Friday, 20 November 2026

Ku të të gjej ty, Di Lana?!


Para një jave, një miku im, i cili nbuk e ka njohur Kryetarin e Kuvendit, më bëri vërejtje se po i kushtoja shumë rëndësi Foti Kokerit dhe nuk shkruaja më për Di Lanan. As unë nuk e di pse më ishte fshirë nga mendja i njohuri i im i paraemigrimit, të cilin e kisha “dajakosur” goxha për 13-14 vjet. Ndoshta se me mbylljen e “Korçadha”, bëmat e tij kishin hyrë në Historinë e Letërsisë Shqipe dhe nuk kisha ç’të shtoja më.

Ka të ngjarë, që socialistët-konspiracionistë dhe anti-socialistët jokonspiracionistë të mendojnë se unë jam “shitur”, ose pas dështimit të Revolucionit Flamingo kam kuptuar se është e kotë të konkuroj në Korçë për Kryetar Bashkie, ndaj kam ndryshuar “objektivin” e sulmeve të mija të paprincipta.

Ndoshta ka të drejtë edhe një socialiste e thekur dhe e nderçme, që në qershor shkruante në rrjetet sociale, se “Naum Mara është ndër ata intelektualët pa shtyllë kurrizore, që entusiazmohej nga shoqëria me Peleshin, në kohën kur arkitektë të tjerë korçarë përlesheshin fyt më fyt me të.” (Asaj sikur i vinte edhe si nakati nga këta lloj intelektualësh, që përfaqësoheshin nga unë.) Unë e hodha menjëherë poshtë këtë, se nuk mund të quhem pa shtyllë kurrizore se nuk jam intelektual. Madje ja shpjegova dhe një mikut im antisocialist i thekur dhe luftarak, i cili e pyeti socialisten e nderçme në e kishte kuptuar si duhet shkrimin tim.

Si përfundim asgjë nuk u zgjidh dhe unë dy muaj më pas mbeta pa personazhin tim të preferuar, Pashahun e Republikës Vetëqeverisëse të Korçës, Niko Peleshi.

M’u kujtua sot, kur vërtitesha dyqaneve për të blerë ndonjë dhuratë për njerëzit e afërm me rastin e Krishtlindjeve. Si më të shumtët e burrave unë e kam shumë zët “shopping”, por duke qënë i divorcuar dhe i papërfshirë në ndonjë marëdhënie “amoroze” duhet t’i mbaroj këto punë vetë. Për masat e trupit këmbëve dhe kokës, i kam pyetur të tërë, por sa herë shikoj ndonjë gjë, të cilën m’a ha syri” dhe kontrolloj materialin nga është bërë më dalin najlon, spandeks, viskozë, dhe lloj lloj materialesh nga këto, që bëhen nga nafta dhe menjëherë tërhiqem. Jo se kam ndonjë kunj me Iranin apo me Arabinë Saudite, por se jam shumë “demode”. Besoj vetëm në të linjtat, në mëndafshet, pambukun dhe leshin. Le të më quajnë anakronik unë nuk dua të ble dhurata për fëmijët, që të kenë dalë nga industria kimike.

Por meazallah se gjej ndonjë gjë të mirë “Pe leshi”. Ose kur ka ndonjë vërtet të mirë janë shumë të shtrenjta. Kur ishim të vegjël mbja mend, që na vishnin edhe prej leshi të zakonshëm, edhe prej deveje, edhe prej merinosi, po tani të tëra janë bërë me shumë kët. Ka edhe kashmir, po si pensionist mendohem shumë herë për to.

Ndaj thërres:

Ku të të gjej ty Di Lana?!

Më mungon aq shumë. 

“Kllouni”, që po gjunjëzon Perëndimin


Ndoshta fyej të gjithë kllounët e Botës tani, që po e quaj Trump të tillë, por ky është kuptimi i keq i gaztorëve kllouna, gaztorëve bufonë dhe të gjithë palaçove të tjerë, që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë ende në këtë rruzull.

Takimi i fundit i tij me Xi dhe Putin ishte konfirmimi i dëshirës së një deliranti shumë të pasur, që kjo botë të sundohet gjithnjë e më shumë nga Diktatorët dhe Autokratët. Vjen nga një njeri, i cili ka përfituar aq shumë nga Demokracia amerikane, por duke qënë tepër injorant dhe arrogant, kujton se kjo ka ndodhur për shkak të aftësive dhe punës së tij. Eshtë tipiku i njerëzve, që mendojnë se kjo botë përbëhet nga “elitat” dhe ‘turmat” dhe të parat kanë plotësisht të drejtë të vendosin për gjithshka.

