Sunday, 31 May 2026

Bimka


Ne e deshim të gjithë. Ishim fëmijë të moshave të ndryshme, më të vegjëlit 3-4 vjeçarë dhe më të rriturit në prag të adoleshencës. Bimka ishte bereberi që donim të na qethte. Ishte i vogël në trup, me sy që i ndrisnin dhe gati po aq fëmijë sa ishim edhe ne. I flisnin gjithë gëzim dhe kërkonim ndonjëherë edhe të na hidhte pak “livando”, ndërsa luanim me top para Berberhanes ku punonte ai bashkë me shumë berberë të tjerë. Por të tjerëve nuk guxonim t’ju kërkonim të na hidhnin në flokë pak “lëng magjik” që do na bënte të ishim erëkandë, dhe do mbulonim erërat e djerësës dhe pluhurit që na ngjiteshin në lëkurë. Bimka nuk na i prishte kurrë. Ndoshta se nuk kishte pasur kurrë fëmijët e tij.

Bënte me ne edhe shaka dhe na theshte edhe ndonjë gjë a gjëzë dhe ngazëllehej nëse e gjenim. Kishte poltronën e parë pranë vetratës dhe e shihnim sa zbrisnim shkallët e shtëpisë dhe kalonim para “berberave” për të dalë në bulevard. E përshëndesnim që nga jashtë Ej Bimkë“!” dhe ai na përgjigjej, kur na shihte, se shpesh ishte i përqëndruar në kokën e klientit.

Nuk di se kur mësova që Bimka ishte Ibrahim Xholi dhe rrinte jo shumë larg nga pallati i jonë. Në një shtëpi me të vëllanë, Vasfi Xholin. Edhe ai ishte në “biznesin e flokëve”, por ishte i specializuar për flokët e grave dhe nuk e di se ku e kishte lokalin e punës. Kujtoj që “permananti” (ashtu quhej floktorja e grave në vitet ‘60, për shkak të modeleve të flokëve, që kërkonin futjen e kokës në një lloj koni të madh) ka qënë në dyqanet më lart se Muzeu i Mësonjtores Shqipe, por ndoshta edhe gaboj. Vitrinat e floktoreve të grave zakonisht ishin me perde që ne, fëmijët kureshtarë, mos mbeteshim me sytë ngulur në vetratat e mëdha për të parë nënat tona që fusnin kokën në ato makina të çuditshme.

Jo gjithmonë mund të qetheshim në Bimka, sepse rregulli në berberat ishte, që duhet të shkoje tek ai që ishte i lirë. Ndaj ata që qëllonin të qetheshin në Ibrahim Xholi e theshin me krenari “u qetha në Bimka!” pasi ne ju kishim hequr një dackë në zverkun e posazbuluar nga makina e rrojes, që përdorej për të pastruar fundin e flokëve. Modeli i të gjithë kalamajve ato vite ishte “karre”. Një model i ngjashëm është kthyer në ditët e sotme, kur anët pastrohen mirë me makinë dhe kujdes ju kushtohet balukeve. Ne e quanim “karre kinezçe”, kur na i merrnin prapa dhe anët më shumë se sa duhej.

Bimka kishte qënë në emigracion në Stamboll, por nuk e di nëse atje e kishte mësuar profesionin apo kishte qënë në ndonjë shkollë. Një herë më kishte treguar një foto të tij, marrë në një studio në Stamboll, kur ishte 17 vjet. I ndrisnin sytë më shumë se zakonisht kur më thoshte se ai ishte Bimka i ri. Kishte ende tipare të mira, ndonëse nuk jam i sigurt nëse ato vite ishte mbi të 50-tat apo kishte mbushur 60. Berberët ishin të detyruar të punonin gjatë, se nuk kishte shumë kohë, që ishin “kolektivizuar” ndaj ju duheshin shumë vite pune “në shtet” për të përfituar të paktën gjysëm pensioni. Jo vetëm ai, por edhe shumë berberë të tjerë të “berberanës sonë“ ndenjën në punë ashumë vite pasi kishin mbushur 60 vitet e

tyre.

Ibrahim Xholi ishte shumë i butë dhe nuk e ngrinte kurrë zërin. Edhe nuk na qortonte kurrë, kur topat tanë prej llastiku përplaseshin në xhamat e berberanës. Edhe pse më të shumtëit përplaseshin tej pjesa e tij e vetratës. Të tjerë berberë na tërhiqnin vëmendjen dhe ndonjë edhe na kërcënonte se do na e merrte topin dhe do na e çante, por kjo kujtoj se kishtye ndodhur vetëm njëherë. Ropi i Dadës, përdori gërshërët e tij për të çarë një top nga ata të zakonshmit tanë, që i quanim “pe 50”. Ndoshta i dizinfektoi më pas gërshërët.

Bimka na shihte me dashamirësi kur luanim dhe nuk na qortonte kurrë. Na dukej sikur ishte edhe ai si ne.

Kur ishim bërë 13- 14 vjeç nuk qetheshim më në Bimka. Ndoshta në asnjë berber, sepse ishte fillimi i viteve ‘70 dhe ishte moda e flokëve të gjata. Donim dhe ne të imitonim adoleshentët dhe të rinjtë dhe të kishim flokë që të na bënin “të pranueshëm”. Flokët nisën të na i shkurtonin nga pak shokët, ndërsa “qimet e qafës” na i merrnin me “brisk të thatë“. Filluam të grindeshim me prindërit, që nuk e pëlqenin modelin e ri dhe na theshin se me “lyrën” e flokëve po bënim pisë bluzat dhe këmishët që vishnim. Por ne nuk deshim t’ja dinim dhe më nuk hynim në berberanë për të folur me Bimkën apo për të dëgjuar hokat e berberëve të tjerë. Ndoshta patëm nisur edhe ta përshëndesnim Bimkën vetëm me kokë, se nuk mund të kërkonim më të na hidhte pak “livando”.

Moda e flokëve zgjati edhe gjatë viteve të adoleshencës, por nën një trysni të madhe nga shkolla. Prindërit më nuk na tërhiqnin vëmendjen për flokët, sepse e dinin që me adoleshentët është e kotë të merresh. Por kontrollet edhe nga “veprimtarët e rinisë“ dhe “kontrolli punëtor” ishin të shpeshta në shkollën e mesme dhe ne detyroheshim të shkurtonim ato të qafës dhe “basetat” për të mos dalë në fletë-rrufe për “shfaqje të huaja”.

Ndonjëherë na ndalnin edhe policët, të cilëët kishin edhe orientime për përgjigje “të quta” se kur një shoku im ju tha - “Edhe Marksi i kishte flokët e gjata”, një polic ju përgjigj: Po ke ti aq mend sa Mrksi?!” E megjithatë nuk u kthyem më kurrë në berberët dhe aq më pak në modelin “karre”.

E harruam edhe Bimkën dhe nuk mësova kurrë se kur doli në pension dhe ku u nda nga jeta.

I miri Ibrahim Xholi!

Saturday, 30 May 2026

Ti frigesh XXVIII

Ti frigesh nga shiu

Dhe nga era frigesh.

Shumë shi binte atë ditë që dëshiroje

Të ishe shtrirë pranë meje dhe s’mundeshe,

Se do të thoshin “Ku shkon në këtë shi?”

Dridheshe emrin të më përmendje.

Luteshe të më harroje.

Pse frika e mposhte dëshirën

Këtë as sot ti s’e di.

Ndërsa ditën që pate guxuar

Frynte një e marrë erë.

Dukej sikur i kishte rrëmbyer puthjet

Dhe bashkë me to edhe mua,

Përmbysur gjithshka që pate ndjerë

Teposhtë në të rrëmbyeshmin përrua.

Nuk rrekesh më lehtas hapat të hedhësh

Në një vallzim të njohur ritmesh.

Shiu që qeleqeve përplaset të tremb

Prej tij dhe prej erës

Ti frigesh. 

“Galat” e Pranverës


Këto që shihni në foto nuk janë pjesëmarrëse të serialit “Desperated Housewives” (Shtëpiaket e dëshpëruara), që ka patur sukses në Amerikë dhe zhvillohet tashmë në shumë qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Nuk di se sa janë në foto shqiptaro-amerikane, por zonja bionde në qëndër, është një filantrope e shquar shqiptare, që banon në Amerikë prej vitit 1997. Quhet Fotini Allteni dhe përdor edhe emrin Foti Kokeri, sepse ka faqe interneti në të dy këto emra. Për Fotini Alltenin dhe punën e saj si filantrope kam shkruar më parë dhe ndoshta nuk mund të shtoj shumë gjëra të reja. Por fotoja ishte “goditëse”! Ishte “Gala Spring” (Gala e pranverës) dhe pjesëmarrëset në foto, po merrnin pjesë në një darkë, ku mblidheshin fonde për të ndihmuar një spital në Nju Xhersi. Këtë muaj të po këtij viti. Ndoshta disa prej tyre mbledhin edhe fonde për të ndihmuar spitalet e Shqipërisë.

Këto gra, disa me një sup zbuluar dhe një mbuluar, duket se përcjellin një ekzaltim, që nuk mund të jetë i shkaktuar nga dhimbjet e të sëmurëve në pavionet e Nju Xhersit apo të ndonjë spitali shqiptar, por nga shampanja që pinë dhe nga idea se janë veshur bukur dhe përveç kësaj se janë duke dëfryer për një “çështje të madhe”.

Nuk dua të përdor një lojë fjalësh, për t’i quajtur këto vetë “galat e pranverës”, sikundër kam bërë në një shkrim shumë të hershëm në këtë blog, të titulluar “Galat fluturojnë lart!” Këto zonja nuk më kujtojnë aspak galat tona dhe për më tepër, shqiptarja e vërtetë dhe kryesuesja e tavolinës, Kokeri - Allteni, është bionde.

Po përse i rikthehem kësaj teme dhe “i jam qepur” Fotinisë tonë?

Dua t’ju tërheq vëmendjen lexuesve të këtij blogu, mos gënjehen nga shkëlqimi i rremë i filantropëve dhe as mos ju besojnë shumë “çështjeve të mëdha” që propagandojnë. Jo vetëm që të mbrojnë xhepin e tyre nga ndonjë dhurim në çaste emocionale, sepse edhe nëse dhuron 200 apo 500 dollarë, për dikë që punon në Amerikën e Veriut nuk përbën ndonjë humbje të madhe. Ajo nga e cila duhet të mbrohemi dhe të mbrojmë edhe fëmijët tanë, por edhe të njohurit e tjerë, është mendësia se filantropitë mund të bëjnë mrekullira për të dobëtit dhe të pambrojturit e kësaj bote.

Nuk është kështu, edhe pse ka fondacione që shpenzojnë miliarada për bamirësi. Këto të fundit vërtet sjellin ndryshime në jetën e njerëzve ose edhe të rajoneve të varfra, por shumë fondacione të tjera mbledhin fonde që mund të përballojnë vetëm rrogat dhe disa nga këto “galat” dhe vetëm thërrime përfundojnë tek të sëmurët apo tek fëmijët që nuk kanë para të vazhdojnë shkollat.

Filantropia nuk zgjidh aspak problemet që krijon diferenca e madhe mes jetës të “Kamësve” me atë të “Skamësve”. Thjesht bën të ndjehen mirë “Kamësit” dhe disa majmunë që duan t’i imitojnë. Këta të fundit duan të vishen si “Kamësit” dhe të jenë në praninë e tyre.

Ndaj edhe pse nuk mund të nxjerrin foto dhe video në kuvertat e jahteve të tyre, këta majmunë (dhe majmunka) nxjerrin foto nga veprimtaritë kulturore krahas të pasurve ose video duke ngarë makina të shtrenjta, motoçikleta apo jetski, sikundër bëjnë shumë syresh, përfshi këtu edhe Alltenin, “të cilës i ka rënë bretku në punë“ gjatë 10 viteve në SHBA.

