Wednesday, 24 September 2025

Pse e burgosi Rama Lalin?


Edhe pse Erion Veliaj është kthyer prej kohësh në një kufomë politike dhe ndoshta nuk duhet shpenzuar shumë kohë për të, ende dua të kuptoj përse Rama, që e shkelte përditë me këmbë e dërgoi pas hekurave.

Prej më se një vit, kam pasur bindjen që ai e shiti edhe pse përgjërohet sikur i dhemb prangosja e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë. Ndonëse nuk e njoh Ramën dhe gjithashtu se kam idenë e intrigave dhe ngjarjeve në “oborrin e tij mbretëror” do përpiqem të shtroj disa hipoteza dhe t’i krahasoj se cila prej tyre është më racionale.

  • Veliaj po mundohej të shtinte n dorë PS-në. Nëse bëjmë krahasime me periudhën e Diktaturës, kur Hoxha “shpikte” herë pas here “grupe puçiste” nga paranoja se do mundoheshin ta rrëzonin apo t’i godisnin familjen pas vdekjes, kjo hipotezë duket e logjikshme. Megjithatë nuk besoj se kjo është arsyeja, sepse Rama jo vetëm e kontrollon plotësisht Partinë, por edhe pse Veliaj qoftë nga personaliteti apo edhe nga lidhjet brenda PS-së nuk kishte forcën minimale për të rrëzuar “Të gjatin”.

  • Rama i trembej afërsisë gati dashurore të Veliajt me Aleks Sorosin. Kryeministri shqiptar i njeh mirë marëdhëniet me të huajt para dhe pas kulisave dhe është i sigurt, që të huajt, veçanërisht kur nuk janë politikanë kryesorë të Amerikës nuk mund të të rrëzojnë nga froni.

  • Ajola pat refuzuar kërkesën e Edit për një marëdhënie jashtëmartesore. Duke ditur pak se ç’lloj bjerrje morale ka në “elitën” politiko-ekonomike në Tiranë si dhe aventurat e shumta të Edit, kjo mundësi duhet përjashtuar.

  • Veliaj po fitonte (vidhte) më shumë se Rama nga lejet e ndërtimit dhe tenderat e Bashkisë. Edhe pse Bashkia e Tiranës ka një buxhet gjigand, burimin kryesor financiar ka Qeverinë dhe sigurisht që shefi i saj nuk mund të lejojë kurrën e kurrës që “oficeri Veliaj” të përfintonte më shumë se “gjeneral Rama”.

  • Rama i hodhi SPAK-ut dhe turmave të revoltuara nga superkorrupsioni një “ushqim” për t’i tulatur përkohësisht. Më duket si një nga arsyet kryesore se përse Rama ideoi skemën “Nesti Angoni”, që i lejonte SPAK-ut goditjen ndaj të përfolurit Veliaj, për të cilin kishte fakte të dukshme që e përfshinin në aferën e inceneratorit të Tiranës, por prokurorët hezitonin ta proçedonin se duhet prej ti të shkonin tek Rama, që ishte koka e çështjeve të djegësve të plehrave në Shqipëri.

  • Rama do t’ju tregojë vartësve se gjithsejcili është jo vetëm lehtësisht i përjashtueshëm nga detyrat apo nga Partia, por mund të shkojë edhe pas hekurave nëse ashtu e gjykon Vëllai i Madh. Eshtë dhe kjo arsyeja e dytë, se pse Rama e e dogji Lalin. Përfitimet që i vinin nga vrasja e dy zogjve me një gur, ishiun shumë më të mëdha edhe se sa një kosto politike në zgjedhjte parlamentare. Madje ndoshta “guri” solli edhe vrasjen e një zogu të tretë, sepse ai fitoi më shumë vota dhe deputetë se në gjithë zgjedhjet e mëparshme.

A do përpiqet sadopak që Lali dhe Ajola të mos dënohen shumë?

Kjo është pyetje që ndoshta duhet trajtuar në një shënim tjetër.

Sunday, 21 September 2025

Pas 5 vjetësh nuk do i hanë as qentë.


Ka një shprehje shumë të vjetër, ndoshta që në krijimin e tregut të parë - “Në pazar mund të blesh çdo gjë veç mendve.” Shprehja përdorej në shumë raste, veçanërisht kur dikush bënte shpesh veprime jo të mençura ose njihej si mendjepak dhe megjithatë shitej për i zgjuar.

Dukej që shprehja do mbetej sa universale aq dhe e përjetshme, por mbas mijëra vjetësh, pikërishtnë kohën që jetojmë do mundim të të blejmë “mend” në shitore ose on-line.

Jo më larg se viti 2030, korporatat e miliarderëve, që kanë kapitale trilionshe, do hedhin në treg mikroimplante me Inteligjencë Artificiale që vendosen në tru, syze me IA të avancuar dhe implante tatu me IA që vendosen në lëkurë. Të gjitha do jenë në gjendje të kthejnë një njeri të zakonshëm (madje dhe një të prapambetur mendërisht) në gjeni. Duket një pikë kulmore e zhvillimit të Njerëzimit.

