Ndoshta nuk jam krejtësisht gabim nëse them se, kur ishim fëmijë dhe na dhuronin ndonjë libër për ditlindje, me mendje theshim: "Pfff...libër...kujtoja se ishte ndonjë gjë më interesante!" (Fjala vjen ndonjë lodër). Dhe nuk e kishim "bezdinë" nga librat, por senë raftet e librarive mungonin titujt interesantë si "100 përrallat", "Na ishte njëherë", apo edhe "Tregime të moçme shqiptare". Nuk mund të ngazëlleheshe nëse të dhuronin " Cuku dhe Geku", "I vogli mund të madhin" apo "Princesha Argjiro".
Ama lodrat ose dhe dhuratat e tjera për fëmijë ishin të shtrenjta dhe ndoshta kjo e bënte më të volitshëm dhurimin e librave, që shoqërohej nga mendimi me 'pfff" i dhuratëmarrësit.
"Steriliteti" i shumicës së librave për fëmijë (por edhe për të rritur) i kohës së Diktaturës ka qënë faktori kryesor i "ftohjes" së shqiptarëve me librat. Në shumë qytete të Shqipërisë, edhe pse librat nuk ishin të shtrenjtë, blerjet ishin të pakëta. Gjithashtu anëtarësimi nëpër biblioteka ulej nga viti në vit. Ishte preludi i një "abandonimi shoqëror" të librave në të ardhmen.
Tani është më delikate se kurrë t'i dhurosh dikujt një libër. Dyshimi i parë në shoqërinë materialiste të fitimit, të këmbimit të përfitimeve, të "kafeve" dhe "kollitjeve" është :"ç'interes ka ky që po më dhuron këtë libër?".
Dyshimi i dyti dhe më i natyrshmi është ai i impenjimit.
" A do më duhet ta lexoj? Unë nuk kam as kohë dhe as dëshirë të lexoj libra!". Dhe me të vërtetë dhurimi i një libri dikujt që nuk ka dalë në pension, do i zerë disa orë nga koha e "relaksit" në kafenetë e shumta shqiptare, ku flitet përgjithshka dhe ndonjëherë edhe për libra.
Por edhe dhurimi ndaj një pensionisti, që ka kohë të lirë me bollëk dhe njëkohësisht mjete financiare të kufizuara për të shijuar gjatë "relaksin" e kafeneve i shtohet problemi tjetër: "Ku do ta ve edhe këtë libër? Unë dua t'i hedh edhe ata që kam? Nuk është një vazo e punuar bukur, që të të këndellë vështrimin. Janë disa marrëzira në formë fjalish, vargjesh ose dialogjesh, ku e ku sa më poshtë se muhabetet nën hijen e tendave të kafeneve tona të bukura!"
Matësi kryesor i vlerave në shoqërinë tonë është- luksi i aksesorëve. Për fat të keq, librat, këto sende të çuditshme nuk janë aksesorë.
No comments:
Post a Comment