Kam njohur një mashtrues në Shqipëri, i cili pasi “rrëmbeu” sa mundi duke shfrytëzuar vendin e punës, emigroi në Amerikë dhe atje zgjodhi një tjetër mënyrë mashtrimi për të jetuar pa mund. Zbuloi Jezusin dhe u bë pastor. Tani mund të jetë edhe fqinj me Fotininë dhe pozon duke ngarë skafin e tij. Ndoshta bën edhe pakëz filantropi me fondet që besimtarët i dhurojnë kishës ku predikon.

Vendet e pasura dhe të lira, krijojnë shumë mundësi për mashtruesit të ushtrojnë “vokacionin” e tyre. E tillë është natyra e sistemit liberalo-demokratik.

Por njerëzit e zakonshëm dhe të ndershëm duhet të paktën të jenë në gjendje t’i tregojnë me gisht duke thënë “Ky është mashtrues!’. Për të mbrojtur veten dhe të tjerët prej tyre.

Në verë me siguri do ketë edhe “gala” të tjera kudo në Amerikën e Veriut. Filantropët kanë nevojë të dëfrejnë, sikundër do çdo njeri mbi këtë glob, përveç murgjëve dhe murgeshave. (Edhe pastorët duan bajagi të dëfrejnë!)

Unë nuk dua që fotot e galave të Foti Kokerit të më vijnë në kompjuter, por nga që algoritmi i Google e di që unë jam interesuar më parë për të, m’i dërgon dhe një pjesë jam në gjendje t’i injoroj dhe të tjerat jo.

Disa prej tyre janë një pasqyrë e qartë se zonja në fjalë është krejtësisht e “Rreme”. Por nuk është as e para dhe as e fundit shqiptare që tregon pangopësi dhe mendjelehtësi për të demonstruar jetën e saj prej të pasuri. Ndaj nuk duhet të çuditemi as me Monika Kryemadhin, as me Belinda Ballukun dhe as me Olta Xhaçkën apo të tjera zonja shqiptare të zhytyra deri në grykë në llumin e korrupsionit.

Shkëlqimi i jetës së lehtë me para të vjedhura ose të përfituara padrejtësisht i tundon për fat të keq shumë shqiptare edhe në këtë anë të Atlantikut.

Ky oqean i shkretë është i kripur dhe sa më shumë të pish ujë prej tij, aq më shumë të pihet.

Friday, 29 May 2026

“Mjeshtri” i manipulimit të grave VIP


Nëse duhet t’i japim disa merita Edi Ramës, njëra është mënyra se si di të manipulojë politikanët e huaj dhe veçanërisht gratë. Ai është tashmë jo vetëm politikani shqiptar më me famë i gjithë kohrave në Bruksel, por edhe politikani më i preferuar në qarqet e qëndrës së Bashkimit Europian nëse e krahasojmë me të gjithë politikanët ballkanas të 30 viteve të fundit.

Ai pat ndërtuar marëdhënie tepër speciale thuajse me të gjitha politikanet e rëndësishme europiane, përfshi këtu edhe të mënçurën Anxhela Merkel, e cila ndoshta më vonë e kuptoi që Rama të gënjen ‘ditë më drekë“. Por gjithë të tjerat, duke nisur me Mogerinin dhe duke përfunduar tashmë me sllovenen Marta Kos, duket se “bien pre” e sharmit të kryeministrit dymetrosh me atlete të bardha dhe që vishet në mënyrë të pazakontë për një zyrtar të lartë.

A luan rol një lloj tërheqjeje seksuale, që këto politikane kanë ndaj piktorit shqiptar, të vetëshpallur lider botëror?

Apo ai është vërtet një yll i politikës europiane dhe shkëlqen edhe nëse krahasohet me të gjithë politikanët e Kontinentit të Vjetër?

A ka të bëjë zhdërvjelltësia e tij në bisedë, qasja ndaj problemeve europiane, qënia i kulturuar, që i le gojëhapur sa Kosi do të ngjitë edhe Korabin bashkë me të?

Shumë vite më parë, ndërsa lexova në shtypin shqiptar një këmbim mesazhesh mes Ramës dhe Helena Kadaresë, për një pranim të mundshëm të rolit të Presidentit nga Ismaili, më ra në sy një pyetje e Edit kryeopozitar: “Zemër a do ndodhë mrekullia?” Mrekullia ishte pranimi i Is i kompromisit Sali-Edi, që të vihej Kadareja në krye të shtetit shqiptar. Por “mrekullia” më e madhe për mua ishte se si një burrë 40 vjeçar i drejtohet një shkrimtareje 60 vjeçareje dhe ajo nuk çuditet prej emërtimit “zemër”, por vazhdon në mënyrë të natyrshme këmbimin e mesazheve.

E pyeta një mikun tim dhe atij nuk ju duk ndonjë çudi “ligavitja” e Edit, sepse sipas tij kështu ju drejtohej të gjitha grave socialiste në “orientimet” që jepte për një mbarëvajtje të kësaj force politike. Duket që ky ishte njëri nga çelësat e Ramës, për të krijuar marëdhënie të mira me gratë, të cilat kam frikë se sa më shumë ngjiten në karrierën politike, aq më budallaqe bëhen.

Se nuk kam fjalë tjetër për të thënë për Melonin, pasi kam parë gjithë këmbimet e saj në publik me Ramën, nga përulja në tapetin e kuq dhe deri në puthja në sytë e të gjithë kryeministrave europianë. Nuk ishin aspak qëndrimet e një drejtuese qeverie të një vendi të rëndësishëm europian, e cila duhet të pasqyrojë seriozitetin e shtetit të saj, por edhe mundësisht të bëhet një model i mirë për adoleshentet italiane.

Ish gazetarja italiane me “lapardhitë“ e saj edhe ndaj Elon Musk, më krijon përshtypjen (ndoshta të gabuar) se edhe tek femrat, pushteti është “afrodiziaku” më i mirë, po ashtu si edhe tek burrat. Kam frikë se dhe këto “pela të ndezura”, po ashtu si “hamshorët me pushtet” duan të shpien sa më shumë burra që ëndërrojnë në shtrat. Mund të jem tërësisht i gabuar, por sjelljet e saj, shikimet e dyshimta epshore të Mogerinit dhe puthjet efundit të Kosit pas pyetjes- “po mua nuk më do?” më shpien në këtë përfundim ndoshta shumë të ngutur. Këtu do shtoja edhe një flirtim të hapur në Greqi të Dora Bakojanit me Lul Bashën, kur të dy ishin Ministra të jashtëm.

Më kuptoni, që unë i vlerësoj politikanet gra. Madje them se sa më shumë të tilla të ketë në krye të qeverive në botë, aq më mirë është për Njerëzimin. Me ndonjë përjashtim të vogël, nuk di ndonjë grua me pushtet që të jetë sjellë si autokrate apo të ketë dëshmuar prirje diktatoriale.

Po a i budallallos pushteti, apo që kur hynë në rrugën e politikës, këto zonjusha dhe zonja nuk kanë aq mend sa duhet?

Anxhela Merkel ishte vërtet një përjashtim, sepse ishte jo vetëm shkencëtare, por dhe një grua shumë serioze dhe modeste, që pushtetin e shihte si përgjegjësi dhe jo si post për tu abuzuar. Por edhe për të, Silvio Berluskoni, një tjetër “hamshor” që flirtonte hapur majtas dhe djathtas, thosh - “Në ajo nuk të shkon mendja ta kesh në shtrat”. Mos kjo e bënte serioze? Duhet t’i shmangem kësaj hamendësie, se edhe gjermania Katerina e Madhe e Rusisë ishte jo e paraqitshme, por kishte një oreks seksual të jashtëzakonshëm.

Pati një politikane grua, që ishte kryeministrja japoneze, e cila e “nxorri huq” “Kazanovën shqiptar” në përpjekjet e tij për t’i “fituar zemrën”. I bëri të qartë që nuk pranonte t’i puthte dorën. Me arrogancën e tij, ndoshta Rama mendonte se mund të sillej si me një europiane a mund ta trajtonte edhe si një “geisha”, por nuk kishte vrarë mendjen as të pyeste ambasadorin shqiptar se cilat janë rregullat e sjelljes ndaj femrave në Japoni.

Kjo vjen se Rama nuk ka asnjë respekt për shumicën dërmuese të femrave. E ka dëshmuar gjatë gjithë jetës së tij. E megjithatë di t’i manipulojë shumë mirë, jo vetëm ato që i ka “nën hyqëm”, por edhe ato, nga të cilat varet e ardhmja e tij në krye të Shqipërisë.

Dhe për këtë, edhe unë, që kam një antipati të hershme për të, duhet të them: “Chapeaux!”

Turizmi i “eventeve” dhe Korça


Ka një pasqyrim të madh të përpjekjeve të pushteteve vendorë në Korçë për hapje e sezonit të ri turistik. Pa dashur të hamendësoj se sa është propagandë, sa është punë pa shumë fryte, më shqetëson fakti, që Turizmi ka marrë kaq rëndësi në të ardhmen e Ekonomisë së Bashkisë dhe të gjithë Qarkut të Korçës. Të duket se nuk ka fusha të tjera, që të bëhen nxitëse të fuqishme të zhvillimit ekonomik dhe arsimoro-kulturor, që jo vetëm të rrisin mirëqënien e atyre që jetojnë në Qark, por të bëjnë të mundur edhe një migrim brenda Shqipërisë në të kundërtën e asaj çka ndodhur në këto 30 vjet.

Korça nuk mund të lulëzojë ekonomikisht duke u mbështetur kryesisht në Turizmin. Shembujt e dështimeve të modeleve të turizmit masiv ka në të gjithë botën dhe nuk është vendi për t’i përmendur.

Më ra në sy një deklaratë e Raqi Filos (nuk po e quaj sot Ligaveci Gollash), që i thurrte lavde “turizmit të eventeve”, që sipas tij kishte lindur për herë të parë në Korçë dhe kishte bërë të mundur që turistë të panumurt të vizitonin Korçën dhe të ndihmonin ekonominë e saj. Ai përmendte edhe çmimet që kishin marrë këto “evente” nga Agjensia Kombëtare e Turizmit a nga ndonjë ministri.

Por pavarësisht nga propaganda e Filos dhe e të tjerëve unë nuk besoj se njerëzit shkulen nga gjithë Shqipëria dhe vendet fqinjë të shohin Festivalin “KoKo” të komedisë, që paska marrë edhe çmim si ngjarje e rëndësishme artistike. Thuhet që për shumë shfaqje artistike në Korçë nuk shiten dot as bileta, por njerëzit i shijojnë falas. Dhe mua edhe falas të më ofrosh një komedi ku luan Zamira Kita dhe shokët e shoqet e saj nuk do e shoh.

Por tek “evente” të tjera që ju ngjajnë panaireve të qëmotshme me të ngrëna dhe të kënduara shkojnë edhe vendasit edhe turistët shqiptarë apo të huaj. Nuk është ndonjë shpikje e madhe, por nuk duhet nënvleftësuar. Jeta e përditshme ka nevojë edhe për kërnace, birrë, lakror dhe aheng. Nuk mund të jetë vetëm ekspozita artesh vizive, koncerte sinfonike, apo festivale dramash dhe mbrëmje poetike.

E keqja e kësaj propagande bajate është dyfishe. E para krijohet përshtypja tek njerëzit se Turizmi është e ardhmja e Korçës dhe e “fshatrave përreth” dhe e dyta, që paraqitet si nivel kulturor dhe artistik në rritje, i një jete kulturore që sa vjen dhe shkon më teposhtë.

