Saturday, 4 April 2026

Gjithshka njëlloj si 30 vjet më parë (fund)

 


(vijim)

Dhe kur flasim për shoqërinë duhet të lemë mënjanë fajësimin e Turqisë, të Enver Hoxhës, të “katunarëve” apo të politikanëve tanë të paskrupullt. Duhet të mendohemi më shumë dhe të kuptojmë pse shoqëria jonë nuk funksionon si shoqëritë perëndimore dhe pse edhe ne jemi ose nuk jemi duke bërë punën tonë të qytetarit.

Fjala “qytetar”, mjaft e rëndësishme prej Revolucionit Francez, kur njerësit e etur për barazi nisën t’i drejtohen njëri tjetrit pa tituj, nuk ka të bëjë me të jetuarën në qytet. As edhe të lindurit në qytet nuk të bën qytetar.

Fjala qytetar, që është merr rëndësi me Revolucionin Francez, ka kuptimin e anëtarit të një bashkësie, i cili merr pjesë aktive në të, në frymën e Iluminizmit dhe të Barazisë, Lirisë dhe Vëllazërisë.

Ndaj mund të jetosh në një skërkë të Shqipërisë dhe sërish të jesh qytetar. Mund të jesh anëtari i një organizate të ahoqërisë civile dhe mos mbash pikë ere qytetari.

Ndaj dhe qytetari është ai që jo vetëm është pjesë e Bashkësisë, paguan rregullisht taksat dhe nuk është i korruptuar, por merr pjesë aktive në atë që quhet jeta e Bashkësisë dhe që nis me krijimin e ligjeve dhe rregullave, miratimin e administratës të caktuar për ndjekjen e tyre etj., etj. Pra jeta politiko-administrative e bashkësisë.

Dje takova tre kolegët e mij në Tiranë. Të tre profesionistë shumë të mirë, të papërfshirë në skemat korruptive të vendit, ndër më të kërkuarit për projekte të rëndësishme ndërtimore në Shqipëri. Nuk kanë asnjë të sharë dhe mund t’i cilësosh pa frikë si “qytetarë model!.

Dhe pikërisht këta “qytetarë model” më bëjnë mua tejet të pakënaqur. Sepse “qytetaria” e tyre është ZERO!

Ti sot, nëse je banor i Tiranës, nuk mund të mjaftohesh më me sharjen e Ramës dhe Berishës, as me hedhjen faji tek Turqia e prapamebetur për të shpjeguar gjendjen e vendit ku jeton. Për bashkësinë tënde duhet të bësh diçka, jo si një detyrim kombëtar apo partiak. Por sepse kështu funksionojnë shoqëritë e vendeve të zhvilluara. Po qe se nuk ke kuptuar këtë, atëhere je po aq “jo qytetar” sa ai i shkreti që nuk di nëse toka është e rrumbullakët dhe ndikohet nga marrëzitë e Alfred Cakos në televizion.

Ti je miku im i mirë, që shkëlqen si profesionist, që ke shumë cilësi të lavdërushme njerëzore, që je bujar dhe kudo të mbajnë në gojë për mirë por që nuk je Qytetar.

Sepse pikërisht kur bashkësia ka nevojë për ty, ti ke zgjedhur të rrish mënjanë dhe të shijosh jetën e bukur në Shqipëri dhe njëkohësisht të bësh me faj dallkaukët!

Ti mund të më thuash me plot gojë: “Për bashkësinë më pëlcet by...!” dhe unë sërish do të të jap të drejtë, por ti ke humbur faqe meje të drejtën për tu ankuar. Edhe të drejtën për ta quajtur veten Qytetar. Për arsyet që rendita më sipër. Se ti nuk ke folur me zë të lartë, se ti nuk ke shkruar në media, se ti nuk je organizuar me të ngjashmit si ti, për t’ju kundërvënë “Zarbave”.

Unë nuk të them të angazhohesh në politikë. Nuk të them as të përpiqesh si i pavarur të jesh në administratën e çdo niveli. Unë të them të kesh nxjerrë mësime nga ajo që ndodhi në Itali dhe Gjermani 100 vjet më parë. Edhe në vendet e Lindjes në fund të Luftës së Dytë. Atëhere kur ata që duhet të ishin qytetarë me peshë, zgjodhën të heshtin. Zgjodhën të mendonin se të jesh një qytetar i mirë, mjafton të mos shkelësh ligjet dhe të jesh i zoti dhe i ndershëm në profesion.

JO

Nuk është aspak e mjaftë!. Autokratët dhe Diktatorët, llogarisin edhe këtë sjellje të mefshtë të më të aftëve. Atyre që shkëlqejnë në profesionet e tyre, por nuk duan të konfrontohen. Që lenë “edepsëzët të merren me edepsëzët”. Deri sa një mëngjes gdhihen në një qytet që nuk e njohin, në një shtet që nuk e njohin dhe kur papritmas ju thërresin fëmijët të shkojnë në Luftë! Këto nuk janë as fantazitë e mija dhe as ekzagjerimet e mija. Nuk dua të shkoj në kohë që shumë nuk i njohin. Po shkoj në fillimin e këtij shekulli tek Rusia. Shikoni si ka katandisur një vend me njerëz të ngjashëm me ne dhe më të shkolluar se ne.

Ndaj edhe nëse rrini disa orë pa gjumë të dashur miq dhe kolegë të zotë, nga ky shkrim provokues i imi, do ju bëjnë mirë. Ndoshta do ju bëjnë të reflektoni dhe t’i thoni vetes që diçka duhet të bëjmë, për të mos humbur këtë që kemi. Për të patur një jetë edhe më të mirë për fëmijët.

Për të mos pjesë në varrimet e nipërve dhe mbesave të rënë në luftë “për atdheun e hajdutëve”!

Friday, 3 April 2026

Barcelona

Këtu nuk ndjehem i huaj

Edhe pse di vetëm dy fjalë spanjisht,

“Strofkës” larguar thuajse një muaj,

Nuk di ç’bën bastardi Maks,

A luan me gëzim të tijin bisht.

Kërkoj mes errësirës varrin e Gaudit

Pa patur idenë ku është varrosur.

Pranë qimitirit të përgjithshëm një e vogël kishë,

Si velë e shpalosur flladit,

Më shumë se Sagrada më tërheq

Në këtë udhëtim pakuptim dhe të pasosur.

Ora ka shkuar tre

Dhe askujt nuk ja tregoj dot këto mendime.

Në Shqipëri gjithkush fle,

Matanë Atlantikut

Nuk dua të “tremb” bijat time.

Arkitektura brenda meje ende s’ka vdekur,

Këtë kuptoj kur shoh veprën e Bernandinës.

Ata që duan e si mua ndjejnë,

Zyrave të ndriçuara mirë

Vazhdojnë të rreken si gjithnjë janë përpjekur

Të sfidojnë “dinakët” që përfitojnë tinëz.

Dua t’i zgjoj të mijët kolegë,

T’ju them këtu do gjeni projektet tona.

Endrrat e selitura mbi të Dalisë shegë,

Surrealistet dhe të bukurat vepra,

Që në vendin tonë dot s’i bëmë,

Por i gjej këtu,

Në Barcelona.

Thursday, 2 April 2026

Gjithshka njëlloj si 30 vjet më parë


E kam theksuar gjithnjë rëndësinë e vitit 1996 në rrjedhën e historisë së Shqipërisë, por edhe në atë personale. E mendoja edhe sot në mëngjes ndërsa ecja në Tiranën që njoh dhe që është ajo brenda Unazës së vjetër. Nuk i kam njohur kurrë pjesët jashtë Unazës, as në kohën e “studentllikut” dhe as më vonë.

Viti 1996 ishte shumë shumë i rëndësishëm për tranzicionin dhe demokracinë e brishtë shqiptare. Berisha ishte kthyer në Autokrat dhe po bëhej i bezdisshëm për pjesën më të madhe të shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, trajtimi i keq prej tij i Nanos, kishte bërë që ish Partia e Punës të mblidhej rreth udhëheqjes së saj, që në atë kohë përbëhej nga 5 emra. Filozofi dallkauk Servet Pëllumbi, enveristi fytyrëngrysur Gramoz Ruci, skraparliu ambicioz Ilir Meta, kastraveci ish mësues i shurdhmemecëve Luan Hajdaraga dhe punisti Namik Dokle. Nuk besoj se kam ngatërruar ndonjë nga katër nënkryetarët dhe sekretarin e PS-së ndërsa Nano ishte diku në Bënçë apo Memaliaj.

Por me gjithë shenjta e autokratizmit të Berishës dhe deformimeve që po i sillte demokracisë shqiptare, Bashkimi Europian ishte i gatshëm ta toleronte Viçidolsin ish-komunist, sepse mendonte që PS-ja kishte një trashëgimi tepër komuniste. Ndaj dhe para zgjedhjeve të majit 1996, politika europiane shprehej hapur pro Berishës. Të njëjtën gjë bëri edhe shkrimtari jonë i shquar nga Gjirokastra, Ismail Kadare, në një artikull të tij. Ai i sugjeronte të Majtës shqiptare që të rrinte edhe 4 vjet në opozitë. Të njëjtin mendim kisha edhe vetë, ndonëse tepër i zhgënjyer nga Berisha dhe goditjet e “grupeve antiparti” brenda PD-së. Por e gjykoja se do ishte më keq nëse në pushtet do vinin Ruçët, Hajdaragat dhe Nanot. Në zgjedhjet e majit ndodhën ato që ndoshën dhe më pas filloi katastrofa e Shqipërisë e provokuar nga “liderët” socialistë dhe e ndjekur me dhunë dhe paturpësi nga krahu më i ashpër Berishist. Europa nxitoi t’i njihte zgjedhjet, ndërsa amerikanët nuk u nxituan dhe lanë të kuptohej që nuk ishin të kënaqur që parimet demokratike ishin shkelur.

Por le të vimë 30 vjet më vonë, kur në Unazën brenda Tiranës, shumë ka ndryshuar për mirë, por më shumë për keq. Nga ana e urbanistikës dhe arkitekturës ka përmirësime dhe përkeqësime, kurse nga ana politike dhe shoqërore gjërat janë po njëlloj dhe disi më keq. Kënetë!

Në vitin 1996 njerëzit ishin më të varfër, por kishin shpresë se demokracia dhe liria e tregut do sillnin përmirësime. Ishin të pakënaqur me Berishën dhe donin ta largonin nga pushteti, sepse e meritonte të largohej. Nga një ish-komunist i kthyer në antikomunist, Berisha ishte bërë një autokrat pa ndonjë ideologji. Qëllimi i tij i vetëm ishte të ruante dhe forconte pushtetin e tij personal. Nuk ishte korruptuar ende ekonomikisht, por kishte lejuar korrupsionin për të ndihmuar krahun e tij politik dhe për të kontrolluar vartësit e tij “kukulla”. Ishin thuajse të gjithë të tillë. Kukulla sepse ishin të korruptuar. Bënte përjashtim ndoshta Dash Shehi dhe ndonjë tjetër, që kishin ende personalitet. Të tjerët ishin “zarba”, duke nisur me kryeministrin Meksi dhe duke përfunduar tek Blerim Cela. Pa dyshim që më të rrezikshmit syresh ishin tropojanët Hajdari dhe Haxhia, njëri prej të cilëve përfundoi si Hero i Demokracisë në bronx, ndërsa tjetri 25 vjet në burg, për pjesëmarrje në vrasjen e Heroit. Bandat besnike të Berishës, së bashku me policinë e tij i shtruan në dru mjaft opozitarë, midis tyre edhe Kryeministrin e sotëm Rama, që atë vit nuk kishte hyrë në ndonjë parti, por shkruante kundër Berishës.

