Monday, 23 November 2026

Hajdutë dhe delirantë


Postimi i fundjavës i Elisa Spiropalit më bëri të vija buzën në gaz.
M’u kujtua një anekdotë e vjetër, ku një plakë, që po ankohej ndaj një vjedhësi kumbullash në oborrin e saj, më pas e quajti “edhe hajdut edhe rrencak!”

Për Elisën, Ramën, Ahmetajn, Veliajn ngjit më shumë togfjalëshi “edhe hajdutë edhe delirantë!” Nuk shkojnë shpesh këto dy cilësime se hajdutët përgjithësisht janë oportunistë, pragmatistë, por shumë rrallë delirantë. Deliri i shpie menjëherë në dështim.

Hajdutët e mëdhenj tanë kanë shumë vite , që kanë shpërthyer në deliret e tyre. Paratë e shumta të fituara me një lehtësi të habitshme dhe pushteti bashkë me to, i bëri të humbisnin perceptimin real të jetës, mundësive, të ardhmes, zhvillimeve, marëdhënieve.

Tipik ishte ]ifti Meta-Kryemadhi, që shpërtheu në demonstrimin e pasurisë dhe të shpenzimeve duke u kthyer në ]ifti më i urryer në Shqipëri. Fundi i tyre tashmë dihet edhe pse Monika është ende jashtë burgut dhe e bërë “kërckë“ pas shumë operacionesh plastike.

Ahmetaj e shprehu delirin gjatë kohës kur ishte zv.kryeministër, por edhe tashmë, kur është në arrati, ku në intervista pas intervistash paraqitet si “administrator i kulluar”, që është munduar të ndalë “kreun e organizatës” nga aferat korruptive dhe shkatërrimi i ekonomisë dhe në këmbim ka fituar përndjekjen prej tij.

Veliaj, një tjetër hajdut-delirant, në sajë të sinjaleve që merr nga “Lart” reagon sikur të jertë dikush i rëndësishëm në PS dhe që mund të drejtojë bashkinë nga burgu dhe njëkohësisht të mund të fitojë lirinë, që ja ka cënuar prokurori Olsi me bekimin e Ramës dhe Belas.

Deliri i Ramës është i jashtëzakonshëm, por ai ka qënë delirant edhe para se të ishte hajdut.

Ndaj le të kthehemi në delirin qesharak të Elisa Spiropalit, e cila u ndje prej shumë vitesh, si dikush që vlerësohej nga Njëshi dhe mund të ngjiste gradualisht shkallët në Kupolë, sepse ishte e zonja dhe dinte edhe t’i bënte qejfin Kryetarit. Dhe pikërisht ky delir e hodhi përtokë.

Por Spiropali, duke pasur cilësitë e një Bibe të fryrë, shpërthen ende në shkrime, që dëshmojnë se nuk ka idenë se në cilën Tiranë jeton. Pasi ka hequr dorë nga krahasimi i Ramës me Skënderbeun, tani është përqëndruar vetëm në krahasimet që i bën vetes nga një “dhi, që ngjitet majave për ushqim të zgjedhur” , në “dikush, që ka pas zemrat e 10 milion shqiptarëve”.

Elisa kthehu në realitetin e zyrave të Tiranës!

Edhe se mund të kesh vjedhur më pak se Bela, kjo nuk të bën të të shohin me simpati shqiptarët as për rënien tënde dhe as për burgosjen, që ju ka përgatitur ty dhe burrit, Rama në “ujdi” me SPAK!

Hajdutët, nëse shpërfillin porositë dhe interesat e Ali Babajt do kalojnë ca kohë në burg.

I tillë është realitetit, për fat të mirë ose të keq!

A kanë faj baballarët? (fund)

 


(vijim)

Përsa i përket shtyllave të pushtetit, që në krye filluan përpjekjet për kontroll të institucioneve nga një parti dhe një individ, që u pasua me kontroll të drejtësisë dhe legjislativit nga ekzekutivi.

Ndaj edhe pse ishte folur t’ju ngjajmë demokracive europiane, gjithshka po bëhej “alla shqiptarçe”, ku institucionet jo vetëm lihen të dobëta, por kontrolli i tyre mbetet në një dorë shumë të vogël njerëzish.

Ne përsëri, edhe pse kuptonim, që këto ishin reminishenca të mendësisë së Diktaturës nuk reaguam si duhet me përjashtim të vetëm një votim kundër Berishës, në referendumin, që i shtonte pa masë kompetencat e tij në rolin e Presidentit.

Si rrjedhojë e heshtjes masive, qeveria me arbitraritet të plotë nxiti skemat piramidale dhe më pas e detyruar të lëshonte pushtetin e kthehu vendin në Kaos.

Dhe pas tij, përsëri brezi jonë, jo vetëm që nuk nxorri fajtorët dhe as mësime, por lejoi që Berisha me bashkëpunëtorët e ngushtë të mbeteshin në politikë. Poshtërsia ishte e të dy krahëve politikë, e socialistëve që kishin pushtetin dhe e lanë me mendjen “sa të jetë ky në krye të opozitës ne fitojmë votat” dhe krahu i kundët duke mos e larguar nga kreu i partisë.

Vitet pas 1998, janë ato të një gërryerje graduale të Demokracisë dhe të shtrirjes së Korrupsionit në çdo fushë të jetës. Në lojë hyri dikush, që ndoqi të njëjtin model agresivo-autoritar të Berishës për të kontrolluar partinë e tij dhe më pas të gjithë vendin. Centralizimi i gjithshkaje u bë i tejskajshëm, korrupsioni u rrit më shumë, zgjedhjet vazhduan të vidheshin dhe me ligj të asfiksoheshin alternativat e reja politike , që mund të lindnin. Krimi i organizuar mori një rol të rëndësishëm në jetën ekonomiko dhe politike të vendit, që u shoqërua edhe me frikë dhe topitje të shtresave më pak të mbrojtura.

“Baby boomers” dhe brezat e tjera tashmë të korruptuar dhe të atrofizuara u pajtuan me qëndrimin “che sera, sera”.

Në këtë çast të gjendjes më të mjeruar të Demokracisë ngrihet Brezi Z dhe proteston paqësisht, më pas provokohet dhe beteja me qeverinë bëhet e dhunshme dhe sërish brezat e tjerë edhe pse i mbështesin me fjalë, nuk janë në gjendje të ndjekin këtë “lokomotivë“ të ndryshimit.

Të rinjtë e shfaqin hapur pakënaqësinë për gjendjen e vendit duke bërë me faj baballarët e tyre. Dhe kanë plotësisht të drejtë për këtë. Edhe për faktin se ky brez “baballarësh” të korruptuar nuk thotë dot hapur : “Ne dështuam!”

Ndaj përse duhet ta akuzojmë Brezin Z? Që nuk ka respekt për etërit? Që ka pretendime? Që do të jetojë pa punuar?

Të gjitha këto cikla balte të hedhura mbi ta bëhen për të justifikuar dështimin tonë dhe qëndrimin “ e po tani kështu është , ta shtyjmë sa ta shtyjmë!”

Brezat tanë nuk do arrijnë dot ta korruptojnë Brezin Z. Jo se ata kanë cilësi shumë të ndryshme nga tonat, por sepse ata kanë kuptuar të Keqen e madhe , që kanë trashëguar dhe duan t’a heqin qafe.

E mira është, që t’i mbështesim plotësisht duke i falenderuar!


Sunday, 22 November 2026

A kanë faj baballarët? (2)

 


(vijim)

Ne mund të justifikohemi, ashtu si u justifikuan prindërit tanë se po hynin në një rrugë të parrahur më parë, ishin menjëherë pas luftës dhe nuk kishin përvojë, si dhe se disa Fuqi të Mëdha ja u kishin me hile. Mund të themi se nuk e njihnim sistemin demokratiko-kapitalist, ishim të rinj dhe pa përvojë dhe se kishim trashëguar një ekonomi të rrënuar. Sepse të gjitha këto janë të vërteta, por njëkohësisht nuk mund të justifikojnë mendjelehtësinë dhe euforinë me të cilën ne i nisëm ndryshimet ekonomiko-shoqërore dhe i shpumë në një drejtim shumë të largët me atë, për ku i patëm nisur.

Kishte disa parrulla bazë me të cilat u fillua Lëvizja:

  • E duam Shqipërinë si gjithë Europa

  • Të gjithë bashkëvuajtës

  • Të ndërtojmë shtet ligjor

Ndonëse sloganet nuk janë program për të transformuar shtetin dhe shoqërinë, ato janë disa synime bazë, mbi të cilat, me ndihmën e institucioneve dhe qeverive të huaja mike, mund të nisësh atë që quhet periudhë “tranzicioni” deri në ndërtimin e një baze të mirë reformash dhe institucionesh për të funksionuar Shteti demokratik sipas modeleve europiane.

Dhe ç’farë bëmë ne?

Filluam të vidhnim , që në krye të herës.

Mënyrat ishin të ndryshme:

  • U vodhën me ligjin e privatizimit pronat, të cilat nuk ju kthyen ish pronarëve. Ndër të parat dhe më të thjeshtat ishin dyqanet, klubet dhe restorantet në vendet e banuara. Trysnia e kamarierëve, banakierëve dhe guzhinierëve ishte e madhe. Ishin një shtresë (e vetmja disi e pasur) që kishte mundësi të blinte dhe të paguante edhe ryshfete për ata që administronin procesin e privatizimeve në çdo rreth.

  • U privatizuan për shuma qesharake, punishte, fabrika, magazina, kryesisht nga ata, që lidheshin me PD-në, ose që paguanin nën dorë.

  • U dhanë në përdorim toka bujqësore të Ndërmarjeve Bujqësore pa përfillur nëse kishte pasur pronarë të shpronësuar apo ishin toka të hapura të reja dhe pronë publike e dikurshme.

  • Filloi marrja e përqindjeve në tenderat e punimeve publike nëpër bashki dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Brezi jonë, që nuk ishte i gjithi i përfshirë në këto “dumburallëke” heshti dhe u mjaftua vetëm të diskutonte kafeneve për këto shtrembërime të ndyra, që nuk haseshin në kohën e Diktaturës.

Filluan pushimet nga puna dhe emërime të njerëzve të lidhur me Partinë Demokratike pa asnjë kriter aftësie apo shkollimi.

Nuk kishte më “bashkëvuajtës”, por “kriptokomunistë“ dhe “antikomunistë“ dhe të parët duhet të hiqeshin nga puna ose të transferoheshin dhe vendin e tyre ta zinin të tjerë. Ishte një përmbysje e keqe “luftës së poshtër të klasave”, që e shtoi ndarjen dhe armiqësinë mes shqiptarëve.

