Wednesday, 27 November 2024

Shqipëria e ZEEZ


Po afrohet 28 nëntori dhe nuk është e panatyrshme të hedhësh një shikim në historinë e shkurtër të shtetit shqiptar. Dicka më shumë se një shekull dhe duke përjashtuar periudha të shkurtra, shoqëria shqiptare është sunduar nga tre njerëz thuajse të plotfuqishëm. Kjo ka nxitur konspiracionistët të krijojnë teorinë se fati i Shqipërisë është i përcaktuar nga formula keqandjellëse ZEEZ.

Shqipëria e Zogut - Për 19 vjet sundimtari ishte Zogu. Periudha karakterizohej nga mungesa e lirive njerëzore, lëshimet ndaj disa fuqive të huaja dhe prapambetja ekonomike. Sytë e një pjese të madhe të popullsisëishin drejtuar nga emigracioni.

Shqipëria e Enverit - Për 41 vjet vendi u sundua nga një diktator, që e pranonte se shteti ishte Diktaturë. Liritë njerëzore ishin inekzistente, lëshimet ndaj disa Fuqive të huaja ishin në varësi të mbajtjes së pushtetit personal dhe gjendja ekonomike ishte e mjerë. Shqiptarët nuk emigronin dot sepse vendi ishte plotësisht i mbyllur. 

Shqipëria e Edit- Prej 12 vitesh vendi drejtohet nga dora e fortë e kryeministrit, që kontrollon gati të gjithë shtetin shqiptar. Shenjat janë se autokrati Rama do drejtojë edhe të paktën 8 vite të tjera. Të varfërit po bëhen gjithnjë e më të varfër nga bashkëpunimi korruptiv shtetarë me disa biznesmenë të lidhur me ta. Shqiptarët mundohem të gjejnë mënyra për tu larguar nga vendi dhe mos u kthyer më. Lëshimet ndaj disa Fuqive të mëdha apo dhe rajonale bëhen për të zgjatur pushtetin personal të Ramës.

Sipas konspiracionistëve, pas 20 ose 24 viteve të sundimit të Ramës, pushteti do mbetet brenda familjes biologjike Rama dhe familjes politike socialiste.

Sundimtari do jetë Zahoja... dhe kështu ciklet do vazhdojnë deri sa "kombet të shuhen përmbi dhe". 

Friday, 15 November 2024

A mund të sjellë Trump Paqen?


Mes iluzioneve që ushqejnë shumë mbështetës të Trump, por edhe të tjerë, që e quajnë veten të pavarur, është se Trump do sjellë paqen në botë. Një nga argumentët kryesorë të tyre është ai se në katër vitet e para të presidencës së tij nuk pati asnjë luftë të re.

Edhe pse ky argument nuk është plotësisht i vërtetë, po e marrim si të mirëqënë. Duhet nënvizuar se i gjithë opinioni amerikan dhe ndërkombëtar në vitet para zgjedhjes së Trump ishte kundër luftës dhe për përfundimin e menjëhershëm të pushtimit të Irakut dhe Afganistanit. Ndaj Trump do vazhdonte procesin e largimit nga këto dy vende që ishte filluar nga administratat e Obamas.

Ka disa arsye që edhe pse Trump ka premtuar se do sjellë paqen në botë, kjo është e parealizueshme.

Arsyeja e parë është se vetë Donald ka deklaruar se do e sjellë "Paqen nëpërmjet Forcës"!(Peace through strength) Kjo nënkupton rritjen e buxhetit ushtarak dhe forcimin të makinës ushtarake amerikane dhe me këtë diferencë në forcë mund të detyrojë shtetet "rrugaçe" të mos pushtojnë të tjerët! Dhe këtu bëhet fjalë për Rusinë, Iranin, Korenë e Veriut dhe ndoshta edhe Kinën. Ky është një argument absurd se gara e armatimeve do të vazhdojë të shkallëzohet dhe të gjithë, të mirë dhe të këqij do vazhdojnë të rrisin buxhetet e luftës deri sa të arrijë një gjendje kur diku do shpërthejë në një shkallë të paimagjinueshme.