Ngjashmëria me vitin 2026 është e madhe. Kemi të njëjtin Udhëheqës Autokrat, që tani quhet Rama dhe që ka një qeveri me kukulla, të cilët i mban në zap se janë të korruptuar dhe pa pikën e personalitetit. Opozitën nuk e rrah me bandat e tij, por e ka vënë poshtë nëpërmjet mekanizmave ligjore që ka nën kontroll. E kanë mbrojtur deri tani më shumë europianët, por duket se edhe pse nuk e mbështesin plotësisht, nuk po e demaskojnë hapur për të mbështetur një turmë opozitare, që ta rrëzojë.

Dhe këtu fillon dhe përfundon e keqja jonë!

Ne nuk jemi në gjendje të marrim në dorë fatet e vendit tonë!

Pas 40 vitesh nën një Diktator, kaluam në një Diktator të zbythur dhe pas atij nën një mjek demagog Autokrat dhe tani nën një piktor demagog Autokrat. Jemi të paaftë për të ndërtuar një sistem politik të lirë!

Pavarësisht se kush është Marta Kos dhe kusuret që ka në marëdhëniet me shtetin shqiptar, ajo tha një të vërtetë të madhe, që shoqëria shqiptare e toleron dhe pranon korrupsionin.

Mund të thoshte edhe më shumë, pikërisht këto që po shtoj më poshtë:

Shoqëria jonë nuk është gati për të ngritur një sistem ekonomiko-social demokratik.

(vijon)

Wednesday, 1 April 2026

Xhepistët dhe e Majta dhe e Djathta europiane. (fund)

 


(vijim)

Lidhja krejt rastësore ka të bëjë me Barcelonën. Një qytet me të vërtetë shumë i bukur dhe i kollajshëm për të jetuar. Gjithashtu më i lirë se të themi Athina apo edhe Tirana. Por në Barcelonë ka xhepistë. Për këtë dukuri më paralajmëroi që në aeroport shoferi i taksisë, dhe përmendi veëanërisht mjetet e transportit publik. Nuk ja vura shumë veshin, as atij dhe as një taksixhiu tjetër, sepse mendova që ka një lloj “konflikti interesi”. Taksixhinjtë nuk duan që turistët të udhëtojnë “xhaba”.

Por më vonë e mora shumë seriozisht, se për të njëjtën gjë më tha të bëja kujdes një puta dhe edhe pse mendova gjithë dyshim se mund të ketë ndonjë të dashur taksixhi, ja vura veshin. Dikush tjetër më tha që ky është problem i shumë qyteteve europianë, si Parisi, Roma, Milano dhe të tjerë. Unë nuk kam pasur përvoja të tilla në to, por kjo nuk do të thotë, që nuk është e vërtetë. Për në Paris gjithnjë është folur se kryexhepistë janë rumunët.

Thuajse në fund të vizitës në Spanjë, qëllova me një shofer taksie peruan, që fliste mirë anglisht. Ngriti të njëjtin problem të xhepistëve. Dhe bëri me faj ligjet spanjolle , të cilat janë shumë të buta ndaj “kontrollorëve” të xhepave.

Si xhepist simpatizues, unë e kundërshtova dhe i thashë që nuk është një krim i rëndë. Ai përmendi Amerikën, ku kjo dukuri është shumë më e pakët dhe shtoi se në Amerikë nuk ja hedh dot kollaj po fute dorën në xhepin e tjetrit.

Dhe këtu hyjnë e Majta dhe e Djathta shumë e dashur europiane. Në ligjet kundër keqbërësve dhe emigrantëve në veëanti. Sepse dihet që më të shumtët e xhepistëve janë emigrantë.

Pa përmendur Amerikën (ndonëse udhëtoj shpesh atje) më duhet të them se në Kanada xhepistët jnë një specie në zhdukje e sipër. Nëse ekzistojnë akoma. Dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me butësinë apo fortësinë e ligjeve. Kontrollorët e xhepave janë shumë të pakët, sepse nuk ka më gjëra me vlerë që të transferojnë. Para të thata mbahen pak ose aspak, kredit kartat është e vështirë t’i përdorësh apo t’i klonosh dhe monedha floriri mbase nuk mban më njeri në xhepa, që prej Luftës së Dytë. Celularët gjithashtu nuk janë më të lakmuar, sepse janë shtuar shumë elementet e sigurisë dhe do shumë mund t’i bësh të vlefshëm për rishitje. Në xhepat e pasëm dhe të përparmë, më shumë mund të ketë rrezik të të fusë dorën ndonjë homoseksual budalla se sa një xhepist.

Por politikanët e fëlliqur të së Djathtës europiane. përdorin edhe pakënaqësinë e njerëzve ndaj xhepistëve, për të ngritur një frymë ksenofobe dhe për të kërkuar forcim të ligjeve dhe zbatim të ashpër të tyre. Eshtë një “fletë libri” e shkruar që në kohën e Musolinit. Dhe funksionon. Sepse njerëzit nuk kanë shumë kohë as për të lexuar, as për tu informuar dhe as për të parë filmin e Rober Bresonit. Ndaj nuk është ëudi, që dikush, të cilit i kanë vjedhur portofolin ku kishte një shumë të mirë parash të kërkojë edhe dënim me 20 vjet burg për xhepistin. Madje ka nga ata që i mbajnë ison dhe kujtojnë kohë dhe vende, ku xhepistëve ju pritej njëra dorë! Dhe kjo në një kohë, kur është fare e thjeshtë, që paratë e thata të hiqen nga qarkullimi.

Por hipokrizia e politikanëve të së Djathtës (të së Majtës nuk janë burra më të mirë, por pak më tolerues) është se jo vetëm nuk duan t’ja dinë për superhajdutët, por nga një pjesë e tyre edhe financohen për fushatat elektorale. Nuk kemi dëgjuar, që të Majtët (apo edhe ekstremistët e Majtë) të mbështeten me para nga xhepistët.

Nuk dua në asnjë mënyrë të them se Krimi i vjedhjes duhet nënvleftësuar. Eshtë në një nga 10 porositë e Biblës, që janë baza e moralit të Qytetërimit – Mos vidh!

Por në kohët moderne, një pjesë jo e vogël e njerëzve, ju “vjedhin” të tjerëve ëka mundin duke nisur nga koha, paratë, liria, idetë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, fjalëkalimet në banka dhe të tjera gjëra. Ndaj jo vetëm nuk duhet nënvleftësuar por luftuar me ligje dhe kryesisht me edukim. Sepse nuk mendoj sikundër mendonte shoferi i taksisë peruan në Barcelona, se ligjet e forta dhe zbatimi i tyre mund të zhdukin xhepistët e më pas të gjithë të rrojnë të lumtur e të gëzuar.

Xhepistët nuk do ekzistojnë kur të mos ketë më xhepa!

Dukert si idiotizëm, ose një ide e ekstremit të majtë, por mendoj se Njerëzimi do arrijë në një kohë kur xhepat do jenë vetëm për të futur duart në stinët e ftohta. Gratë kanë ëanta dhe nuk kanë nevojë qysh tani për xhepa. Për më tepër ëdo gjë me vlerë do jetë në celular , i cili është më i sigurt se një kasafortë.

Atëhere pse duhet që të shqetësohemi për xhepistët pa të ardhme?! Unë mendoj që duhet madje të gjejmë mënyrë si t’i mbrojmë, ashtu si veprohet me kafshët dhe shpendët që rrezikojnë të zhduken përfundimisht nga ky Glob.

Le të zhdukim politikanët hajdutë, se xhepistët nuk do jenë më të rrezikshëm!


Monday, 30 March 2026

Xhepistët dhe e Majta dhe e Djathta europiane.


Unë nuk i kam përbuzur ndonjëherë xhepistët. Madje sa më shumë kam nisur të kuptoj nga kjo botë, më është shtuar edhe respekti për ta. Sigurisht që në shkallën e hajdutëve nuk i ve më lart se ata që vjedhin pa dhunë bankat apo koleksionistët e artit, por i ve më lart se gjithë hajdutët e dhunshëm.

Se po ta marrim hollë hollë ç’farë bën një xhepist?

Ai zhvendos disa të mira materiale nga një xhep i tjetërkujt në xhepin e tij. Por ne këtë gjë na e bëjnë për ditë, dhe kanë nisur që në kohën kur veshëm rrobat e para me xhepa dhe kishim në to disa gjëra me vlerë. Na i kanë bërë dhe bëjnë qeveritarët dhe njerëzit e pasur. I vetmi ndryshim i tyre me xhepistët, është se ata kanë krijuar rregulla se si të na i marrin dhe këto rregulla i mbrojnë me gjithë institucionet e dhunës dhe të ligjit.

Por le të përqëndrohemi në xhepistët e thjeshtë dhe të lemë mënjanë të ndërlikuarit.

Në fëmininë dhe adoleshencën time, një hajdut xhepash shihej me përbuzje. Shoqëria shqiptare nuk i vlerësonte dhe ata që unë i dija si të tillë nuk kishin emër të mirë. Unë i shihja me çudi se pyesja veten se si janë në gjendje të gërmojnë në xhepat e tjetrit. Unë vetë kisha vështirësi të gjeja gjërat me vlerë në xhepat e mija. Kjo nuk më bënte t’i admiroja, se kisha parë edhe disa rreth moshës sime që hynin në burg, por gjithsesi për mua ishin një specie e veçantë njerëzore. Deri sa pashë në televizionin jugosllav një film francez të Rober Breson të quajtur “Xhepisti”. Filmi mçë ndryshoi plotësisht idenë që kisha pasur rreth xhepistëve. Si vjedhin, përse vjedhin, si i përzgjedhin “viktimat” dhe se sa mundohen që të vjedhin. Eshtë një film i shkëlqyer psikologjik edhe pse i realizuar në një kohë të largët, sikundër është viti, kur jam lindur.

E kuptoja dhe që Faqekuqi dhe Raqi Kubani, nuk ishin si xhepisti i Bresonit, por gjithsesi, disa pjesë të karakterit të tij duhet të kishin.

Në vitin 1980, bashkë me dy shokët e mij, pamë një fragment të “filmit francez”, në pistën Iliria. Ishim me pushime dhe në një nga lokalet, kur shitej diçka që pëlqehej (nuk e kujtoj në shiteshin akullore apo birra) një xhepist, në shoqërinë e një tjetri, nuk ju la xhep pa kontrolluar disave nga klientët. Ne e ndiqnim skenën gjithë admirim, se njëkohësisht nuk donim të konfrontoheshim me ndihmës xhepistin, që na shihte me inat. Edhe sot nuk e harroj burrin rreth të 40-ve, të shkurtër e tullac, që gjithë mjeshtëri mundohej të zhvendoste kartmonedha apo portofole nga xhepat apo çantat e klientëve. Ishte vërtet i aftë, por na u duk se e mbylli i pakënaqur atë 20 minutësh kontrolli të akulloreblerësve.

Për vite të tëra nuk kisha parë më skena të ngjashme, se në Korçë nuk qarkulloja me “urban”, që zakonisht është një vend i preferuar për profesionistët e xhepave. Ndonjë xhepist shumë të njohur e dinim se kush ishte dhe i qëndronim larg. Nuk na pëlqente inspektimi i xhepave edhe sikur mos kishim para në to.

Kjo deri në vitin 1996, kur për herë të parë dhe të fundit, pata si klient një xhepist të njohur. Th. kishte qënë xhepist profesionist, me disa burgosje në cv-në e tij, por ishte larguar drejt Greqisë, ndoshta edhe para se të ndërrohej sistemi. Atje ishte bërë biznesmen, bashkëjetonte me një ruse dhe kishte mbledhur para për të ndërtuar një shtëpi të madhe, në vend të shtëpisë së prindërve. Kishte ngritur një kompani pa liçencë, në biznesin që njihte më mirë- atë të inspektimit të xhepave dhe të transferimit të të mirave materiale. Nuk punonte vetë në terren, por stërviste fëmijë që sa kishin hyrë në adoleshencë dhe kishte krijuar me ta marëdhënie kontraktuale. Biznesi i kishte ecur.

Hyri në zyrën time në orarin që ishte lënë takimi dhe më befasoi me veshjen. Jo vetëm që mbante kostum dhe këmishë, por kishte edhe një papijon të kuq. Me shumë politesë më kërkoi që të konceptoja një vilë të madhe, aq sa mund të lejonte parcela e vogël e shtëpisë së prindërve. Më pas, gjithë mirësjellje më bëri të njohur, se do ishte në Greqi për arsye pune dhe për vilën do interesohej e jëma.

Ajo erdhi disa herë dhe projektin e mbaruam, por nuk jam i sigurt nëse e morri apo jo lejen e ndërtimit. Pas shumë vitesh, kur kam kaluar pranë shtëpisë së tij, pashë që ishte ndërtuar një vilë e vogël, por pa asnjë lidhje me projektin tim.

Ishte aq i ndershëm, sa as nuk “vodhi” idenë time të projektit!

Por u përqëndrova shumë tek e kaluara dhe nuk preka aspak se çka të bëjë e Majta dhe e Djathta europiane me veprimtarinë e xhepistave. Ata i kanë programet shumë të ndryshme ideologjikisht dhe shumë rrallë i vjedhin ide politike njëri tjetrit.

(vijon)

Sorry Gaudi!


Sikundër më paralajmëroi një miku im në Detroit më ndodhi. Ndërsa ecja në kryqëzimin e rrugës Paralel me rrugën Ovido, një makinë e zezë me xhama me ngjyrë të errët ndali pranë meje dhe prej saj zbritën dy persona të maskuar. Me një anglishte të çalë më thanë të hyja në ndenjëset e pasme të makinës dhe pasi nisa të kërkoja shpjegime më shtynë me forcë dhe më futën brenda saj. Nuk arrita të klithja “help!” dhe të thesha që po rrëmbehej një qytetar kanadez, se më kishin vënë në kokë një qese letre dhe makina u nis. Të maskuarit më mbanin duart ndërsa shoferi na shpinte diku, që sigurisht nuk kishte si ta kuptoja.

Më hoqën qesen dhe e pashë veten brenda një garazhi të madh dhe të errët. Ku ishin parkuar dy makina të mëdha transporti dhe dy vetura pa targa. Dy të maskuarit ishin më këmbë dhe gjithë mirësjellje mu drejtuan në të njëjtë anglishte të çalë:

-Na vjen keq...po duhej ta bënim se e kishe kaluar të kuqen!

-Të kuqen?! – pyeta unë duke u dridhur, duke menduar se sa do alarmoheshin të afërmet e mija. Në njerëzit më të afërm unë kam katër femra dhe dy prej tyre alarmohen menjëherë. Më e qeta është Rory, të cilën nuk e kap paniku se i thotë vetes: “Merr frymë thellë!”

-Po po të kuqen. Gaudi është i paprekshëm!- tha njëri syresh dhe e kuptova që çështja ishte shumë serioze , por dhe profesionale njëkohësisht. “Mbase ka derman!”- mendova

Më thanë se ishin pjestarë të organizatës “Defendemos Gaudi!” dhe edhe pse nuk ishin kundërshtarë të fjalës së lirë, ishin të vendosur të mbronin me çdo çmim emrin e arkitektit katalanas.

U mundova të shpjegoja se unë nuk kisha ndonjë gjë kundër Gaudit, dhe se shpërthimi im i pakontrolluar nuk kishte qëllim denigrimi të figurës së tij gjeniale dhe as të reputacionit të Sagrada Familia, por ata nuk bindeshin. Më përmendën argumentat tepër të dobëta dhe sigurisht titullin e shkrimit, gjë që i kishte bërë të binin në gjurmët time. Se po të kisha shkruar “Ik o pirdhu me gjithë Gaudi!” as do e kishte marrë vesh njeri. Por shprehja ndërkombëtare tepër “e ndyrë“ më kishte krijuar këtë situatë të pashpresë dhe pikërisht një ditë para se të ikja nga Barcelona.

Nisa t’ju bëja një zbërthim psikologjik të situatës sime , si arkitekt me një karrierë të dështuar dhe të shtoja se Gaudi nuk ishte i pari që kisha sharë, se të njëjtën gjë kisha bërë edhe me Korbyzjenë dhe arkitektin australian Pite Uilson, por më i shkurtri prej tyre mu përgjigj: “Blah blah blah...” dhe shtoi se në celulari që më kishin marrë kishin gjetur kontakte me disa arkitektë të shquar shqiptarë, madje këmbime të shpeshta me shefen e arkitektëve shqiptarë. Sipas tyre, kjo hidhte poshtë mbrojtjen me dështim karriere.

Duke mos ditur nëse organizata kishte ndonjë nuancë fetare apo politike veç asaj profesionale, nisa të thurrja lavde për qytetin e Barcelonës. klimën dhe lëvizjen shumë të lehtë të këmbësorëve të moshuar. Nuk doja të prekja çështjen e Pavarësisë nga Madridi apo hapësirat për homoseksualët dhe transgjinorët, sepse nuk dija nëse ishin shumë të majtë apo shumë të djathtë. Se këta që rrëmbejnë të huaj në ditë me diell nuk mund të jenë gjë tjetër veç ekstremistë.

E pashë që duhej pranuar gabimi dhe të deklaroja se do bëja çdo gjë për ta shlyer. Të parën do bëja fshirjen e tre postimeve “Fuck Gaudi!”

- Jo, jo skipëtari dinaku...më tha në gjuhën time amtare më i gjati dhe vazhdoi në anglishten e belbët: “Ti do qëndrosh sonte këtu dhe do rrish në gjunë për 8 orë para fotos së Sagradas. Lutju kujt të duash! Nesër, kur ta gjykojmë se do lejohesh të kthehesh atje ku jeton, do shkruash që je shumë shumë SORRY!”

E pranova menjëherë dhe shkova pas kamionit të madh, ku më shpunë rrëmbyesit. Atje ishte fotoja e Madhe e Sagradas, para të cilës rrashë menjëherë në gjunjë pa përdorur gjunjëza, siç përdorin ata që lyejnë parketet.

Nëne, nëne, sa të gjata ato 8 orë!

Sot në mëngjes më shpunë në hotelin ku duhet të mblidhja rraqet dhe më porositën, që nëse nuk bëja shkrimin do kisha edhe më shumë pasoja. Celularin e mbajtën si provë të shkeljes së rëndë, po kush pyeste për të. Vetëm të ikja një orë e më parë, sa më larg Sagradas. Dhe të shkruaja shumë shumë sorry!

Sorry Antonio!

Ishte një lajthitje e moshës.

Sunday, 29 March 2026

Pashkë dhe Paqe


Një miku im, që banon në Massachusets, më kritikon se unë përmend përgjithësisht emra ortodoksësh dhe pak ndalem tek shqiptarët muhamedanë dhe ata katolikë. Budistët nuk i ka përmendur.

Ndaj dhe unë sot, që është e Diela e Palmave e katolikëve, po shkruaj këtë mesazh universal për Paqe dhe Dashuri, ashtu si më ka mësuar Papa Spiroja, që është një prift tejet mendjehapur, si dhe këngëtar dhe poet.

Për dy javë me rradhë, do përcjell vetëm mesazhe Dashurie, Mirësie dhe Drite, kuptohet brenda mundësive të mija që janë ato të një 67 vjeçari të thjeshtë, që banon në një qytet të vogël të Kebekut.

Më duhet të pranoj se edhe pse kam agjëruar për katër javë rrjesht, unë nuk kam pasur lartësimin e duhur shpirtëror, se jo vetëm që kam qënë kritikues, cinik , nihilist, por në disa raste edhe e kam tepruar me një fjalor të rëndë, si ka qënë rasti i Gaudit, Ramës dhe Elisa Spiropalit.

Për këtë katharsis, që po nis sot, më ndihmoi edhe rileximi i një mesazhi që kam marrë rreth dy javë më parë nga një mik tjet[r i imi, të cilin do e përcjell të plotë më poshtë. Eshtë një mesazh i rrallë, por shumë i ndryshëm, nga ata që marr shpesh nga avokati im, që tashmë e ka mbyllur zyrën e tij në Lion. Mesazhet e këtij të fundit kanë qënë kryesisht me fjalën MOS, dhe më tërheqin veshin për tejkalime të së drejtës penale shqiptare, për rrezikun e një gjyqi për fyerje dhe më keq akoma, rrezikun e një ndëshkimi fizik, kur të kem rastin të vizitoj Atdheun.

Në të kundërt, mesazhi i mikut tim, është nxitës, vlerësues dhe që më shtyn të shkruaj, por njëkohësisht edhe të përcjell ide sa më të plota dhe të dobishme:

Po i lexoj dhe jam shumë i intriguar t’i lexoj...Realisht më pëlqejnë shkrimet e tua për çështje të ditës, analizat apo komentet, më pëlqen informacioni, kultura e të shkruarit, narracioni, stili gjithashtu...

I kam ndjekur gjithashtu postimet e tua në blogu yt. i cili vazhdon prej shumë vitesh...

Ke inkurajimin timtë vazhdosh këtë punë, që besoj të është bërë obligim i brendshëm i të komunikuarit me të tjerët nëpërmjet temave që trajton...

Nuk di çfarë ndjekje ka blogu, por është një punë që ja vlen në vështrimin tim, sepse je ti, si në ditaret e dikurshme, por tashmë me një vlerë sociale...”

Me të vërtetë një mesazh vlerësimi dhe dashurie, që më nxit drejt Paqes edhe më shumë se predikimet e Papa Spiro Ravonikut. Për më tepër, kur ju rikthehem postimeve të mija, në të cilat nuk pëlqej thuajse asgjë, dhe i krahasoj me mesazhin e mikut tim, që i pëlqen të gjitha, ndjehem bosh dhe i paplotësuar.

Ndoshta më shumë se mbajtjen e kreshmës, unë duhet të kisha nisur katër javë më parë, këtë çka po nis sot. Po më mirë vonë se kurrë!