Edhe për turizmin, Korça e ka të domosdoshme të investojë në disa drejtime dhe që për mendimin tim janë:

  • Voskopoja duke kërkuar gjithnjë e më shumë fonde nga qeveria për restaurimin e të gjitha kishave dhe për të zhvilluar edhe veprimtari të tjera artistike dhe kulturore në to.

  • Investimet në zonën e Prespës për ta kthyer në një zonë të vërtetë të turizmit të verës.

  • Rritjen në maksimum të veprimtarisë të Muzeut Mesjetar me dalje të veprave të tij të jashtëzakonshm edhe jashtë mureve të atij Muzeu. Mund të jenë ekspozita të përkohshme në salla, në mjedise kishahsh të tjera, mund të jenë seminare rreth autorëve më të njohur dhe shumë veprimtari që tërheqin specialistët dhe turistët e huaj.

  • Duhet investuar më shumë në zona të thella malore si psh drejt Ostrovicës ose dhe luginës së Oparit, ku ka peisazhe interesante për të apasionuarit e turizmit malor.

Nëse do kënaqemi me numurin e vizitorëve vendas që rrinë në bujtinat e shumta për një fundjavë dhe kërkojnë “palo serenata” që më pas i kthejnë edhe në tallava, turizmi ka për të shkuar gjithnjë e më poshtë.

Këto karagjozllëqet e sajuara të karanavaleve në Qershor, bashkë me valltarët me maska që i sillen përreth Ramës ta ekzaltojnë ndërsa feston në Parku Rinia, janë nga ato “evente”, për të cilat vazhdimisht në Korçën e shekullit të kaluar është thënë që “t’i sjellin zorrët në gojë!”.

Edhe tek ngjarjet kulturore dhe artistike nuk duhet mbajtur asnjë shpresë. Edhe një festival si ai i MIK, që presupozohet të sjellë nivelin më të lartë të muzikës operistike dhe të bel kantos, dhe për të cilin shkojnë jo pak fonde të taksapaguesve në xhepin e Invas, ka katandisur si shfaqjet e dikurshme të cunguara, që Teatri i Operas duhet të jepte në ndonjë turne në fshat. Për të sjellë në qejf kooperativistët e lodhur nga korrja e grurit. Mbyllet edhe me një të kënduar nga 70 vjeçarja Zhani Sulioti, e cila nuk mund të dilte dot skenave kur ishte në kulmin e moshës dhe zërit të saj. Por sigurisht që ekzaltojnë Inva Mulën që mendon se ç’mund të investojë me paratë e fituara dhe Raqi Filon, që e sheh me gojë të hapur dhe nuk arrin të ndalë edhe ndonjë mushicë që i shkon deri në fyt.

Bëni diçka më me mend dhe më të mirë edhe për turizmin të dashur shokë hajna të PS-së!

Gjasat janë që të jeni gjatë në drejtimin e qytetit tonë.

Por nëse kini mjaft fantazi për të manipuluar fondet, vini një pjesë të saj edhe në shërbim të turizmit dhe të jetës kulturore.

Që mos ndodhë të nisni të këndoni në kor:Do marr kazmën dhe lopatën, do vete t’i zbuloj varrë!”



Thursday, 28 May 2026

A është Amerika e zhgënjyer nga Trump?


Unë nuk jetoj në SHBA dhe nuk kam se si të kem një përqasje të vërtetë ndaj jetës amerikane. Për më tepër Amerika është një kontinent dhe si perceptohet jeta në një qoshe të saj, nuk perceptohet në një qoshe tjetër.

E ndjeva menjëherë vështirësinë, sepse në ndryshim nga udhëtimi që bëra në janar, tani benzina ishte thuajse dyfishi.Nuk ka se si mos bezdisë amerikanët dhe se si mos pasqyrohet në çmimet e tjera.

Takova disa shqiptaro-amerikanë dhe ata përgjithësisht donin t’i shmangeshin
çështjes Trump”. Duket kishin votuar për të dhe si trima dhe kryelartë e kanë të vështirë të parnojnë gabimin.

Por nga mësimet e para që kemi marrë këtej është se “njerëzit gabojnë vazhdimisht” dhe çdo prirje për të mos e pranuar është një kokëfortësi që nuk i shërben as kokëfortit vetë,

Gjithsesi, është e dukshme që SHBA është në prag të një krize ekonomike dhe kjo do sjellë (si gjithnjë) ndryshime në zgjedhjet e nëntorit. Trump do ketë fuqi më të kufizuara dhe nuk do veprojë lirshmërisht për çdo gjë që i pëshpërisin në vesh dhe i duket si “ide gjeniale”.

Por dëmi në frymën e marëdhënieve ndërkombëtare është bërë dhe duket i pariparueshëm të paktën për një periudhë disavjeçare.

Të gjithë po armatosen dhe më rëndë se kurrë. Pra një atmosferë mosbesimi, konflikti dhe lufte ekziston në të gjitha rajonet kryesore të Globit. Pa pikën e turpit, pasi merr pjesë në përurimin e një luftëanijeje të madhe, që Franca i ka shitur Greqisë, Makron deklaron se “do jetë në krah të Greqisë, nëse dikush ja cënon kësaj të fundit sovranitetin”?! Kujt i drejtohet deklarata? Kush mund t’i cënojë sovranitetin Greiqsë veçse Turqia?

Duke mos pasur besim tek Bashkimi Europian dhe ndikimi i tij në botë, unë sytë i kam drejt zgjedhësve amerikanë. Shtetet e Bashkuara mbeten forca më e madhe ekonomike dhe ushtarake në botë dhe e vetmja, që mund të ndikojë në një përmirësim të gjendjes ndërkombëtare dhe të shmangies të rrezikut të luftrave të shumta.

Ndaj votuesi mesatar amerikan është njeriu që mund të ndryshojë situatën në botë në nëntorin e këtij viti dhe në nëntorin e vitit 2028. Ndaj dhe vetë jam shumë i vëmendshëm rreth asaj se sa i pakënaqur është amerikani i thjeshtë nga Presidenti Trump.

Ky votues edhe pse mund të ketë një lloj intuite, nuk arrin të kuptojë se sa e rëndësishme është vota e tij për të ardhmen e Globit. Një pjesë shumë e madhe e amerikanëve as ja kanë idenë se ç’ndodh në botë. Janë të shumtë ata që as e kanë ndjerë të nevojshme të kenë pashaportë për të udhëtuar jashtë kufijve të saj. Por ata kanë një sens të Lirisë dhe Demokracisë edhe më të mirë se europianët, sepse janë lindur dhe rritur në një vend që nuk ka pasur kurrë Diktaturë. Prandaj dhe “lavjerrësi politik” shkon nga zgjedhja e një presidenti si Klinton, tek Bushi i Ri, tek Obama dhe më vonë në Trump. Personalitete thuajse pa asnjë ngjashmëri me njëri tjetrin dhe me politika shumë të ndryshme.

Partia Republikane, e cila u kthye në një “qerre e verbër” që po ndiqte rrugën e çoroditur të “the Donald” ka për ta humbur Kongresin në zgjedhjet e këtij nëntori. Rrezikon të humbasë edhe Senatin dhe forca e Ekzekutivit do dobësohet së tepërmi. Për të mirën e SHBA dhe për të mirën akoma më të madhe të të gjithë Botës. Trump e teproi “zullumin” me luftën ndaj Iranit, që solli edhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve gjë që ndjehet tek xhepi i votuesit mesatara amerikan, i cili nuk do t’ja dijë as për luftën, as për latinot që dëbohen dhe as për ngrohjen globale. Por ai votues është shumë i ndjeshëm për ekonominë e familjes së tij dhe së dyti për kufizimin e lirive. Ndaj dhe unë kam shumë shpresë tek populli amerikan, madje edhe tek ata njerëz që e sollën përsëri në Shtëpinë e Bardhë “kalamanin” Trump.

Nuk kam besim as tek burokratët e Brukselit dhe tashmë as në shoqëritë liberale europiane, të cilat duken të mpira.

Sa të zhgënjyer janë amerikanët, për të sjellë mbylljen e këtij kapitulli kaq të turpshëm të historisë moderne?

Nuk jam në gjendje ta gjykoj sepse ka kohë që nuk besoj shumë as tek sondazhet. Gjithashtu nuk shpresoj se Partia Demokratike dhe një President i saj do bëjë çudira në drejtim të Paqes dhe të zhvillimeve shoqërore në botë. Eshtë një nga të këqijat e mëdha të sistemit politik amerikan që nuk “lejon” krijimin e forcave të reja politike me peshë.

Por diçka do kthehet në rrugën e normalizimit të marëdhënieve mes SHBA dhe Europës, mes SHBA dhe Amerikës Latine, mes SHBA dhe Kanadasë. Gjithashtu do ulet kjo mendësia e armatosjes deri në dhëmbë, edhe pse nuk besoj që politika për shpenzime më të mëdha lufte në vendet e NATO-s e diktuar nga SHBA do ndryshojë.

Por do ulen tensionet dhe kjo “histeri” e konflikteve në Europë, Azi, Afrikë dhe në Amerikë.

Nuk do dëgjojmë më “unë e dua Groenlandën dhe Panamanë dhe Kanadanë dhe më pas edhe Tinglimajmunin!”

Le të shpresojmë në pakënaqësinë e amerikanëve.

Unë dhe Korbi - poeme (7)

 

* * *


Të njëjtin qëndrim prej Sfinksi mori

A thua se asgjë s’dëgjoi nga e imja ligjëratë.

Me sy më zhbironte nëse gjëagjëzën

Që atë mëngjes prej larg e solli

Do zgjidhja para se të bëhej natë.

Ishte di]ka përtej vuajtjeve të mija,

Të drithërimave të adoleshencës

Dhe të mijra dyzimeve në rini.

E frikshme si paranormalja dhe larg shkencës

E përzimtë si një tribu që mban në grup zi.

“Në do të të them se besoj në Krijuesi,

A shtiresh se i dërguar prej tij ke ardhur

Do të të them se dhe në mjerimin më të madh

Dhe kur përcëllimin e zjarreve të ferrit ndjej

A akujsh në dridhje të vazhdueshme mardhur,

Nuk kam mundur ta gjej lehtësisht të kapshëm

Kufijtë e trurit tim duke mallkuar

Duke ju trembur pamundësisë për ta kuptuar

Ndaj plandosem në hedonizmin e rehatshëm

Dhe s’kërkoj të gjej në ndodhem në të sigurta duar.

Nëse do jetë e mundur që të flatrat të nderësh

Dhe të më marrësh qiejve të së Paanës,

Qoftë një grimcë të shoh të gjelbërimit të përhershëm

Nuk do kërkoj të më shpiesh drejt Fronit të Lartë

Do thërres “Besoj dhe gjithshka është e qartë”

E madhërishme është po aq sa unë i mjerë dhe i lumtur”

Do të them të më zbresësh sa më parë

Njerëzve t’ju shpie lajmin e bukur,

T’ju them se askush nuk ju ka gënjyer

Dhe ]’ka kam t’i blatoj tempullit më të humbur.”


* * *



Unë dhe Artan Fuga


Unë nuk e njoh Fugën. Gjithashtu nuk kam asnjë dëshirë që të shoqërizoj emrin tim me emrin e profesorit, për tu ndjerë i rëndësishëm, por nuk dija si ta titulloja shkrimin që ka qëllim vetëm të tregoj se bota shqiptare është e vogël.

