Saturday, 25 January 2014

Galat fluturojnë lart! (2)

(vijim) Po sado të të pëlqejë Korbi, nuk mund të rrish gjithë kohën me të. Edhe pse unë nuk kam frikë se m'i nxjerr sytë. Për të larguar pak zymtësinë e frikshme të Poes, u shfaqën drejt e nga vezët e tyre, Bela e Bardhoshi. Ishin dy zogj pëllumbash(ky përdorim i zog para emrit të shpendit, më ka mbetur nga ndikimet e shkodranishtes, që quan zog çdo kafshë të posalindur. Psh zog thiu, që nuk është gjë tjetër veç një derrkuc i posalerë.) Bela e Bardhoshi kishin lindur në ballkonin mbarështrues të një miku im dhe ishin krejt të bardhë. Unë i pagëzova dhe prita sa të rriteshin pak dhe t'i merja. Ishin të parët zogj, për të cilët do kujdesesha. Dy pëllumba të bardhë e të brishtë me një siluetë gati si ajo Pëllumbit të Pikasos. I mbajta ditën e parë në bodrum dhe të dy ishin të lirë të shkonin ku të donin. Njëri syresh, më duket Bardhoshi, kishte lëshuar edhe një glasë mbi një nga telajot e mija të pambaruara, por ishte një njollë që nuk ndryshonte shumë nga ato që kisha hedhur kuturu edhe vetë. Ishin aq të bardhë e të bukur, sa nuk më hynte në sy edhe një lloj naiviteti prej zogu që kishin. Krahët ende i kishin jo të fortë për një fluturim të gjatë dhe mbrëmjeve, edhe pse ishte ngrohtë, kishin frikë e më kërcenin në sup t'i merja brenda. edhe pse e dinin që do përfundonin në bodrum. Një mëngjes Bardhoshi fluturoi përtej rrugës dhe më pas, eci pak dhe u ringrit në fluturim përsëri e shkoi më tej, tej gardhit të fqinjit përballë, në një oborr të pasëm e më vonë nuk di se ku. Unë e prita dhe më shumë se unë Bela, duke mbajtur sytë drejt pemëve në atë oborr të pasëm, ku ishte dukur për të fundit herë njolla e tejbardhë e vëllait të saj. Nuk ndenji pa çukitur, ashtu si rijnë ndonjëherë kafshë të rëna shpirtërisht, në tregimet e romantizmit surrugato, por natën dëgjova që shpupuriste krahët në bodrum më shumë se herë tjetër. Të nesërmen iku dhe ajo. Mua më erdhi keq, por nuk mund të them se mora kokën mes duarve dhe dënesa. Ishte verë, kisha shumë gjëra që doja të bëja dhe mendova se edhe dy pëllumbat ishin më mirë diku të lirë, apo me të tjerë zogj në foletë e një pëllumbdashësi. Ishte i vonuar për mua ai pasion dhe për më tepër pasion i dikujt, që quhej " si flakëkashte" nga i jati. Një shok i im i mirë, që kishte nisur të njëjtën gjë në moshë të thyer, ndoshta akoma ka plot pëllumba në pullazet e tij. Mbase ju të dashur miqtë e mij besnikë, që më lexoni duke shpresuar një ditë të gjeni diçka të saktë prej meje, jini duke pritur një udhëtim timin në Australi dhe shfaqjen e një struci me kokën thellë në rërë. Por jo. Edhe pse do ju zhgënjej, duhet të them që nuk është as nga shpendët ekzotike të një "shtëpi zogjsh" pranë ujëvarës së Niagaras. Eshtë pikërisht më e përbuzura nga zogjtë e vendit tim. Laraska. Një mikut tim në atdhe, i hipi në kokë që vendin e shqipeve, për të cilin e pyesja në email, ta quante "vendi i laraskave". I shtyrë prej shpendomanisë, unë shkrojta një "mbrojtje" serioze ndaj laraskave dhe e vura në këtë blog, ku jo vetëm justifikoja dëshirën e tyre për të "vjedhur", por edhe i paraqisja të bukura nga shpirti. Kërkimet më kishin shpënë edhe në studime shkencore serioze, që i nxirrnin këto kushërira të afërta të galave, ndër kafshët më inteligjente të planetit. Më lart edhe se shumica dërmuese e gjitarëve. Pra laraskat nuk kanë nevojë as për cice që të jenë inteligjente dhe jo si shumë nga bukuroshet e këtij kontinenti, që mundohen të ndrojnë silikonë pas silikonësh për të arritur rezultate më të larta në provat për IQ. Nuk mund t'i mbroja në aftësitë e tyre kantore, por në fund të fundit këngëtarë të mirë nuk janë as palloi e fazani dhe përsëri nderohen mes gjindjes së tyre shpendore dhe më gjërë. Ndërkaq i gjithë soji e sorollopi i korvorëve të shkretë, veç atij të Baltimorës, shihen me përbuzje. (vijon)

No comments:

Post a Comment