Thursday, 3 August 2023

A do japë Rama ndonjëherë dorëheqjen?


Disa vite më parë, kur pata shkruar shkrimin "Po i vjen rradha edhe Tigrit", ndonëse nuk kisha përmendur se pas tij e ka rradhën Rama, mendoja se pas "dominosë" Ahmetaj do i vinte rradha të binte edhe eprorit të zv.kryeministrit, pra Edit. Më dukej e pashmangshme, që pas një veprimi financiar tejet të nxituar dhe makut, kreu përgjegjës të mos jepte të paktën dorëheqjen. Ishte një vështrim tjetër i gabuar i imi, bazuar në idenë se edhe sikur demokracia në Shqipëri të veprojë në masën 10-15% të demokracive normale, një skandal i tillë duhet të sjellë rënien e qeverisë.

Ne nuk jemi një shoqëri normale dhe mbi të gjitha kemi një kryeministër tmerrësisht amoral. Nuk duket asnjë shënjë që të ketë trysni brenda partisë së tij për këtë skandal. Edhe ata që mund të mos e duan Ramën, presin duke fërkuar duart se cili rival i tyre i drejtpërdejtë do ketë fatin e Ahmetajt. Pyetjet më të shpeshta në baret e Tiranës janë: "Do ketë arrestime tek Bashkia e Tiranës?,"Do e hajë Balluku?" "Po Gjiknuri?" dhe të tjera të ngjashme.

Në shtator, duarfërkuesit do presin se ç'ndryshime në qeveri do bëjë Rama dhe nëse do i përfshijë ata ose ndonjë të "tarafit" të tyre për të përfituar nga ç'ka të jep pushteti në Shqipëri.

Kur japin dorëheqje udhëheqësit autokratë? Kjo është pyetja e përgjithshme për rastin e liderëve të tipit të Ramës.

Këta lloj udhëheqësish bien kur ka trysni të mëdha nga forca politike që drejtojnë, trysni nga një kombinim i një opozite të fortë me mediat e pavarura, nga trysnia e një aleance të fuqishme ndërkombëtare.

Organizimi politik që drejton Rama është krejtësisht i kalbur dhe i pafuqishëm të ushtrojë trysni mbi Udhëheqësin e tij. Vetë Rama ka bërë të mundur që ata pak socialistë të papërfshirë në korrupsion të mos kenë asnjë mundësi të organizojnë ndonjë fraksion që ta rrezikojë. Të tjerët, edhe nëse do duan të marrin drejtimin e PS-së janë aq të përlyer sa është e pamundur të mund t'i dalin përballë Ramës dhe t'i thonë: "Shef, është koha të largohesh!"

Një bashkëpunim i opozitës me mediat e pavarura gjithashtu nuk mund të ushtrojë trysninë e duhur, sepse opozita është e dobët dhe e përçarë dhe mediat e pavarura nga qeveria janë gjithashtu shumë të pakëta.

Mbetet trysnia e amerikanëve dhe europianëve, e cila gjithashtu, për situatën në të cilën është politika



shqiptare është vështirë të thuhet se mund të ndodhë.

Në vende si i joni, me një demokraci hibride dhe të brishtë, Ndërkombëtarët nuk janë të interesuar për përmbysje të mëdha, të cilat nuk dihet se ku shkojnë ndonjëherë. Në interesin e tyre është që qeveria të jetë pro euro-atlantike dhe të ketë mundësi të funksionojë. Në morinë e problemeve që ka shoqëria shqiptare sipas këndvështrimit të tyre, korrupsioni i Ramës është njëri prej tyre dhe jo domosdoshmërisht më i madhi. Për më tepër, brenda dy organizimeve kryesore politike, nuk ka individë të shquar, të cilët ata mund t'i mbështesin për tu bërë kryeqeveritarët e së ardhmes.

Edhe pse në dukje situata është rënduar për Edi Ramën, nuk besoj se ai do japë dorëheqjen. Kjo mund të ndodhë vetëm se dikush nga ata që janë në burg, ose pritet të shkojnë në burg, do flasin duke treguar gishtin tek Rama si ideator dhe përfituesi kryesor i skemës së vjedhjes nëpërmjet plehradjegësve. Në të kundërt shpresa është po e njëjtë me atë që :"Një herë në 100 vjet, fluturon nga furra një patë e pjekur!"


No comments:

Post a Comment