Në mënyrën më idiote të mundshme, në takimin tresh dhe në ato dyshe, ky njeri aksidentar në krye të vendit më të fuqishëm në Botë, bëri që Diktatori i Kinës dhe Autokrati i Rusisë të fitonin pikë faqe popujve të tyre dhe opinionit publik botëror. Në të kundërt, ai i uli prestigjin demokracisë amerikane dhe SHBA-së, si dhe veçanërisht demokracive liberale të Europës dhe të vendeve të tjera në botë.

Marëveshja prej katër pikash mes treshes, nuk kishte asnjë gjë të favorshme për Njerëzimin dhe gjithasashtu për publikun amerikan:

  • Ishte një sulm kundër Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, të cilën SHBA nuk e njeh, por që më shumë i vlente Putinit, i cili është i akuzuar nga kjo gjykatë.

  • Fliste për shamngien e një Lufte Bërthamore, por kjo është afërmendsh, se pikërisht pasja e armëve bërthamore në disa duar e ka parandaluar deri më sot shkatërrimin e Njerëzimit.

  • Prekte korrigjimin e OKB-së, që vërtet duhet të ndodhë, por jo se si e mendon Trump, Putin apo Xi.

  • Theksonte se duhen parandaluar vende të tjera për të pasur armë bërthamore, por pa prekur se ç’duhet të bëhet me mbushjet bërthamore ekzistuese.

Një marëveshje pa asgjë konkrete, pa afate dhe numura, për të cilën nuk duhet ndonjë përvojë e madhe politike ndërkombëtare, të konstatosh se është një vërë në ujë, veç konfirmimit të vullnetit të këtyre tre udhëheqësve, që Gjykata Ndërkombëtare të zhbëhet.

Por edhe pse një dokument pa asnjë vlerë, përsëri është një goditje për Demokracinë në përgjithësi, si forma më e mirë e mundshme e organizimit politik të vendeve në Botë. Përmban “kapadaillëkun” e tre fuqive botërore, të cilët i gënjen mendja se mund të vendosin vetë për fatet e popujve në botë.

Duhet të përmend, që jo vetëm Europa e Bashkuar është një forcë e madhe politike dhe ekonomike, e cila nuk mund të injorohet, por edhe vende si Japonia, Brazili, India, Kanadaja apo ndonjë tjetër, nuk janë më vende, fatet e të cilave mund të vendosen në një “Jaltë“ të re, si e krahasuan në mënyrë tejet të gabuar shumë analistë.

Marrëveshja e Jaltës mes Rusveltit, Stalinit, Curçillit, ishte një marëveshje e tre Fuqive të mëdha fituese të Luftës së Dytë, të cilat duke qënë të tilla, kishin të drejtën morale, që humbjet ekonomike dhe në njerëz, që kishin pësuar në një Luftë jo të nisur prej tyre, t’i kthenin në sfera ndikimi, nga të cilat edhe pse nuk do kishin rolin e kolonizatorit, do kishin përfitime të mëdha ekonomike dhe politike.

Në situatën e sotme nuk kemi aspak një Luftë dhe as fitues të saj. Kemi një humbës si Putin, që nuk po realizon dot fitoren mbi Ukrainën, një humbës si Trump, që jo vetëm ka ulje të ndjeshme të popullaritetit në botë dhe në Amerikë, por ka vetëm dy vjet të tjera në drejtim dhe një Xi-je, që ka të konsoliduar pushtetin brenda vendit të tij dhe kërkon t’a shtrijë më shumë në Azi dhe në Afrikë.

Sado të përpiqet “kllouni The Donald” si sukses për Amerikën, kjo e fundit nuk fitoi asgjë nga marëveshja. Askush nuk konfirmoi hapur, që kontrolli i SHBA-së mbi hemisferën Perëndimore pranohet nga të gjithë. Askush nuk deklaroi se do detyrojë Iranin të bëjë paqe. Askush nuk garantoi se lufta me Ukrainën do mbyllet së shpejti dhe kështu do stabilizohen tregjet e naftës.

Europa ( e cila ka gabuar vazhdimisht në këto 10 vjetët e fundit duke qënë pas qerres seë SHBA) duhet të kuptojë se është koha për të sulmuar totalisht jo vetëm Trump-in, por edhe NATO-n. Nuk duket aspak e logjikshme, që të shkohet me naivitetin se SHBA është garantuese e mbrojtjes sonë. Për më tepër është aq e mjegullt, se nga kush duhet të mbrohet Europa.