Edhe pse e shihnim , që ishte një devijim i madh nga ajo ç’ka ishte premtuar, si dhe nga dëshira e të gjithëve për të mos patur më “luftë klasash” ne mblodhëm supet, nuk reaguam në grupe të mëdha dhe as bojkotuam punët për të kundërshtuar pushimet e padrejta të njerëzve, që i njihnim mirë si njerëz të zotë.

(vijon)

A kanë faj baballarët?


Një njeri i mënçur, por që ka kaluar të 70-tat, duke dashur të më shpjegonte se Brezi Z, jo vetëm nuk është për t’u lavdëruar, por ka edhe shumë të meta në formimin “filozofik”, më përmendi disa deklarime dhe intervista të të rinjve gjatë protestave në Tiranë, në të cilat, të rinjtë nga 18 deri 27 vjeçarë, bënin me faj prindërit e tyre për gjendjen në Shqipëri.

E kundërshtova me kujdes edhe pse dallova, që ai kishte dy minuse të mëdha, që ekzistojnë në mendësinë e shumë shqiptarëve të brezit tim. E para është vështirësia për të pranuar gabimet dhe e dyta- nderimi i pakushtëzuar për prindërit, veçanërisht kur flet në publik.

Edhe pse brezat nuk duhen ndarë me thikë, se ka shumë mosha të ndërmjetme, sigurisht që brezi i baballarëve është një brez tjetër nga a i bijve. Veçanërisht në kohët moderne, kur ndryshimet shoqërore dhe teknologjike janë të vrullshme, ndryshimi mez brezave është i qartë.

Pa dashur të marr anën e ‘bay boomers” ndaj “brezit Z” apo anasjelltas, më duhet të them se kontradikta mes brezave vjen kryesisht nga “kokëfortësia” e brezit të vjetër për të pranuar ndryshimet, si edhe gabimet, që ka bërë. Dhe kjo në rastin e shoqërive të prapambetura, si shoqëria jonë, kjo ështe edhe më e dukshme. Në rast se ne ‘baballarët” e protestuesve të sotëm, do kishim pranuar faqe të gjithëve gabimet tona, fëmijët tanë nuk do kishin dëshirë të dilnin dhe të “shanin” prindërit në tv. Por ne nuk e bëjmë se na tmerron fakti se na duhet të pranojmë gabimet, disa prej të cilave janë të rënda.

Po kthehem në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur brezi i baballarëve tanë ishin në kontradiktë me brezin e mëparshëm, për shkak të qëndrimit politik ndaj Luftës në Shqipëri. Brezi i 18 deri 25 vjeçarëve “fluturoi me presh” se pas luftës do ndërtojmë një botë jo vetëm në paqe, por që do jetë e barzisës, si në Bashkimin Sovjetik. Askush nuk dinte se ç’ishte vërtet bashkim Sovjetik, por të moshuarit ishin shumë më të përmbajtur në këtë ide të re shoqërore, që ju dukej jo vetëm e paarritshme, por edhe jo normale. Dhe të rinjtë e entusiazmuar, që morrën pjesë në luftë dhe si rrjedhojë e asaj pjesëmarrjeje kishin më shumë të drejta se të tjerët edhe për të votuar, edhe për t’u punësuar edhe për të studiuar, fluturuan akoma më shumë pa arritur të kuptonin se po i shërbenin një bande me njerëz arrivistë.

Gradualisht dhe duke u rritur, kuptuan se shumë gjëra nuk ishin si ishin premtuar dhe se po bëheshin krime edhe duke u ndëshkuar jo vetëm “kundërshtarët” , por edhe shokët, por nuk ishin në gjendje t’ja pranonin vetes. Kur e kishin pranuar në veten e tyre se kishin vepruar në mirëbesim dhe se i kishin gënjyer, ishte vonë, se Diktatura ishte bërë e fortë dhe për të mbrojtur fëmijët filluan të theshin të kundërtat e atyre , që mendonin.

Një pjesë e madhe nuk arritën të pranonin gabimet e rënda faqe fëmijëve deri në fund. Ishte e vështirë ta bënin edhe nëse e kuptonin. Por brezi jonë, si një brez më respektues ndaj traditës dhe duke kuptuar se edhe ata kishin vuajtur më shumë se ne, shumë rrallë u konfrontuam me baballarët tanë, që kishin gabuar rëndë. Ata baballarë, të cilët kishin më shumë kurajë dhe ndoshta edhe kishin qënë nëpër burgje, e pranuan se kishin gabuar dhe nuk duhet të hidhnin të gjithë barrën e fajit tek Enver Hoxha.

Brezi jonë dhe më të rinjtë se ne u rrjeshtuan thuajse të gjithë në Lëvizjen Demokratike, që kërkonte çmontimin e trashëgimisë të keqe, që na patën lënë baballarët tanë.

Dhe këtu zunë fill gabimet e rënda të brezit tonë, të cilat po i paguajmë të gjithë, por që indinjojnë brezin e fëmijëve tanë.

(vijon)

- Skënderbeun nuk duhet ta prekje!


Nuk jam i sigurt nëse duhet të kërkoj falje publike për esse-hamendësimin rreth biseksualizmit të Skënderbeut. Kam pasur shumë qortime nga miq të mij, të cilët kanë ende kurajën të më thonë sy për gabimet dhe dështimet e mija. Madje edhe fëmijët, që janë me mendje shumë të hapur, e panë me një farë dyshimi dhe përmendën se e jëma përgjërohet për Gjergj Kastriotin. Unë nuk e kisha kuptuar në kohët e hershme patriotizmin e saj dhe adhurimin pa kushte të Skënderbeut.

Por asnjëherë nuk është vonë për të “marrë kthesë“, sepse edhe unë kam nisur të veproj me këtë shprehjen e volitshme amerikane – “Mendjen nuk e ndërrojnë vetëm të vdekurit dhe budallenjtë!” Nuk dua të përfshihem në asnjë prej dy kategorive të mësipërme.

Ndaj mendova se në këtë kohë moderne kisha disa mundësi, që të reflektoja rreth problemit që kisha ngritur. Disa kthesa mund të ishin “drastike” (kjo më kujton në mënyrë të frikshme, një veprim, që dikush që kisha njohur dikur do merrte ndaj meje në Amerikën e Veriut); disa mund të ishin më të buta pa më detyruar të “lëpija atë, që kisha pështyrë“.

Mund të kthehem në “qëndrimin zyrtar” , që Heroi Kombëtar ishte një njeri me veprimtari seksuale normale, por që dashuria për Atdheun dhe pastërtia morale nuk e lejonin, që të përfshihej në lojëra seksuale të tepruara ndaj edhe kishte bërë vetëm një djalë; mund të mbaj një “qëndrim folklorik” si psh – “e po Gjergji nuk ishte si ajo që krihej kur Shqipëria digjej”; mund të hulumtoj në ishte thjesht gay; mbase impotent, ose të shkoj edhe më larg akoma, që ishte transeksual ose nga këta të tjerët, që i quajnë dy binarë, tre binarë apo pa binarë fare. Se shkenca seksuale po njeh rritje.

Gjithashtu, përvoja jetësore më ka ndihur të kuptoj se edhe gjenijtë, të cilët i adhurojmë dhe i idealizojmë janë njerëz si ne. Me dëshirat dhe veset e tyre, me teprimet dhe mungesën e përmbajtjes, me daljen nga normat e vdekëtarëve të zakonshëm. Prandaj ndoshta edhe janë gjenij.

Dhe po kështu edhe të tjerët, që mund të mos jenë gjenij, por qëi idealizojmë si të paprekur nga asnjë njollë apo devijim i natyrës mendore apo seksuale. Se nuk mund të thuash më kurrë : “Oh kjo është e pamundur!” apo “Unë ve dorën në zjarr, që filanka nuk ka pasur ndonjëherë marëdhënie homoseksuale!”

Me këto sa shkrojta më sipër unë nuk jap asnjë provë për biseksualizmin e Skënderbeut, por në të njëjtën kohë mund t’ju them atyre, që më kanë paralajmëruar se “Skënderbeun nuk duhet ta prekje!”, që të shënjtë unë kam vetëm të Vërtetën dhe nuk më bëhet vonë nëse në mendjen time “të lloçkavitur” shkojnë gjithfarë dyshimesh me apo pa bazë, të cilat të mënçurit mund t’i hedhin menjherë poshtë me përbuzje.

Ja për shembull, në asnjë traktat historik apo vepër letrare në shqip nuk kam lexuar ndonjë herë për ndonjë partizan, që masturbonte, por nuk e di pse kam bindjen , që edhe partizanët, ndonëse të pangrënë, edhe ja sëllonin në ndonjë rast.


 

Sojlli apo sojsëz?


Me një miken time, po flisnim një ditë për “sojllinjtë“ dhe “sojsëzët”, por pa e ditur mirë të dy se cili është një përkufizim i saktë, për të dy emrat. Por si kontrollova fjalorin shqip online, ishte pak a shumë përkufizimi , që kishim në mendjet tona gjatë bisedës. Dikush prej një fisi me cilësi të mira dhe e kundërta e tij. Nuk kishte ndonjë shpjegim nëse “soj” vinte nga turqishtja apo ndonjë gjuhë tjetër. Prapashtesat “lli” dhe “sëz” janë të njohura, që rrjedhin nga turqishtja.

Në kohën e Diktaturës, zyrtarisht, gjërat e lidhura me fisin apo DNA nuk përmendeshin, ose njerëzit që i përdornin hapur do viheshin përballë ideologjisë marksiste-leniniste, e cila nuk pranonte që njerëzit mund të kenë karakteristika shpirtërore dhe morale, të cilat trashëgohen prej prindërve dhe prej paraardhësve të tjerë. E megjithatë, mes njerëzve, bisedat “ky është prej soji”, ose “ajo vjen nga sojsëzë“ thuheshin shpesh. Kjo bënte, që ne, brezi i edukuar nga Partia, të kishim shumë më pak besim tek “trashëgimia morale”. Por duke u rritur dhe veçanërisht pasi ndryshoi sistemi, kuptuam se ishim nxituar ta injoronim. Edhe pse nuk ishte një “çelës magjik” për të kuptuar sjelljet dhe marëdhëniet mes njerëzve të caktuar, ishte diçka, e cila kishte mjaft rëndësi.

Sepse në rastin e e një njeriu, i cili rritet në një familje të vogël, apo të madhe, ku marëdhëniet brenda “sojit” kanë shumë rëndësi, tek ai kemi jo vetëm trashëgiminë gjenetike , por edhe rolin e mjedisit përreth, kur është fjala për karakterin dhe synimet në jetë. Janë shumë të pakta mundësitë, që një fëmijë, që rritet në një familje plot virtyte dhe i rrethuar nga një “soj” i njohur për cilësi të mira të kthehet në një “dele e zezë“. E njëjta gjë vlen edhe për të kundërtën. Pra kemi genet dhe edukimin, dhe gjithashtu kemi edhe një element tjetër shtesë, që është “trysnia”, që ndjen nga familja dhe “soji” për të bërë gjëra të paligjshme, por edhe të papranueshme nga një moral, të themi mesatar.

