"...apo ky vend ka mbaruar! Nuk ka më Vasil Laçi dhe Avni Rustemi!..." - pjesë bisede e kapur kalimthi mes dy burrash ulur në stolin e një lulishteje.
* * *
Ne duam të vrasim. Duam të vrasim gruan, vjehrrin, komshiun grindavec, avokatin e palës kundërshtare, numuruesin e votave në komision, por mbi të gjitha duam të vrasim politikanët. Ndaj dhe në historinë e 100 viteve të fundit, më të shumtët e njerëzve kujtojmë vetëm Avni Rustemin që vrau Esad Pashën dhe Vasil Laçin që donte të vriste Perandorin e Etiopisë dhe Mbretin e Italisë dhe Shqipërisë Viktor Emanuelin e Dytë. Nuk besoj se thotë më njeri : "Apo nuk ka më Migjen dhe Mitrush Kutel!"
Shqiptarët duan vrasje, të cilat si me magji mund t'ju rregullojnë çdo problem të jetës së tyre, madjendonjë vrasje shumë e bujshme mund të rregullojë edhe problemet e Ballkanit! Askush nuk mund të thotë se ç'ndryshime historike solli vrasja e Esad Pashës. Shqipëria nuk u bë as më e mirë dhe as më e mosvarme.
Atentati i Vasil Laçit ishte një episod edhe më i dëshpëruar, që nuk nxiti asnjë revoltë kolektive kundër italianëve.
Por vrasja e "të fuqishmëve" ju jep një nxitje psikologjike vdekëtarëve të zakonshëm, se edhe për të fuqishmit ka një fund. Ndoshta edhe kënaqësinë perverse, se dikush jashtë rrethit familjar dhe shoqëror, vritet.{Diçka do ketë bërë që e vrasin...nuk të vret njeri kot!)
Po a është dëshira e nëndërgjegjes së shqiptarëve, që dikush të vrasë një të fuqishëm, sa marrëzi aq edhe dinakëri dembele, për të të shpëtuar dikush "tak fak"?
Ka më shumë mundësi të jetë e dyta. Ne përtojmë të mblidhemi, të organizohemi, të solidarizohemi për diçka të mirë, në mbrojtje të interesit të të gjithëve ose të një grupi të caktuar. Ndaj edhe pse e dimë që (larg qoftë!) një atentat i sukseshëm ndaj Ramës, Berishës apo Metës, si dhe të treve sëbashku, nuk do na ndryshojë gjë, përsëri në kafenetë e shumta dhe në stolat e shtrenjtë të parqeve (nga vjedhjet në tendera) ne vazjdojmë të themi :
"Ah si nuk ka një Vasil Laçi a një Avni Rustemi!"
Primitivizëm i rehatshëm në shekullin e Inteligjencës Artificiale!
(Mbase na bën derman ndonjë AI i programuar si Rustem.)
No comments:
Post a Comment