Bibi Netanjahu dhe sionistë të tjerë në Izrael kanë fërkuar duart për takimin, ndonëse edhe ata e dinë, që është një takim krej pa vlerë dhe pa ndonjë rezultat. Por ju shërben për t’ju rënë daulleve, se rreziku më i madh për botën e sotme është ai që vjen nga Islami radikal, një përrallë, që gjithnjë e më pak po besohet në botë.

Thursday, 19 November 2026

Gjyshi im, Petro Treska (fund)

 


(vijim)

Nga sa kam ditur dhe kuptuar për jetën e tim gjyshi, ai nuk ishte nga ata, që sot quhen “të suksesshëm” ose “të plotësuar”. Pas të 40-ve, kur kishte humbur familjen dhe dyqanin, ai mund të hynte në ata, që në Korçë quheshin “dorëhollë“. Por kishte mënçurinë dhe dinjitetin, që a mos jepej dhe mos i shtrinte dorën kujt. Nuk kishte asnjë “merak” se i vëllai, me të cilin kishin nisur tregëtinë dhe kishin pasur dyqanin, më vonë ishte bërë i pasur. Jetonin jo larg njëri tjetrit dhe i vëllai kishte tre shtëpi, ndërsa im gjysh rronte në një shtëpi me qera dhe mbante edhe pleqtë, ndonëse ishte më i madhi i djemve. Me të donte të shkonte pleqërinë e jëma.

Marëdhëniet me familjen e të vëllait ishin shumë të afërta dhe nipërit dhe mbesat e donin po aq sa donin edhe të jatin. Edhe fëmijëve të tij, që ndonjëherë e pyesnin se pse kishin atë diferencë ekonomike, ju theshte, që i vëllai ishte më i zoti për tregëti dhe nuk i kishte ngrënë ndonjëherë hakun. Madje edhe të motrave në Amerikë nuk ju kërkonte ta ndihmonin , por ato herë herë ju dërgonin të vëllezërve, sepse ishin të lidhura me familjen.

Por a të bën “të suksesshëm” në jetë pasuria?

Sigurisht, që Petro Treska nuk ishte kundër parave dhe nuk kishte vese nga ato, që të bëjnë të humbësh pasurinë. Ishte shumë familjar dhe me idenë, që fëmijët duhet të ushqehen sa më mirë dhe të jenë të ndershëm, sepse ato janë gjërat kryesore në jetë. Mamaja më tregonte, se nuk e “çante kokën” të na pyeste për mësimet edhe pse e dinte, që ishim nga të parët në klasat tona. E dinte , që arsimimi ishte i domosdoshëm, por gjithashtu, që në jetë duhej shumë punë, por edhe fat. Të katër fëmijët, dy se ishin martuar dhe dy më të vegjlit, se donin të ndihmonin familjen, nuk shkuan në universitet. Në kohën kur mund të studionin më lart, i jati ishte afër të 70-ve dhe atyre ju duhej të punonin për jetuar të gjithë më mirë.

Në vështrimin tim, Peçi ishte shumë më “i suksesshëm” se shumë burra të moshës së tij, që kishin dyqan, shtëpi dhe para. Kishte nisur jetën nga fillimi në moshën 40 vjeçare dhe pat krijuar një familje shumë të mirë, me njerëz të vërtetë, që nderoheshin kudo, që ishin të pranishëm. Por asnjëherë nuk ishin të bujshëm, sepse e dinin, që ishte nga gjërat, që i jati urrente më shumë.

Nënës sime, kur u fejua me Andon Marën i thoshte : “Po ky djalë i mënçur dhe i shkolluar, si edhe i pashëm ç’të pëlqeu ty?!” Mamaja, e gëzuar nga fjalët e të jatit, që e vlerësonte aq shumë dhëndërin i përgjigjej:” E po ku e di unë o baba, ja që i pëlqeva!” E dinte gjithashtu, që i jati “linte kokën” për të katër fëmijët, por nuk donte kurrë, që t’ju hynte vetja në qejf.

Vazhdoi me këmbëngulje të punonte deri në vitet e fundit të jetës në kisha e Shën Dëllisë, pa u ankuar, pa kërkuar kurrë ndonjë përkujdesje nga të tjerët. Në vitin 1959, kur ishte 79 vjeç mori edhe një goditje tjetër. Vdiq në moshën 59 vjeçare, gjyshja ime Sofia, me të cilën kishte kaluar 28 vjet përpjekjesh, por edhe gëzimesh. Nuk e dha veten, por e nisi të tatëpjetën e fundit.