Hyn këtu një shprehje e anëve tona, e cila ende për mendimin tim nuk e ka humbur vlerën – “nuk ka kë të turpërojë!” Duket si një shprehje anakronike, por “turpi”, duam apo nuk duam ne ekziston. Eshtë ajo ndjenjë, të cilën e kemi kryesisht si qënie shoqërore, se nëse do jetonim të vetmuar, si Robinson Kruzo në një ishull, nuk do kishte si të ndjenim turp.

Por a është i pandryshueshëm të qënit “sojlli” apo “sojsëz”? Eshtë kjo një etiketë me të ciln mund të mburresh apo nga e cila nuk shpëton dot?

Pyetjet janë shumë të vështira për t’ju përgjegjur, nisur nga ato , që di. Jeta ka treguar, që “mutacione” të ndryshme nga “origjina e bazës” dalin në çdo linjë gjallesash. Ndaj asnjëherë nuk duhet marrë “a priori” se dikush, që vjen nga një “soj i caktuar” me cilësi veçanërisht të mira apo të këqija, do jetë domosdoshmërisht i tillë. Për më tepër, asnjë qënie njerëzore nuk ka një “pashaportë soji”, ku të jenë rrjeshtuar cilësistë e brezave paraardhëse. Por një lloj orientimi është.

Shumë vite më parë, një shok i imi, më tregonte për një famije, ku hynte se kishte bashkënxënës një nga fëmijët, “nuk di se si qeverisej ajo familje, se të gjithë mashtronin njëri tjetrin”. Detyrimisht pinjollët e ardhshëm ishin pa përjashtim mashtruesa.

Dhe kjo vlen edhe për të kundërtën, edhe për të ndërmjetmen, por pa harruar, se “sojet” përzjehen me “soje” të tjerë dhe detyrimisht edhe cilësitë gërshetohen dhe nuk mund të mbeten të njëjta.

Por, në kohët e shkuara, kur njerëzit jetonin në vendbanime më të vogla dhe njiheshin mirë me njëri tjetrin, lidhjet martesore mes fiseve kalonin nën këtë lupën , që dallonte “sojllinjtë“ nga “sojsëzët”. Më pas njerëzit u hapën më shumë, martesat nisën të bëheshin përgjithësi me dashuri mes të rinjve dhe “sojet u bënë një çorbë“, ku nuk mund të kishte më dallime të qarta.

Mikja ime ndoshta e ka gjetur përgjigjen për ç’ka shtrova më lart dhe nuk do ketë nevojë ta lexojë këtë “përsiatje”, e megjithatë unë e shkrojta si një pasqyrim të mendimit tim , rreth rolit të sojit”, ose si e shpreh ndonjëherë në mënyrë më vulgare “fabrika nga ka dalë si prodhim dikush”.

Dhe si e theksonte Partia, fabrikat dhe kombinatet ishin ato, që do na nxirrnin në selamet!


Saturday, 21 November 2026

A po gabon Xhefri Saks?


Xhefri Saks (Jeffrey Sachs) është një nga njerëzit më të mënçur në fushën e marëdhënieve ndërkombëtare, por edhe të zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore në botë. Gjithashtu është dikush, që flet vazhdimisht hapur në media për problemet e mëdha, që ka rruzulli. Një kritik i përhershëm i Shtëpisë së Bardhë dhe i Izraelit, ky profesor amerikano-hebre njihet në botë, si një nga njerëzit që duhen dëgjuar, kur bëhet fjala për parandalimet e konflikteve në botë.

Ka mbi dy vjet, që e ndjek rregullisht dhe kam mësuar shumë rreth gjendjes së sotme në Botë prej tij.

Dje, çuditërisht, Saks ishte gjatë një interviste në një podcast të Napolitano (del rregullisht në të) gati në pozicion të kundërt me mua për takimin tresh Trump -Xi - Putin. E dëgjova me vëmendje për të kuptuar se ku kisha gabuar unë në shkrimin dhe podcastin tim të djeshëm. Për fat të keq, m’u duk se nuk kisha qënë unë, por profesor Saks, që po gabonte. Ndoshta jo plotësisht, por gjithsesi po gabonte.

Në të kundërt të shumë mediave europiane dhe amerikane, Xhefri e quante takimin shumë të rëndësishëm, si shënjë të fillimit të Diplomacisë dhe jo të Konfrontimit në këtë botë kaq të trazuar, e cila sipas tij, po afrohet gjithnjë dhe më shumë në pragun e një Lufte Bërthamore.

Edhe pse jam shumë në anën e Paqes dhe të Diplomacisë, mua m’u duk se takimi dhe deklarata e përbashkët e tyre, nuk ishte asnjë garanci për Paqen në botë. Madje as edhe një garanci se qasja diplomatike ndaj konflikteve do vazhdojë nga Shtëpia e Bardhë dhe Moska. Ndoshta Pekini mund të mundohet edhe në vitet e ardhme të fitojë terren dhe kohë nëpërmjet përpjekjeve diplomatike, por asgjë më shumë se kaq.

Shikimi i përgjithshëm i Saks ishte pak a shumë: “Lereni diplomacinë të veprojë dhe mos kritikoni takimet mes udhëheqësve, ku thuhen gjërat e duhura dhe premtohet se do bëhen gjërat e duhura!”

Veçanërisht ai i quante zërat në mediat e rëndësishme botërore, si të nxitura nga qarqet industrialo-militariste, të cilat janë për luftërat e përhershme.

Pa ditur se ç’artikuj kishte “NY Times”, “Washington Post” apo “Wall Street Journal”, vetë mendoj se Saks gabon, kur i jep rëndësi më tepër se sa duhet një takimi të dështuar, prej të cilit sipas mendimit tim, fituan vetëm Putin dhe Xi. Edhe pse nuk ka të krahasuar me lëshimet që i bëri kryeministri anglez Cambërlen Hitlerit më 1938, takim që nga shumë u vlerësua si një diplomaci e shkëlqyer, them se nuk është diplomaci kjo, që i bën lëshime Putin në raport me Ukrainën, për të marrë prej tij vetëm sigurinë, që do shtojë prodhimin e naftës dhe mund të ndikojë pak tek Irani (edhe kjo jo zyrtare). Nuk është fjala, që të kërcënosh Rusinë, por t’i ëremtosh se do i heqësh sanksionet ekonomike në këmbim të asgjëje, ky për mua është një lloj kapitullimi, ndaj një Autokrati, i cili nuk është sot në ditën e tij më të mirë.

Pa llogaritur injorimin e plotë të BE-së, takimi trepalësh, në një farë mënyrë ligjëronte, që sot Bota drejtohet nga një Klloun, nga një Autokrat dhe nga një Diktator. Nga këta duhet pritur të vendosin për OKB-në, për fatet e garave bërthamore dhe për ndarjen e influencave në rajone të ndryshme.

Krejtësisht e papranueshme dhe që injoron realitetin e vërtetë të forcave në Botë dhe veçanërisht të Demokracive.

Ka një prirje tepër të rrezikshme ideologjike në Botë, e cila ka si bazë devizën “Liria nuk është kompatibël me demokracinë“. Unë e di , që profesor Saks nuk është mbështetës i saj, por edhe takimi trepalësh, ka nuancat e një ideologjie të tillë - “Le t’i lëmë mënjanë forcat demokratike , se janë të dobëta dhe nuk i sjellin ndonjë të mirë Njerëzimit. Le të gjejmë mirkuptimin , ne të Plotfuqishmit!”

Ndaj besoj se Xhefri saks gabon rëndë këtë rradhë, edhe pse i besoj për thuajse 95% të atyre , që thotë dhe skruan.


Friday, 20 November 2026

Ku të të gjej ty, Di Lana?!


Para një jave, një miku im, i cili nbuk e ka njohur Kryetarin e Kuvendit, më bëri vërejtje se po i kushtoja shumë rëndësi Foti Kokerit dhe nuk shkruaja më për Di Lanan. As unë nuk e di pse më ishte fshirë nga mendja i njohuri i im i paraemigrimit, të cilin e kisha “dajakosur” goxha për 13-14 vjet. Ndoshta se me mbylljen e “Korçadha”, bëmat e tij kishin hyrë në Historinë e Letërsisë Shqipe dhe nuk kisha ç’të shtoja më.

Ka të ngjarë, që socialistët-konspiracionistë dhe anti-socialistët jokonspiracionistë të mendojnë se unë jam “shitur”, ose pas dështimit të Revolucionit Flamingo kam kuptuar se është e kotë të konkuroj në Korçë për Kryetar Bashkie, ndaj kam ndryshuar “objektivin” e sulmeve të mija të paprincipta.

Ndoshta ka të drejtë edhe një socialiste e thekur dhe e nderçme, që në qershor shkruante në rrjetet sociale, se “Naum Mara është ndër ata intelektualët pa shtyllë kurrizore, që entusiazmohej nga shoqëria me Peleshin, në kohën kur arkitektë të tjerë korçarë përlesheshin fyt më fyt me të.” (Asaj sikur i vinte edhe si nakati nga këta lloj intelektualësh, që përfaqësoheshin nga unë.) Unë e hodha menjëherë poshtë këtë, se nuk mund të quhem pa shtyllë kurrizore se nuk jam intelektual. Madje ja shpjegova dhe një mikut im antisocialist i thekur dhe luftarak, i cili e pyeti socialisten e nderçme në e kishte kuptuar si duhet shkrimin tim.

Si përfundim asgjë nuk u zgjidh dhe unë dy muaj më pas mbeta pa personazhin tim të preferuar, Pashahun e Republikës Vetëqeverisëse të Korçës, Niko Peleshi.

M’u kujtua sot, kur vërtitesha dyqaneve për të blerë ndonjë dhuratë për njerëzit e afërm me rastin e Krishtlindjeve. Si më të shumtët e burrave unë e kam shumë zët “shopping”, por duke qënë i divorcuar dhe i papërfshirë në ndonjë marëdhënie “amoroze” duhet t’i mbaroj këto punë vetë. Për masat e trupit këmbëve dhe kokës, i kam pyetur të tërë, por sa herë shikoj ndonjë gjë, të cilën m’a ha syri” dhe kontrolloj materialin nga është bërë më dalin najlon, spandeks, viskozë, dhe lloj lloj materialesh nga këto, që bëhen nga nafta dhe menjëherë tërhiqem. Jo se kam ndonjë kunj me Iranin apo me Arabinë Saudite, por se jam shumë “demode”. Besoj vetëm në të linjtat, në mëndafshet, pambukun dhe leshin. Le të më quajnë anakronik unë nuk dua të ble dhurata për fëmijët, që të kenë dalë nga industria kimike.