Lidhja tepër periferike, u krijua në çastin kur pashë se kishte postuar diçka rreth 105 vjetorit të nënës së tij Shpresa Fuga. Ishte një emër i njohur për mua dhe nuk besoj se bëhet fjalë për një Shpresa Fuga tjetër. E kisha hasur në disa dokumenta, që bujarisht m’i pat dërguar një mikja ime dhe që kishin qënë në Arkivin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Mendova se ç’mund të kishte relatuar në Komisionin e Revizionimit (po e shkruaj po nuk jam i sigurt a ekzistonte në vitin 1950 ky Komision) në administratën qëndrore të partisë së komunistëve për ankesën e babait tim, Andon Mara, që ishte përjashtuar nga Partia nga Pleniumi i Partisë së rrethit të Korçës.

Ndoshta bëj disa lidhje në mendje që janë krejt të panevojshme, se Artan Fuga si karakter mund të mos ketë asnjë lidhje me të ndjerën Shpresa Fuga, të cilën e kishte dërguar Partia në Korçë, të verifikonte ankesën e një anëtari partie, i cili kishte qënë mes 1000 komunistëve të parë.

Fuga, një akademik, i cili është i pranishëm në të gjitha llojet e mediave, më duket dikush me njohuri jo shumë të thella për një akademik dhe as leksionet që ka dhënë në univerisitetet e Francës, nuk më bind se është filozof i vërtetë. Më është dukur dikush me njohuri të sipërfaqshme, që ka aftësi të shkruajë, por që është tepër i fryrë dhe që dëshëron të bjerë në sy. Por observimet e mija tepër të cekëta nuk është e thënë se mund të jenë pranë të vërtetës. Përgjithësisht gaboj në konstatimet e para. E megjithatë kjo nuk më pengon t’i kërkoj të falur Fugës dhe lexuesve kur të bindem se jam thellësisht i gabuar.

Duke u kthyer në ngjarjen e vitit 1950, për të cilën as im atë nuk ka psur dijeni, se do e kishte përmendur ndonjëherë, më duhet të them se Shpresa kishte bërë biseda për çështjen me shumë anëtarë partie të cilët e njihnin Andonin. Dhe jo vetëm me funksionarët e Komitetit të Partisë që kishin këmbëngulur ta përjashtonin.

Sipas përmendjes që bën i biri, se këto ditë ishte 105 vjetori i lindjes, duhet të ketë qënë një grua 29 vjeçare, një vit më e madhe se babai im, e cila duhet të raportonte për diçka që ishte thuajse “jetë a vdekje” për një komunist 28 vjeçar në ato kohë. Andon Mara kishte bindje komuniste, të cilat i ishin forcuar prej vitit 1941, kur për herë të parë, shoku i tij i Liceut, Muharrem Frashëri e kishte nxitur të mësonte më shumë rreth marksizmit. Ishte në natyrën e tij të lexonte dhe të krijonte bindje në bazë të asaj që i dukej e llogjikshme. Ato që kishte lexuar e kishin bindur se bazuar në atë ideologji, njerëzit mund ta bënin botën më të mirë. Largimi nga Partia, më shumë se sa rreziku i një represioni të mundshëm, e largonin atë nga mundësia për të punuar për të realizuar bindjet e tij. Nuk kishte synuar kurrë të bënte karrierë, madje ishte larguar nga Tirana për të jetuar në Korçë.

Shpresa ndoshta kishte bërë një shkollë të mesme të mirë dhe ndoshta edhe ndonjë Universitet në vendet e Lindjes, ndonëse koha prej bursave të para (1945) dhe deri në vitin kur ushtronte verifikimin e ankesës, duket e pamjaftueshme që të ketë kryer studime të larta. Ndoshta edhe komunizmin e njihte dhe e donte po aq sa im atë. Sepse Fuga nuk është mbiemri i saj, dhe më duket se i shkon më shumë, djalit të saj filozof, Artanit.

Si e përmemenda më lart, raportimin e saj nuk e kam lexuar dot, por më është krijuar përshtypja se ka qënë përgjithësisht pozitiv me disa vërejtje. Kjo nga ç’kam lexuar shënimet e saj të bashkangjitura në dosje, nga bisedat me ata që kishte pyetur. Dhe nëse ka qënë kështu, dëshmon se ka qënë një grua me mend dhe njëkohësisht me sensin e të drejtës. Nuk kishte asnjë njohje me babanë tim dhe ndoshta nuk e ka takuar kurrë.

Ka dhe një arsye tjetër, që më bën të mendoj se raportimi nuk ka qënë negativ. Komisioni që e pat shqyruar më vonë të gjithë dosjen e plotë, pat përgatitur materialin për Byronë Politike, që vendimi i Pleniumit të Partisë për Korçën të hidhej poshtë dhe Andon Mara të rikthehej si anëtar partie me të drejta të plota.

Por dikush ose disa në Byronë Politike e patën kundërshtuar materialin dhe përfundimisht im atë mbeti jashtë asaj partie. Për tu ndjekur shpesh i përndjekur, por edhe me fatin e madh që mos e pësonte më keq, për shkak të natyrës jokonformiste që kishte.

Edhe Artan Fuga duket jokonformist, ndonëse nga sa i kam lexuar, nuk arrij të kuptoj se ku nis principialiteti i tij dhe ku përfundon dëshira për tu dukur dhe për tu bërë Kryeakademiku shqiptar.

Dikush, që e ka njohur nga afër, disa vite më parë më ka thënë kur e kemi zënë në gojë; “Mos kujto se është i ngjashëm me ty!”

Dhe sigurisht që nuk është. Artan Fuga është filozof dhe akademik. Kudo në televizione dhe rrjetet sociale i drejtohen me nderim profesor, profesor.

Dhe në përfundim dua të shtoj se kjo ishte lidhja ime shumë shumë shumë periferike me prof. Fugën.

Nëna e tij e ndjerë, kujtimin e të cilës dua ta nderoj dhe të ritheksoj se mbiemri Fuga i Shpresës, nuk ishte mbiemri i saj i vajzërisë.

Wednesday, 27 May 2026

Polena e çuditshme


Kam qënë vetëm njëherë në Polenë dhe nuk kujtoj as se përse. Ishte një fshat i njohur për mua që në fëmijërinë e hershme ndoshta nga përmendja e shpeshtë e doktor Polenës. Ishe një lloj shpëtimtari për pacientët e Korçës, sepse ishte i kudogjendur dhe shumë i aftë. Varrimi i tij ndoshta ka qënë me më shumë pjesëmarrës , se çdo proces funeral që kam parë gjatë jetës sime në Korçë. Lajmi se kishte mbaruar në Vienë ishte përhapur si rrufe në qytet pa erdhur trupi i Sotir Polenës.

Më pas kisha dëgjuar për shumë njerëz që mbanin mbiemrin Polena. Gjithashtu edhe për ëpolenakët. Nuk kujtoj nëse kishte superlativa për ta, por për keq nuk i përmendte njeri. Të krijohej përshtypja se kishin qënë mbështetës aktivë të luftës partizane dhe kishin marëdhënie të mira me pushtetin e asaj kohe.

Kur pata hyrë në shkollën e mesme, kisha në klasë dy polenakë dhe paralel me ne ishte dhe një i tretë. Djem të mirë, por “gdhëj” në mësime. Mbiemrat tipike të Polenës – Kallço, Tollkuçi dhe Kostandini. Nuk di se ç’profesione patën pas të mesmes, se dy të parët nuk e përfunduan shkollën me ne.

Kur hyra në punë mësova më shumë rreth fshatit dhe bashkësisë së tij. Ishin shumë punëtorë, ndërtues dhe gurëgdhëndës të mirë dhe të vendosur në fenë e tyre ortodokse edhe pse ishte e ndaluar me ligj. Nuk kishin lënë të hynte në fshat asnjë familje me origjinë myslimane.

Kur punonim për të ndërtuar një lapidar në Ciflig për të përkujtuar dëshmorët e Cifligut rënë kundër turqve dhe dëshmorëve të zonës të rënë gjatë Luftës së Dytë, një karpentier polenak, me të qeshur theshte : “Këtu po punojmë me orë të zgjatura për shkak të Sades së Dërsnikut!” Sadeja duhet të kishte qënë ndonjë komandant ballist që mbase kishte vrarë në atë fshat partizanë. Atëhere mësova se ishin në një armiqësi të përhershme me Dërsnikun, që ishte fshati fqinjë me popullsi muhamedane.

3-4 specialistë ndërtimi që punonin për Atelienë e Monumenteve dhe vinin e shkonin për ditë në Polenë i kisha njohur si specialistë dhe burra shumë të mirë. Nuk pata kuptuar nëse ishin shumë fetarë dhe në kishin ndonjë mllef me dërsnikarët. Nuk besoj se jetojnë, pasi edhe kur i kam njohur para vitit ‘90, ishin në prag pensioni.

Por çudia me këtë bashkësi me karakteristika tepër të veçanta (edhe polenakët që jetonin në qytet ishin po njëlloj) m’u krijua pas vitit 1990, kur gjithshka ndryshoi në Shqipëri. Papritur mësova se Ambasada greke ju kishte dhënë një status të veçantë polenakëve. Në fillim mendova se duhet të kishte lidhje me vendosmërinë e tyre për të mbrojtur fshatin e tyre nga përzjerja me muhamedanë, që ndoshta nuk kishte ndodhur në ndonjë fshat tjetër të Shqipërisë së Jugut. Nuk kisha dëgjuar kurrë që polnakët të kishin qënë filogrekë. Edhe pse me endje isha munduar të gjeja emra prej atij fshati që ishin përzjerë ndonjëherë në çështjen e Vorio-Epirit gjatë 20 viteve të para të shekullit të XX nuk më kishte rezultuar ndonjë prej mbiemrave të njohur të fiseve kryesore. Gjithashtu nuk dija edhe mbështetës të shquar të shqiptarizmës. Një anekdotë kisha dëgjuar për një polenak në Korçë, që lëngonte dhe që të shpëtonte nga lëngimi i zgjatur në ditët e fundit të jetës, të afërmit kishin veshur një djalë të mëhallës si evzon dhe i kishin thënë greqisht- “Patera irthene ta pedhia!” (Baba, erdhën djemtë!) dhe ai kishte mbyllur sytë pasi kishte thirrur - “Zito Hellas!” (Rroftë Greqia!), por e quaja diçka të krijuar për humor dhe jo të tipike tek banorët e Polenës. Fshati vetë ishte shumë larg kufirit dhe edhe pse mund të kishte pasur shumë herët ndonjë shkollë fillore greke, nuk njihja ndonjë polenak të dinte ndonjë fjalë greqisht.

Por kujdesi i shtetit grek për polenakët u shtua dhe ata u paisën edhe me leje qëndrimi në Greqi dhe ndoshta kanë përfituar edhe nënshtetësi të vendit fqinjë?

Si ishte e mundur, që banorët e një fshati pranë Korçës, me asnjë pjerardhje greke, të njohur si punëtorë dhe mbështetës të komunistëve, quheshin veçanërisht të privilegjuar nga Greqia?

Me siguri që vetë polenakët dhe të tjerë në Korçë e dinë përgjigjen e kësaj pyetje, por mua më ka mbetur një lloj enigme, edhe pse jo aq e rëndësishme sa të pyes ndonjë polenak.

Përsëri polenakët me mbiemra Kallço, Tollkuçi, Kostandini, Tanço, Polena dhe të tjerë janë ende të renditur në masë në krahun e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht gëzojnë statusin e privilegjuar në shtetin grek. Por unë nuk dua ta quaj atë bashkësi “Kali i Trojës” brenda shqiptarizmës së korçarëve. Nuk di që ata të kenë kryer ndonjë akt në dëm të integritetit tokësor të Shqipërisë, a të kenë shërbyer si agjentë të shërbimeve sekrete të vendit fqinj.

Veçse sot më ra në sy një lajm, i shkruar nga dikush i quajtur Arben Llalla, dhe që bënte fjalë për disa formacione paramilitare greke të quajtura Legjioni i Shenjtë 2012. Llalla shkruan se bazën në vizitat e tyre të shpeshta në Shqipëri këto grupe paramilitare e kanë në Polenë. Shtiren se janë fetarë, por vetëm të tillë nuk mund të jenë, sepse kryqi dhe pushka nuk kanë asgjë të përbashkët.

Nëse kjo nuk është një gënjeshtër e madhe, dhe nëse ju të dashur polenakë punëtorë, bujarë, të vendosur dhe jo të shkëlqyer si inteligjentë, i pranoni këta në fshatin tuaj, duhet ta dini se është krim që bëni jo vetëm kundrejt Shqipërisë, por edhe ndaj vetes!

Nuk duhet ta bëni këtë as për hir të statusit të privilegjuar që kini nga Greqia!

Njerëzit me uniformë dhe që kanë një kryq në bustinë, janë po aq të rrezikshëm sa kamikazët e ISIS.

Dëbojini nga fshati juaj nëse ju vijnë në të ardhmen!

Atyre dhe flamurit të Vorio-Epirit (një sajesë krejtësisht larg të vërtetës) do ja u shihni sherrin në të ardhmen.

Kurban Bajrami në Shqipëri


Dikur, disa vite pasi feja ishte lejuar në Shqipëri, një miku im, që mundohej të gjente të meta mes myslymanëve më tregonte se për Kurban Bajram, besimtarët e bënin therrjen e bagëtive të imta në mes të njerëzve, madje përpiqeshin ta mundonin kafshën që therrnin. Unë nuk kisha parë ndonjëherë dhe më dukej si e çuditshme, se nuk kuptoja pse duhej një barbarizëm i tillë. Për më tepër kisha mësuar se ajo sakrificë kishte lidhje me ngjarjen e Abrahamit (Ibrahimit) në Dhjatën e Vjetër dhe nuk kishte asnjë kuptim që dashi i dërguar nga Allahu për të zëvndësuar Ishmaelin (Ismailin) të therej duke e munduar.

Ende nuk kam parë këtë rit, që bëhet në muajin e fundit të kalendarit hixhra dhe që është një festë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës mes njerëzve.

Edhe të krishterët ortodoksë e kanë traditën e sakrificës së qengjit për Pashkë, që gjithashtu ka lidhje me Abrahamin, vetëm që nuk e kanë në një ditë të caktuar. Ndaj çdo lloj aludimi për mizori ndaj kafshëve prej muhamedanëve në ditën e Kurban Bajramit mendoj se është pjellë e fantazisë të atyre që përçmojnë Islamin dhe duan t’i paraqesin si barbarë.

Në Shqipëri ka shumë qasje të ndryshme ndaj besimeve fetare. Ato fillojnë nga ato të ateistëve që janë kundër çdo feje, tek ato të armiqësisë ndaj besimeve të tjera dhe besimtarëve të tyre dhe deri tek toleranca fetare me të cilën mburremi. Nuk di se si është përqindja e njerëzve që janë fanatikë agresivë dhe e atyre, që janë tolerantë, sepse nuk ka sondazhe të sakta për këtë qëllim. Dhe është e çuditshme, se në Shqipëri bëhen sondazhe se a ishte veshur bukur të themi Grida Duma dhe nuk studiohen çështje themelore të shoqërisë fetare.

Unë sërish quaj më të rrezikshëm militantizmin ateist të shumë shqiptarëve, që i paraqesin fetë si e keqja e madhe e Shqipërisë dhe që thonë “fetë i sollën pushtuesit”, sikur të bëhej fjalë për ca sëmundje ngjitëse që ne, paganët e pastër të trojeve të Ballkanit nuk i kishim.

Edhe pse nuk jam besimtar dhe në traditën familjare kam besimin ortodoks, përsëri do pranoja më mirë të ishim një Republikë Islamike se sa një Republikë Ateiste. Këtë të fundit e provuam mbi kurriz për një kohë të gjatë dhe e dimë se sa e egër ishte.

Militantizmi ateist është i njëjtë me fanatizmin fetar. Vërtet fanatikët dhe pjesa e tyre më e papërmbajtur sjellin rrezikun që një shoqëri të ketë konflikte mes saj, por nuk njihen përplasje të hapura dhe masive të tilla mes palëve as në kohën e Perandorisë Otomane dhe as në kohën e Shtetit shqiptar para Luftës së Dytë Botërore. Ndaj vahabistët apo fondamentalistët e krishterë më trembin po njëlloj sa militantët ateistë, pikërisht se janë kundër Lirisë së të tjerëve.

Ne kemi pasur fatin që të kemi një pjesë jo të vogël të popullsisë bektashinj, që janë sekti më tolerant i islamizmit. Madje kjo ka qënë edhe arsyeja përse ky sekt rebel u përjashtua nga Turqia dhe u detyrua të kishte Kryegjyshatën Botërore në Tiranë. Ka qënë edhe mes pjesëve të popullsisë shqiptare që kanë bërë më shumë për Pavarësinë e Shqipërisë.

Të tjerë miq të mij këmbëngulin se shumica muhamedane e popullsisë shqiptare bën që të mos kemi Demokraci dhe përmendin një fakt (të rremë), se nuk ka vende islamike që të kenë sistem demokratik. Ju jam përgjigjur, që nuk është e vërtetë dhe ju kam përmendur Bosnjën, Indonezinë dhe Pakistanin, por nga paragjykimet të gjithë e kemi të vështirë të çlirohemi. Kjo edhe për shkak të propagandës së vazhdueshme shqiptare të 170 viteve të fundit, se “fajet për prapambetjen tonë i ka Perandoria Otomane”. Po nëse në kohën e Rilindjes kjo propagandë ishte e kuptueshme për të krijuar Ndjenjën Kombëtare që tek ne mungonte, ishte e padrejtë që u përdor në periudhën e Diktaturës dhe përdoret edhe sot.

Komunistët e përdorën kryesisht nga ndikimi i rusëve, që kishin pasur Turqinë një armik tradicional dhe që vazhdonin ta kishin në kohën e Luftës së Ftohtë. Më pas mbeti si një autosugjestionim i joni që “dembelizmin dhe korrupsionin i kemi peshqesh nga turqit”. Ne ishim dembelë dhe të korruptuar që pa hyrë otomanët, se ashtu ishte e gjithë Europa Romane dhe ajo Bizantine. Madje edhe më të prapambetur se turqit, se ishim vendi më i prapambetur europian dhe të gjitha vendet europiane ishin më prapa otomanëve. Reformacioni që ndodhi në vendet e fesë katolike është më i vonshëm se hyrja e otomanëve në Shqipëri dhe shumë më i vonë është edhe zhvillimi europian që ai solli dhe që e shpuri Europën Perëndimore shumë më para se Bota otomane.

Por këto duhet t’i kemi të ngulura në mendje dhe të mos i trembemi shikimit përbuzës që mund të ketë një pjesë e shoqërisë europiane e krishterë ndaj myslymanëve.

Ne jemi këta që jemi për shumë arsye historike dhe nuk ka pse të ndjehemi me turp se besojmë në një nga fetë abrahamike. Njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin besimin fetar që ju vjen për shtat dhe nëse janë besimtarë të vërtetë janë edhe tolerantë dhe të dashur me të gjithë.

Kështu të mësojnë Bibla dhe Kurani.

Gëzuar Kurban Bajramin të gjithëve!

Sa është Koço Qëndroja gjallë


E di që mund të ketë shumë buzëmbledhje nga lexuesit, pasi të lexojnë këtë shkrim për një të moshuar që po mbush 100 vjeç. E megjithatë unë po e shkruaj se nuk do e bëj kurrë për një njeri që nuk është në jetë, nëse ai nuk është dikush i një përmase të madhe historike.

Madje më tepër se me karrierën dhe nivelin e mjeshtërisë të aktorit Qëndro, ky shkrim ka të bëjë me nivelin artistik të Teatrit dhe Estradës së Korçës, në vitet ‘60 deri ‘80, kur aktori punonte me normë të plotë.

Teatri i Korçës i formuar në vitin 1950 ishte i bazuar në aktorë amatorë. Kishte vetëm regjisorin profesionist, që ishte i mirënjohuri Sokrat Mio. Kuptohet që do vuante nga dilentatizmi, ndonëse dora e Mios kishte bërë që shumë nga aktorët amatorë të ngrinin nivelin e tyre. Po mësonin nga një mjeshtër që kishte studiuar në Paris. E megjithatë, duke përjashtuar disa artistë, më të shumtët mbetën në nivel amator sepse nuk është e lehtë të mësosh mjeshtërinë me vetëm 3-4 premiera në vit, si dhe me një repertor të kufizuar për shkak të ideologjisë. Për më tepër ishin të pakët ata aktorë që lexonin letërsi apo që mbanin libra në shtëpi.

Koço Qëndroja, një ushtarak që pëlqente të luante pjesë teatrale apo skeçe humoristike, hyri në këtë teatër në fillimin e viteve ‘60. Detyrimisht do ishte nën nivelin mesatar të trupës së asaj kohe. Pas ngjarjes së shkrirjes së trupës së Estradës në vitin 1967, me disa aktorë të tjerë të Tetarit, u emëruan tek Estrada, ku luajti deri në kohën kur doli në pension.

Estrada e Korçës, prej riformimit dhe deri në fillimin e viteve ‘80, ka qënë një nga trupat më të dobëta të qyteteve kryesore shqiptare. Për më tepër shumë larg humorit korçar. Kam përmendur që humori që përcillej ishte tepër naiv dhe i rëndomtë, për shkak të materialeve të dobëta humoristike, por edhe se nuk kishte një regjisor me shijetë mira, si edhe aktorë vërtet të talentuar. Diçka u përmirësua kur në trupë u rikthye pas shumë vitesh Aleko Prodani, por ishte e vështirë të ngrihej në nivelin e estradave të Shkodrës, Durrësit dhe Fierit. Në këtë trupë, përsëri Koçoja nuk ishte mes më të mirëve. E megjithatë, në disa filma që xhiroheshin në Korçë, aktori ishte angazhuar në role të vogla në të cilat kishte batuta interesante, që mbeteshin në mendjen e shikuesve, që për shkak të mungesës së shumë kanaleve televizive, i shihnin filmat shqiptarë nga njëzet herë.

Nuk jam i sigurt nëse Qëndro ka luajtur Harpagonin në vitet ‘80 apo ‘90 dhe nuk e kam parë atë shfaqje, ndaj dhe nuk mund të vlerësoj interpretimin e tij. Por kam rezervat e mija duke ja njohur aftësitë, si dhe nivelin e regjisorit Orgocka, i cili pat vënë në skenë komedinë e Molierit.

Ndaj të thuash sot se Koço Qëndro është legjendë e teatrit dhe kinematografisë“, jo vetëm është e tepruar, por është një vlerësim i rremë i vetë aktorit, nivelit të Teatrit dhe Estradës së Korçës dhe filmave shqiptarë. Koçoja duhet përgëzuar se ka bër një jetë të rregullt dhe po jeton gjatë, se ka luajtur në skenë edhe në moshë të thyer dhe se përgjigjet të mbajë gjallë kujtimet dhe historinë e teatrit “Andon Zako Cajupi”. Sa për të tjerat duhet të jemi të drejtë me historinë e teatrit në përgjithësi dhe me atë të Teatrit të Korçës në veçanti. Ka qënë një aktor nën mesatar, i një trupe, që pati shkëlqim vetëm prej vitit 1967 deri më 1972, kur drejtohej nga Mihal Luarasi dhe interpretonin Vangjush Furrxhiu, Edi Luarasi, Llazi Sërbo, Pandi Raidhi, Minella Borova dhe ndonjë tjetër.

