndenjëm poshtë, pranë Berberanës, duke parë turmën si do reagonte në një nga shfaqjet e fundit qesharako-brohoritëse. Nuk na dukej ende se ndryshimi do ishte shumë i afërt. Akoma nuk ishte shembur Muri në Berlin.
Edhe tetorin e dy viteve më pas, njerëzit e rinj nuk ishin shfaqur, por shembja dukej e afërt. Përpëlitja e pasambasadave dhe mungesat e mëdha në treg, e bënin të qartë edhe pa ndihmën e Zërit të Amerikës, që këmbanat kishin kohë që po binin për ta. Në Tiranë, Sokol Hoxhës i thërrisnin nga pas "Niku, Niku", duke i kujtuar fatin e djalit të Causheskut. Nuk bëhej më falë nëse do ndodhte, veç se si do ndodhte falimentimi. Javën e parë të dhjetorit u dëgjuan edhe "rrëmujërat e qytetit të Studentit", të cilat çuditërisht kishin qënë aq të vonuara, dhe të gjithë ishin të eksituar e në padurim. Ato ditë pata dëgjuar një intervistë në Zëri i Amerikës të Azem Hajdarit, që më la një shije aspak të mirë. Megjithatë, rrokopuja e ngjarjeve ishte mbresëlënëse. Në pak ditë u formua edhe grupimi i njerëzve të rinj, që vinin nga gjiri i shoqërisë sonë. Atë ditë, një i njohur, më tha të bashkoheshim me ta. "Nuk i njoh cilët janë" i thashë, në prani edhe të dy tre të tjerëve. Të shohim cilët janë dhe ç'duan të bëjnë dhe nuk jam në kundërshtim edhe pse i urrej partitë. Më pas dëgjova për disa prej tyre dhe u gëzova që ishte edhe Leka. E kisha njohur shumë pak kur mbroja diplomën, por Pirro Thomoja fliste gjithnjë me superlativa për shokun e tij. Kisha qëlluar të këmbeja dy fjalë me Berishën, Pashkon dhe Selamin në kohë dhe rrethana të ndryshme, por asnjë syresh nuk ishte nga pedagogët e Inxhinierisë. Mes 5-6 të kryes, ishte shfaqur një njeri ziliqar dhe më se egoist si Trakoja, por gjithsesi nuk besoja se përreth do kishte shumë njerëz të ngjashëm. Kishte mbi 6 vjet që shkoja rrallë në Tiranë dhe kisha humbur lidhjet me Binin e Gencin, të cilët mund të dinin më tepër rreth "njerëzve të rinj". Dikush që kishte qënë në Qytetin e Studentit ditën e shpalljes sëformimit të Lëvizjes apo Partisë demokratike, tregonte për emocionet rrënqethëse që provonte turma. Kishin të drejtë. Shuë syresh kishin një jetë që prisnin, por edhe të tjerët kishin një padurim të paktën dhjetvjeçar. E kuptonin që nuk kishte për të qënë më njëlloj.
Zhgënjimi im i parë ishte kur mësova formimin e degës së Korçës dhe njerëzit në krye të saj. Mbledhja e parë duhet të ishte bërë në mjediset e Institutit Bujqësor ose në një nga shtëpitë e ndonjerit prej pedagogëve. I njihja për të mefshtë një pjesë të mirë të agronomëve që jepnin mësim në Institut dhe çuditesha edhe se si ai institucion i përgjumur po kthehej në qendrën e Lëvizjes anti-pushtet. Për më tepër, dy të dalët në krye i njihja vetë. I pari, inxhinier, që në gjimnaz mbante nofkën Urriah Hipi vënë nga të tjerët, por të cilin në konvikt e kisha njohur edhe më mirë, që ishte vërtet i pështirë në hipokrizinë e tij. Tjetri, një fizikan, ishte në rrethin tim familjar dhe dija prej të motrës, që pasi kishte ndarë "levenxkat" me të vëllanë, nuk kishte fjetur tërë natën dhe kishte kërkuar një rishikim të ndarjes. E megjithatë, ata të dy dhe të tjerët, ishin në kampin kundër pushtetit ndaj do preferoja të bashkohesha me ta e jo t'i përflisja. Edhe pse nuk besoja se mund të ndryshonin. Mitingu i formimit të Degës do mbahej të dielën e fundit të Dhjetorit në sheshi prapa stadiumit dhe në qytet kishte tension. Atë ditë, për fat të keq(a ndoshta edhe të mirë) nuk mund të shkoja dot, sepse ishte njëvjetori i ikjes së babit, ose si themi ne "i ndanim një vit." Më vonë, ime shoqe me të qeshur më thoshte, se po mos kishte qënë ai rast, do më kishte lidhur pas krevatit të çupave se e dinte që "merrja kot". Gjatë drekës në shtëpi e gjithë biseda ishte rreth mitingut dhe "njerëzve të rinj". Pasi kishim mbaruar e pinim kafetë dhe në qytet kishte filluar të binte muzgu, u dëgjuan nga larg thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Europa!" Ishte vërtet emocionuese dhe dolëm në ballkon e dritare të mos humbisnim ato çaste të vrasjejs së frikës në mëmënyrë kolektive. Ishte mallëngjenjëse e më tepër ngjitja e të rinjve në vitrina e Mapos, për të mos lënë provokatorët të thyenin xhame. Korça u bë i vetmi qytet ku mitingu i opozitës të sapoformuar kaloi plotësisht në paqe. Gjithshka dukej plot shpresë në prag të vitit që po hynte.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment