Sunday, 13 August 2023

Ndërtimi

Gjithshka është tek ndërtimi. Ndoshta treguesi më i qartë i përparimit. Madje edhe mjaft pozitiv. Ne themi bëjmë një debat konstruktiv (nuk themi një debat ndërtues) duke i theksuar kahjen mjaft pozitive debatit. Një debat i frytshëm, pa harxhime të kota, pa zënka dhe nga i cili nuk doli një "mi", por diçka tepër e dobishme. (Mbase një "mal")

Ndërtimin e duan të gjithë. Jep ndjenjën e fitores, të përjetësisë, të përmasave edhe mbinjerëzore dhe mbi të gjitha jep njç kënaqësi "bajagi" materiale për ndërtuesin. (Asnjëherë nuk kam kuptuar se përse në ndërtim përqindja e fitimit është shumë më e lartë se në industritë e tjera, gjë që tërheq në gjithë botën drejt tij grupet mafioze. Avokati im do hidhet e thotë se po ta kishe kuptuar me kohë nuk do largoheshe nga vendi dhe sektori i ndërtimit e të merreshe me broçkulla, por dhe ai jo gjithnjë ka të drejtë, se këndvështrimet e tij janë kryesisht ligjore.)

Më ra në sy në Tiranë, se jo vetëm ndërtohej shumë, por dhe në disa biseda me njerëz pa lidhje me ndërtimin, shprehej dëshira e madhe "le të ndërtojmë diçka për të fituar!"

Nëse e sheh me syzet e errëta të nihilistit, këtë mund ta quash makutëri, por nëse e sheh me syzet ngjyrë trëndafili të optimistit, kjo është përpjekje për zhvillim.

Shoqëria shqiptare kërkon të zhvillohet

Nuk ka pse mos kemi edhe ne "qiellzhvatëset"tona! Nuk mund të qëndrojmë gjithnjë në bisht të karvanit të qytetetërimit.

Sigurisht që nuk mund të ndërtojnë të gjithë. Sepse në të kundërt mjalti do qelbej!


Do ndërtojnë ata që janë brenda politikës, shokët e mediave, që i shërbejnë politikës, të lindurit për tregëti që e mësojnë shpejt ndërtimin dhe në fund edhe inxhinierët dhe arkitektët. Natyrisht edhe këta jo të gjithë, sepse janë diplomuar shumë gjatë dhjetëvjeçarëve. Do ndërtojnë më të aftët (jo domosdoshmërisht) dhe ata që janë në gjendje të bëjnë kompromise.

Se të hysh në sërën e ndërtuesve, në fillim duhet të "ndërtosh" brenda vetes atë që quhet "ndërtues". Përgjithësisht fillon me disa kompromise të vogla, vazhdon me krijimin e lidhjes materiale me politikanët dhe punonjësit e administratës , që kanë në në dorë lejet dhe pjesa e fundit është justifikimi i vetes se "të gjithë bëjnë kështu!"

Pra e gjitha sërish ka të bëjë me një proçes tepër konstruktiv. Do mbyllësh pak sytë rreth kapjes së sipërfaqeve të gjelbëruara, rreth ndotjes të mjedisit, rreth ngarkimit të trafikut, por do i thuash vetes: "në mos do e ndërtoja unë do e ndërtonte një tjetër". (Rastësisht këtë justifikim përdorin edhe ata qëmerren me tregëtinë e drogës).

 Pasi i shkrojta këto rrjeshta edhe unë e humba fillin e asaj që doja të shkruaja në nisje. 

Duhet të ndërtojmë apo nuk duhet të ndërtojmë?

Kjo është një pyetje tejet destruktive, sepse përgjigjen e ka marrë me kohë kudo në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment