Në Shqipëri po rritet një brez me vajza të bukura. I sheh të lirshme në kafet dhe klubet e shumta të qyteteteve, të veshura me marka nga më të shtrenjtat. Ka një shqetësim të përgjithshëm, që shumë nga këto femra "të shkujdesura" janë kthyer në "golddigger"(ndjekëse të parave do ishte përkthim jo i keq në shqip). Nuk janë të interesuara për të pasur një karrierë në jetë, por vetëm të kenë partnerë shumë të pasur, të cilët ju blejnë "çanta e k'puc", ju sigurojnë pushime jashtë (mundësisht në jahte) dhe ju paguajnë edhe ndonjë ndërhyrje kirurgjikale estetike në klinika me emër të mirë.
I gjithë ky shqetësim shpesh kthehet në përbuzje të një "lloji" femrash, një lloj përbuzje e ngjashme me atë të shprehur nga Marko Mazini në këngën e viteve '90 "Bella stronza". Nëse duam ta shohim më realisht këtë dukuri, e cila është gati epidemike, jo vetëm duhet ta quajmë të natyrshme këtë "materializëm të çmendur", por duhet të bëjmë me faj shoqërinë maskiliste dhe kryesisht meshkujt që sundojnë në shoqërinë e korruptuar shqiptare. Në një shoqëri ku nuk sundojnë vlerat intelektuale, apo talentet e tjera, qoftë të biznesit etj., ndjekja e një tipi të tillë nga vajzat e reja është një formë e "të mbijetuarit". Në shoqërinë "macho" ku politikanët që kanë në dorë janë vetëm meshkuj, ku tregëtinë e drogës e bëjnë vetëm meshkujt, ku tenderat e mëdha dhe aferat korruptive i kontrollojnë meshkujt nuk ka se si mos krijohet ky tip konkubinash. Nëse hapësirat për karrierë mbi bazë meritash janë tërësisht tëzvogëluara, (edhe këto të varura nga meshkuj që duan të të kenë në shtrat) atëhere alternativa mbetet të shfrytëzosh bukurinë dhe "sex appeal" për të pasur një jetë të rehatshme, mundësisht edhe një apartament të dhënë "free" ose që ta paguan çdo muaj mashkulli i pasur.
Thuajse në të gjithë mjediste mashkullore në Shqipëri (më shumë në Tiranë ku krijohet "arketipi") flitet për "pjeshka", si të sigurosh vazhdimisht të tilla, mundësisht edhe dy-tre "jashtë kurorës". Eshtë një hedonizëm jashtë çdo logjike të shëndoshë, që nuk i ndih krijimit të një shoqëria liberale, por të shëndetshme të bazuar në puna, meritat dhe talentet. Këtë gjë e kanë nuhatur që nga "pjeshkat dinake"(të cilat ekzistojnë në çdo shoqëri), dhe deri tek ato që nuk do ta donin këtë varësi, por nuk kanë nga ja mbajnë ndryshe. Të kalojnë "shtretërve" ju kërkohet që në universitet dhe më vonë për të siguruar një vend pune apo për të bërë karrierë.
Problemi sa i sotshëm aq është edhe i të ardhmes. C'lloj filozofie të jetës do përcjellin këto nëna tek djemtë dhe vajzat e tyre. T'i nënshtrohen kësaj filozofie të një shoqërie të prapambetur, ku për të pasur nën "kontroll" mashkullin e pasur mund të përdorësh vetëm marifetet e vjetra seksuale? Të luftosh për një shoqëri të të barabartëve? T'i nënshtrohesh kësaj lloj jete sepse "kështu ka qënë dhe kështu do mbetet"?
E vërteta është se një dukuri e tillë në masë është kryesisht në vendet e Europës Lindore dhe në ato të vendeve në zhvillim. Shoqëritë e përparuara skandinave, të cilat kanë korrupsion në nivele minimale, kanë njëkohësisht edhe thuajse një barazi mes femrave dhe meshkujve. Kjo lloj barazie e bën të panevojshëm krijimin e shtresës së "konkubinave".
Ndoshta një ditë do e shohim edhe ne... diku nga fillimi i shekullit tjetër.
No comments:
Post a Comment