Por meazallah se gjej ndonjë gjë të mirë “Pe leshi”. Ose kur ka ndonjë vërtet të mirë janë shumë të shtrenjta. Kur ishim të vegjël mbja mend, që na vishnin edhe prej leshi të zakonshëm, edhe prej deveje, edhe prej merinosi, po tani të tëra janë bërë me shumë kët. Ka edhe kashmir, po si pensionist mendohem shumë herë për to.

Ndaj thërres:

Ku të të gjej ty Di Lana?!

Më mungon aq shumë. 

“Kllouni”, që po gjunjëzon Perëndimin


Ndoshta fyej të gjithë kllounët e Botës tani, që po e quaj Trump të tillë, por ky është kuptimi i keq i gaztorëve kllouna, gaztorëve bufonë dhe të gjithë palaçove të tjerë, që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë ende në këtë rruzull.

Takimi i fundit i tij me Xi dhe Putin ishte konfirmimi i dëshirës së një deliranti shumë të pasur, që kjo botë të sundohet gjithnjë e më shumë nga Diktatorët dhe Autokratët. Vjen nga një njeri, i cili ka përfituar aq shumë nga Demokracia amerikane, por duke qënë tepër injorant dhe arrogant, kujton se kjo ka ndodhur për shkak të aftësive dhe punës së tij. Eshtë tipiku i njerëzve, që mendojnë se kjo botë përbëhet nga “elitat” dhe ‘turmat” dhe të parat kanë plotësisht të drejtë të vendosin për gjithshka.

Në mënyrën më idiote të mundshme, në takimin tresh dhe në ato dyshe, ky njeri aksidentar në krye të vendit më të fuqishëm në Botë, bëri që Diktatori i Kinës dhe Autokrati i Rusisë të fitonin pikë faqe popujve të tyre dhe opinionit publik botëror. Në të kundërt, ai i uli prestigjin demokracisë amerikane dhe SHBA-së, si dhe veçanërisht demokracive liberale të Europës dhe të vendeve të tjera në botë.

Marëveshja prej katër pikash mes treshes, nuk kishte asnjë gjë të favorshme për Njerëzimin dhe gjithasashtu për publikun amerikan:

  • Ishte një sulm kundër Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, të cilën SHBA nuk e njeh, por që më shumë i vlente Putinit, i cili është i akuzuar nga kjo gjykatë.

  • Fliste për shamngien e një Lufte Bërthamore, por kjo është afërmendsh, se pikërisht pasja e armëve bërthamore në disa duar e ka parandaluar deri më sot shkatërrimin e Njerëzimit.

  • Prekte korrigjimin e OKB-së, që vërtet duhet të ndodhë, por jo se si e mendon Trump, Putin apo Xi.

  • Theksonte se duhen parandaluar vende të tjera për të pasur armë bërthamore, por pa prekur se ç’duhet të bëhet me mbushjet bërthamore ekzistuese.

Një marëveshje pa asgjë konkrete, pa afate dhe numura, për të cilën nuk duhet ndonjë përvojë e madhe politike ndërkombëtare, të konstatosh se është një vërë në ujë, veç konfirmimit të vullnetit të këtyre tre udhëheqësve, që Gjykata Ndërkombëtare të zhbëhet.

Por edhe pse një dokument pa asnjë vlerë, përsëri është një goditje për Demokracinë në përgjithësi, si forma më e mirë e mundshme e organizimit politik të vendeve në Botë. Përmban “kapadaillëkun” e tre fuqive botërore, të cilët i gënjen mendja se mund të vendosin vetë për fatet e popujve në botë.

Duhet të përmend, që jo vetëm Europa e Bashkuar është një forcë e madhe politike dhe ekonomike, e cila nuk mund të injorohet, por edhe vende si Japonia, Brazili, India, Kanadaja apo ndonjë tjetër, nuk janë më vende, fatet e të cilave mund të vendosen në një “Jaltë“ të re, si e krahasuan në mënyrë tejet të gabuar shumë analistë.

Marrëveshja e Jaltës mes Rusveltit, Stalinit, Curçillit, ishte një marëveshje e tre Fuqive të mëdha fituese të Luftës së Dytë, të cilat duke qënë të tilla, kishin të drejtën morale, që humbjet ekonomike dhe në njerëz, që kishin pësuar në një Luftë jo të nisur prej tyre, t’i kthenin në sfera ndikimi, nga të cilat edhe pse nuk do kishin rolin e kolonizatorit, do kishin përfitime të mëdha ekonomike dhe politike.

Në situatën e sotme nuk kemi aspak një Luftë dhe as fitues të saj. Kemi një humbës si Putin, që nuk po realizon dot fitoren mbi Ukrainën, një humbës si Trump, që jo vetëm ka ulje të ndjeshme të popullaritetit në botë dhe në Amerikë, por ka vetëm dy vjet të tjera në drejtim dhe një Xi-je, që ka të konsoliduar pushtetin brenda vendit të tij dhe kërkon t’a shtrijë më shumë në Azi dhe në Afrikë.

Sado të përpiqet “kllouni The Donald” si sukses për Amerikën, kjo e fundit nuk fitoi asgjë nga marëveshja. Askush nuk konfirmoi hapur, që kontrolli i SHBA-së mbi hemisferën Perëndimore pranohet nga të gjithë. Askush nuk deklaroi se do detyrojë Iranin të bëjë paqe. Askush nuk garantoi se lufta me Ukrainën do mbyllet së shpejti dhe kështu do stabilizohen tregjet e naftës.

Europa ( e cila ka gabuar vazhdimisht në këto 10 vjetët e fundit duke qënë pas qerres seë SHBA) duhet të kuptojë se është koha për të sulmuar totalisht jo vetëm Trump-in, por edhe NATO-n. Nuk duket aspak e logjikshme, që të shkohet me naivitetin se SHBA është garantuese e mbrojtjes sonë. Për më tepër është aq e mjegullt, se nga kush duhet të mbrohet Europa.

Bibi Netanjahu dhe sionistë të tjerë në Izrael kanë fërkuar duart për takimin, ndonëse edhe ata e dinë, që është një takim krej pa vlerë dhe pa ndonjë rezultat. Por ju shërben për t’ju rënë daulleve, se rreziku më i madh për botën e sotme është ai që vjen nga Islami radikal, një përrallë, që gjithnjë e më pak po besohet në botë.

Thursday, 19 November 2026

Gjyshi im, Petro Treska (fund)

 


(vijim)

Nga sa kam ditur dhe kuptuar për jetën e tim gjyshi, ai nuk ishte nga ata, që sot quhen “të suksesshëm” ose “të plotësuar”. Pas të 40-ve, kur kishte humbur familjen dhe dyqanin, ai mund të hynte në ata, që në Korçë quheshin “dorëhollë“. Por kishte mënçurinë dhe dinjitetin, që a mos jepej dhe mos i shtrinte dorën kujt. Nuk kishte asnjë “merak” se i vëllai, me të cilin kishin nisur tregëtinë dhe kishin pasur dyqanin, më vonë ishte bërë i pasur. Jetonin jo larg njëri tjetrit dhe i vëllai kishte tre shtëpi, ndërsa im gjysh rronte në një shtëpi me qera dhe mbante edhe pleqtë, ndonëse ishte më i madhi i djemve. Me të donte të shkonte pleqërinë e jëma.

Marëdhëniet me familjen e të vëllait ishin shumë të afërta dhe nipërit dhe mbesat e donin po aq sa donin edhe të jatin. Edhe fëmijëve të tij, që ndonjëherë e pyesnin se pse kishin atë diferencë ekonomike, ju theshte, që i vëllai ishte më i zoti për tregëti dhe nuk i kishte ngrënë ndonjëherë hakun. Madje edhe të motrave në Amerikë nuk ju kërkonte ta ndihmonin , por ato herë herë ju dërgonin të vëllezërve, sepse ishin të lidhura me familjen.

Por a të bën “të suksesshëm” në jetë pasuria?

Sigurisht, që Petro Treska nuk ishte kundër parave dhe nuk kishte vese nga ato, që të bëjnë të humbësh pasurinë. Ishte shumë familjar dhe me idenë, që fëmijët duhet të ushqehen sa më mirë dhe të jenë të ndershëm, sepse ato janë gjërat kryesore në jetë. Mamaja më tregonte, se nuk e “çante kokën” të na pyeste për mësimet edhe pse e dinte, që ishim nga të parët në klasat tona. E dinte , që arsimimi ishte i domosdoshëm, por gjithashtu, që në jetë duhej shumë punë, por edhe fat. Të katër fëmijët, dy se ishin martuar dhe dy më të vegjlit, se donin të ndihmonin familjen, nuk shkuan në universitet. Në kohën kur mund të studionin më lart, i jati ishte afër të 70-ve dhe atyre ju duhej të punonin për jetuar të gjithë më mirë.

Në vështrimin tim, Peçi ishte shumë më “i suksesshëm” se shumë burra të moshës së tij, që kishin dyqan, shtëpi dhe para. Kishte nisur jetën nga fillimi në moshën 40 vjeçare dhe pat krijuar një familje shumë të mirë, me njerëz të vërtetë, që nderoheshin kudo, që ishin të pranishëm. Por asnjëherë nuk ishin të bujshëm, sepse e dinin, që ishte nga gjërat, që i jati urrente më shumë.

Nënës sime, kur u fejua me Andon Marën i thoshte : “Po ky djalë i mënçur dhe i shkolluar, si edhe i pashëm ç’të pëlqeu ty?!” Mamaja, e gëzuar nga fjalët e të jatit, që e vlerësonte aq shumë dhëndërin i përgjigjej:” E po ku e di unë o baba, ja që i pëlqeva!” E dinte gjithashtu, që i jati “linte kokën” për të katër fëmijët, por nuk donte kurrë, që t’ju hynte vetja në qejf.

Vazhdoi me këmbëngulje të punonte deri në vitet e fundit të jetës në kisha e Shën Dëllisë, pa u ankuar, pa kërkuar kurrë ndonjë përkujdesje nga të tjerët. Në vitin 1959, kur ishte 79 vjeç mori edhe një goditje tjetër. Vdiq në moshën 59 vjeçare, gjyshja ime Sofia, me të cilën kishte kaluar 28 vjet përpjekjesh, por edhe gëzimesh. Nuk e dha veten, por e nisi të tatëpjetën e fundit.