E kuptoj që miku im ka edhe vërejtjet e tij, por duke qënë tepër dashamirës, i ka lënë të fshehur pas tre pikave. Sa shumë dashuri!

Nuk ka kuptim të kërkoj ndjesë për kritikat e ashpra dhe ndonjëherë edhe degrinimet, si dhe do i le postimet e pafshira, sepse edhe lexuesi që më ndjek, duhet të shohë ndryshimin dhe pastrimin tim shpirtëror.

Do duhej të vinte kjo e Djelë e Palmave dhe njëkohësisht të rilexoja mesazhin e Paqes, Shpresës dhe Inkurajimit , që më ka dërguar gjatë javëve të Kreshmës, miku im.

Paqe mbi të gjithë mëkatarët e mëdhenj dhe të vegjël, kudo që ndodhen!

Saturday, 28 March 2026

Elisa nuk ka ç’të humbasë...veç tangave!


Në Partinë Socialiste, vazhduesen e drejtpërdrejtë të Partisë së Punës (komuniste), po zhvillohet një përplasje e fortë dhe e ashpër mes ish Kryetares së Kuvendit, ish Ministres së Jashtme dhe në legjislacionin e ardhshëm ish deputete, Elisa Spiropali dhe Edi Ramës.

Për arsye tejet parimore, Rama e pat shkarkuar nga posti i ministres jo shumë kohë më parë dhe për arsye tejet parimore, Spiropali po vazhdon betejën për të vënë në vend nderin e saj si një nga figurat më kryesore të Partisë Socialiste.

Unë jam i një brezi “gërxhosh” që mund të dijë diçka rreth karrierës politike të Edi Ramës, por thuajse asgjë nga karriera politike e Spiropalit. Nuk di as se ku ka studiuar, as se ç’farë ka studiuar dhe se si e ka nisur ambicien e saj politike për të bërë gjithshka që i kërkohet një intelektualeje të re për ta shpënë Shqipërinë në Europë dhe më la!

Di dhe që e ka krahasuar Ramën me Skënderbeun, dhe ndonjëherë e kam përmendur në shkrimet që bëj kundër tij, sepse nuk më dukej krahasim i goditur. Berisha e ka hundën si të Skënderbeut , ndërsa për Ramën mund them se ka nisur të ngjajë më shumë me Plakun e Vlorës. Po këto punë Skënderi apo Enveri, Ismaili apo Kadareja, janë muhabete jo me shumë vlerë, që mund t’i thuash dhe t’i tërheqësh dhe nuk prishin asnjë punë. Se për shembull Tahirin e krahasonin me Qemal Stafën, por ai është shumë larg Varrit të Bamit, sikundër dhe Ilir Meta, të cilin e krahasonin me Mehmet Shehun. Me një llaf muhabete kot.

(Nuk di se me kë krahasonin Erion Veliajn, por ndoshta në Historinë e Shqipërisë nuk ka pasur figurë aq zvarranike sa bashkëshorti i Ajolas, për ta krahasuar.)

Elisa Spiropali.

Elisa është shumë e re për të qënë një lexuese serioze e veprës të klasikëve të marksizëm- leninizmit Marks, Engels, Lenin dhe Stalin. Ndoshta nuk ka patur fat as të lexojë ndonjë nga veprat e sho Enver, të cilat edhe sot duhet të na ndriçojnë në rrugën që kemi nisur për ndërtimin e Kapitalizmit fitimtar.

Kështu që nuk ka dhe si ta ketë lexuar “Manifestin Komunist” të vitit 1848 të shkruar nga Marksi dhe Engelsi, dhe veçanërisht kapitullin 4, ku është edhe shprehja legjendare: Proletarë nuk kini ç’humbisni veç prangave!”

Ishte një shprehje tepër e logjikshme (thuhet se klasikët e kanë kopjuar nga një femër komuniste), sepse në mezin e shekullit të XIX, proletarët ishin vërtet si mos më keq. Punonin tërë ditën dhe paguheshin sa për të mbajtur shpirtin gjallë, në mënyrë që të kishin mjaftueshëm fuqi për të punuar edhe të nesërmen. Kushtet e punës dhe jetesës ishin të tmerrshme. Ishte kjo arsyeja përse ideologjia komuniste u përqafua shpejt kudo në Europë.

Po a është Elisa jonë një proletare në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale?

Jo. Dhe si çdo lloj krahasimi edhe përfshirja e Spiropalit në këtë shprehje është e gabuar.

Por në kazermën që quhet Parti Socialiste. ish Kryetarja e Kuvendit e di që nuk është më kërkushi. Të gjithë i largohen si një lebrozeje. Eshtë veç dikush që do fshihet shpejt nga çdo lloj liste, nga zemërimi i Zeusit. Ndaj dhe nuk i ka mbetur asgjë për të humbur...veç tangave! Ndaj dhe po “lufton” me të Madhin!

Se pranga nuk ka dhe nuk di nëse i ka përdorur ndonjëherë në ndonjë lojë erotike në shtratin e saj bashkëshortor!

Shteti-Rama, Rama-Shteti

 





Videot e mësipërme nuk janë realizuar nga Inteligjenca Artificiale. Janë pjesë të miratimit formal të emërimit të ambasadores shqiptare në Katar, nga Naltgjatësia i Tij Edvin Kristaq Rama, Udhëheqës i shqiptarëve trima dhe liridashës.


Friday, 27 March 2026

I afërmi nuk duhet prekur!


Një kushërirë, e cila u indinjua disa javë më parë për shkrimin ku i quaja studiuesit dhe restauratorët e Muzeut Mesjetar, bujkrobër, më kritikoi rëndë për një shkrim ku kisha prekur një të afërm. Më shkrojti me gërma kapitale : I AFERMI NUK DUHET PREKUR! Mua kapitalet më tronditën, por nuk e humba plotësisht dhe si mbrojtje pyeta se deri në cilën gradë janë të paprekshmit, (Kisha parasysh politikën e ndjekur nga Partia gjatë luftës së klasave, ku përcaktoheshin saktësisht se cilët të afërm duht të persekutoheshin për fajin e të afërmit antiparti.) Kushërira më shkrojti :Pa diskutim që të paktën deri në kushëriri i dytë! Kjo më lehtësoi, se po të kishte shkuar një gradë më larg, atëhere i binte që të përfshihej e gjithë Korça ortodokse, një pjesë e Tiranës , Selanikut dhe e Bostonit. Kë të shaja dhe demaskoja pastaj?!

Po edhe kushërinj të dytë, që ishin ende gjallë (të vdekurit nuk i hanë as arinjtë) ishin mbi 186 dhe po t’ju shtonje edhe gratë e fëmijët (ndonjë kishte edhe ilegalë) bëheshin shumë. Kuptohet që këtu nuk hynin kushërinjtë e parë, që sipas kriterit ishin nga të parët “të paprekshëm”. Ndaj duke parë se duhet të bëj dy shkrime në ditë për blogun, edhe ky numur “i të paprekshmëve” më dukej i madh, Sepse rreth 70% të shkrimeve të mija janë për Korçën dhe më të shumtët e kushërinjve të dytë janë në Korçë.

Ndaj “mora zemër dhe i thashë“ se pse nuk duhet ta kisha prekur të afërmin në fjalë. Ajo më tha se unë nuk kisha idenë e jetës së tij, se ç’kishte hequr nga Diktatura dhe përfaqësuesit më të këqij të saj, dhe se ndërsa unë studioja në Universitet në sajë të Enver Hoxhës, ai vuante në internim. Ndaj dhe çdo gjë që mund të ndodhte sot ishte e justifikuar nga e kaluara e hidhur.

Të kaluar të hidhur kemi pasur të gjithë dhe unë jam pakëz i metë, por jo aq sa të mos kuptoj se e imja ishte “mjaltë“ krahasuar me të hidhurën e tij. Vetëm që nuk jam në gjendje të lidh dy gjëra, që më duken tejet të ndryshme dhe që janë karakteri dhe vuajtjet. Ose më shumë se të ndryshme, të tilla që mund të ndikohen nga njëri tjetri. Për shembulll që vuajtjet nën një Diktaturë, të të bëjnë njeri pa shtyllë kurrizore. Sepse ato mund të kenë ndikuar tek njerëz të caktuar për të marrë vendime jo të pranueshme, mbase edhe të bëhen bashkëpuntorë të Diktaturës, por kjo nuk është çështje karakteri. Njeriu nuk arrin dot të përballojë presionin dhe mund të pranojë të bëhet spiun. Madje edhe mund të dëshmojë në mënyrë të rremë ndaj dikujt tjetër i detyruar. I detyruar nga instikti i Mbijetesës. Por kjo sërish nuk lidhet me karakterin. Dikush që di se çështë e Mira dhe e Keqja, di që edhe pasi të ketë bërë një gabim ose dy nën një trysni të paimagjinueshme, në një kohë tjetër, kohë lirie, të dëshmojë karakterin e tij të vërtetë.

Të gjitha këto janë diskutime në teori, sepse i afërmi im as ka qënë bashkëpunëtor i Sigurimit dhe as ka dëshmuar kundër diku tjetër. Madje sikundër ka treguar vetë, është tallur keq me sigurimsat kur ja kërkuan bashkëpunimin. Edhe në një gjyq politik në kohën e terrorit, edhe pse i internuar, kishte pasur kurajën të ngrihej dhe në sy të xhelatëve të mbronte kolegun që dënohej me 25 vjet burg.

Ato për të cilat unë e “prekja” ishin sjellje tepër të dyshimta të një kohe të lirë, kur askush nuk të detyron as të “lëpish by... pushtetarësh dhe njerëzish të pasur” dhe as tregosh histori dhe përralla të së kaluarës, që nuk kanë ndodhur ndonjëherë. Këto kanë të bëjnë me karakterin dhe nuk kanë asnjë lidhje me vuajtjet dhe as janë të diktuara nga vuajtjet.

“Po kush je ti që të gjykosh njerëzit në përgjithësi dhe të afërmin në veçanti” më tha kushërira dhe më zuri gafil. Se vërtet të drejtën për të gjykuar të tjerët e ka vetëm “Ai që i paçim uratën!”. Madje shtoi se a e kisha parë veten në pasqyrë. Dhe unë i mundur, ju drejtova pasqyrës dhe pashë në të, të njëjtën fytyrë idiote, të cilën e kisha parë në mëngjes ndërsa “ujdisja” pak mjekrën. E pyeta fytyrën idiote që më shihte:

Ke surrat ti të demaskosh të tjerët dhe veçanërisht të afërmit?”

Përgjigjen e mora nga vetë objekti i qelqtë që tha:

“Ti nuk ke asnjë të drejtë të gjykosh njeri, por ke të drejtën që ka edhe më i thjeshti mes njerëzve, që Pasqyrën t’ja u vesh para të gjithëve për ta parë veten. Sepse kjo nuk është as pabesi dhe as mungesë karakteri. Eshtë një veprim i thjeshtë dhe i domosdoshëm në këtë jetë. Nëse fytyra që ata shohin në Pasqyrë është e shtrembër, sërish nuk është faji jot por i Pasqyrës!”

Dhe pasi dëgjova këto fjalë unë u ktheva në anën tjetër të shtratit dhe lëshova disa gazra për tu lehtësuar.


Thursday, 26 March 2026

Mos ha m.., mos ha m..!


Kjo shprehje më ka bërë të gajasem, kur një shoku im më tregonte një histori qesharake me një mjekun tonë në Jena, gjatë një incidenti në ndeshjen e futbollit Karl Zais Jena – Dinamo, ndërsa ishte dëmtuar sulmuesi ynë i njohur Ilir Përnaska! Nuk dua të zgjatem me të gjithë historinë, se do marrë më shumë se gjysmën e shkrimit, por këto fjalë më shkuan ndërmend, kur lexova intervistën e kryeministrit Rama, dhënë një gazetareje franceze.

Të gjithë e dinë se Edi Rama është në hall të madh me administratën e sotme amerikane dhe po bën ç’është e mundur, që ta “ujdisë“ me presidentin Trump. Por unë nuk kuptoj, se përse ky gjoja “burr i qut” i duhet të japë një intervistë ndaj një gazetareje të huaj, që dihet se do bëjë pyetje shumë të sikletshme, që do të ta nxjerrin “by... zbuluar” faqe opinionit europian. Nuk ka një këshilltar të afërt dhe të besuar t’i thotë: “Mos ha m.., mos ha m..!”

Vërtet Ramës nuk i bëhet vonë për opinionin e brendshëm, se e ka vënë këtë popull “në zap” pothuajse sa e kishte vënë edhe Dulla. Por Dulla kishte një avantazh të madh, që vendin e kishte izoluar plotësisht dhe nuk i bëhej vonë se ç’mund të thonin të huajt. Madje dhe intervista mund t’ju jepte dhe “t’i dërmonte kapitalistët dhe revizionistët”, por kishte hall se ndonjë kopje gazete do hynte në Shqipëri dhe njerëzit do lexonin që gazetari/ja i huaj do e pyeste për njerëzit që kishte vrarë.

Për të mirën tonë, “diktatoruci” Rama është në krye të vendit në një kohë kur kemi të bëjmë me të huajt dhe varemi shumë prej tyre. Ndaj edhe pse ata mund të kenë mbyllur sy e veshë ndaj korrupsionit të tij, do vijë një çast, kur t’i thonë : “Ik se jo vetëm e ke bërë baltë, por po vepron kundër interesave tona dhe po të llap edhe goja!”

Edvini ynë nuk ka vënë mend nga deklaratat idiote që bëri në CNN në vitin 2016 kundër Trump. Vazhdon të “lehë“ edhe tani, kur pozita e tij është shumë e vështirë si me SHBA dhe me EB, për shkak të ndryshimeve rrënjësore të tij në politikën e jashtme. Por një egomaniak narcisist nuk do t’ja dijë, por i mjafton që të flasë dhe t’ju japë mend të gjithëve.

Ne shqiptarët e kemi këtë “hyq” të keq që na duket vetja si shumë të zgjuar dhe duam t’ju tregojmë të tjerëve se sa dimë dhe t’ju tregojmë edhe zgjidhjet për problemet që kanë. Por nëse kjo nuk i prish punë një shoferi nga Vlora, që i jep mend komshiut të tij në Florida se si duhet ta kuptojë politikën ndërkombëtare, në rastin e një kryeministri apo ministri të jashtëm sjellja është idiotësi. Ne duhet të pranojmë që jemi një vend i vogë dhe si përfaqësues i një vendi të tillë, kryeministri duhet të jetë i përmbajtur dhe të llogarisë mirë hapat që hedh në politikën e jashtme.

Unë nuk kujtoj mirë se çka bërë Rama para vitit 2016, por pas tij, thuajse çdo lëvizje dhe deklaratë ka qënë e gabuar.

  • Rama nuk e bëri marëveshjen për ardhjen e muxhahedinëve iranianë në Tiranë, por nuk ka treguar asnjë prirje që të kërkonte një vendosje afati për qëndrimin e tyre. Ne nuk kemi këllqe të armiqësohemi me një vend të madh si Irani.

  • Rama mban në vite marëdhënie të shkëlqyera me Vuçiç edhe pse shpesh bien ndesh me interesat e Kosovës dhe Shqipërisë.

  • Rama i shpuri marëdhëniet me fqinjët grekë në gjendjen më të keqe që kanë qënë, prej kohës së ndryshimit të sistemit në Shqipëri.

  • Rama bëri gafa të njëpasnjëshme në sjelljen me Melonin, pa i sjellë Shqipërisë ndonjë përfitim të dukshëm nga marëdhëniet me të.

  • Rama u soll si kundërshtari më i ashpër i Putinit në konfliktin me Ukrainën (edhe pse ka simpati për të si autokrat) pa menduar aspak që një vend si joni nuk ka pse të nxjerrë gjoksin kundër një fuqie si Rusia. Për më tepër, problemet e krahinave rusofile në Ukrainë janë të ngjashme me ato të Kosovës dhe qëndrimi më i mirë i joni duhet të kishte qënë - përkrahës të moderuar të popullit ukrainas.

  • Rama bëri lëvizjet më të poshtra, që nuk i sjellin asnjë të mirë Shqipërisë, me vizitën në Izrael dhe me pjesëmarrjen zulmëmadhe në Bordin e Paqes.

Dhe pas gjithë këtyre poshtërsive në kurriz të Shqipërisë, ka edhe paturpësinë që t’i japë edhe intervistë një gazetareje të huaj, e cila dihet që do jetë e drejtpërdrejtë dhe e paanshme. Një intervistë që e nxjerr gollomesh para europianëve, por edhe pa syzet e diellit që kishte në foton në plazhin nudist francez.

Mos ha m.., mos ha m.. çuni i Kristaqit!

Banjot e Mesdheut


U bë një kohë e gjatë, që kur nuk udhëtuar në Europën veriore, ndaj edhe shkrimin për banjot (WC-të)europiane po e kufizoj vetëm tek ato të Mesdheut, që për shkak të “udhëtimeve të punës” i vizitoj më shpesh.

Edhe kjo të kishte mbetur!” do hidhet menjëherë një i njohuri im, që dikur më pat sugjeruar të bëja një shkrim edhe për Ditën e Minatorit. Po unë mund të përgjigjem tak-fak, që me banjot kemi punë disa herë në ditë dhe si një ish-arkitekt më takon të shtjelloj mendimet e mia modeste për këtë hapësirë kaq të nevojshme në çdo lloj ndërtimi. Madje “hale” (po përdor këtë turqizëm se tingëllon më mirë se e jona nevojtore) ka edhe si njësi më vete në parqe, rrugë dhe në kantiere ndërtimi.

Tani që po bëj këtë shkrim kaq të veçantë, më vjen ndërmend një ministër i Ministrisë së Punëve Komunale, i kohës së Diktaturës, që kur u kthye nga një vizitë në Kairo deklaroi se “Do e boj Tironën pllom e hale!” Ministri që quhej Xhemal, ose Xhaferr ose Xhevat, nuk e pati këtë mundësi ose për mungesë fondesh ose sepse për marksizëm leninizmin, zhvillimi i tepruar i objekteve ku jashtëqitet, mund të ishte edhe një deformim i filozofisë që përshkonte si një fill i kuq gjithshka që krijohej në Shqipëri. Se ku mund t’ja u shkoje fillin e kuq gjithë haleve që kishte ndërmend të ndërtonte ministri Xhemal, Xhaferr ose Xhevat?!

Por le të përqëndrohemi në ditët e sotme, kur një njeri që vjen nga Amerika e Veriut përballet pashmangërisht me mjedisin ku duhet të kryejë ato punë aq të papëlqyeshme, por që janë të domosdoshme. (Sokrati theshte se ndjehej i lumtur, kur ngjitej në mëngjez në një kodër plot blerim dhe i rikthente natyrës, ato që i kishte marrë një ditë më parë. Po edhe qasja e Sokratit ishte tepër primitive dhe nuk do ndalem këtu nëse ai mund të arrinte apo jo një higjenë perfekte në kushtet e dimrit në Athinë.)

Amerikanoveriori, i njohur ose jo me Europën Jugore, habitet nga fantazia e arkitektëve të Mesdheut. Veçanërisht me banjat e lokaleve. Ato përgjithësisht janë në vendin më të vështirë për tu gjetur. Po Mesdhetarët janë të sjellshëm dhe të tregojnë menjëherë një skutë diku nga fundi i lokalit, ose shkallë që shkojnë në bodrum. Në këto të fundit ndjehesh edhe më mirë, se të krijojnë intimitet të plotë. Se askush nuk do që ta shohin se po shkon në hale. Edhe pse mund të mos dyshojnë se po shkon per të marrë me hundë pak “miell” ose të shiringohesh me heroinë.

Dhe menjëherë sa gëzohesh nga mjedisi intim, përballesh me vështirësitë e para. Tualeti i burrave (nuk kam hyrë në ato të grave) është tejet i vogël dhe ke edhe vështirësi për të hyrë. E para nuk di nëse dera hapet brenda, jashtë apo është rrëshqitëse. Se vetë i kam hasur të gjitha këto variante. Asnjëherë ndonjë që hapet si punë qepeni. Vështirësia e hapjes së derës, të sjell atë shtrëngimin e bezdisshëm të zorrëve, që tashmë janë të lodhura nga një funksionim tepër i gjatë udhëve të jetës. Por po arrite që të ndalosh lëshimin e gazrave, je i sigurt që nuk i ke mbushur dhe mund të ulesh i qetë në hidrosanitaren e vogël, por që është e mjaftë që të lirohesh. Dhe këtu nis problemi i dytë, që është fikja e dritës. Të ndodh kudo, sepse në Mesdhe enrgjia elektrike kushton dhe janë gjetur mënyra për fikje automatike të dritës. Por është shumë e thjeshtë rindezja. Mjaft të ngresh dorën lart dhe gjithshka bëhet më e ndritur se kurrë. Puna është që dy tre herë më ka ndodhur në atë procesin e fundit, më të ndyrin, por të pashmangshmin dhe duke i pasur të dy duart e zëna, nuk bën dot rindezjen. Atëhere mendon se sa e vështirë është për një të verbër që të dalë jashtë. Nuk gjen dot copën e rradhës të letrës higjenike dhe je në gjendje të pashpresë. C’farë të tundësh?! Dhe sidomos në një sipërfaqe minimale, ku njëra shpatull cik njërin mur dhe tjetra është nën lavoman.

Unë nuk di nëse Homeri do kishte shkruar Odisenë, po qe se do kishte pasur më parë përvojën e banjove të Mesdheut. Edhe pse një herë në ditë dhe jo më shumë se 15 minuta, vuajtjet janë të paimagjinueshme. Përvojat individuale, shpesh herë tepër tepër të dhimshme. Vetëm banjat e zboreve të Mamurrasit, që më dalin edhe sot në ëndërr, mund të konkurojnë me këto përvoja.

Ata që më quajnë me të drejtë kritizer, do thonë “E shikoni si e nxivi dhe këtë!”