Nëse do ju sugjerosh brezave të rinj që aspirojnë të bëhen aktorë, të ndjekin shembullin e aktorit Qëndro, do të thotë që të synojnë mediokritetin. Unë nuk di se ç’lloj aktori do ishte Koçoja po të kishte pasur mundësi të shkonte në një shkollë aktrimi. Dhe e kam fjalën në një shkollë të mirë, sepse Instituti i Arteve pat nxjerrë dhjetra aktorë mediokër dhe të dobët, që punuan në të gjitha skenat profesioniste të Shqipërisë. Gjithashtu është e gabuar t’ju sugjerosh se Teatri dhe Estrada e Korçës kanë bërë dikur çudira. Edhe pse koha sillte shumë kufizime, ka pasur dhjetra premiera të tyre, të cilat duhej t’i lije në mes, sepse aq i dobët ishte niveli artistik.

Ndaj nëse mund t’i këshillosh të përfitojnë nga interpretimet e kohës së Diktaturës duhet t’ju bësh të qartë se nëse mund t’i shohin të filmuara vlejnë vetëm disa shfaqje të Teatrit Popullor dhe ndonjë e Teatrit të Shkodrës. Dramat e interpretuara nga teatri “A.Z. Cajupi” – “Njollat e murme”, “Të Pamposhturit” apo “Engjëjt e Skëterrës”, që ishin vërtet arritje artistike, nuk janë filmuar ndonjëherë. Sa për interpretimet e aktorëve të humorit korçar ato duhen ndjekur vetëm si shembuj se si nuk duhet interpretuar.

Nuk do t’i kisha shkruar këto rrjeshta nëse nuk do kisha parë elozhet e pafund të shumë e shumë njerëzve për Qëndron. Një pjesë nuk kanë faj se nuk e kanë parë as Estradën e Korçës dhe as Teatrin, kur ka interpretuar artisti i moshuar. Por nëse aktorët Klaudeta dhe Petrika Riza, e quajnë Mjeshtër të Madh (po qe se i është dhënë ky titull zyrtarisht është edhe më e turpshme) atëhere rrenat dhe hipokrizia i kalojnë të gjitha caqet. Po qe se këta dy aktorë, mjaft mesatarë të të teatrit, presin që shpejt edhe këta t’i quajnë Mjeshtra të Mëdhenj, legjenda të artit, apo ikona të kinematografisë, atëhere nuk kemi për të ndarë dot kurrrë “miellin nga krundet” në fushën e artit të skenës.

Koço Qëndroja të bëhet edhe shumë më shumë se 100, vetëm mos ndodhë që sa më shumë të rrojë aq më shumë të rriten superlativat për të!

Nuk i shërbejnë askujt!

Tuesday, 26 May 2026

Agasët – shëmbulli se si Rama e ka “hipur” shoqërinë shqiptare


Vonë i kam dëgjuar Agasët babë e bir, sepse botën e Durrësit e njoh shumë pak. Për Ergysin mësova kur u arratis se për të ishte prerë një urdhër arresti, ndërsa për atin Bardhyl, mësova dje se ekzistonte.

Ndoshta njëri përzjehej me botën e nëndheshme të Durrësit, që lidhet me trafiqet e drogës dhe përfitonte nga shërbimet që i bënte kryeministrit shqiptar, si ndërmjetës mes tij dhe botës së errët të krimit të organizuar. Mundet që tjetri nuk kishte idenë se Durrësi kishte një botë të nëndheshme dhe besonte se i biri ishte një biznesmen i zoti, që edhe në sajë të lidhjeve me kupolën e PS-së “kapte noi shum t’majme”.

Por Agasët nuk e krijuan këtë sistem të poshtër që sundon sot në Shqipëri.

Pas mënjanimit të Ergysit nga skena shqiptare, do jenë të tjerë që do zenë vendin e tij. “Një “rrip transmisioni” mes Ramës së zhytyr deri në grykë me vjedhje dhe bandave që arrijnë të sigurojnë fitoren e PS-së në zgjedhje do vazhdojë, nëse kryeministri do vazhdojë të jetë “hipur” deri në vitin 2029, vit kur do konkurojë Berisha për kryeministër.

Qëllimi i këtij shkrimi është për të nxjerrë edhe një herë në pah, diçka që e përmendin disa analistë, por jo të gjithë mediat dhe ndoshta jo të gjithë e besojnë.

Edi Rama e ka “hipur” shoqërinë shqiptare dhe po e përdhunon në mënyrë të vazhdueshme!

Disa shtresa (kryesisht socialistët) e pranojnë me kënaqësi “përdhunimin” nga “prijësi”; disa të tjera e kundërshtojnë; më të shumtët nuk duan t’ja dinë se Rama i “përdhunon”.

Sigurisht që nuk e filloi që në vitin 2013. Si një “pervers” i lindur, ai filloi t’i vinte rrotull shoqërisë shqiptare me premtime, me fjalime të bukura dhe gradualisht ja “hipi” mirë. Deri atje sa shumë njerëz (përfshi këtu dhe një ish mësuesen time të nderuar) po thoshin hapur “Vetëm Rama mund ta bëjë Shqipërinë!” (Shqipja është ndoshta në gjuhët më komplikuara, sipas mendimit tim, për fjalë me dy kuptime.)

Por si çdo pervers, Rama do edhe të mburret me atë çka i ka bërë dhe i bën shoqërisë shqiptare. E ka dëshmuar ndaj shoqërisë së Tiranës, kur shumica e saj e dinte se kush ishte Ergys Agasi, se si kishte “akses” tek Rama, se si mund të të merrte pronat që kishe dhe si mund t’i dyfishonte vlerat e tenderave. Dhe Rama as e vriste mendjen se kjo mund ta tregonte me gisht si pervers. Edhe kur Ahmetaj, me informacione nga Tirana që dinte se ç’përfaqësonte Gysi, deklaronte për statusin e Agasit të Ri, se ishte ndërlidhësi i Ramës me botën e krimit dhe se në zyrën e tij konsumonte me ndërlidhësin shishe me verë të vlerës 30 mijë euro.

Madje nuk ja donte të dinte as kur Agasi i lajmëruar ja mbathi nga sytë këmbët, diku në një vilë në ndonjë fshat të Tiranës. Vetëm që e humbi pak toruan se ngjarja përkoi me problemin e madh Balluku.

Tani që e mblodhi toruan, i hipi dëshira ta përdhunojë edhe më rëndshëm shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht “të hapurit për përdhunim”, socialistët e Durrësit. Krejt si një pervers, Rama organizon një festë të gjoja 35-vjetorit të PS-së në Durrës për këtë qëllim. Për të nxjerrë një lolo baba Agas dhe duke i varur një dekoratë, si socialist i vjetër dhe i palëkundur. Disa thonë për t’i dërguar mesazhe Gysit dhe botës së nëndheshme që është me ta, por unë nuk e pranoj këtë shpjegim, se kanale për të dërguar mesazhe ai ka disa për Gysin dhe shokët e tij. Nuk është e nevojshme farsa në Pallatin e Sportit të Durrësit.

Rama do të thërrasë me të madhe, që e gjithë Shoqëria shqiptare ta dëgjojë “Unë jam ai që ju kam përdhunuar dhe do vazhdoj t’ju përdhunoj. Mos ju gënjejë mendja që kam për të ndryshuar ndonjë ditë!”

Babai lolo nuk ka faj. Me siguri ndjehet i tmerruar që i biri mund të përfundojë në burg, ose më keq, edhe me një plumb pas koke, se duhet ta ketë kuptuar që përzjerja me atë botë shpesh ka një fund të keq. Duhet ta ketë parë disa herë edhe serialin “La Piovra” edhe në kanalet italiane dhe ato shqiptare. Ndaj dhe i lutet Prijësit, “më bëj mua ndonjë gjë dhe jep urdhër mos më preket djali”. Eshtë shpresa e tij e fundit. Sepse si çdo prind edhe ai nuk ka përse të kujdeset për dinjitetin e tij, nëse ka pasur ndonjëherë dinjitet. Ndrenika puthi në ballë “të ligaviturin” Veliaj , madje u vetëofrua për burg në vend të tij, vetëm për të mbrojtur ndonjë interes të vajzës dhe dhëndërit.

Por si do bëjmë ne shqiptarët, me këtë “Prijës”, që përdor edhe kokainë për të rritur performancën e tij seksuale?

Deri kur do lejojmë të na “përdhunojë“?

A ndoshta tashmë jemi mësuar dhe ka nisur të na pëlqejë?

Monday, 25 May 2026

Identiteti dhe patriotizmi (fund)

 


(vijim)

-Unë jam shqiptar! – ju them kanadezëve që më pyesin se cila është origjina ime, sepse dallojnë aksentin dhe pasi i le të hamendësojnë dhe më thonë - grek, italian ose libanez. Nuk ndjej as kënaqësi dhe as përçmim kur më përmendin kryesisht këto etni, sepse të treja janë mesdhetare dhe askush nga ata që më pyesin nuk ka prirje të më fyejë. Disa syresh që vijnë nga vende islamike më shohin me dashamirësi dhe shtojnë “O Allbania...you are muslim!” Nuk reagojnë keq as kur ju them se jam i krishterë, por arrij të kuptoj që në dukje nuk kam asnjë shënjë identiteti si racë apo si fe. Jam mesdhetar dhe mund të jem edhe budist, për syrin e një të huaji.

Pra edhe në veshje, në sjelljen e përditshme, në përgjithësi në pamje duke përfshirë edhe reagimet e para, unë jam dikush tepër mesdhetar se askush nuk më ka thënë se mund të jem irlandez apo norvegjez. Emri im gjithashut nuk ju thotë shumë, se është një emër pak i përdorur në të gjithë botën. Po qe se flas në gjuhën time, sigurisht që askush nuk mund të kuptojë apo të hamendësojë se është gjuha e bukur shqipe, që e mësuam më mirë nga vargjet e Naimit dhe prozat e Kutelit.

Diçka e ngjashme më ndodh edhe kur udhëtoj në Europë dhe veçanërisht në Greqi. Askush nuk thotë menjëherë që “Ti je shqiptar!”, gjë që më bind se nuk jam një shqiptar tipik, ose se nuk ka një gjë të tillë si nocioni “shqiptar tipik”.

Por kush është shqiptari tipik, nëse vërtet dikush i tillë, që përmbledh të gjitha cilësitë që të huajt dallojnë lehtësisht tek ne?

Nuk besoj se është “halldupi” që kam përshkruar në një skicën time për dikë që kam parë në një kafe në Tiranë dhe që më ra në sy. Si ai mund të gjesh shumë në vendet e Mesdheut Lindor, prej Turqisë dhe Izraelit dhe deri në Egjipt dhe Tunizi. Nuk është as ish pedagogu im, me të cilin kalova dy orë të një bisede shumë interesante në hotelin e tij në Tiranë.

E kam të vështirë të gjej dikë, që ka gjithë karakteristikat e mira dhe të këqija të një mashkulli apo të një femre shqiptare. Patjetër që nuk janë as Berisha, as Rama dhe as Kadareja. Shembujt e VIP-ave shqiptarë janë shumë larg dikujt që mund ta quajmë shqiptar tipik.

A ishte Dritëroi?

Një njeri i mënçur, i talentuar, dashamirës, që pëlqente të pinte raki, t’ju bënte mirë shumicës së njerëzve dhe që e donte shumë Shqipërinë?