Muajin e fundit të jetës “zuri këndin” dhe filloi të shuhej ngadalë edhe pse mjekët theshin, që e ka nga pleqëria se nuk ka ndonjë sëmundje, që arrijmë ta dallojmë. Një natë para se të ikte, i tha vajzës së madhe, Ollgës, “Nesër mos shko në punë, se është dita, që do ik!” Ishin pranë tij të tre fëmijët, (vajzës së dytë i kishte dërguar haber mos vinte se jetonte në Kukës dhe kishte fëmijë të vegjël) dhe i shikonte nëë sy pa u ankuar, pa dashur t’i dëshpëronte. E quante se po lante borxhin kryesor, që kishte në këtë jetë.

Dukej se po ndjehej mirë se ju tha: “ Po ç’bëra, që i thashë Ollgës të linte punën! Nuk më duket se jam për të ikur sot!” Dy orë më pas, ju shkoi dorën dy anëve të mustaqeve dhe iku nga kjo botë i qetë, pa u ankuar dhe pa brenga.

E përcollën në varreza në një procesion me në krye Dhespotin, meqë i kishte shërbyer gjatë kishës, por po ta kishin pyetur me siguri, që nuk do kishte dashur një “madhrillëk” të tillë.

Këto ishin disa nga ato pak gjëra, që di për gjyshin tim, Petro Treska.


Ne foto- Tezeja ime Ollge Treska (Pallanguri) dhe pese niper e mbesa te Petro Treskes.

Gjyshi im, Petro Treska


Nuk kam një fotografi të gjyshit tim nga ana e nënës. E kam parë një të vogël të tij, që ime më e mbante në një çantë të saj, por isha i vogël dhe nuk ja kujtoj mirë tiparet. Edhe fotoja ishte e vogël dhe ndoshta ishte e hequr nga ndonjë letër-njoftimi, pasi ishte ndarë nga jeta.

Ka qënë i vetmi nga të katër prindët e prindërve të mij, që më ka mbajtur në prehër, kur isha 4-5 muajsh. Më pas edhe ai ju ishte bashkuar të tjerëve,në atë botë, që të rriturit e quanin në një mënyrë të thjeshtëzuar “e të shumtëve”.

Më pas kisha dëgjuar me shumë vëmendje, kur flitej për të, sepse edhe mbesat e tij, që ishin edhe ato të moshuar, kur unë isha fëmijë, theshin për mua: “Ky i ngjet Peçit!” Ndoshta jo nga pamja, por se ato e kishin ende në kujtesën e tyre, si njeriu më “i kënduar” i familjes dhe njëkohësisht edhe i thjeshtë dhe i prerë.

Pat patur një jetë të vështirë, por i kishte përballur me shumë forcë, dinjitet dhe stoicizëm goditjet e rënda në jetë. Kishte ikur 15 vjeç në Amerikë “për të bërë para” me të vëllanë 13 vjeçar dhe ishin kthyer pas dy tre vjetësh dhe kishin hapur një bakallhanë në Qesarakë, jo shumë larg fshatit të tyre të Treskës. Vite më vonë, pasi ishte martuar dhe bërë me fëmijë, dyqani ishte djegur dhe kishin mbetur keq ekonomikisht. Kishin ardhur në Korçë të gjithë dhe më pas kishte humbur gruan dhe tre fëmijët nga tuberkulozi.

Kishte bërë filloren greke dhe njëkohësisht ishte edhe shumë fetar, por nuk di nëse besimi në Zoti, apo karakteri i formuar në malësinë e Vakëfeve e kishte bërë të fortë. I mbetur i ve dhe pa fëmijët , kur ishte 40 vjeç, u martua sërish me gjyshen time, të cilës i kishte vdekur pas dy vitesh martese i shoqi.

Shpesh e mendoj se sa e vështirë duhet të ketë qënë për dikë, që punon shumë dhe goditet ekonomikisht, t’i shuhet familja dhe njëkohësisht të ringrihet në një moshë, që asokohe, quhej shumë e avancuar. Por u bë sërish baba 4 herë të tjera dhe rriti fëmijë të zgjuar, punëtorë dhe të ndershëm.

Po cili ishte vërtet Petro Treska, të cilit kur fëmijët në vitet ‘50 i theshin, që në vend po ngrihet Demokraci, ju përgjigjej “Kjo është Tromokraci (terror) jo Demokraci!”?

Të gjithë fëmijët kishin qënë në anën e “nacional-çlirimtares”, por jo nga të “pararojës” dhe më pas mbetën njerëz të mënçur dhe të kushtuar pas familjeve, por që nuk duronin dot hipokrizinë e njerëzve, që shiteshin për ata, që nuk ishin. Sigurisht që shumë ndikim kishte patur edhe e jëma e tyre, që pëlqente të theshte: “Unë jam me Fan Nolin, se me të i kam vëllezërit në Amerikë“. Po dhe atë e qesëndiste im gjysh, që i toshte “Po lere dhe juve shqiptarët e Fan Nolit do e ndrisni!” Kishte parë shumë në jetë dhe kjo e kishte bërë skeptik. Do kishte emigruar familisht në Amerikë në vitet ‘20, por pat këmbëngulur e jëma që të mos ikte, se i kishte dy çupa të martuara në Amerikë dhe i pikonte zëmra për to.

Bëri gjithshka, që dinte të bënte, për të mbajtur familjen, duke hapur herë herë nga një dyqan të vogël dhe deri në qepjen e rrobave prej shajaku për fshatarët. Para Luftës së Dytë nisi të punojë si psallt dhe kishtar, kryesisht në Kishën e Shën Dëllisë. Ishte i përkushtuar për ceremonitë fetare, të cilat i njihte shumë mirë, por edhe i zhgënjyer nga priftërinjtë. Tundte kokën në shtëpi dhe theshte; “Po ç’priftërinj janë këta, që zihen kur ndajnë meshët!”

Më ra në sy, gjatë leximit të një libri të një të afërmit tim, që gjyshin tim e ka të vëllanë e gjyshit të tij, që e përmendte dy tre herë, por pa i zënë në gojë emrin. Ai ka qënë 25 vjeçar, kur gjyshi im ka ndërruar jetë dhe e ka njohur besoj mirë, përveç, që mund të ketë dëgjuar edhe prej prindërve të tij për të. Në një episod e përmendte si dikë, që kundërshtonte në kohën e Italisë të dëgjohej Radio Vatikani dhe në një rast tjetër, si njeri i Kishës, por që ankohej shpesh për priftërinjtë. Nuk kishte dashamirësi në ato përmendje, por nuk di dhe se sa kishte vërtetësi. Nga të mijtë, por dhe nga të tjerë të afërt, kisha dëgjuar, që ishte njeri i drejtë, që kishte “tmerr” të dëgjonte mburrje, por dhe që nuk fliste shumë dhe aq më pak vend e pavend. Në një letër, që im atë i dërgonte sime mëje, kur ishte ushtar, i kërkonte edhe letër “nga pateraqi, qoftë dhe greqisht”. Dhe im atë, nuk ishte dikush, që impresionohej lehtë nga njerëzit dhe nga zgjuarsia e tyre.

(vijon)


Tuesday, 17 November 2026

Ne jemi nacionalista, shokë të Enverit (fund)

 


(vijim)

Po ku është e keqja e këtij nacionalizmi të verbër, që në titull, po ja atribuoj kryesisht sho Enver?

Po e përsërit brenda shkrimit, që Hoxha nuk ishte as patriot dhe as nacionalist i verbër apo me sytë e hapur. Duke qënë Diktator dhe pasi e mësoi “artin e Diktatorit” duke parë Stalinin, Musolinin, Hitlerin dhe të tjerë diktatorë të shekullit të XX, në varësi të fazave të pushtetit të tij ai ndërtoi “mitin” e Partisë së pagabueshme, që ishte Ai vetë. Pak a shumë si tek Majakovski : “Ne themi partia dhe mendojmë Lenini, ne themi Lenini dhe kemi thënë Partia”. Ai e dinte, që represioni i shoqëruar me propagandë aktive i bën njerëzit të mendojnë se vërtet - “Shqipëria është fener i marksizëm-leninizmit”, “Enver Hoxha është ndër burrat e shtetit më të zotë në botë“, “Popujt në botë mezi presin të dalin në gjuhët e tyre veprat e sho Enver” dhe përralla të tjera, që i bëjnë të paditurit të ndjehen krenarë. Shumë të rinj të vendit të izoluar ndjeheshin krenarë, që kishin lindur në Shqipëri dhe për më tepër në kohën e prijësit Hoxha. Në pjesën më të madhe, kujet histerike kur vdiq Udhëheqësi ishin të vërteta.

Por popujt e varfër dhe të vegjël kanë nevojë për “mite” të tjera, kur bie një mit, sikundër i ndodhi shqiptarëve në vitin 1991. Eshtë domosdoshmëri për mos u ndjerë i vogël dhe i përbuzur.

Këtu merr vrull “miti” i përkundur gjatë Diktaturës, se ne jemi një popull i vjetër, trim dhe liridashës. Dhe i shtohen edhe shtresa të tjera, ato të njerëzve të shquar, që kemi nxjerrë , të të qënit gjuha mbi gjuhët dhe të krijimit të mitologjisë greke, e cial u përvetësua nga të ardhurit rishmë.

Nuk di të them nëse ata që janë në pararojë të këture teorive janë sharlatanë apo kaqolë, por vetëm di, që gëzojnë një emër shumë të mirë mes shqiptarëve të trojeve tona, si dhe atyre të Diasporës. Nuk di se sa përplasen në platforma dixhitale me sërbët, grekët apo me ballkanas të tjerë, se nuk kam qënë i pranishëm në të tilla, por besoj se ndodh në stil të gjërë, sepse mes grekëve, sërbve, malazezve dhe maqedonasve ka sa të duash idiotë të ngjashëm.

Mbushja e shesheve të vendbanimeve shqiptare me lapidare, buste dhe shtatore ishte vepër e Partisë së Punës, që donte të përjetësonte idenë se 29 nëntori i vitit 1944 ishte viti 0. Por kjo mendësi mbetet edhe sot, ku vërtet shumë skulptura janë hequr dh eshumë lapidarë janë rrënuar, por tentohen të ngrihen të tjera, të historisë së vjetër dhe të historisë moderne të Shqipërisë. Nuk jam i sigurt, nëse ndodh e njëjta gjë në Kosovë, por trembem se dhe atje ka ngjashmëri. Nisem edhe nga nritja e shtatores së Klintonit , që në gjallje të tij, që është një tjetër cilësi e popujve të vegjël dhe që nuk janë të sigurt për vlerat e tyre.

Historia, ngjarjet historike dhe përkujtimi i tyre si dhe e figurave qëndrore nuk duhet të jenë në varësi të emocioneve apo më keq e politikave të çastit. Ndërgjegja kolektive duhet të jetë shumë e ftohtë dhe e matur për to. Nuk vjen asnjë e mirë për një popull që “të fryhet” për më shumë se ç’është, apo edhe për t’i rënë daulleve të “nacionalizmit” më shumë se sa duhet. Në rastin më të mirë është një ndjenjë e rreme, nga e cila një ditë gdhihesh i zhgënjyer, por në rastin më të keq zgjohesh me armiqësi të panevojshme.