Të them të drejtën këto rrjeshta i shkrojta me shumë droje dhe me frikën se do moskeqkuptohem, por unë po shkoj tek të 70-tat dhe në këtë moshë, njeriu vlerëson dy gjëra më shumë se çdo gjë tjetër; dyshekun dhe WC-në. Se shkon vend e pavend, se muskujt e fundit të kurrizit i ka më të dobësuara dhe se është edhe më i trashë edhe me ndonjë sakatllëk.

Ndaj dhe dua t’ju dhj... mu në projektet e lokaleve luksoze arkitektëve të dashur mesdhetarë!

Fuck Gaudi! (fund)

 


(vijim)

Po duke dashur ta ndal pak turravrapin kritikues, edhe për konceptimin bazë të një vepre duhet gjykuar në kohën kur është projektuar dhe jo me mendësitë rreth arkitekturës të vitit 2026.

Sagrada është konceptuar jo në tërësi që në krye të herës. Madje themelet janë hedhur mbi bazën e projektit fillestar të një arkitekti tjetër. Më tej, pasi e mori përsipër, Gaudi e rikonceptoi, por dhe ai jo të kompletuar, po si një projekt që duhet të vazhdonte t ndryshohej dhe ripasurohej herë pas here. Në këtë lloj vendimi mbase ka ndikuar edhe fakti që arkitekti ishte besimtari devotshëm dhe e shihte Katedralen jo thjesht si një vend ku do grumbulloheshin njerëzit për të ndjekut meshën, por si një institucion që edukonte brezat me frymën fetare edhe ndërsa shihnin fasadat dhe bukurinë e veprave të artit në to.

Pikërisht kjo qasje tërësisht e veçantë e njç arkitekti e bën edhe Sagradan kaq të veçantë.

Por le të shkojmë në gjendja ekonomike dhe shoqërore e Barcelonës, si dhe ajo europiane bashkëkohore, sepse pa to nuk mund të kuptohet një vepër e madhe. Edhe pse në ndonjë rast edhe mund të ketë shkëputje (stakim) nga to.

Kur u vendos të ngrihej Katedralja, Barcelona ishte qyteti më i madh dhe më i fuqishëm ekonomikisht i Europës mesdhetare. Dhe ndër më të mëdhenjtë në gjithë Europën. Kështu që mund të pritej që me dhurime të vazhdueshme të plotësohej një vepër tejet ambicioze dhe me një buxhet të papërcaktuar. Nuk është e thënë që këto kushte të ndikojnë në konceptimin arkitektural, por e bëjnë të veçohet nga veprat arkitekturore europiane dhe të përtej oqeanit të së njëjtës kohë.

Nëse qiellgërvishtet e Amerikës, kanë investitorë biznesmenë, që duan të dijnë sa do kushtojë objekti, Sagrada, që është gjithashtu “qiellgërvishtëse” nuk ka asgjë të tillë. Ka vetëm modele pas modelesh dhe makete pas maketesh, të shtuara dhe të rishtuara nga një arkitekt gjeni. Por që në të njëjtën kohë është jashtë rrethit të arkitektëve avangardë të të dy anëve të oqeanit. Eshtë edhe kjo një arsye e fortë pse qasja e tij ndaj arkitekturës nuk është ndjekur dhe nuk duhet ndjekur.

Luis Sallivën (Louis Sullivan) është përpikmërisht bashkëkohës i Gaudit, por nga punët e tij mund të mësosh edhe sot. Dhe i gjen moderne dhe racionale. Frenk Lloid Rajt ka lindur vetëm 15 vjet më vonë se Gaudi, por arkitektura e tij mund të ripërsëritet po aq bashkëkohore edhe sot. August Perre dhe Garnje ishin gjithashtu bashkëkohës të Gaudit.

Në historinë e arkitekturës botërore ka disa raste, kur kostoja e një objekti shkon jashtë çdo logjike, por kjo ka ndodhur e imponuar nga ata që e kanë porositur veprën dhe në të kanë dashur të përjetësohen. Tipike janë piramidat e Egjiptit, por kanë qënë faraonët ata që kanë shpenzuar partë, ose që kanë shfrytëzuar punën e skëllevërve. Rasti i Sagradas është ndoshta i vetmi, kur arkitekti arrin t’ju mbushë mendjen dhuruesve dhe kishës, se vepra jo vetëëm do kushtojë por duhet vazhduar, por edhe të vazhdojë të ndërtohet për më se 140 vjet! Në një kohë që objektet edhe më të mëdhatë, përfundohen brenda dy ose tridhjetvjeçarësh. Nga kjo pikpamje Gaudi nuk i përket shekujve ku jetoi, por më e afërta ka qënë Mesjeta e hershme.

Ka shumë studiues të arkitekturës, që e quajnë Sagradan një vepër të Eklektizmit në arkitekturë. Unë do isha më i rezervuar dhe do përfshija gjithë veprat e tij në Eklektizëm, duke i dhënë të drejtë Antonit që përpiqej t’i largohej sa më shumë neoklasiçizmit, që po i kthente në identike qytetet europiane. Por do veçoja Sagradan. Mendoj se ajo, në klasifikimin e “specieve” arkitekturore, kërkon një kollonë të veçantë. Eshtë një lloj Eklektizmi dinamik, por ku mbizotëron Neogotiku. Elementët e tjerë të arkitekturës të arkitekturës islamike, asaj afrikane apo të Amerikës Latine, mund të pastrohen me lehtësi, pa i ndryshuar ndonjë gjë të madhe veprës. Madje janë disa syresh që të turbullojnë kur i sheh.

Por klasifikimi i një vepre arkitekturore ka rëndësi vetëm për lehtësi studimi dhe nuk është ai që përcakton reagimin tonë mendor dhe emocional. Kur sheh një krokodil apo një rinoceront, nuk mendon se hyn apo jo në gjitarët. Mendon se sa i bukur është dhe ndjen se duhet t’ja mbathësh me vrap për të shpëtuar lëkurën.

Diçka e ngjashme të ndodh me Sagradan. Të josh edhe të tremb, të fton të hysh brenda saj, por edhe ndjen se është më mirë tas htysh për një herë tjetër, se mund të përfundosh ‘i gëlltitur” në “barkun” e saj po aq të çuditshëm sa edhe eksterieri.

Këtu gërshetohen mrekullimi dhe bezdia, se mendon “si ja ka arritur bir i Barças!”, por njëkohësisht ndjen se” nuk ishte e nevojshme “të ndërlikohej dhe të kushtonte kaq shumë“.

Dhe këtu vijmë në pikën se a është e drejtë të quhet Gaudi “një poet i arkitekturës”.

Për t’i rënë shkurt, unë mendoj se poetë kanë qënë arkitektët që krijuan tempujt grekë dhe më pas ata të gotikut dhe modernët Frenk Lloid, Frenk Gehri dhe Zaha Hadid. Do lija jashtë duke i quajtur prozatorë të shkëlqyer Van Der Rohen. Korbyzjenë, Gropiusin. Renco Pianon dhe shumë të tjerë.

Për Gaudin, ashtu si dhe për Sagradan duhet një kollonë më vete. Mbase tragji-komiku i arkitekturës. Por mund të jetë një përcaktim idiot ky i imi.

Për ta mbyllur, shumë lexues profesionistë ose jo mund të thonë me të drejtë: “Koburen që nxorre të qëlloje Gaudin, fute aty ku duhet ta futësh!”

Si i pacipë dhe kokëfortë unë do ju përgjigjem:

“Fuck you too!”



Wednesday, 25 March 2026

Fuck Gaudi! (2)


 (vijim)

Të njohurit e mij anglishtfolës, që lexuan pjesën e parë, më kritikuan se e kisha nisur keq, me një të sharë të rëndë për Gaudin. Më duhet të sqaroj se ajo që mendova në çastin, kur u ndjeva jo mirë nga Sagrada ishte “Ik o pirdhu me gjithë Gaudi!”, por nuk tingëllonte mirë, ishte tepër vulgare dhe jo e përshtatshme për një shkrim serioz rreth një vepre dhe autori tejet serioz. “Fuck” i imi nuk ka kuptimin e vërtetë të asaj fjale, por është më shumë një ngjyrim i stërnxirë i shprehjes “Arkitektura e Gaudit nuk duhet ndjekur!” Ka të bëjë më tepër me ata që aspirojnë të bëhen arkitektë në të ardhmen, ose janë në hapat e para të profesionit.

Nëse do isha pedagog në një shkollë arkitekture do ju mbaja një leksion të gjatë studentëve të mij se përse nuk duhet ta imitojnë arkitekturën e Modernizmit Katalanas dhe veçanërisht Katedralen e Familia Sagrada. Qysh në konceptim dhe më tej edhe në qasjen vëllimore, të detajeve arkitekturore dhe të kombinimit me vepra të arteve pamore, Por për fatin e mirë të studentëve imagjinarë, unë nuk kam kredencialet e duhura për të qënë pedagog arkitekture jo vetëm tek Politekniku apo Polisi, por as në një Universitet fshati të Shqipërisë, i cili mund të tentojë të hapë një degë “prodhimi arkitektësh”.

Në këtë blog veçanërisht personal unë mund të shkruaj turli marrëzish dhe avantazhi i atyre që e hapin është ta mbyllin menjëherë faqen dhe të vazhdojnë me punët e tyre të përditshme.

Po e nënvizoj edhe njëherë, që edhe pse e njihja fort mirë, nga qindra e qindra pamje fotografike, prej shumë këndesh, si edhe video që janë marrë duke ardhur rrotull Sagradës, përshtypja e parë “e gjallë“ ishte e një kombinimi të jashtëzakonshëm të kullave prej rëre që bëjnë në breg të detit fëmijë dhe adoleshentë të talentuar me pjesë veprash të gotikut, rokokosë dhe të arkitekturës islamike. Ndoshta edhe shumë të tjera, për të cilat do më duhen dhjetra e dhjetra shikime nga afër të hollësishme. Më la pa gojë jo aq nga fantazia e atij kombinimi, por nga saktësia e realizimit. Objekti duhet të ketë qënë tejet i vështirë të realizohet dhe unë nuk kam idenë se si është punuar nga ana ndërtimore në kohën kur ka nisur ndërtimi i Katedrales. Gjithashtu nuk kam ndërmend të ble ndonjë libër që dëshmon me hollësi fazat e projektim zbatimit.

Objekti mund të kishte qënë i shkëlqyer për mendimin tim, vetëm me kullat ngjyrë kafe, dhe të krijonte një stilizim të mrekullueshëm të arritjeve më të mira të Gotikut europian. Edhe pse ndonjëherë edhe kullat kafe të duken si kallëpë misri të posazhveshur. Por ndoshta edhe synimi i Antonit ai ka qënë.

Por Gaudi nuk mjaftohet me to dhe një ndërlidhje të tyre me hapësirat e brendëshme që realizojnë interiere befasuese të një katedraleje katolike. Dhe këtu, pëtr mendimin tim tepër modest, ze fill gabimi i madh konceptual i një Katedraleje nga Gaudi.

Ku ka dashur të arrijë?