Edhe në këtë rast do e identifikoja Agollin si shqiptari bektashi tipik, për gjithë filozofinë e tij dhe mënyrën e sjelljes me njerëzit dhe raportet me Shqipërinë.

A ishte magazinieri Asmon (Osman), që pata takuar dikur në Durrës dhe që i donte njerëzit, pëlqente shumë Vangjush Furrxhiun (mbiemrin ja theshte Furxhi me theksin në u-ja) dhe që përtonte të lëvizte nga ndenjësja e tij e rehatshme?

Edhe se mund të ishte tipik i një pjese të Shqipërisë së Mesme as ai nuk mund të quhet si shqiptar tipik.

Dhe kështu mund të vazhdoj pafund me tipa tipikë dhe të veçantë që kam takuar anekënd Shqipërisë, nga Shkodra dhe deri në Sarandë.

Me një fjalë nuk mund të gjej një shqiptar tipik, që të dallohet që tej, prej nesh dhe prej të huajve që është “shqiptar 24 karat”.

Ndoshta për shkak të copëzimit të terrenit që sillte kultura të ndryshme krahinore, ne jemi aq të ndryshëm me njëri tjetrin sa vetëm kur hapim gojën dhe flasim mund të kuptojmë se jemi bashkëatdhetarë. Kulturat e pushtuesve gjithashtu kanë ndikuar në larminë e shqiptarëve që jetojnë brenda Shqipërisë së sotme. Përvoja ime me shqiptarët e Kosovës është shumë e kufizuar sa nuk mund të them nëse kanë karakteristika të dallueshme që janë kosovarë.

Ndoshta këtë kishte pasur parasysh Noli, kur pat shkruar një bejte të gjatë për karakteristikat e ndryshme të popullsive të krahinave të ndryshme shqiptare. (Bejtja qarkullon në Internet dhe unë nuk i sugjeroj askujt ta shpërndajë se krijon stereotipe jo të mira dhe njëkohësisht një përbuzje mes krahinave të ndryshme.)

Ndaj mund të them se vetëm një cilësi ka çka duam të quajmë Identiteti Kombëtar.

Gjuha shqipe me gjithë dialektet e saj.

Të tjerat janë ose cilësi që i kanë të gjithë Mesdhetarët, por veçanërisht të gjithë ballkanasit, ndoshta duke përjashtuar vetëm sllovenët.

Jemi njerëz të dashur, gjaknxehtë, të zgjuar, përgjithësisht që mbajmë fjalën, por dhe që kemi edhe një qerre me vese dhe gomarllëqe, si i kanë gjithë ballkanasit.

Dhe duke qënë të tillë, shfaqim shpesh një patriotizëm të verbër, që ka rrezik të të fusë në konflikte të panevojshme, si ka shumë raste të tilla kafeneve të botës, apo më i përhapur në ndeshjet e futbollit me Sërbinë dhe Greqinë. Nuk është e pamundur që një patriotizëm të tillë ta shfrytëzojnë politikanë të paskrupullt një ditë dhe të na fusin edhe nëpër luftra me fqinjët. Dhe të paskrupujt ekzistojnë dhe në Greqi dhe në Sërbi.

Ndaj jam tërësisht kundër një patriotizmi të tillë, madje refuzoj edhe të mbaj flamurin shqiptar ose ta puth atë.

(Dhe do vazhdoj të mos e bëj atë gjestin e shqiponjës, se nuk dua të bëj sherr me asnjë ballkanas tjetër.)


Identiteti dhe patriotizmi


Ndonjëherë kur mendoj se cili është identiteti im, më kujtohet një shqetësim i një mikes sime në Tiranë, që para 4 vjetësh ishte e shqetësuar se ne shqiptarët po e humbisnim identitetin tonë kombëtar. Edhe pse u çudita, reagova jo ashpër, se me të nuk takohem shpesh. Ndoshta thashë diçka si - “po çështë në vetvete ky identiteti jonë kombëtar”, por më pas nuk hyra më në diskutim.

Unë mendoj se jam një strukturë disi e komplikuar qelizash, që kam parë (nuk jam i sigurt nëse fëmijët shohin që sa dalin) dritën në një ndërtesë që e quanin Materniteti i Korçës, pas 9 muajve në errësirë në barkun e nënës sime. Më pas, sërish në sajë të nënës u ushqeva dhe nisa të mësoja si të komunikoja me të dhe qëniet e tjera të ngjashme që ishin përreth. Përpjekjet e mija të mëparshme për të komunikuar me klithma dhe të qara ishin shëndrruar në rrokje dhe buzëqeshje. Më vonë më thanë se kisha nisur të flisja shqip. Më patën mësuar edhe të ktheja kokën kur më dhërrisnin me një dyrrokësh, që ishte emri që më kishin vënë. Unë i thërrisja të tre njerëzit që shihja më shpesh me nga një dyrrokësh, që ishte thuajse një rrokje e përsëritur dy herë. Nuk di se në ç’kohë mësova që jetoja në një qytet që e quanin Korçë, por përsëritja çdo gjë që më theshin se “aq mend kisha”. Pa mbushur tre vjet më shpinin edhe në një godinë, ku kishte edhe qënie të tjera në moshën time dhe që kalonin më të shumtën e kohës në krevat

U zgjata pak për të thënë se kur i rikthehem fëmijërisë nuk jam aspak i sigurt se kur mësova se isha shqiptar dhe se i përkisja një vendi që quhej Shqipëri. Nuk kisha tru të zhvilluar për të imagjinuar një botë më të madhe se Korça, madje dhe atë vetëm në disa rrugë dhe bulevarde dhe me njërëzit që silleshin në to, disa prej të cilëve më përkëdhelnin dhe unë i shihja me ngazëllim.

Ndoshta që ishim pjesë e një hapësire që quhej Shqipëri duhet ta kem mësuar për herë të parë kur shihja librat e Diturisë së natyrës së motrës sime, që është 5 vjet më e madhe se unë. Më parë më kishin mësuar në kopësht emrat Parti dhe xhaxhi Enver.

Por nuk dua të bëj me faj as Partinë dhe as Enverin, madje as prindërit dhe edukatoret, që nuk më kishin ngulur herët ndjenjën e shqiptarizmës. Madje im atë ishte përpjekur duke të na lexuar me pathos “Bagëti dhe Bujqësi” të Naimit, por nuk di pse përshtypje më linin vargjet-”kur dëgjon zërin e nënës, qysh e le qingji kopenë“, se ato “Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emrin shqipëtar”. Mbase se të parat ishin jo abstrakte dhe me sytë e mendjes unë endesha në një kodër të bleruar, ku një qingj i vetmuar sulej me vrap të shkonte tek nëna e tij.

E megjithatë, deri në çastet që shkruaj, kam qënë i bindur që jam shqiptar, sepse kështu më kanë thënë, dhe se në gjuhën shqip mendoj. Rrallë më kalojnë në mendje mendime apo fraza në anglisht, që është gjuha ime e dytë. Dhe nuk ndjehem kurrë kanadez, edhe pse kam 29 vjet që jetoj në këtë vend. Në kartën time të identitetit (që është pashaporta ime kanadeze), veç emrit dhe ditës së lindjes kam të shënuar që jam i shtetësisë kanadeze dhe kam lindur në Korçë të Shqipërisë.

Por a është ky identiteti im i plotë dhe a jam unë larg “identitetit kombëtar”?

Përsëri do thellohem në atë, nëse unë kam një identitet të caktuar veç gjeneraliteteve, se të përcaktoj se cili është identiteti jonë kombëtar, ose se ç’është një shqiptar tipik mesatar.

Kam mësuar gjatë jetës një profesion, sikundër shumica dërmuese e njerëzve në këtë botë, Nuk jam besimtar i ndonje feje, por ndjek ndonjëherë ritet e traditës familjare. Nuk i ve duart para gjoksit për shqiponjën se më duket një ide idiote dhe provokuese, përveç edhe se më ngjan vetja si grua që do të mbulojë gjinjtë që ka jashtë. Kur dëgjoj Himnin Kombëtar ndjej një lloj emocioni edhe pse e di që në thelb është i gabuar se flet për armiq dhe tradhëtarë. Ndjek se ç’ndodh në Atdhe se atë shoqëri e njoh më mirë dhe jam më i ndjeshëm rreth saj. Indinjohem më shumë me “maskarallëqet” e shqiptarëve se me ato të përfaqësuesve të kombeve të tjera. Dëgjoj më pak këngë pop shqip se sa të vendeve perëndimore europiane. Më pëlqen të pi raki më shumë se sa ndonjë pije tjetër edhe pse nuk jam pijetar. Kam një gamë shumë të pasur sharjesh në shqip, të cilat i përdor shpesh kur flas me vete. Kur shikoj një lokal pronë shqiptarësh shkoj në të dhe nëse nuk zhgënjehem nga shërbimi vazhdoj të shkoj. Nuk i them sherrit lepe, por edhe nuk largohem lehtë nga sherrri. Kam kuptuar se të jesh krenar dhe ta manifestosh atë është cilësi e njerëzve jo me shumë mend, por megjithatë ende nuk jam në gjendje të jem thellësisht modest.

Nuk di nëse kjo më bën një njeri me një identitet të caktuar dhe nëse më afron apo më largon me atë që shumë quajnë identitet kombëtar.

(vijon)

Kongresi ku u vendos fati i keq i Shqipërisë


Diku ka një njoftim, që disa autobuzë me “pasardhës” të Kongresit të Përmetit, janë nisur për në vendin ku u mbajt mbledhja që vulosi fatin e keq të Shqipërisë. Nuk di se ç’duhet për të qënë “pasardhës Kongresi”, por mendoj se mund të jenë të afërm të delegatëve të Kongresit, sepse pas 82 vjetësh nuk duhet të ketë mbetur ndonjë i gjallë prej tyre.

Unë mendoj se një pasardhës nuk duhet të shkojë kolektivisht tek një vend ku i jati ose e jëma janë mbledhur për një mbledhje, se s’ka asnjë lidhje me ndonjë sakrificë të prindërve për familjen shoqërinë apo për Atdheun. I kuptoj ata që shkojnë të nderojnë vendet ku kanë rënë parardhësit në luftë, apo ku ju prehen eshtrat, por në një vend ku janë mbajtur fjalime, janë bërë diskutime dhe janë marrë vendime, nuk më duket e logjikshme. Por ndoshta edhe mendoj kështu se gjyshërit dhe prindërit nuk kanë marrë pjesë në ndonjë mbledhje, konferencë apo Kongres të një rëndësie si ai i Përmetit.

Por ndonëse Kongrei i Përmetit ishte vërtet shumë i rëndësishëm (data e tij ishte në stemën e Republikës madje edhe në monedhat metalike) pas Luftës së Dytë ishte shumë e shumë më pas rëëndësisë të Mbledhjes së Themelimit të Partisë, Ditës kur u largua gjermani i fundit, madje edhe Konferencës së Pezës. Më 8 nëntor, vetë ata që ishin pjesëmarrës, nuk ju dukej se po mblidheshin për ndonjë gjë shumë të rëndësishme. Vetëm që tre grupe të bëheshin bashkë dhe duhet të mbështesnin një luftë antifashiste, sepse kështu kishte orientuar Kominterni pas sulmit të Gjermanisë mbi Bashkimin Sovjetik. As mendonin se një ditë do bëheshin ministra. Por propaganda e kishte shënuar atë ditë si pika e kthesës në fatet e Shqipërisë. Kjo shoqërohej edhe me vargjet e poetëve më të mirë, ku njëri syresh shkruante “ O shtëpi qerpiçi, o mure me baltë/ Baltë nga kjo tokë e vuajtur, e lashtë,/ Pragu yt ndante kohërat/ Në atë prag ata hynin/ Jashtë era gjëmonte/ Jashtë gjethet binin.” Dhe ne “pasardhësve” na shkonin mornica në trup , veçanërisht kur recitohej bukur nga ndonjë aktor me zë baritoni.

