Thursday, 24 August 2023

Bisht cigareje në breg

 Unë jam një bisht cigareje

Që u tymos për të fundit herë dikur.

I flakur në bregdetin e mendimeve,

Ku më shumë leshterikë pështillen këmbëve,

Se sa gjemba iriqësh të ngulen tabanit.

Mbeturinë e një qytetërimi të shpifur,

Që gjallesat ka zhbërë,

Që ndjenjat ka kthyer në zhurr,

Mes guraleceve rrekem era mos më marrë

Fshehur si një barkë e vjetër në cep të limanit.

Dikush më thithi gjithë forcë,

Avujt e dalë nga prushi i dyshimeve,

I mundimeve për të zbuluar të fshehtat,

I përvëlimeve në kërkim të dritës,

I rrekjeve për të thënë të vërtetat,

Në një të vetme mbrëmje të drithërimeve.

Tymthithësi humbi në një tjetër Gjithësi,

A ndoshta helmuar kokën pështeti mbi një gur.

Unë jam një bisht i lagur cigareje

Ku nuk ka mbetur shënjë ADN-je,

Se u përthith shumë vite më parë,

Në një pjesë kohe,

Që quhet Dikur.

No comments:

Post a Comment