Eshtë vera më pak e nxehtë nga të tjerat që presim të vijnë dhe kryefjala në lajmet botërore janë zjarret. Zjarre në Mesdhe, zjarre pranë Vankuverit, zjarre në ishujt Havai, zjarre në...
Me "zjarrin" e një rakete, Putin përvëloi kundërshtarin (krijesë të tij) Prigozhin me disa bashkëpunëtorë.
Bota e kësaj vere të kujton ferrin.
Një betejë e "zjarrtë"sa ka nisur për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe ish-presidenti Trump arrestohet në Xhorxhian e nxehtë dhe i bëjnë edhe foton e arrestimit {mugshot) ku nuk harron të mbajë kravatën dhe xhaketën. (Nuk ngjan me një foto arrestimi dhe për më tepër Trump po nxjerr mijëra dollarë fitime duke shitur bluza, filxhanë dhe dhurata të tjera me atë foto.)
Arrestime "të nxehta" vazhdon të bëjë SPAK-u i Tiranës, që është përgëzuar nxehtësisht edhe nga kryeministri Rama, të cilit duket se nuk i djeg aspak prapanica nga arrestimet pranë tij.
Por reagimi i parë i turmave ndaj zjarreve dhe të nxehtit "të paparë" nuk është alarmi apo paniku, por përpjekja për të pushuar pranë ujërave të kripura dhe të ëmbla. Këtë "vrapim" drejt plazheve e kanë kuptuar prej disa javësh pronarët e zonave turistike, që janë përgjigjur përgjithësisht me çmime të kripura. Duket si një lloj histerie me sloganin KCK (kap ç'të kapësh) në çdo vend.
Parandjenjë se nuk do rezistojmë dot edhe shumë vera më të nxehta?
Po mësohemi me temperatura pranë të 40-ve dhe duket se si qëniet që përshtaten më lehtë se të tjerat do gjejmë mënyra edhe për të përballuar ato mbi 40 (nën hije).
Meqënëse kemi dështuar të ndërtojmë parajsën në tokë, le të përshtatemi për të përballuar ferrin.
(Rizgjedhja e Trump do jetë një nga shënjat.)
No comments:
Post a Comment