Muajin e fundit të jetës “zuri këndin” dhe filloi të shuhej ngadalë edhe pse mjekët theshin, që e ka nga pleqëria se nuk ka ndonjë sëmundje, që arrijmë ta dallojmë. Një natë para se të ikte, i tha vajzës së madhe, Ollgës, “Nesër mos shko në punë, se është dita, që do ik!” Ishin pranë tij të tre fëmijët, (vajzës së dytë i kishte dërguar haber mos vinte se jetonte në Kukës dhe kishte fëmijë të vegjël) dhe i shikonte nëë sy pa u ankuar, pa dashur t’i dëshpëronte. E quante se po lante borxhin kryesor, që kishte në këtë jetë.

Dukej se po ndjehej mirë se ju tha: “ Po ç’bëra, që i thashë Ollgës të linte punën! Nuk më duket se jam për të ikur sot!” Dy orë më pas, ju shkoi dorën dy anëve të mustaqeve dhe iku nga kjo botë i qetë, pa u ankuar dhe pa brenga.

E përcollën në varreza në një procesion me në krye Dhespotin, meqë i kishte shërbyer gjatë kishës, por po ta kishin pyetur me siguri, që nuk do kishte dashur një “madhrillëk” të tillë.

Këto ishin disa nga ato pak gjëra, që di për gjyshin tim, Petro Treska.


Ne foto- Tezeja ime Ollge Treska (Pallanguri) dhe pese niper e mbesa te Petro Treskes.

Gjyshi im, Petro Treska


Nuk kam një fotografi të gjyshit tim nga ana e nënës. E kam parë një të vogël të tij, që ime më e mbante në një çantë të saj, por isha i vogël dhe nuk ja kujtoj mirë tiparet. Edhe fotoja ishte e vogël dhe ndoshta ishte e hequr nga ndonjë letër-njoftimi, pasi ishte ndarë nga jeta.

Ka qënë i vetmi nga të katër prindët e prindërve të mij, që më ka mbajtur në prehër, kur isha 4-5 muajsh. Më pas edhe ai ju ishte bashkuar të tjerëve,në atë botë, që të rriturit e quanin në një mënyrë të thjeshtëzuar “e të shumtëve”.

Më pas kisha dëgjuar me shumë vëmendje, kur flitej për të, sepse edhe mbesat e tij, që ishin edhe ato të moshuar, kur unë isha fëmijë, theshin për mua: “Ky i ngjet Peçit!” Ndoshta jo nga pamja, por se ato e kishin ende në kujtesën e tyre, si njeriu më “i kënduar” i familjes dhe njëkohësisht edhe i thjeshtë dhe i prerë.

Pat patur një jetë të vështirë, por i kishte përballur me shumë forcë, dinjitet dhe stoicizëm goditjet e rënda në jetë. Kishte ikur 15 vjeç në Amerikë “për të bërë para” me të vëllanë 13 vjeçar dhe ishin kthyer pas dy tre vjetësh dhe kishin hapur një bakallhanë në Qesarakë, jo shumë larg fshatit të tyre të Treskës. Vite më vonë, pasi ishte martuar dhe bërë me fëmijë, dyqani ishte djegur dhe kishin mbetur keq ekonomikisht. Kishin ardhur në Korçë të gjithë dhe më pas kishte humbur gruan dhe tre fëmijët nga tuberkulozi.

Kishte bërë filloren greke dhe njëkohësisht ishte edhe shumë fetar, por nuk di nëse besimi në Zoti, apo karakteri i formuar në malësinë e Vakëfeve e kishte bërë të fortë. I mbetur i ve dhe pa fëmijët , kur ishte 40 vjeç, u martua sërish me gjyshen time, të cilës i kishte vdekur pas dy vitesh martese i shoqi.

Shpesh e mendoj se sa e vështirë duhet të ketë qënë për dikë, që punon shumë dhe goditet ekonomikisht, t’i shuhet familja dhe njëkohësisht të ringrihet në një moshë, që asokohe, quhej shumë e avancuar. Por u bë sërish baba 4 herë të tjera dhe rriti fëmijë të zgjuar, punëtorë dhe të ndershëm.

Po cili ishte vërtet Petro Treska, të cilit kur fëmijët në vitet ‘50 i theshin, që në vend po ngrihet Demokraci, ju përgjigjej “Kjo është Tromokraci (terror) jo Demokraci!”?

Të gjithë fëmijët kishin qënë në anën e “nacional-çlirimtares”, por jo nga të “pararojës” dhe më pas mbetën njerëz të mënçur dhe të kushtuar pas familjeve, por që nuk duronin dot hipokrizinë e njerëzve, që shiteshin për ata, që nuk ishin. Sigurisht që shumë ndikim kishte patur edhe e jëma e tyre, që pëlqente të theshte: “Unë jam me Fan Nolin, se me të i kam vëllezërit në Amerikë“. Po dhe atë e qesëndiste im gjysh, që i toshte “Po lere dhe juve shqiptarët e Fan Nolit do e ndrisni!” Kishte parë shumë në jetë dhe kjo e kishte bërë skeptik. Do kishte emigruar familisht në Amerikë në vitet ‘20, por pat këmbëngulur e jëma që të mos ikte, se i kishte dy çupa të martuara në Amerikë dhe i pikonte zëmra për to.