Arsyeja e dytë është se në bazën e programit ekonomik të MAGA-s është vendosja e tarifave ndaj prodhiemeve të huajadhe veçanërisht Kinës. Tarifat krijojnë ato që quhen luftëra ekonomike dhe që rrisin tensionin në marëdhëniet ndërkombëtare. Dhe është një mundësi e madhe që konliktet ekonomike të kthehen në konflikte ushtarake.

Arsyeja e tretë është se modeli MAGA(Bëj Amerikën të Madhe Sërish) nxit rritjen e lëvizjeve të ngjashme nacionaliste kudo në vendet e fuqishme perëndimore, të cilat sot kanë problemet e mëdha brenda tyre. Nëse forcohen të themi 'Bëj Gjermaninë të Madhe Sërish', apo Francën, Britaninë, Anglinë, Rusinë apo këdo tjetër, rikthehet gjendja absurde nacionalisto-politike që solli Luftën e parë Botërore. Forcimi i ekstremeve të djathte dhe forcave nacionaliste është recetë për luftë rajonale por edhe më gjërë.

Arsyeja e katërt është natyra konfliktuale e Trump dhe mënyra se si ai bën politikë. Në 8 vitet që ai është një nga lojtarëtkryesorë në politikën amerikane, tensionet midis grupimeve politike janë shtuar deri në atë masë sa ështëpërmendur edhe mundësia e një lufte civile. Si mund të jetë e mundur, që dikush që solli këtë gjendje tensioni brenda SHBA të sjellë një periudhë paqeje dhe harmonie në botë?

Friday, 8 November 2024

Patriotizmi ynë qesharak


Ne parapëlqejmë të hiqemi si patriotë të flakët në festa, parakalime dhe në stadiume.

Mbështillemi me flamuj, vemë në kokë qeleshe dhe klithim "O sa mir me ken shqiptar!"

Nisemi nga çdo qoshe e globit për të mbushur stadiumet e huaja dhe dëshmojmë se edhe pse një popull me një numur relativisht jo të madh mund të konkurojmë për tifozeri edhe me vende që kanë 80 milion vetë e më shumë.

Bëjmë vend e pa vend shënjën e shqiponjës me duar para gjoksit, veçanërisht kur është e mundur të provokojmë ata ë tradicionalisht i quajmë armiq.

Një gjë nuk kemi të qartë. Përse jemi patriotë dhe cila është çështja më thelbësore kombëtare për shqiptarët sot.

Votimet e fundit në SHBA dhe veçanërisht reagimet në Tiranë tregojnë se ne nuk e dimë, ose nuk na bëhet vonë për çështjen kombëtare.

Në botën e sotme, kur gjithnjë e më shumë vendet po përpiqen të përfitojnë sa më shumë për etninë e tyre, çështja jonë kardinale është bashkimi me Kosovën dhe me një Kosovë të pacënuarnë kufijtë që ka.

Sërbët janë të entusiazmuar nga zgjedhja e Trump dhe po festojnë nën avujt e shlivovicës duke thirrur që Albin Kurtit i hedhi fundi. 

Të entusiazmuar janë edhe përkrahësit e Berishës dhe Metës në Tiranë, të cilëve nuk ju bie ndërmend për Shqipërinë dhe Kosovën, por vetëm duan që  Berisha dhe Meta të mos jenë të arrestuar.

Edhe nëse nuk ka të njëjtin entusiazëm, i gëzuar është edhe Rama, që e njeh mirë tashmë politikënndërkombëtare dhe di që po vjen një kohë e artë për autokratët. Ai i ka hedhur hapat për marëdhënie të shkëlqyera me administratën e Trump duke bërë koncensione në Sazan dhe Nartë për Ivankën dhe bashkëshortin e saj.

Edhe nga konsolidimi i Ramës në pushtet si një autokrat me mbështetje nga administrate e re, jeta eshqiptarëve dhe e ardhmja e tyre bëhet më e zymtë.