Të krijojë një monument të madhështisë së Perëndisë, që krijoi këtë botë të bukur në të gjithë larminë e saj? Për kët i duheshin edhe dhjetra tufa me banane, mango dhe fruta të tjera ekzotike që ka vendosur në majat e shumë elementëve vertikalë arkitekturorë, që duhet thënë se janë proporcionuar në mënyrë gati perfekte. Të krijohet përshtypja e gabuar, se ka ndjekur shprehjen e njohur në rrethet e të krishterëve ortodoksë shqiptarë : Perëndia është bakall! C’ti kërkosh të jep! Dhe në rastin e sipërpërmendur, ka një larmi frutash, sikur të jesh në një dyqan frutëshitësi. Frutat me ngjyrat e tyre të vërteta nuk kanë vend në asnjë lloj arkitekture, qoftë kjo klasike, neoklasike, art-deko, moderne etj. Arkitektura nuk ka qënë dhe nuk është një art pamor edhe pse me sukses në shumë vepra nga më të mirat janë “inkorporuar” skulptura, basorelieve, mozaikë, aplikime në qeramikë, qelq, hekur të rrahur etj etj.

Duke mbetur tek konceptimi bazë, që duhet të ketë qënë dhënia e madhështisë të Zotit tonë, unë mendoj se fjala e fundit arkitekturore për një Katedrale ishte dhënë me veprat më të mira të Gotikut dhe asgjë nuk mund t’ja u kalonte. Ka më se 700 vjet nga Katedralja e Shartr (mund të merrja edhe të tjerë shembuj të Gotikut) që nuk ndërtohet dot më një kishë që t’i afrohet asaj. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Sagradën edhe pse në të mund të jenë shpenzuar edhe më shumë para se sa janë paguar për Katedralen e Notre Damë të Shartr.

Dhe këtu hymë në një tjetër aspekt të konceptimit të një vepre arkitekturore dhe që nuk është aq i parëndësishëm. Fondet e logjikshme që duhen përdorur për një vepër publike apo private.

Për studentët e arkitekturës dhe për arkitektët e rinj, duhet që në kokë të jetë i ngulitur një parim:

edhe në rast se investitori shtetëror apo privat të thotë “Më bëj një gjë që nuk është bërë kurrë, se buxhetin e ke të pakufizuar!”, ruajtja e një logjike të pranueshme hapësinore, të trajtimit vëllimoro-dekorativ, futjes së veprave të arteve pamore dhe të materialeve që do përdoren.

(vijon)

Tuesday, 24 March 2026

Fuck Gaudi!


Një koleg i mirë i imi (me një hotel dhe disa apartamente të vëna me punë, pa qënë asnjë ditë në pushtet)më ka sugjeruar të kem më shumë shkrime rreth arkitekturës në blog. Unë jo se nuk dua të shkruaj më shumë rreth arkitekturës, por e kam të vështirë se nuk di. Ose për të qënë më i saktë di pak. E kam më të lehtë të shkruaj rreth gjërave që nuk i di fare, si janë politika ndërkombëtare apo problemet e shoqërisë shqiptare, sepse edhe nëse gaboj rëndë në to mund të justifikohem se “nuk jam i fushës”.

Por rreth arkitekturës druhem, se kolegët mund të më thonë, si para 12 vjetësh një koleg i ri, që punonte për australianin Pite, “ti ke bërë projekte vetëm përbërësit që hidhje mbi picat atje ku punoje”. (Unë vërtet kam punuar edhe në një piceri, por si shofer dhe paguhesha më pak se një picabërës.)

Sot e kam vendosur të hidhem në sulm kundër më të mëdhenjve të arkitekturës dhe pikërisht ndaj Antoni Gaudit.

Kam vënë re pas viteve ‘90, që emrin e Gaudit e dinin edhe shumë shqiptarë, që kishin mundësi të udhëtonin nëpër Europë se kishin biznese ose poste në administratë. Edhe pse nuk kishin idenë se cilët ishin Korbyzjeja, Gropiusi apo Rajti. Se nuk kishin ç’ju duheshin dhe ndoshta do i mësonin ndonjë ditë nga ciceronët kur të vizitonin veprat e tyre sikundër kishin vizituar Sagradën.

Edhe pse e studionim në shkollë dhe format dhe skrupuloziteti në punët e tij ishin vërtet mbresëlënëse, unë nuk kam qënë kurrë një simpatizues i Gaudit. Ndoshta edhe nga një lloj “dembelizmi” që kam pasur në realizimin e projekteve të shkollës. Nëse do frymëzoheshe nga stili i tij (e quajnë Modernizmi katalonas, por unë gjej në të super të ndërlikuarën por jo Modernizmin) duhet të gdhiheshe mbi projekte dhe nuk kishte “kanonka” dhe kurbalinja që mund të të ndihnin. Ndaj më “voliste” të frymëzohesha nga Rajti (Frank Lloyd Wright), Gropiusi dhe Oskar Nimajer. Si edhe nga arkitektura japoneze. Me një fjalë të isha disi Minimalist në konceptimin e projekteve të mija, që i mendoja se duhet në rradhë të parë të ishin racionale.

Më vonë kam kuptuar se ky lloj “minimalizmi” nuk ishte i shkaktuar vetëm nga “dembelizmi”, por ishte një qasje ndaj çdo gjëje të krijuar, qoftë në art, por edhe në të tjera gjëra, deri në kulinari. Edhe femrat më pëlqejnë më shumë si i ka krijuar natura, pa shtuar as gjënë më të vogël. As edhe një tatuazh apo një unazë të vogël në kërthizë.

(Përsëri dola nga tema, se e kam më të thjeshtë t’ja fus kot, se sa të shpjegoj se pse e nisa këtë shkrim me dyfjalëshin klithës “Fuck Gaudi!”)

Klithja mu krijua në çastin e parë, kur duke ecur i udhëhequr nga gps drejt vendit ku është Sagrada (ma ço i çik lokacionin të thonë në kryeqytetin tonë të shumëdashur), ktheva një qoshe blloku dhe u përballa me të. Veprën e njihja mirë, por nuk e kisha parë “të gjallë“. Më ndodhi e kundërta e asaj që më kishte ndodhur 20 vjet më parë, ndërsa ktheja qoshen e një blloku në Rivë Gosh dhe mu shfaq Kulla Eifel. Atëhere shtanga. Me të vërtetë u mrekullova. Pasi u ngjita në të dhe mora të ikja, rrashë në gjunjë. Nuk di nëse ju përkula Kullës apo Gustavit që e kishte krijuar. Një mrekulli e arkitekturës e krijuar nga një inxhinier dhe e realizuar prej tij. Botova edhe një poezi për atë ëast magjik.

Tek Sagrada, befasimi profesional të vjen nga kompleksiteti i veprës dhe nga vështirësia e realizimit të saj. Të mahnit, por në këtë drejtim dhe jo se të mrekullon si diçka e krijuar nga një vizionar i arkitekturës në fundin e Shekullit të Artë dhe në fillimin e shekullit të XX, pikërisht kur janë krijuar kryeveprat më të shumta të artit botëror dhe janë harlisur thuajse të gjitha rrymat moderne. (Po përmend vetëm disa emra, për të lehtësuar lexuesin që nuk është ndjekës fanatik i arteve. Vagner, Van Gog, Dostojevski, Edgar Alan Poe, Rajt, Oskar Uaild, Puçini, Dega, Renuar, Bodler, Rodën. Po shtoj këtu edhe katalanasin Miro, që ka krijuar kryevepra në të njëjtin qytet, madje edhe kur Gaudi jetonte dhe punonte.)

Telk një shkrim tjetër i këtij blogu, kam thënë që “Gjenijtë nuk gjykohen!” Unë nuk kam marrë përsipër të “gjykoj” Gaudin edhe pse e kam “sharë rëndë“. Dua të shpreh mendime kritike rreth një qasjeje tërësisht të veçantë ndaj arkitekturës. Dhe një qasje që nuk mund të kishte shumë ndjekës për të gjitha arsyet që do rendis më poshtë. 

(vijon)

3 miqtë e mij të “kishave”


Si më të shumtit e turistëve, që ditën e parë në Barcelonë, ja mbathatë shikoja Familia Sagrada të Gaudit. Nuk jam i sigurt nëse e studionim si objekt të vetëm në kohën e “studentllikut”, por ashtu si Gaudi, vepra më e famshme e tij, ishte e njohur për studentët e arkitekturës. Megjithatë nuk mund të krahasohen përshtypjet nga fotot dhe planet, me atë çka ndjen kur je pranë një vepre të rëndësishme të arkitekturës botërore.

Cuditërisht, unë në vend të përqëndrohesha në mendime rreth Zotit tonë dhe Gaudit, mendja më shkoi tek tre miq-kolegë të mij që ndërtojnë kisha. Si do e lexoni më poshtë, ka qënë pikërisht prania e Djallit që ndikoi në mendimet e mija dhe jo ajo e Krishtit. Por nuk është faji im, por i Luçiferrit, që qëllimisht sillet rreth objekteve të rëndësishme të kultit, ku shkojnë shumë turistë dhe besimtarë. Dhe sikundër mund të ketë turbulluar shumë mendje japonezësh dhe gjermanësh turbulloi edhe mendjen time.

Fillimisht mendova se cili nga tre miqtë e mij të “kishave” mund të ndërtonte Katedralen e Madhe të Barcelonës. Prej tyre, njëri meret vetëm me ndërtim kishash, i dyti kryesisht me ndërtime dhe rikonstruksione kishash dhe i treti edhe me ndërtime dhe rikonstruksione kishash. Të tre me origjinë nga qyteti im, të tre me siguri të pagëzuar (janë më të mëdhenj se unë) dhe të tre besimtarë të kulluar. Njëri përdor gjithnjë shprehjen “Lavdi Zotit”, i dyti përdor dëndur “me ndihmën e Zotit” ndërsa i treti edhe pse nuk i përdor shprehjet që lidhen me Perëndinë thotë jo rallë “Do Zoti dhe kapim ndonjë llokmë të mirë“.

Duke qënë më i ri se të tre, dhe rrjedhimisht me një mendje “më të shpëlarë“ (kishat u prishën kur unë isha 7 vjeç) unë i shoh me dyshim dhe them sa mirë e patën fshehur besimin e fortë tek Perëndia gjatë 23 viteve të gjata të përndjekjes ndaj besimtarëve.

Por ata e kanë pasur të fortë dhe më shumë do ju jetë forcuar pas ndryshimit të sistemit, kur feja mund të ushtrohej në gjithë liritë dhe dimensionet e saj. Një ndikim të madh duhet të kenë pasur edhe kontaktet me Kryepeshkopin Anastas, se dy të parët e përmendin shpesh kur flasin për karrierat e tyre në shërbim të ringritjes së kishave, kurse i treti e përmend më shumë me një lloj dëshpërimi, kur thotë: “Si se futa dot në rodhan dhe atë Janullatosin!”

Kryepeshkopi i ndjerë, vërtet duhet të jetë përpjekur të ndikojë në shpirtrat e tyre, jo vetëm për të pasur sa më shumë punë cilësore ndërtimore, por edhe për të qetësuar ndërgjegjet e tyre të turbulluara, të cilat me siguri i ka parë me mënçurinë e tij. Se harrova të përmend që në krye. se të tre edhe pse ndërtojnë objekte kulti, nuk flasin mirë për njëri tjetrin. Kuptohet që nuk kanë pasur as edhe një bashkëpunim. Se kur i thonë llafit” Kishë më vete, varr më vete!” Dhe ndonëse nga i njëjti qytet, nga e njëjta fe, dhe duke punuar për të njëjtën Kishë Autoqefale, edhe kokat e tyre duhet të jenë shumë “autoqefale”. Parime të ndryshme arkitekturore dhe ndërtimore.