Bëri gjithshka, që dinte të bënte, për të mbajtur familjen, duke hapur herë herë nga një dyqan të vogël dhe deri në qepjen e rrobave prej shajaku për fshatarët. Para Luftës së Dytë nisi të punojë si psallt dhe kishtar, kryesisht në Kishën e Shën Dëllisë. Ishte i përkushtuar për ceremonitë fetare, të cilat i njihte shumë mirë, por edhe i zhgënjyer nga priftërinjtë. Tundte kokën në shtëpi dhe theshte; “Po ç’priftërinj janë këta, që zihen kur ndajnë meshët!”

Më ra në sy, gjatë leximit të një libri të një të afërmit tim, që gjyshin tim e ka të vëllanë e gjyshit të tij, që e përmendte dy tre herë, por pa i zënë në gojë emrin. Ai ka qënë 25 vjeçar, kur gjyshi im ka ndërruar jetë dhe e ka njohur besoj mirë, përveç, që mund të ketë dëgjuar edhe prej prindërve të tij për të. Në një episod e përmendte si dikë, që kundërshtonte në kohën e Italisë të dëgjohej Radio Vatikani dhe në një rast tjetër, si njeri i Kishës, por që ankohej shpesh për priftërinjtë. Nuk kishte dashamirësi në ato përmendje, por nuk di dhe se sa kishte vërtetësi. Nga të mijtë, por dhe nga të tjerë të afërt, kisha dëgjuar, që ishte njeri i drejtë, që kishte “tmerr” të dëgjonte mburrje, por dhe që nuk fliste shumë dhe aq më pak vend e pavend. Në një letër, që im atë i dërgonte sime mëje, kur ishte ushtar, i kërkonte edhe letër “nga pateraqi, qoftë dhe greqisht”. Dhe im atë, nuk ishte dikush, që impresionohej lehtë nga njerëzit dhe nga zgjuarsia e tyre.

(vijon)


Tuesday, 17 November 2026

Ne jemi nacionalista, shokë të Enverit (fund)

 


(vijim)

Po ku është e keqja e këtij nacionalizmi të verbër, që në titull, po ja atribuoj kryesisht sho Enver?

Po e përsërit brenda shkrimit, që Hoxha nuk ishte as patriot dhe as nacionalist i verbër apo me sytë e hapur. Duke qënë Diktator dhe pasi e mësoi “artin e Diktatorit” duke parë Stalinin, Musolinin, Hitlerin dhe të tjerë diktatorë të shekullit të XX, në varësi të fazave të pushtetit të tij ai ndërtoi “mitin” e Partisë së pagabueshme, që ishte Ai vetë. Pak a shumë si tek Majakovski : “Ne themi partia dhe mendojmë Lenini, ne themi Lenini dhe kemi thënë Partia”. Ai e dinte, që represioni i shoqëruar me propagandë aktive i bën njerëzit të mendojnë se vërtet - “Shqipëria është fener i marksizëm-leninizmit”, “Enver Hoxha është ndër burrat e shtetit më të zotë në botë“, “Popujt në botë mezi presin të dalin në gjuhët e tyre veprat e sho Enver” dhe përralla të tjera, që i bëjnë të paditurit të ndjehen krenarë. Shumë të rinj të vendit të izoluar ndjeheshin krenarë, që kishin lindur në Shqipëri dhe për më tepër në kohën e prijësit Hoxha. Në pjesën më të madhe, kujet histerike kur vdiq Udhëheqësi ishin të vërteta.

Por popujt e varfër dhe të vegjël kanë nevojë për “mite” të tjera, kur bie një mit, sikundër i ndodhi shqiptarëve në vitin 1991. Eshtë domosdoshmëri për mos u ndjerë i vogël dhe i përbuzur.

Këtu merr vrull “miti” i përkundur gjatë Diktaturës, se ne jemi një popull i vjetër, trim dhe liridashës. Dhe i shtohen edhe shtresa të tjera, ato të njerëzve të shquar, që kemi nxjerrë , të të qënit gjuha mbi gjuhët dhe të krijimit të mitologjisë greke, e cial u përvetësua nga të ardhurit rishmë.

