Friday, 1 September 2023

"Zonat blu" të 100 vjeçarëve


Të gjithë duan të rrojnë një shekull. Në fëmijëri duket si një kohë e pafundme, por kur ke hyrë në të tatëpjetën e jetës  e sheh se nuk është edhe aq "pa fund".

Urojmë të bëhemi 100 vjet pa menduar gjatë se si do jenë ato dhjetë vitet e fundit, me pak dhëmbë, me shumë dhimbje në kyçet e gjymtyrëve, me veshë të mëdhenj, por që nuk shërbejnë më për të dëgjuar dhe me plot mangësi të tjera të natyrshme.

Po a duam vërtet të arrijmë të 100-tat, madje edhe t'i kalojmë?

Sipas një dokumentari vërtet serioz në Netflix, "zonat blu" (kështu janë emërtuar zonat me më shumë "shekulloristë" sipas një studimi të një mjeku italian) janë në 5 vende të botës. Katër prej tyre ishin në vende thuajse të izoluara dhe vetëm një qytet në Kaliforni, me një komunitet të Adventistëve të ditës së 7-të ishte pjesë e jetës "moderne" Të tjerat ishin Okinava në Japoni, disa fshatra të izoluara të  Sardenjës, ishulli grek Ikaria në Egje dhe një fshat i thellë në Kosta Rika.

E përbashkëta më e dallueshme e të 4-ve ishte jeta tradicionale si ka qënë ndër shekuj prej lëvizjeve të shumta këmbësore dhe të detyruara nga puna fizike në kopshtari dhe bujqësi, jeta familjare dhe e komunitetit, besimi fetar dhe largimi nga streset. Dukej që mënyra e të ushqyerit edhe pse kishte të përbashkët praninë e perimeve dhe prodhimeve organike, ndryshonte nga një vend tek tjetri.

Nëse do duam ta përmbledhim në një frazë të vetme:

Një jetë e thjeshtë pranë natyrës duke u përpjekur pa lakmi të madhe të marrësh nga natyra atë që të jep.

Në vendet ku jetonin "shekulloristët" e shumtë nuk kishte spitale dhe azile pleqsh, por nuk flitej shumë as për udhëtime të tyre nëpër botë, as për studiues apo shkencëtarë dhe as për artistë apo shkrimtarë të njohur. Edhe Adventistët që kishin programuar një jetë me ushqim të shëndetshëm, me shumë ushtrime fizike dhe punë vullnetare, që bënin një pushim të plotë të shtunave (ashtu si Perëndia) dhe që luteshin vazhdimisht duketse kishin një jetë të ndryshme nga jeta e shoqërive të përparuara.


Jetojmë më pak se jetojmë në mënyrë të gabuar?

Vetë nuk do zgjidhja të jetoja në asnjë nga zonat blu edhe sikur të ishte e garantuar se do i kapërceja të 100-tat. E megjithatë mendimi im është thjesht një opinion dhe një këndvështrim i caktuar për jetën, që mund të jetë edhe plotësisht i gabuar.

(Më duket se para se të mbushja 100 do isha bërë një derr jo i kënaqur!)

No comments:

Post a Comment