Kohët janë të tilla, kur “nacionalizmi i verbër” është rritur shumë në të gjithë Europën dhe veçanërisht ballkanikët shquhen në këtë drejtim. Nuk do shumë mend të shohësh se si e përdorin atë izraelitët, turqit dhe grekët, që po përfshihen në këmbime fjalësh të ashpra për Mesdheun lindor. Interesat janë të zonave naftëmbajtëse në det, por të gjithë i janë drejtuar Historisë, Biblës dhe Kuranit, për të evokuar lavditë e tyre dhe kontributin në Historinë e Njerëzimit. Erdogani ka kohë që ngjall nostalgjinë e Perandorisë Otomane tek turqit, grekët kanë 200 vjet që mburren me Greqinë e Lashtë dhe periudhat helenike, ndprsa hebrejtë tundin librin më të njohur në botë, Dhjatën e Vjetër, për të përligjur qëllimet e tyre ekspansioniste.

A duhet të kemi edhe ne turravrapin e tyre për të mos mbetur pas?

Unë them se është tërësisht e gabuar, se ai të shpie në “sherre të përhershme” dhe në shtimin e rrezikut të konflikteve të armatosura.

A na i ka fajin sërish sho Enver?

Nukk është pa faj, se ndenji 40 vjet në krye të vendit, dhe në periudhën e fundit e “yshti” nacionalizmin, por në dallim nga shumë shqipttarë të tjerë, të zotë dhe të pazotë, nuk ishte aspak patriot.

Ne jemi nacionalista, shokë të Enverit (3)


 (vijim)

Eshtë e logjikshme, që nacionalizmi ka si bazë padijen dhe njëkohësisht propagandën e qeverive, partive dhe institucioneve arsimore dhe shkencore. Duke pasur traditën Rilindase, që qëllimisht theksonte një të kaluar të lavdishme dhe një epërsi të kombit tonë (ishte një kohë kur Shqipëria nxirrte vetëm trima dhe luanë), në kohëne shtetit “fëminor” shqiptar të pas vitit 1920, pati shumë pak studime shkencore historike, që të pasqyronin me vërtetësi fazat historike të shoqërisë shqiptare. Madje duket se tek Noli dhe Konica (dy patriotë të vërtetë) gjejmë më shumë kritika për Shqipërinë dhe shqiptarët, se në shumë e shumë njerëz të tjerë të letrave tona. Naltmadhënia nuk luante ndonjë rol të madh në nxitjen e instituteve shkencore, sepse edhe vetë nuk ishte shumë i kënduar, ndaj shkrimet historiko-filologjike mbeteshin pronë kreysisht e klerikëve katolikë të veriut dhe të individëve të veçantë të trevave të ndryshme shqiptare. Katolikët e veriut kishin në natyrën e tyre një lloj ekzagjerimi të vlerave, që ndonjëherë kalonte edhe në mburrje. Ndaj mund të kenë qënë më selektivë në pasqyrimin e ngjarjeve të trojeve shqiptare veçanërisht atyre të mijëvjeçarit të dytë pas Krishtit. Ekzagjerimet (një lloj tradite, që në kohën e Barletit) kishte në veprën e Fishtës, Mjedës, Gjeçovit, njëkohësisht tek ta mund të ketë filluar edhe fshehja e disa fakteve historike të kulturës së Komanit për shembull. Ka dëshmi se në objektet arkeologjike, të cilat nuk ekspozohen, në iventaret e Muzeve Historikë dhe Arkeologjikë, ka skulptura të vogla dhe vizatime në qeramikë, që dëshmojnë për marëdhënie homoseksuale tek ilirët. Fshjehje të tilla, që dëshmojnë qasjen joshkencore të studiuesve tanë, mund të jenë bërë edhe për dokumente të tëra, që reflektojnë cilësitë e shqiptarëve si etni, por dhe historitë e veçanta. Por edhe kur u krijuan institutet e albanologjisë dhe historisë në kohë më të vona, nuk kishte aspak objektivitet, por përshtatje të historisë sipas marëdhënieve të Hoxhës me të huajt dhe më pas një lloj nacionalizmi, që nuk mund të pranonte as një të metë të shqiptarëve dhe figurave kryesore të tyre.

Kjo u përcoll në tekstet shkollore të tëgjitha niveleve, sa edhe mësuesit e Historisë të shkollave të mesme nuk dinin sgjë të saktë rreth historisë së Shqipërisë dhe të figurave të saj. Ato kohë mund të mësoje ndonjë gjë vetëm nga studiues seriozë në biseda private. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët nuk dinë të vërtetat e atentatit të Esad Pashës dhe të atytre ndaj Ahmet Zogut, për të prekur vetëm diçka tepër tepër të vogël të historisë të një Kombi. Para dy javësh shihja në një shkrim për Avni Rustemin në një gazetë shqiptare online, i shoqëruar me një foto të Avniut me shënja në fytyrë dhe që kishte shpjegimin: “Heroi i torturuar nga policia franceze pas atentatit ndaj Esad pashës”. Avniun e kapën kalimtarët që panë atentatin dhe e shtruan në dru ndërsa policia franceze ja u hoqi nga duart.

Dua të them, që kemi mësuar një Histori tepër të cunguar dhe të shtrembëruara dhe ka të ngjarë, që tekstet e sotme të shkollave shqiptare të kenë mangësi të ngjashme. Ndaj nuk mund të bëhen faj brezate ardhur veçanërisht pas Diktaturës për përqafimin e një “nacionalizmi folklorik”, që emocionohet së tepërmi nga këngët për Idriz Seferin, Shote Galicën, Ismail Qemalin madje edhe nga kënga arbëreshe “Moj e bukura More”.

Po hap një parantezë për këtë këngë të bukur, që ekzalton nga Niko Peleshin kur e këndon me Inva Mulën dhe deri tek fëmijë dhe të rinj, në mbrëmjet e mbajtuar për 28 nëntorin në Amerikën e Veriut.

Shumica dërmuese e shqiptarëve nuk e dinë, që Moreja është një territor i madh, kryesisht në Peloponez, por dhe pak në veri të tij. Arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë, që kishin ikur nga Moreja dora dorës prej shekullit të XIV, i kënduan atyre vendeve të bukura ku kishin lënë shtëpitë, ullinjtë dhe nënën dhe vëllanë. Kishin rreth dy shekuj, që ishin vendosur në trojet e quajtura More pasi krerët bizantinë i kishin thirrur të popullonin ato troje, ku vendasit kishin mbetur me kokrra, kryesisht për shkak të Murtajës së Madhe (Black Death) të shekujve XII dhe XIII. Arbërit nga disa krahina të trojeve të sotme shqiptare dhe ndoshta dhe të Camërisë kishin pranuar kushtet e favorshme, që ju ishin ofruar dhe një pjesë mbetën gjatë 9 shekujve atje. Kënga është interpretuar gjithnjë sikur arbëreshët po qanin në breg të Adriatikut për Krujën dhe Shijakun. Mund të ketë pasur edhe këngë malli për to, madje edhe për Sinën, por fakt është që përmendet Moreja dhe jo Arbëria.

(vijon)

Ne jemi nacionalista, shokë të Enverit (2)

 


(vijim)

Përgjithësisht ata , që identifikoheshin si “të besuarit e Partisë“ dhe që ishin edhe të paturp vrapuan nën hijen e Flamurit, njëkohësisht edhe duke kritikuar “kozmopolitizmin”, “Europën kurvë“ dhe natyrshëm Turqinë, Greqinë dhe Sërbinë. Të gjithë fajtorët për padrejtësitë, që na ishin bërë si popull dhe që na kishin lënë pas. Herë herë përmendnin edhe se “Enveri vërtet , që vrau ca, por për Shqipërinë linte kokën!” Përralla e “bacë Enverit’, qarkullonte edhe në disa pjesë të shoqërisë kosovare, veçanërisht ata, që nuk dinin për masakrat e shqiptarëve kundër shqiptarëve, gjatë hyrjes së brigadave çlirimtare për të ndihmuar ushtrinë e Titos. Enver Hoxha nuk pat qënë kurrë patriot, por për të mbajtur pushtetin e tij personal mund të vishte çdo lloj kostumi.

Deri në fundin e viteve ‘60, çështjet e Kosovës dhe Camërisë nuk prekeshin fare as në “Zëri i Popullit” dhe as në Kongreset apo në Plemiumet programatike të Partisë së Punës. Madje kishte dhe një hije dyshimi mbi kosovarët nga shumë shtresa të qyteteve, ndërsa në fshatrat e Shqipërisë së Jugut njerëzit thuajse nuk kishin asnjë ndjeshmëri për pjesën e veriut të Shqipërisë të mbetur jashtë kufijve të vitit 1913.

Dukej se Berisha, si i ardhur nga malësitë e Tropojës, do ishte më i ndjeshëm për çështjen e Kosovës, se sa Nanoja dhe “socialistët” e tjerë, që i binin gjoksit për Shqipërinë, por që duke qënë pjesë të Partisë së Punës, udhëzimet e të cilës kishin patur kontradiktën për të dalluar popullin nga proletariati dhe patriotizmin nga internacionalizmi proletar, kishin trashëguar këtë , që po e quaj “nacionalizmin enverist”. Por edhe Berisha, ndonëse në retorikë dukej shumë patriot i flakët për Kosovën dhe Camërinë dëshmoi se edhe ai mendonte vetëm për atë, që i shkonte për shtat pushtetit të tij personal. Që nuk i bëhej vonë për Shqipërinë e tregoi më 1997, por edhe më vonë në mbajtjen e krahëve të ndryshme të shoqërisë kosovare, në varësi se kush ishte me socialistët e Nanos. E gjithë ajo kontradiktë u përcoll edhe në vrasjet e Kosovës, ku kishte krahë politikë, tregëti armësh, vjedhje masive dhe ku u shfaq edhe patriotizmi i rremë i një pjese të tropojanëve.

Pra “patriotizmi i Esad Pashës”, që i njihte mirë valutat e huaja, ishte përcjellë në shumë udhëheqës shqiptarë prej Hoxhës dhe më tej. (Tek Hoxha valuta ishin mbështetja për të ndenjur në fron). Pat shpëtuar nga ajo sëmundje Ahmet Zogolli, nipi i Esadit, por dhe ai kishte futur duart në “arkat e shtetit shqiptar” dhe ndonëse jo me akte të qarta tradhëtie ndaj çështjes shqiptare nuk ishte dhe ai një patriot i kulluar.