Kështu që Hirësia e tij, fatkeqsiaht ka dështuar në futjen e këtyre deleve të humbura të Zotit në Udhën e Drejtë. (Më ngjan se po njëlloj ka dështuar edhe tek një i afërmi im, që nuk e heq Hirësinë nga goja, nga njëra e djelë në kishë tek e djela tjetër.)

Por të kthehemi tek Sagrada, që në vend të më shtynte të mendoja drejt, unë mendova “dreq”. Se fundi i fundit ç’punë kam unë se si veprojnë në ndërtimin e kishave tre miqtë e mij. Ose edhe i afërmi im, që mund të jetë edhe mik i miqve të mij. Zoti ynë na ka mësuar të falim, të mos shtyhemi në ngasje nga i Paudhi( si u shtyva unë sot) dhe të përpiqemi të jemi sa më të pasur e sa më praktikë.

Se e rëndësishme është të ndërtojmë Shtëpitë e Zotit, ku të mblidhen besimtarët. Më pas edhe ai na i shpërblen!

(Edhe kjo Sagrada nuk do ishte bërë po mos kishte parë një ëndërr Kryepeshkopi i Barcelonës, që projektin duhet ta bënte një arkitekt me sybojëqielli. Këta të mijtë i kanë Kafe!)

Monday, 23 March 2026

Berisha s’mund dhe nuk duhet të kthehet “grata” për shqiptarët


Mes protestave të mëdha dhe të drejta në Tiranë, ka diçka që nuk shkon dhe që i frenon njerëzit të shkojnë në to. Flas për ata njerëz që nuk i tremben humbjes së vendit të punës, ose edhe mund ta pranojnë humbjen e rrogës, vetëm Rama dhe banda e tij me hajdutë të ‘qërrohet”.

Por për ta dhe shumë njerëz që nuk duan t’ja dijnë pr politikë, ka një pengesë të madhe për të lënë divanin dhe të dalin në protestat e opozitës.

Ky njeri është Berisha me bandën e tij.

Nëse njerëzit kërkojnë largimin e menjëhershëm të Ramës dhe Blendi Klosit dhe Ballukeve, nuk mund të pranojnë zëvendësimin me Berishën, Flamur Nokën dhe Albana Vokshin. Edhe pse mund të jetë një e keqe më e vogël, shqiptarët janë aq të zgjuar sa mos zëvendësojnë një Autokrat Pallosh, me një Autokrat Hundëshqiponjë.

Berisha duhet të ikë bashkë me Ramën nga skena politike. Madje për të qënë i saktë “duhet të qërrohen”. I kanë sjellë shumë e shumë dëme atij populli. Më kryesorja edhe se vjedhjet janë shtrëmbërimi i Demokracisë.

Por dëshira e ime dhe e shumë shqiptarëve të tjerë nuk mund të realizohet nëse ne nuk jemi në shumicë. Nëse shumë shqiptarë do votojnë verbërisht për Ramën për njëmijë e një arsye dhe nëse shumë të tjerë do ndjekin Berishën se janë antikomunistë atëhere vendi do mbetet në të njëjtën situatë, që ka prej vitit 1994.

Unë problemin kryesor e shoh tek “mpirja” e të rinjve. E brezit që në natyrën e tij është idealist dhe do të ndryshojë për mirë botën që ka gjetur. Nëse të rinjtë e ndjejnë veten mirë në situatën që është Shqipëria atëhere Rama ka për të mbetur gjatë në fuqi. Nëse “militantët” që e quajnë PS-në një “lule plot petale” apo që thonë “Berisha je njësh!” janë të shumtë, atëhere Shqipërisë do i duhet të presë ndihmë nga Perëndia.

Nuk ndjehem as pesimist, por as optimist. Shenjat e zhvillimeve politike në Shqipëri nuk janë inkurajuese, për shumicën e njerëzve punëtorë dhe të ndershëm. Duhet t’i mbajnë sytë tek administrata e ardhme (e cilësdo ngjyrë), se mbi ç’parime do operojë, se ç’synime do ketë për zhvillimin e vendit dhe a do jetë e përqëndruar në parim “haj t’kapim noi lek!’ sikundër ka qënë prej 30 viteve të fundit.

Para tre vjetësh, kam takuar vetëm për një kafe, tre vetë të afërt me udhëheqjen e PD-së. Të tre poshtë të 45-ve. Jo vetëm që ishin “berishistë“ (dhe ndoshta ende janë), por edhe se të papërlyer dhe në opozitë, me shaka ngacmonin njëri tjetrin, se a kishin pasur ndonjë fat të përfshiheshin në projekte dhe leja ndërtimore. Ata ndoshta nuk kanë për ta bërë këtë gjë edhe kur të vinë në pushtet (nëse vijnë), por ajo që më trembi ishte koncepti i pasurimit të shpejtë me “leje ndërtimi”edhe pse ata vetë nuk kishin asnjë lidhje me ndërtimet. Pra idea ishte “nëse kemi në dorë“, të parën punë do bëjmë “futjen” në biznesin që sjell fitime të mëdha dhe që ushqehet nga paratë e pista të drogës.

“Po normal!” mund të hidhet menjëherë lexuesi im më marrok dhe që mund të jetë me parti, pa parti ose partiak i ndryshueshëm.

Dhe pikërisht kjo “Po normal!” është ajo që më tremb më shumë. Sepse u normalizua abuzimi me pushtetin, u normalizua të fitosh pa pyetur se nga është burimi i parave, u normalizua të merresh me gjithshka që sjell fitim, jo sepse je një biznesmen i talentuar, por se je pranë “zyrave të mëdha” ku merren vendimet. Dhe kështu historia e dhimshme e rrjepjes së të tjerëve dhe e Shqipërisë do vazhdojë edhe nëse ndryshon Rama, Berisha apo nëse nuk do jenë më Maneja dhe Kastrati.

Do vazhdojë të jetë Shqipëria e shqiptarëve që e kanë ‘by... e shitur’ sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbijetuar dhe për të mbijetuar “bajagi mirë.”

Sunday, 22 March 2026

Sa më shumë “bonistë“ aq më mirë!


Nuk jam i sigurt nëse jeta në një qytet, ku njoh pak njerëz, apo udhëtimet e gjata me makinë më kanë krijuar mundësinë të mendoj më shumë. Jo se më parë nuk kam pasur mundësi të mendoj, por një pjesë e atyre që më shkonin në mendje ishin për gjëra nga më të zakonshmet, që nisnin me projektet për të cilat punoja dhe bitisnin me pyetjet e kota “përse ma tha këtë x-i apo y-greku?”. Tani e kam jetën shumë të lehtë dhe pasi kam kryer “adetet e mëngjesit”, zakonisht shkoj në “Starbucks-n” e preferuar “ku më njohin banakierët”. Me ta shkëmbej një “si je” dhe një buzëqeshje dhe ze vendin tim, po mos e ketë zënë dikush para meje. Pa folur me njeri, pa vështruar kënd. (Prever e ka përdorur dendur tek “Ngrënia e mëngjesit”, por unë betohem që nuk e kam kopjuar nga simbolisti i mrekullueshëm.)

Herë herë, dikush kalon para tavolinës sime dhe më thotë pa u ndalur “hi” dhe unë i përgjigjem në shqip “përshëndetje!” që ta ngatërroj dhe njëkohësisht të futem në atmosferën e një kafeneje shqiptare.

Më pas filloj dhe mendoj se nuk kam se ç’të bëj tjetër dhe pres kalimtarin e rradhës të më thotë “hi” duke buzëqeshur. E di që janë “bonistë“ me mua, sikundër jam unë me ta, sepse nuk ka asgjë që mund të “ndajmë“ dhe nuk ka asnjë arsye t’i themi njëri tjetrit “plaç!”

Por duke qënë një ballkanas tipik, kokëshkretë dhe torolloz, kur këmbej me bashkëatdhetarët, qoftë në telefon, në mediat sociale, apo edhe kur vizitoj Shqipërinë, më pëlqen më shumë të më thonë “Plaç!” Nuk e di pse, por ndjehem më mirë se sa kur përballem me “bonistët” që më thonë “përshëndetje”, “je i plotësuar” apo “kam respekt për ty dhe familjen tënde!” E di edhe që kjo që po shkruaj është një “budallallëk me brirë“, por ja që kështu e kam. Këtë hyq ma dinë edhe shokët më të afërt (sikundër e di dhe unë për ta) dhe jo rrallë më thonë “sa cazzo je!” apo “m’a ha m...!”

Ndoshta jemi përfaqësuesit e fundit të një brezi “hipi”, që e ka pasur të vështirë të thotë nga këto fjalët plot mirësjellje, që ndonjëherë nuk përdoren as në kuptimin që kanë. E kam shkruar dikur një episod të shkurtër me një “grua të kënduar”, që duke qënë boniste, ndërsa këmbeheshim një ditë në një nga “trotuaret” e qytetit tim dhe unë isha vërtet i veshur si “lanxho” më tha: “Sot dukesh tamam inxhinier , tamam arkitekt!” Dhe u ndjeva më mirë se të më kishte thënë : “Po ç’je veshur më këtë ditë o gomar!” Ikja rrugës dhe qeshja me vete.

Një tjetër “bonist”, të cilit i dërgoja një shkrim timin rreth arkitekturës së Korçës, pasi më përgëzoi më shkrojti se ai vetë kishte vrapuar më kot rreth ca fitimeve të thjeshta me projekte të shpejta, në vend të merrej me shkrime të kësaj natyre. E kuptoja që donte të më shkruante se “ti je një hajvan që merresh me këto shkrime pa bereqet”, por ai gjeti mënyrën më të bukur për të më bërë të ndjehesha mirë. Dhe vërtet u ndjeva mirë, se jo vetëm u gajasa, por telefonova menjëherë avokatin tim. që nuk ishte në Lion, dhe ja tregova.

Ndaj them se nuk ka asgjë të keqe të kemi rreth e rrotull sa më shumë “bonistë“. Sepse edhe se na thonë ndonjë të pavërtetë, e thonë aq bukur sa të bëjnë të ndjehesh mirë. Dhe nuk të intereson se ç’mendojnë në të vërtetë, apo se ç’rrëfejnë rreth teje pasi je ndarë. Rëndësi ka që janë aq të mirë! Që janë aq pozitivë! Që të falin aq shumë dashuri!

Kështu që edhe kur jam i rrethuar nga shumë “bonistë“ unë nuk ndjehem asnjëherë “i veledisur”. Sheqeri që buron nga buzët e tyre, të shkon menjëherë në mendje, sepse është produkti më i asimilueshëm nga gjaku. Dhe ndjehesh “i plotësuar”. Se je i rrethuar nga një atmosferë e ngarkuar me pozitivitet të pashembullt.

Madje edhe nëse të vijnë ndonjëherë rropullitë rrotull, përmbahesh dhe nuk ja u derdh zorrët e barkut në fytyrë, sepse ai do jetë veprimi më i turpshëm që mund të bësh ndaj një “bonisti”!

Dhe unë për ta lë kokën!