Wednesday, 16 August 2023

"Gjyqi" i opinionit publik


Opinioni publik të gjykon. Dhe kjo është një e drejtë e fituar prej mijëra vitesh të përvojave të shoqërive njerëzore. Duam apo nuk duam. Na vjen mirë apo na vjen keq. Eshtë nga veçoritë kryesore dhe të pandryshueshme të të gjitha bashkësive: të përparuara apo të prapambetura, të varfëra apo të pasura, të arsimuara apo analfabete. 

Përgjithësisht opinioni rrallë herë është në një mendje i gjithi. Ka dy ose tre lloj opinionesh për një çështje të rëndësishme politike apo ligjore. Në çështjet e skandaleve të figurave të rëndësishme (të famëshmit VIP-a)më së tepërmi është bardhezi dhe anon nga përpjekja për t'i denigruar.

Por përveç se është fakt, a është i dobishëm "gjyqi" i opinionit publik për skandalet dhe sidomos për çështjet penale, që kanë marrë rrugën brenda sistemit institucional hetimoro-gjyqësor?

Pyetja nuk mund të gjejë një përgjigje të thjeshtë dhe të menjëhershme, sepse brenda ka një sërë faktorësh duke nisur me nivelin e sistemit juridik, me zhurrmën e mediave, me njerëz që kanë prirje të shpjegojnë çdo gjë me komplote dhe deri me konfuzionin që shkaktojnë mediat sociale,

Në shoqëritë e prapambetura (ku hyn edhe e jona) çështja vështirësohet akoma më shumë për shkak të prirjessonë për të arritur fët-fët më konkluzione.

Të nisesh nga kronikat më të thjeshta ditore, kur dikush njofton se ka vdekur dikush me infarkt. Menjëherë një "shpjegues" ngutet të thotë "Ai pinte!", një tjetër e bën të sigurt se i ka ndodhur për shkak të divorcit të të birit dhe një i tretë do i hedhë fajin menjëherë mungesës së kardiologëve të mirë në qytet.

Askush nuk bën një pauzë e të mendojë se shkaqet e një infarkti mund të jenë nga më të ndryshmet, se shpesh vdekjet nuk janë të parandalueshme dhe në shumë raste është më mirë të mos nxitohesh në marrëzinë për të gjetur shkakun dhe për të bërë dikë me faj.

Përmenda një rast të tillë (që ndodh shpesh) për të krahasuar me problemet komplekse të një ngjarjeje penale, e cila mund të jetë vrasje, mund të jetë një veprimtari e krimit të organizuar, sikundër mund të jetë edhe një aferë e madhe korruptive, ku përfshihen deri tek qeveritarët më të lartë në vend.

"Gjyqi" i opinionit publik ze fill në mediat tradicionale, të cilat ose për të pasur një 'scoop", ose nga mungesa e eksperiencës, nuk i lenë vend analizës së paanshme të fakteve. Shpesh në to sheh njerëz me një përgatitje ligjore gjysmake, ose që kanë edhe mungesë të aftësisë për t'i parë gjërat me dyshim, që me kompetencë të plotë rradhitin se si janë zhvilluar ngjarjet dhe se në cilin nen hyn vepra penale e X-it. Në një kanal tjetër televiziv, të tjerë analistë me përgatitje "gjysmake" flasin me siguri se faktet flasin për diçka tjetër dhe si përfundim opinioni publik, që përgjithësisht është i paarsimuar juridikishtvendos për dënimin me aq edhe kaq të të pandehurit ose të grupit të të pandehurve.

Këto lloj konkluzione kompetentësh më sjellin ndërmend një episod të vogël në Nju Jork, të cilin ndoshta e kam përmendur edhe më herët në blog. Shoferi i autobuzit me origjinë nga Vlora, më tregonte me siguri të plotë, se lufta në Irak ishte nisur për të përfituar 6 miliard dollarë, të cilat u ndanë në tre pjesë të barabarta mes Bushit bir, Dik Cenit dhe Donald Ramsfeld. Kur e pyeta nëse i kishin dhënë ndonjë gjë edhe Sekretarit të Shtetit, më pa me përçmim si dikë që nuk ja kisht haberin nga politika dhe e Drejta Ndërkombëtare.

Edhe shoferi me origjinë nga Vlora ishte pjesë e opinionit publik.


No comments:

Post a Comment