“Tironsit” e tipit Nano, Pashko, Rama dhe ndonjë tjetër nuk e vrisnin shumë për “çështjen kombëtare”, pasi kishin edhe një natyrë personale disi më kozmopolite, por për “t’rrejt katundarët”, sigurisht që do e tundnin nga pak flamurin. Dhe në të njëjtën mënyrë do e ndiqnin edhe ndjekësit e tyre.

Tek emigrantët në Amerikën e Veriut (ata të pas ‘90) shihen disa lloje patriotizmi/nacionalizmi. Duke qënë qytetarë të dy vendeve me popullsi të madhe emigrantësh, dashuria për Atdheun dhe mbështetja e tij vjen në disa lloj mënyrash. Ka nga ata, që vërtet kanë mall për vendin, njerëzit, gjuhën dhe mundohen t’ja u përcjellin të njëjtat ndjenja edhe pasardhësve; ka nga ata, që dashurinë për Shqipërinë e kanë të përzjerë me një ndjenjë epërsie si europianë të bardhë dhe e kanë të shoqëruar me racizëm ndaj njerëzve me ngjyrë; si dhe nga ata që ende mendojnë se ne jemi shumë të ve]antë dhe nga gjuha jonë kanë rrjedhur edhe të tjerat hindo-europiane, si dhe kemi nxjerrë shumë figura botërore, të cilat na i kanë “vjedhur” të tjerët.

(vijon)

Monday, 16 November 2026

Ne jemi nacionalista, shokë të Enverit


Gaqoja i Mitit kishte parë shumë në jetë dhe ndonëse jo me shumë shkollë kishte një nuhatje të mirë për politikën dhe shoqërinë shqiptare të kohës së Diktaturës, por edhe pas saj. Pasi kishte “rënë nga fiku” Partia e Punës dhe ishin larguar nga gojët e konformistëve të përhershëm parrullat “për ideal”, “filozofia marksiste leniniste” dhe “internacionalizmi proletar” një ditë të vitit ‘91 ose ‘92. kur e takova më tha: “Tani ka dalë një e re, e Shqipërisë etnike. Do marrim Kosovën, Camërinë, ç’është rreth e rrotull Athinës dhe një pjesë të Bostonit. Troje shqiptare.”

U ndamë unë duke qeshur dhe ai serioz, se nuk qeshte kur tallej. Edhe unë nuk i pëlqeja “fluturimet nacionaliste”, që po ngjalleshin gjithnjë dhe më tepër në kohën e ndryshimit të sistemit politiko-shoqëror. Për më tepër shihja se “nacionalistët më të zjarrtë“ po bëheshin ata, që kishin kryer krime ndaj shqiptarëve të përndjekur.

Por nacionalizmi pat qënë shumë i pranishëm në Shqipëri prej vitit 1960. pasi kishte kaluar koha e “bratsvo-jedinstvo” (bashkim-vëllazërim) dhe e “kampit socialist të udhëhequr nga Bashkimi i lavdishëm Sovjetik”, sho Enver i ishte kthyer një “nacionalizmi socialist”, të cilin nuk e quante të tillë, për të mos u ngatërruar me nacional-socialistët e Hitlerit. Nuk i prishte shumë punë as miqësia me Kinës, sepse në vitet e revolucionit Kulturor, vetë kinezët ishin kthyer në nacionalistë dhe ksenofobë. Ndaj edhe pse këndonin “internacionalen” në Kongrese, enveristët nuk kishin aspak të bënin me të huajt, qofshin parti të majta, por edhe të ekstremit të majtë sikundër ishin partitë komuniste europiane.

Në fundin e viteve ‘60, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, e gjithë propaganda zyrtare ishte për “Shqipërinë, që e kishte çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë“. Më vonë u shtuan këmbimet arsimore dhe kulturore me Prishtinën, që kishin qënë të pezulluara, që kur ishim prishur me Titon. Në demonstratat e të rinjve shqiptarë në Kosovë, qeveri e Shqipërisë u propnoncua në favor të tyre edhe pse kishte frikën se mos nisnin protesta të ngjashme në Universitetin e Tiranës.

Të shoqëruara edhe me shumë vepra letrare të profilit historiko-patriotik, brezi i të lindurve pas Luftës së Dytë e kishte më të fortë ndjenjën patriotike se brezat e mëparshëm, ndonëse duhet të dallojmë se ku niste patriotizmi dhe ku vazhdonte nacionalizmi.

Dua të them, që ndryshimi i sitemit edhe pse me thirrjen “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, e gjeti shoqërinë shqiptare me një ndjenjë të dyfishtë inferioriteti për gjendjen e varfër të shkaktuar nga izolimi, por dhe me një krenari deri diku boshe “ne jemi ndër më të vjetrit në Europë, por gjithnjë na e kanë ngrënë hakun të huajt”.

Kompleksi i inferioritetit lehtë kthehet në delire nacionaliste dhe sidomos për shkak të keqtrajtimit , që ju bë emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe në Itali, tek ne ndodhi si reaksion kapja pas Flamurit, gjuhës dhe historive të ekzagjeruara. Eshtë krejt e natyrshme për t’i shpëtuar asimilimit, edhe pse mund të ketë pjesë të vogla të emigrantëve shqiptarë në këto dy vend, që nuk donin t’ja dinin më për Shqipërinë, “flamurin me shkabë“ dhe në ndonjë rast edhe për gjuhën. Por pjesa më e madhe identifikuan keqtrajtimin, që ju bënte një pjesë e shoqërisë greke dhe italiane, me Greqinë dhe Italinë. Për fat të keq, harruan se ishte kryesisht përgjegjësia e qeverive shqiptare, që emigrantët tanë në këto vende nuk gëzonin të drejta të barabarta me vendasit, madje dhe me emigrantë nga vende të tjera europiane. Gjithmonë e kemi të lehtë ta gjemë fajin tek të tjerët dhe të “mos ju shkulim dhëmbët” ambasadave tona, qeveritarëve, që vizitonin vendet fqinjë apo edhe të dëshmonim në zgjedhje, se ishim të pakënaqur nga Berisha, Nanoja apo të tjerë më vonë.

Kështu kalohet nga patriotizmi dhe dashuria për Atdheun dhe njëri tjetrin, tek nacionalizmi i verbër, që të bën të urresh popujt e tjerë.

(vijon)

Eunukët flasin



Dikur Sanatoriumi ishte pas një dere të madhe metalike, në fund të një rruge me kalldrëm. Nuk di nëse nga emri i frikshëm i tuberkulozit, apo se im atë kur nuk haja mirë më thërriste :”Ha se nuk kemi ndërmend të të shpiem në Santorium!” kisha një ndjenjë frike për atë ç’ka fshihej pas asaj porte të madhe metalike më duket se në një ngjyrë bojëqielli. Në vitet ‘60 kishte ende shumë të sëmurë me “oftikë“ që shtroheshin në Sanatoriumin e Korçës, i cili kishte një emër shumë të mirë. Mbase edhe nga mjekët e mirënjohur Ilia Papakozma dhe Taqi Skëndi, që kryesonin ekipin mjekësor të atij institucioni.

Deri në njëfarë viti ishte një spital i i pavarur nga spitali “Teni Konomi”. Më vonë ishte i përfshirë nën të njëjtën drejtori dhe mbase edhe numuri i pacientëve ishte më i pakët, sepse tuberkulozi ishte “mundur” në një farë mënyre gjatë viteve të Diktaturës.

Nuk jam i sigurt se kur kam hyrë për herë të parë pas asaj dere metalike dhe më ka lënë shumë mbresa qetësia gati solemne dhe njëkohësisht të krijohej ndjesia se je në një vend , ku natyra ndihmon shkencën, ose më mirë të thuash, që shkenca ndih edhe natyrën për të kuruar të sëmurët me probleme të mushkërive.

Më pas dera u hoq, rruga ishte e hapur dhe kishte institucione të tjera dhe një ditë prej ditësh pat futur “hundët” edhe Ministria e Mbrojtjes. E megjithatë, pishat nuk ishin prerë ndonjëherë, ose ndoshta ndonjë e vetme me miratimin e shokëve Balluku, Shehu, Hazbiu apo Murra.

Para dy muajve u prenë thuajse 80 pisha të drejta të atij parku dikur të shëndetshëm.

Nuk di nëse Sanatoriumi është ende në mjediset e Spitalit të dhuruar nga Turtulli, a është vendosur në ndonjë ndërtesë të re. (Për të ndërtuar të reja këtë Rilindasit janë të vetmit). Por nëse është ende në atë territor, dua të shkruaj dy fjalë për një mjek eunuk, që drejton sektorin e sëmundjeve pulmonare në Korçë.

Quhet Samuel Kristo dhe duhet të jetë djali i ekonomistit Paskal, që e shihja dikur korridoreve të Komitetit Ekzekutiv, se ka një ngjashmëri mbresëlënëse.

Me shumë mllef para disa javësh hodha një shënim për Julian Napolonin, që drejton RTSH Korça, që nuk pasqyronte atë krim mjedisor në qytein e tij të lindjes, por duhet të kisha shkruar më parë për këtë mjekun eunuk, që trembet se mos e shajnë “udhëheqësit e PS-së“ në Qark dhe në Ministri.

Por nuk është edhe aq eunuk, kur propagandon dhurimet, që bëhen në repartin e Onkologjisë edhe pse nuk ka lidhje me të. Për ato përmirësime mburren të gjithë, nga Rama në Peleshi, nga Raqka në drejtori i Spitalit dhe patjetër, që do “këndojë“ solo edhe mjeku pneumolog me emër hebre.

Samuel, apo Sam, apo Sem apo kushedi se si të quajnë, ti e ke detyrë primare të ngresh zërin për keqësimin e kushteve të ajrit në Korçë, që reflektohet drejtpërdrejt në mushkëritë e njerëzve. Unë nuk di nëse je si shumë mjekë, që presin të shtohen të sëmurët, për të rritur të “ardhurat në të zezë“. Mund të mos jesh i ngjyer në të tilla mesele të shpifura.

Por ngri zërin për ajrin e Korçës, që rëndohet gjithnjë e më shumë!

Lerja Onkologjikun specialistëve të tjerë si dhe filantropes Foti Kokeri, se mjaft janë ato zëra!



Sunday, 15 November 2026

MET

U riktheva.

Me shpresën se Samsonit sërish do tundte

Gjithë Kështjellën time prej rëre,

Ngritur mbi të shurdhëta kumte

Dhe të padukshmesh shënja.

E ndoshta nga përmbysja e shtyllave

Catia do zhytej në tokë thellë

Dhe mund të ndillte të tjera ndjenja

Jo nga ato që trashaluqja magjistricë

Pat mbjellë.

Nuk më rrëmbente më shkëlqimi

I shandanëve që bëjnë

Xhinglat e lëneshave të shndrisin;

As tonet e ngrohta të Shagallit murale.