Sigurisht që nuk do jenë të lira (si “telefonët e squt” që i gjen sot edhe në qoshet më të humbura të globit), se nuk besoj se miliarderëve ju intereson një botë e tejmbushur me gjenij. Duhet të jenë “bajagi” të shtrenjtë. Ndoshta në kufirin e disa milion dollarëve.

Po çdo ndodhë me ata që nuk kanë miliona për tu bërë gjenij?

“Bytha ju zjeftë!”- mund të thotë ndonjë cinik, por unë jam më i moderuar dhe besoj tek Njerëzimi ndaj them : “Ata duhet të shkojnë në shkollë!”

Vërtet shkolla nuk të bën superinteligjent, por mes qindramijërave kanë dalë edhe nga shkollat të tillë. Do jenë shumë larg gjenijve me syze inteligjente, por do punojnë për ta, se këta të dytët do kalojnë pjesën më të madhe gtë kohës duke luajtur golf dhe shëllërur jahteve. Më shumë se në ditët e sotme, pasi me inormacionin që kanë në syze mund të kontrollojnë lehtësisht bizneset e tyre.

C’do ndodhë me ata që mbarojnë shkollat e mesme dhe universitetet ?

Do ketë ende nevojë për infermierë, mësues, gjellbërës, kamarierë, policë, masazhatorë, peshkatarë, dekoratorë, bahçevanë, pastorë, peshqirmbajtës, këngëtarë, mbledhës bimësh medicinale dhe plot e plot profesione të tjera të sektorëve të shërbimeve dhe turizmit. Të papunët e shumtë ose duhet të punësohen në “industrinë e drogës”, ose duhet të kthehen në bujqë që sigurojnë vetë ushqimin e familjes së tyre.

Do ketë më shumë përplasje dhe vrasje në “industrinë e drogës’, se bosët dhe bashkëpunëtorët më të afërt mund të blejnë “syze magjike” dhe të kthehen në pjestarë të nderuar të klasës sunduese, por këto janë pasojat që na i sjell zhvillimi dhe do na duhet t’i pranojmë.

Duket si një e ardhme e zymtë për “të shumtit që ende nuk kanë shkuar me të shumtit”. Por do jetë një epokë e stabilizuar, diçka mes skllavërisë dhe feudalizmit, se për të mos u ngritur në revoltë “të shumtit”, gjenijtë do ju digurojnë falas minimumin e jetesës në këmbim të betimit para flamurit se do jenë kundër dhunës, kundër ideve për përmbysje dhe grumbullimit të parave në shuma disa milionshe. Gjithashtu do gëzojnë të drejtën e fjalës dhe të besimit fetar.

A do ketë më luftëra?

Hmmmmm... pyetje e vështirë, se kam dyshime që pa pasur luftë, gjenijve do ju duket jeta monotone.

Si dikur perëndive në Olimp.

Wednesday, 3 September 2025

Fundi i verës, por jo fundi i luftrave


Parashikimet e mija të zymta për vitin 2025 duket se nuk ishin aq të errëta sa është realiteti i sotëm në botë.

Ukrainasit dhe rusët vazhdojnë të vriten me mijëra në javë.

Palestinezët vdesin nga bomba, plumbat ose nga mungesa e ushqimit apo ujit.

Diktatori Xi, tregon forcën ushtarake kineze duke paur përkrah diktatorët e Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Shtete të mëdhenj e të vegjël po rrisin me dy-tre herë buxhetet ushtarake duke pretenduar se vetëm kështu mund të fitohet paqja!

Në këtë klimë tensioni të gjithanshëm, Trump, njeriu me më shumë pushtet në botë kërkon në mënyrë histerike t’i jepet çmimi Nobël për paqe, sepse ka ndalur 6 luftra të vërteta dhe 3 të tjera që pritej të fillonin! (Njëkohësisht do që Departamentin Amerikan të Mbrojtjes ta quajë Departamenti i Luftës.)

Në një periudhë më të shkurtër se 8 muaj, që kur Trump nisi të firmosë urdhëra ekzekutivë në Zyrën Ovale, shoqëria njerëzore është më e çoroditur se kurrë, në 80 vitet e fundit që prej Luftës së Dytë Botërore.

Institucionet e bashkëpunimit ndërkombëtar janë dobësuar së tepërmi.

Lëvizja botërore për paqe është në pikën e saj më të ulët.

Udhëheqësit autokratë duken si një dukuri normale dhe e pranueshme edhe në shoqëritë demokratike.

Urrejtja ndaj emigrantëve dhe sulmet ndaj tyre janë shtuar në të gjitha vendet e zhvilluara.

Një genocid i hapur po ndodh në Mesdhe dhe askush nuk është në gjendje ose nuk do ta ndalë.

A ndodhemi para një pike vlimi, që mund të sjellë më pas një konflikt të armatosur jashtë përmasave rajonale?

Eshtë e frikshme të mendosh për më të keqen, por nuk bën dobi as të shpresosh symbyllaz se gjërat do përmirësohen.

Nëse pjesët më racionale dhe më idealiste të shoqërisë njerëzore bëhen bashkë dhe i rezistojnë kësaj gjendjeje të sëmurë, ende ka shpresa që një katastrofë e ardhshme mund të parandalohet para se të jetë shumë vonë.

A do ja dalim?