Në atë mbledhje të themelimit nuk u vendos asgjë me rëndësi, por nga rrethana tepër jo normale, kryesisht në sajë të dështimit të shtresave të pasura shqiptare, 3 vjet e gjysëm më vonë, ata që kishin qënë në atë mbledhje nëntori, vendosën fatin e Shqipërisë për 47 vitet e ardhme.

Pavarësisht se si interpretohen sot vendimet e atij Kongresi, vendimi midis rrjeshtave ishte që Shqipëria nuk do bëhej një vend Demokratik.

Thuhej hapur që KANC ishte i vetmi organ legjislativ dhe ekzekutiv që përfaqësonte popullin shqiptar. Mbi ç’të drejtë shprehej ky përjashtim i të gjithë të tjerëve, mbështetësit e sotëm të komunistëve, mund të thonë se me sakrificat e bëra gjatë luftës dhe me gjakun e dëshmorëve. Por edhe kjo nuk është e vërtetë, se në pranverën e vitit 1944, e ashtuquajtura Ushtri nac-çlirimtare posa kishte dalë nga një shpartallim i shumë brigadave për shkak të Operacionit të Dimrit. Largimi i gjermanëve nga disa zona të Jugut, ku komunistët mund të bënin Kongres nuk ishte rrjedhojë e luftës partizane, por e largimit të tyre gradual nga zonat e parëndësishme të një sipërfaqe tejet të madhe nën kontroll në të gjithë Europën. Pritej zbarkimi i madh i Aleatëve në Europë dhe detyrimisht që gjermanët kishin nevojë për trupa për të mbrojtur Europën Qëndrore, Perëndimore dhe vetë Gjermaninë.

I ndalohej pa asnjë të drejtë kthimi në Shqipëri i Zogut, gjë që ishte komplet për të mos rrezikuar një humbje nëse do kishte zgjedhje demokratike. Mbretëria edhe mund të shpallej jo e ligjshme, se ishte shpallur arbitrarisht, madje edhe Zogu si mbret, por qytetarit Ahmet Zogolli nuk kishte përse t’i ndalohej kthimi në vendin e tij.

Kështu që kjo shpallje krejt e njëanshme e Frontit si e vetmja forcë e ligjshme, ishte preludi i Diktaturës. Ndaj edhe shumë patriotë edhe që kishin qënë antifashistë dhe nuk kishin asnjë bashkëpunim me armikun ikën nga Shqipëria në vjeshtën e vitit 1944. Përvoja e asaj që kishte ndodhur në Rusi para Revolucionit ju pat mësuar se ç’lloj terrori do vinte.

Në mënyrë qsharake, në Kongresin e Përmetit u bënë edhe “gjeneralët” e parë shqiptarë duke nisur nga Enveri dhe Koçi Xoxeja e duke përfunduar tek të tjerë, që nuk kishin asnjë lloj trainimi ushtarak, madje dhe që nuk kishin drejtuar ndonjë betejë ushtarake.

Themelet e Diktaturës u hodhën në Kongresin e Përmetit.

“Po normal” mund të thonë “pasardhësit” nëpër autobuza ndërsa kthehen nga Përmeti duke kënduar këngë partizane.

Nuk ishte normale as në atë kohë dhe aq më pak sot. Ndërsa të njëjtën gjë do bënin diku në Veri apo në Shqipërinë e Mesme, shqiptarët e organizatave të tjera, të shpallnin një organ legjislativ apo ekzekutiv të tyrin, Lufta Civile do ishte e pashmangshme në Shqipëri. Do ndodhte ajo që ndodhi në Greqi dhe që do merrte jetët e shumë e shumë shqiptarëve.

Ndaj Kongresit të Përmetit i duhet vënë “damka” që meriton.

Kongresi që sanksionoi shkatërrimin e ardhshëm të një Shqipërie Europiane. Pasojat e tij po i vuajmë edhe sot.

Sunday, 24 May 2026

Edhe Xhefri i Epsheve ishte filantrop


Filantropët nuk mund të gjykohen!

Kjo është një maksimë, mbase e sajuar, por është praktika e sotme dhe e djeshme në qëndrimin ndaj filantropëve të mëdjenj e të vegjël. E megjithatë, kur del se këta njerëz “zemërmëdhenj’ dalin se pas dhurimeve të tyre ka disa motive shumë të dyshimta dhe të errëta, edhe pse mundohen t’i shpëtojnë ata që kanë pushtet dhe kanë përfituar prej tyre, sërish kanë një fund pa lavdinë që ëndërrojnë.

Megjithatë duhet bërë një dallim edhe mes filantropistëve me motive të errëta dhe Xhefri Epshtin (Jeffrey Epstein). Ai mbetet një figurë shumë komplekse, ku gërshetohen pasuri të cilave nuk ju dihet origjina, me shërbime sekrete, me pushtetarë të shumë vendeve, me marëveshje të rëndësishme prapa skene midis shteteve dhe me futjet e njerëzve në kurthe nëpërmjet shërbimeve seksuale që ofronte me “skllavet” e tij.

“Filantropia” drejt institucioneve arsimore dhe shkencore, si dhe të fushave të tjera, ishin mjete që ai përdorte për të ndikuar tek sa më shumë njerëz me reputacion në botë.

Filantropë të tjerë, nga Rokfelerët dhe Rotshildët, e kanë përdorur filantropinë për të treguar një fytyrë më humane ndaj një bote, të cilën e kanë shfrytëzuar mirë, pa pasur shumë skrupuj.

Duke u kthyer tek bota jonë e vogël shqiptare duhet thënë se periudha e Diktaturës e ndërpreu plotësisht filantropinë në shtetin shqiptar, tek i cili ka pasur tradita të hershme të dhurimeve, prej dhurimeve për objekte fetare dhe deri tek ato shëndetsore dhe arsimore. Në më të njohurit ka qënë Thoma Turtulli në Korçë, i cili i ka lënë qytetit ndërtesë spitali, Bibliotekën, godinën e Liceut Kombëtar dhe disa vepra të tjera. Por dhe për të, që në kohën e dhurimeve të tij të bujshme, flitej se pas “filantropisë“ kishte motive fitimi. Duke qënë edhe ndërtues edhe tregëtar materialesh ndërtimi me shumicë, Turtulli përfitonte nga veprat që i dhuronte qytetit përjashtimin nga taksa doganore të shumë e shumë materialeve që importonte për veprat e tjera ndërtimore të tij dhe të të tjerëve.

Sot njihen shumë të pasur, që krijojnë fondacione filantropike për të kaluar një pjesë të fitimeve të tyre për të shpëtuar nga pagesa e taksave, pa përmendur ata që ju shërbejnë edhe botës së nëndheshme për pastruar paratë. Ndaj motivet janë nga më të ndryshmet, shpesh që bien ndesh me ligjin, por përgjithësisht që kanë një shkelje të etikës.

Por njerëzit ju përulen filantropëve për të përfituar prej “free money” për të realizuar diçka në jetën e tyre personale apo të institucioneve që e kanë të vështirë të mbijetojnë pa ndihmat e filantropistëve.

Dhe për sa më lart e kisha fjalën për ata që i kanë fituar paratë vetë, ose i kanë trashëguar nga pindërit e tyre shumë të pasur. Dhe midis tyre ka shumë filantropë, të cilët nuk ndjehen, madje përpiqen të mbeten anonimë. Tamam sikundër këshillohet në Dhjatën e Re. Por pjesa më e madhe e kanë të nevojshme ekspozimin e tyre si filantropë.

I tillë është edhe rasti i Fotini Alltenit, për të cilën mësova vetëm para një jave dhe sa më shumë të mësosh rreth saj aq më shumë bindesh se është dikush tepër fallco dhe e dyshimtë. Allteni nuk ngurron të vetëquhet në faqen e saj www.fotiniallteni.org distinguished filantropist (filantropiste e shquar), kur po vetë thotë se nuk ka fituar ndonjë gjë vetë në Amerikë. Ka pasur miqësi me një hebreje të pasur, të cilës i ka shërbyer dhe që e ka lënë të drejtojë dy fondacione bamirëse të familjes së saj Kosloski.

Dhe “Filantropisteja e madhe”, që ka të drejtë t’i shpenzojë si të dojë paratë e donacioneve ndjehet se ajo i ka të sajat. Pak a shumë si ndjehen pushtetarët hajdutë të Shqipërisë nga Rama dhe deri tek Veliaj. Buxheti i qeverisë është pronë e Ramës dhe dikur një pjesë të këtij buxheti ja jepte ta shpenzonte si të tijin Veliaj. Nuk dua të them se Fotini Alltini vjedh. Por paraqitja e vetvetes si Filantropiste e shquar edhe në ekranet e kanaleve (të korruptuara) televizive shqiptare është një paraqitje e falsifikuar e vetes dhe të punëve që ajo bën. Dhe nuk mund ta mbulojnë këtë falsitet as të qeshurat e saj me vend e pavend. Se sipas mendimit tim, dikush që merret me bamirësi, ndjen se në këtë botë ka shumë gjëra që nuk shkojnë dhe as të bërit mirë nuk të bën të ndjehesh i lumtur. Nuk e kam parë të qeshte ndonjerë me të madhe Nënë Terezën. Ajo mbarte mbi veten dhimbjen e të tjerëve. Dhe ajo dhimje tejkalonte edhe bamirësitë e saj të një shkalle që nuk ishin parë.

Nëse zgjedh të kalosh nga studioja e Rudina Magjistarit, një tjetër figurë false dhe e përmendur për shumë lidhje me qëllime fitimi, nga trafikafikantë droge dhe deri tek Edi Rama , kryetar bashkie, atëhere ka diçka që tingëllon shumë keq.

Edhe kur shkon të të varë një medalje në qafë Fidel Ylli, një tjetër figurë e dyshimtë e politikës së papastër shqiptare, që drejton tani Komitetin Olimpik dhe që tek më të shumtat gjëra që prek, ka njolla korrupsioni.

Sigurisht që Xhefri i Epsheve nuk ka lidhje me zonjat tona të shquara shqiptaro-amerikane, si Evi Kokalari apo Fotini Allteni. Ato nuk mund të afroheshin as në orbitën e tij (veçanërisht kjo e fundit nga Nju Xhersi). Por mendoj se mendësia nuk është shumë shumë e largët nga ajo e amerikanit hebre dhe ateist Xhefri Epshtin. Ai nuk pata mbaruar universitet, por kishte dëshmuar se nuk kishte asnjë lloj skrupulli. Ishte pikërisht një miliarder hebre, që e afroi dhe i dhuroi për motive që nuk njihen, një shumë të madhe të hollash, dhe të cilat ai nisi t’i shtojë duke bërë çdo lloj spekullimi dhe pune të errët. Shumë aludojnë se janë paratëe CIA-s dhe të Mosad-it, për të masur materiale komptometuese për poltikanë, biznesmenë dhe për njerës të tjerë të fuqishëm. Xhefri ishte gjithashtu mjeshtër i festave dhe i galave, ngjarje në të cilat ishte shumë e vështirë të siguroje ftesë. Dhe dhuronte madje dhuronte bujarisht. Pat mundur të dhuronte edhe për çështjet e Naom Chomskit, njëri nga intelektualët më të pakompromentuar në botë.

Por ishte një filantrop që përfundoi keq!