Më dukej se brirët e të tijve deshë,

Nga balli im dilnin,

Dhe shtriheshin në të historisë anale,

Ngjarjeve me peshë,

Si një vijë e përdredhur kotësie,

E humbjeve që para sysh më dilnin.

Dhe gjeta të Medeas tragjedi,

Të shkatërrimit të plotë.

Kuptova,

Që dikur,

Diçka thellësisht lëndore,

Brenda meje në MET pat vdekur

Dhe tinguj më nuk bëlbëzoja

Por as shkrihesha dot në lotë.


“Naiviteti” im politik dhe të “Qutit” (fund)


 (vijim)

Gjatë vizitave në Shqipëri, pasi pata emigruara, pashë se ishin shtuar shumë ata , që dinin në majë të gishtërinjve politikën shqiptare dhe europiane. Disa ishin biznesmenë, të cilët i kisha njohur në fillimin e viteve ‘90, sepse ju kisha bërë projektin e ndonjë vile, punishteje apo restoranti dhe kisha parë se sa dinin. Përgjithësisht nuk kishin bërë shkolla, por me lidhjet që kishin me Greqinë, ose dhe me inisiativën për të bërë tregëti dhe kontrabandë kishin fituar mirë. Në fillimin e viteve 2000 ishin më të stabilizuar ekonomikisht dhe kishin lidhje të forta me politikanët e Tiranës. Të trgonin plot kompetencë, se si Putin ja u kishte mbledhur oligarkëve dhe kishte konsoliduar pushtetin, se si manovronte Meta në luftën për pushtet me Nanon, se si thurreshin skenaret për të rrëzuar qeveri të ndryshme në Ballkan dhe se si pa miratimin e Amerikës nuk mund të vendosej në qeveri as Ministri i Brendshëm dhe as ai i Mbrojtjes.

E admiroja sigurinë e tyre prej të paditurish, që kishin kuptuar gjithshka , që ndodhte në Shqipëri, Bruksel, Moskë, Berlin dhe Uashington nëpër “ziafetet” me “heronjtë e tyre politikë“ të Tiranës. Disa kishin edhe synime për të hyrë në politikë , madje kishin marrë edhe nga një diplomë universiteti në një nga universitetet e shumta shqiptare të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë. Me ta nuk hyra kurrë në debate politike, sepse e pata kuptuar, që dinin aq shumë, sa do ishte krejtësisht e pamundur, që t’ju ndryshoje bindjen.

Mes “të kompletuarve” kishte dhe ndonjë, që kishte funksione në qeveri apo në institucionet në Tiranë. Kjo kategori ishte vërtet një “kategori pedagogësh” nga ajo e kohëve të rinisë, kur në gjimnaz ndodhte, që ndonjë mësues nuk e dinte as vetë mësimin, që shpjegonte.

Duke qënë kureshtar për ç’ka ndodhte në botë, gjatë emigracionit, i kisha kushtuar shumë vëmendje jo vetëm lajmeve dhe dokumentarëve, por sidomos librave të kategorisë së politikës dhe historisë moderne, si dhe shumë biografive dhe autobiografive të njerëzve të rëndësishëm të shekullit të XX. Kjo gjë më kishte shtuar etjen për të mësuar më shumë dhe në biseda, edhe në Tiranë i mbaja veshët ngritur të kuptoja, se ç’ndodhte në vendet europiane, për të krahasuar me ato ç’ka dija dhe njëkohësisht edhe për të rrëzuar ide të rreme, që mund të më ishin krijuar në kokë.

Por sigurisht që për këtë më vlenin vetëm bisedat me dy tre njerëz të ekuilibruar, që kishin të njëjtën “mendje të hapur” për të kuptuar se ç’ndodh sot në botën, që jetojmë. Nga “të kompletuarit” dhe nga ata, që kalonin kohë tavolinave të Nanos, Gjinushit, Ramës, Blushit, Xhafajt, Mehdiut nuk kisha ç’të mësonja. Në atë kohë edhe Rama nuk kishte mësuar shumë gjëra, por më vonë, u bë një nxënës i mirë i politikës ndërkombëtare, po aq sa dhe Berisha, por të dy ishin manipulatorë dhe nuk besoj se ju shpjegonin “pasvanëve” të vërtetat, që dinin rreth zyrave të pushtetit në Europë dhe në Amerikë. E megjithatë ndonjëherë nuk arrija të shmangesha nga debati dhe shihja reagimin plot keqardhje të bashkëbiseduesve, që pak a shumë donin të më thonin : “Eh sa naiv që je!”

Kisha pasur fatin, që “naivitetin” t’a ruaja të pastër sepse nuk ndiqja asnjë emision politik në kanalet televizive shqiptare, madje edhe kur isha në Tiranë dhe në Korçë. Më bezdiste “kompetenca” e Fevziut, injoranca e Pekës, humori fshatarak i Rakipit dhe në YouTube kam ndjekur jo rregullisht vetëm emisionin e Erla Mëhillit, që më është dukur një moderatore me mend, por dhe ajo ka emisione shumë të gjata dhe rrallë ka të ftuar të përgatitur mirë.

Ndoshta ka dhe shumë të tjerë si Balla, Cani, Vasili, Duma, por nuk kam marrë kurrë mundimin t’i dëgjoj dhe nuk jam penduar për këtë gjë. Eshtë e vështirë, që pasi dëgjon nj bisedë politike të drejtuar nga Kristianë Amanpur, Anderson Kuper apo Majk Uallace të dëgjosh Grida Dumën dhe Arianin Canin, bashkë me të gjithë të ftuarit e tyre.

Po e mbyll shkrimin me një ngjarje të shkurtër, ku u solla në mënyrë tepër arrogante dhe marroke me dikë, që kisha pasur në klasë në 8 vjeçare. Pasi më tregoi me siguri diçka rreth gjendje politike në Shqipëri, kur po ndaheshim, më tha: “Edhe na dil të të japim ndonjë kafe!” Duket , që kisha qënë i nervozuar atë ditë, se ju përgjigja në mënyrën më të pahijshme të mundur: “Po përse do flasim bashkë, apo të të marr prapë në patronazh?” (Metoda e patronazhit kishte qënë në kohën tonë në ciklet e ulëta të shkollës dhe kishte qëlluar, që bashkënxënësi im nuk ja thoshte shumë në mësime.)

Me ngushtësinë e mendjes dhe përzjerjen me një loj mllefi, unë nuk kisha kuptuar gjënë themelore në jetë - që njerëzit evolojnë.


“Naiviteti” im politik dhe të “Qutit” (2)

 


(vijim)

“Njohësit e politikës shqiptare dhe botërore” ishin disi agresivë, sepse nuk pranonin ide apo argumenta, që ju binin ndesh teorive të tyre. Bota dhe Shqipëria sipas tyre ishte me komunistë dhe antikomunistë, ose me fashistë dhe antifashistë dhe Amerika me CIA-n sajonin gjithshka, por diçka “kishin në dorë“ të bënin edhe gjermanët dhe anglezët, si dhe me raste edhe Berluskoni.

Nuk kujtoj me saktësi debate “politike” para vitit 1997, por këta të “Qutit” ishin pikërisht ata, që kishin vënë më shumë para në VEFA, “Xhaferri” dhe “Populli”, sepse ishin të sigurt se ishin fondacione plot me para, sepse Saliu kishte lejuar pastrimin e parave të huaja për të mbajtur më këmbë ekonominë e vendit. Unë ato kohë nuk kisha dëgjuar për skemat shumë të njohura në botë, si “skemat Ponci” që ishin njohur në botë prej më se 70 vjetëh, por kuptoja aq nga ekonomia botërore dhe nga investimet nëpër bursa, që ishte disi e pamundur të kishte norma të tilla fitimi. E kundërshtova një mikun tim, që më pyeti në mesin e vitit 1995, nëse do bënte mirë të vinte para në Vlorë (mbase në Gjallica) sepse shumë të njohurit e tij nga Tirana kishin vënë dhe po fitonin përqindje të larta. Nuk e pyeta më se ç’bëri, por fakt është, që ajo “sëmundje” pushtoi një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare dhe shumë njerëz humbën jo vetëm kursimet, por në disa raste edhe shtëpitë. Por veç ndonjë muhabeti me miq të afërt nuk besoj se hyra në ndonjë debat me “të entusizmuarit” nga fondacionet dhe firmat, se do të të theshin në sy, që- “je gomar i tëri!”

“Debatet politike” gjatë vitit 1997 ishin kryesisht se kush po i bën rrëmujërat. Kishte nga ata , që përbetoheshin se e dinin mirë se si ishte organizuar “komploti” nga lobi grek në Uashington, që kishte ndikuar mbi Klintonin dhe më pas pat kombinuar veprimtarinë me Zabit Brokajn dhe socialistë të tjerë vlonjatë, që kishin nisur marshimet “gjoja paqësore” dhe më pas kishin organizuar edhe banda të armatosura për të përmbysur pushtetin e ligjshëm të Berishës, Edhe pse nuk ju shmangesha këtyre debateve, ku përsëri dilja një lloj “naivi”, që nuk di se si vërtiten gjërat në botë, “zjarrin” e kisha të rënë se po ndiqja procesin e emigracionit në Kanada, që po më shkonte mirë dhe më bënte të mendoja më shumë për të ardhmen , që e priste familjen time në vendin e panjohur.

Në të njëjtën kohë, “të Qutit” pro Berishës, me shpresën se Leka Zogu do përmbyste fitoren e socialistëve, mbështetën atë marshimin e tij qesharak drejt Pallatit të Kongreseve, ku do detyronte Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve të jepte verdiktin e vërtetë të popullit, rreth pyetjes Monarki apo Republikë. Duke u tallur me Peleshin dhe Filon, që ishin të entusiazmuar nga ajo fije e fundit e kashtës , që po i bënte të shpresonin kthimin e Berishës, mora cilësimin “je gëzuar për socialistët më shumë se Niko Faberi!”, që më bëri të gajasesha, se nuk kisha votuar kurrë për socialistët. E megjithatë kisha aq mend sa ta quaja të domosdoshme largimin e Berishës nga jeta politike shqiptare. Për fat të keq nuk ndodhi atë vit dhe nuk ka ndodhur as pas 30 vjetësh. “Politikanët potencialë të djathtë“, Peleshi dhe Filo, morrën një kthesë të fortë 8 vjet më vonë, kur u rrjeshtuan në krahun e Fatos Nanos. U talla sërish me ta me disa emaile, por nuk “e prishëm muhabetin”. E kuptoja, që asnjëherë nuk kishin pasur ndonjë lloj “mjegulle” për ‘u orientuar politikisht, por kishin ndjekur interesat e tyre vetiake dhe familjare.

(vijon)