Nuk di të them nëse ata që janë në pararojë të këture teorive janë sharlatanë apo kaqolë, por vetëm di, që gëzojnë një emër shumë të mirë mes shqiptarëve të trojeve tona, si dhe atyre të Diasporës. Nuk di se sa përplasen në platforma dixhitale me sërbët, grekët apo me ballkanas të tjerë, se nuk kam qënë i pranishëm në të tilla, por besoj se ndodh në stil të gjërë, sepse mes grekëve, sërbve, malazezve dhe maqedonasve ka sa të duash idiotë të ngjashëm.

Mbushja e shesheve të vendbanimeve shqiptare me lapidare, buste dhe shtatore ishte vepër e Partisë së Punës, që donte të përjetësonte idenë se 29 nëntori i vitit 1944 ishte viti 0. Por kjo mendësi mbetet edhe sot, ku vërtet shumë skulptura janë hequr dh eshumë lapidarë janë rrënuar, por tentohen të ngrihen të tjera, të historisë së vjetër dhe të historisë moderne të Shqipërisë. Nuk jam i sigurt, nëse ndodh e njëjta gjë në Kosovë, por trembem se dhe atje ka ngjashmëri. Nisem edhe nga nritja e shtatores së Klintonit , që në gjallje të tij, që është një tjetër cilësi e popujve të vegjël dhe që nuk janë të sigurt për vlerat e tyre.

Historia, ngjarjet historike dhe përkujtimi i tyre si dhe e figurave qëndrore nuk duhet të jenë në varësi të emocioneve apo më keq e politikave të çastit. Ndërgjegja kolektive duhet të jetë shumë e ftohtë dhe e matur për to. Nuk vjen asnjë e mirë për një popull që “të fryhet” për më shumë se ç’është, apo edhe për t’i rënë daulleve të “nacionalizmit” më shumë se sa duhet. Në rastin më të mirë është një ndjenjë e rreme, nga e cila një ditë gdhihesh i zhgënjyer, por në rastin më të keq zgjohesh me armiqësi të panevojshme.

Kohët janë të tilla, kur “nacionalizmi i verbër” është rritur shumë në të gjithë Europën dhe veçanërisht ballkanikët shquhen në këtë drejtim. Nuk do shumë mend të shohësh se si e përdorin atë izraelitët, turqit dhe grekët, që po përfshihen në këmbime fjalësh të ashpra për Mesdheun lindor. Interesat janë të zonave naftëmbajtëse në det, por të gjithë i janë drejtuar Historisë, Biblës dhe Kuranit, për të evokuar lavditë e tyre dhe kontributin në Historinë e Njerëzimit. Erdogani ka kohë që ngjall nostalgjinë e Perandorisë Otomane tek turqit, grekët kanë 200 vjet që mburren me Greqinë e Lashtë dhe periudhat helenike, ndprsa hebrejtë tundin librin më të njohur në botë, Dhjatën e Vjetër, për të përligjur qëllimet e tyre ekspansioniste.

A duhet të kemi edhe ne turravrapin e tyre për të mos mbetur pas?

Unë them se është tërësisht e gabuar, se ai të shpie në “sherre të përhershme” dhe në shtimin e rrezikut të konflikteve të armatosura.

A na i ka fajin sërish sho Enver?

Nukk është pa faj, se ndenji 40 vjet në krye të vendit, dhe në periudhën e fundit e “yshti” nacionalizmin, por në dallim nga shumë shqipttarë të tjerë, të zotë dhe të pazotë, nuk ishte aspak patriot.

Ne jemi nacionalista, shokë të Enverit (3)


 (vijim)