Por "kuqezinjtë" që jetojnë në Amerikë, që drithërohen për ndeshjet e kombëtares së futbollit, nuk ekanë vrarë shumë mendjen se çfarë shënon për Shqipërinë rizgjedhja e Trump. Një pjesë e tyre edhe pse emigrantë, kënaqen më shumë për deportimin në masë të latinove se sa për të ardhmen e Shqipërisë.

Shumica dërmuese e tyre votuan për "the Donald".

Eshtë mirë të pranojmë atë që është e dukshme dhe e vërtetë historikisht. Nuk kemi pasur asnjëherë një ndjenjë të fortë kombëtare. Sikundër u ngritëm të fundit kundër Turqisë dhe më vonë ndaj Fuqive të Boshtit, të fundit do të jemi gjithnjë në mbrojtjen e interesave tona kombëtare!

Wednesday, 6 November 2024

Shumica e amerikanëve jetojnë sot për sot


Edhe pse e pritshme, fitorja e mbrëmshme e Trump i tejkaloi pritshmëritë. Për më tepër edhe një numur i madh i të rinjve votuan për të dhe për kandidatët e tjerërepublikanë. Duket që "the Donald" do "mbretërojë" pa asnjë lloj pengese legjislative në katër vitet e ardhme. 

Dy ishin faktorët kryesorë që ndikuan në rikthimin e tij në pushtet. Gjendja ekonomike-financiare e familjeve amerikane dhe emigracioni.

Gjithë çështjet e tjera, që i takojnë një të ardhmen jo të largët, sikundër janë ngrohja globale dhe efekti i saj në globin tokësor, situata e demokracisë dhe e institucioneve të saj, ndikimi pozitiv ose jo i SHBA në marëdhëniet ndërkombëtare, rritja e mundshme e ideologjisë fashiste kudo në botë, patën kaluar në planin e tretë dhe të katërt.

Eshtë ky një tregues i fortë, që shumica e amerikanëve jetojnë sot për sot.

Rrënjët janë jo vetëm në arsimimi jo shumë i mirë i shumicës, koha e pakët që mbetet për të kuptuar botën si rrjedhojë e orëve të zgjatura të punës, por edhe tek një lloj vetbesimi arrogant si nënshtetas të shtetit më të fuqishëm në botë. Ndaj ndodh edhe që një përqindje jo e vogël e popullsisë beson se "bota është e sheshtë"(të gjithë këta janë përkrahës të presidentit Trump).

Me këtë nuk dua të justifikoj dështimin në politikat ekonomike dhe të emigracionit të administratës së sotme amerikane, (kam qënë gjithnjë mosbesues në aftësitë e Biden për të drejtuar), por bëj një përpjekje për të kuptuar se si është e mundur që kaq shumë njerëz nuk shohin dot më larg se hunda e tyre.

A vjen "fundi i botës" nga rizgjedhja e Trump?

Edhe pse nuk ka bazë për një parashikim të tillë apokaliptik, mendoj se 4 vitet e ardhëshme do jenë tepër të paqëndrueshme në planin ndërkombëtar dhe do varen shumë nga humori i një njeriu të pastabilizuar dhe të paparashikueshëm. 

Hapa pas do ketë në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. 

Hapa pas do ketë në rritjen e demokracive kudo në botë. 

Hapa të mëtejshëm do ketë në rritjen e forcave të ekstremit të djathtë dhe shtimin e autokracive.

Trump e koncepton politikën si biznes dhe si marrëdhënie transaksionale dhe në këtë mënyrë do të negociojë vetëm me udhëheqës "të fortë" pa patur pengesa ligjore dhe institucionale në të dy krahët.

Do ketë një gjallërim të ekonomisë, por është tepër naive të thuash se të gjithë mund të përfitojnë nga idetë e tij ekonomike, Prirja sot në botë është që të pasurit pasurohen gjithnjë e më shumë dhe hendeku midis tyre dhe masave thellohet gjithnjë e më tepër. Kjo prirje do kristalizohet edhe më shumë gjatë viteve të tij.

Ka vetëm një lloj ngushëllimi.

Janë vetëm katër vite dhe të zhgënjyerit do rikthejnë njerëz më të arsyeshëm, qofshin të djathtë apo të majtë në krye tëvendit më të madh dhe më të rëndësishëm në botë.