Eshtë e logjikshme, që nacionalizmi ka si bazë padijen dhe njëkohësisht propagandën e qeverive, partive dhe institucioneve arsimore dhe shkencore. Duke pasur traditën Rilindase, që qëllimisht theksonte një të kaluar të lavdishme dhe një epërsi të kombit tonë (ishte një kohë kur Shqipëria nxirrte vetëm trima dhe luanë), në kohëne shtetit “fëminor” shqiptar të pas vitit 1920, pati shumë pak studime shkencore historike, që të pasqyronin me vërtetësi fazat historike të shoqërisë shqiptare. Madje duket se tek Noli dhe Konica (dy patriotë të vërtetë) gjejmë më shumë kritika për Shqipërinë dhe shqiptarët, se në shumë e shumë njerëz të tjerë të letrave tona. Naltmadhënia nuk luante ndonjë rol të madh në nxitjen e instituteve shkencore, sepse edhe vetë nuk ishte shumë i kënduar, ndaj shkrimet historiko-filologjike mbeteshin pronë kreysisht e klerikëve katolikë të veriut dhe të individëve të veçantë të trevave të ndryshme shqiptare. Katolikët e veriut kishin në natyrën e tyre një lloj ekzagjerimi të vlerave, që ndonjëherë kalonte edhe në mburrje. Ndaj mund të kenë qënë më selektivë në pasqyrimin e ngjarjeve të trojeve shqiptare veçanërisht atyre të mijëvjeçarit të dytë pas Krishtit. Ekzagjerimet (një lloj tradite, që në kohën e Barletit) kishte në veprën e Fishtës, Mjedës, Gjeçovit, njëkohësisht tek ta mund të ketë filluar edhe fshehja e disa fakteve historike të kulturës së Komanit për shembull. Ka dëshmi se në objektet arkeologjike, të cilat nuk ekspozohen, në iventaret e Muzeve Historikë dhe Arkeologjikë, ka skulptura të vogla dhe vizatime në qeramikë, që dëshmojnë për marëdhënie homoseksuale tek ilirët. Fshjehje të tilla, që dëshmojnë qasjen joshkencore të studiuesve tanë, mund të jenë bërë edhe për dokumente të tëra, që reflektojnë cilësitë e shqiptarëve si etni, por dhe historitë e veçanta. Por edhe kur u krijuan institutet e albanologjisë dhe historisë në kohë më të vona, nuk kishte aspak objektivitet, por përshtatje të historisë sipas marëdhënieve të Hoxhës me të huajt dhe më pas një lloj nacionalizmi, që nuk mund të pranonte as një të metë të shqiptarëve dhe figurave kryesore të tyre.

Kjo u përcoll në tekstet shkollore të tëgjitha niveleve, sa edhe mësuesit e Historisë të shkollave të mesme nuk dinin sgjë të saktë rreth historisë së Shqipërisë dhe të figurave të saj. Ato kohë mund të mësoje ndonjë gjë vetëm nga studiues seriozë në biseda private. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët nuk dinë të vërtetat e atentatit të Esad Pashës dhe të atytre ndaj Ahmet Zogut, për të prekur vetëm diçka tepër tepër të vogël të historisë të një Kombi. Para dy javësh shihja në një shkrim për Avni Rustemin në një gazetë shqiptare online, i shoqëruar me një foto të Avniut me shënja në fytyrë dhe që kishte shpjegimin: “Heroi i torturuar nga policia franceze pas atentatit ndaj Esad pashës”. Avniun e kapën kalimtarët që panë atentatin dhe e shtruan në dru ndërsa policia franceze ja u hoqi nga duart.

Dua të them, që kemi mësuar një Histori tepër të cunguar dhe të shtrembëruara dhe ka të ngjarë, që tekstet e sotme të shkollave shqiptare të kenë mangësi të ngjashme. Ndaj nuk mund të bëhen faj brezate ardhur veçanërisht pas Diktaturës për përqafimin e një “nacionalizmi folklorik”, që emocionohet së tepërmi nga këngët për Idriz Seferin, Shote Galicën, Ismail Qemalin madje edhe nga kënga arbëreshe “Moj e bukura More”.

Po hap një parantezë për këtë këngë të bukur, që ekzalton nga Niko Peleshin kur e këndon me Inva Mulën dhe deri tek fëmijë dhe të rinj, në mbrëmjet e mbajtuar për 28 nëntorin në Amerikën e Veriut.

Shumica dërmuese e shqiptarëve nuk e dinë, që Moreja është një territor i madh, kryesisht në Peloponez, por dhe pak në veri të tij. Arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë, që kishin ikur nga Moreja dora dorës prej shekullit të XIV, i kënduan atyre vendeve të bukura ku kishin lënë shtëpitë, ullinjtë dhe nënën dhe vëllanë. Kishin rreth dy shekuj, që ishin vendosur në trojet e quajtura More pasi krerët bizantinë i kishin thirrur të popullonin ato troje, ku vendasit kishin mbetur me kokrra, kryesisht për shkak të Murtajës së Madhe (Black Death) të shekujve XII dhe XIII. Arbërit nga disa krahina të trojeve të sotme shqiptare dhe ndoshta dhe të Camërisë kishin pranuar kushtet e favorshme, që ju ishin ofruar dhe një pjesë mbetën gjatë 9 shekujve atje. Kënga është interpretuar gjithnjë sikur arbëreshët po qanin në breg të Adriatikut për Krujën dhe Shijakun. Mund të ketë pasur edhe këngë malli për to, madje edhe për Sinën, por fakt është që përmendet Moreja dhe jo Arbëria.

(vijon)

Ne jemi nacionalista, shokë të Enverit (2)

 


(vijim)

Përgjithësisht ata , që identifikoheshin si “të besuarit e Partisë“ dhe që ishin edhe të paturp vrapuan nën hijen e Flamurit, njëkohësisht edhe duke kritikuar “kozmopolitizmin”, “Europën kurvë“ dhe natyrshëm Turqinë, Greqinë dhe Sërbinë. Të gjithë fajtorët për padrejtësitë, që na ishin bërë si popull dhe që na kishin lënë pas. Herë herë përmendnin edhe se “Enveri vërtet , që vrau ca, por për Shqipërinë linte kokën!” Përralla e “bacë Enverit’, qarkullonte edhe në disa pjesë të shoqërisë kosovare, veçanërisht ata, që nuk dinin për masakrat e shqiptarëve kundër shqiptarëve, gjatë hyrjes së brigadave çlirimtare për të ndihmuar ushtrinë e Titos. Enver Hoxha nuk pat qënë kurrë patriot, por për të mbajtur pushtetin e tij personal mund të vishte çdo lloj kostumi.

Deri në fundin e viteve ‘60, çështjet e Kosovës dhe Camërisë nuk prekeshin fare as në “Zëri i Popullit” dhe as në Kongreset apo në Plemiumet programatike të Partisë së Punës. Madje kishte dhe një hije dyshimi mbi kosovarët nga shumë shtresa të qyteteve, ndërsa në fshatrat e Shqipërisë së Jugut njerëzit thuajse nuk kishin asnjë ndjeshmëri për pjesën e veriut të Shqipërisë të mbetur jashtë kufijve të vitit 1913.

Dukej se Berisha, si i ardhur nga malësitë e Tropojës, do ishte më i ndjeshëm për çështjen e Kosovës, se sa Nanoja dhe “socialistët” e tjerë, që i binin gjoksit për Shqipërinë, por që duke qënë pjesë të Partisë së Punës, udhëzimet e të cilës kishin patur kontradiktën për të dalluar popullin nga proletariati dhe patriotizmin nga internacionalizmi proletar, kishin trashëguar këtë , që po e quaj “nacionalizmin enverist”. Por edhe Berisha, ndonëse në retorikë dukej shumë patriot i flakët për Kosovën dhe Camërinë dëshmoi se edhe ai mendonte vetëm për atë, që i shkonte për shtat pushtetit të tij personal. Që nuk i bëhej vonë për Shqipërinë e tregoi më 1997, por edhe më vonë në mbajtjen e krahëve të ndryshme të shoqërisë kosovare, në varësi se kush ishte me socialistët e Nanos. E gjithë ajo kontradiktë u përcoll edhe në vrasjet e Kosovës, ku kishte krahë politikë, tregëti armësh, vjedhje masive dhe ku u shfaq edhe patriotizmi i rremë i një pjese të tropojanëve.

Pra “patriotizmi i Esad Pashës”, që i njihte mirë valutat e huaja, ishte përcjellë në shumë udhëheqës shqiptarë prej Hoxhës dhe më tej. (Tek Hoxha valuta ishin mbështetja për të ndenjur në fron). Pat shpëtuar nga ajo sëmundje Ahmet Zogolli, nipi i Esadit, por dhe ai kishte futur duart në “arkat e shtetit shqiptar” dhe ndonëse jo me akte të qarta tradhëtie ndaj çështjes shqiptare nuk ishte dhe ai një patriot i kulluar.

“Tironsit” e tipit Nano, Pashko, Rama dhe ndonjë tjetër nuk e vrisnin shumë për “çështjen kombëtare”, pasi kishin edhe një natyrë personale disi më kozmopolite, por për “t’rrejt katundarët”, sigurisht që do e tundnin nga pak flamurin. Dhe në të njëjtën mënyrë do e ndiqnin edhe ndjekësit e tyre.

Tek emigrantët në Amerikën e Veriut (ata të pas ‘90) shihen disa lloje patriotizmi/nacionalizmi. Duke qënë qytetarë të dy vendeve me popullsi të madhe emigrantësh, dashuria për Atdheun dhe mbështetja e tij vjen në disa lloj mënyrash. Ka nga ata, që vërtet kanë mall për vendin, njerëzit, gjuhën dhe mundohen t’ja u përcjellin të njëjtat ndjenja edhe pasardhësve; ka nga ata, që dashurinë për Shqipërinë e kanë të përzjerë me një ndjenjë epërsie si europianë të bardhë dhe e kanë të shoqëruar me racizëm ndaj njerëzve me ngjyrë; si dhe nga ata që ende mendojnë se ne jemi shumë të ve]antë dhe nga gjuha jonë kanë rrjedhur edhe të tjerat hindo-europiane, si dhe kemi nxjerrë shumë figura botërore, të cilat na i kanë “vjedhur” të tjerët.

(vijon)